Mendime
Ermal Mulosmani: “Haxhiqamiloida” në Portën e Lartë të Erdoganit
E enjte, 07.01.2021, 01:10 PM
“Haxhiqamiloida” në Portën e Lartë të Erdoganit
Nga
Ermal Mulosmani
Fjalën
“haxhiqamiloida” e kam ndeshur për herë të parë në esenë “Mosmarrëveshja” të
Ismail Kadaresë. Ajo fjalë ka referencë katundarin analfabet e besimtar tiranas
Haxhi Qamili, i cili i vuri flakën Shqipërisë në vitet 1914-1915 duke kërkuar
largimin e Princ Vidit dhe bashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose të
paktën qeverisjen nga një përfaqësues i atij shteti.
Përdoret
nga Kadarea për një valë të re mallëngjimi turkoman të shqiptarëve, një dashuri
vëllazërore, moderne për otomaninë, mënyrën e jetesës, telenovelat, pushimet
turke. Këtë rigjallërim modern të një
lloj “nostalgjie e çuditshme për kohën e robërisë” shkrimtari i madh e quan shumë të rrezikshme
sidomos në ditët kur Shqipëria ndodhet në prag të bashkimit me Evropën:
“Nëse
100 vjet më parë klithma e Haxhiut të çmendur ka qenë thirrja e shkuljes së
Perandorisë nga preja e saj, sot, 100 vjet më vonë, ajo është ofshama e fundit
anti evropiane në këtë vend. Atë ofshamë e fshihnin me kujdes të gjithë ata që,
duke ulëritur për Evropën, luteshin së brendshmi që Evropa të mos i hapte kurrë
portat për shqiptarët. Parti politike ose pjesë të shtetit, organizatat e
krimit, klane të korruptuara, ishin në kërkim të vazhdueshëm të vjegave për tu
acaruar me Evropën”.
Ismail
Kadare, Mosmarrëveshja
Sigurisht
shpura kryeministrore që u prit në
sarajet e Turqisë nuk ka asgjë të përbashkët në dukje me Haxhiun mistrec të
kohëve anadollake. Përkundrazi, moda dhe eleganca, fjalët e zgjedhura dhe shija
e lartë estetike janë krejt e kundërta e Xhikes sonë të dikurshëm.
Mirëpo
ideja ka mbetur e njëjta: vëllazërimi me Anadollin.
Politika
e jashtme e vendeve të vogla ka pak hapësirë për të lëvizur. Orientimi
perëndimor dhe largimi nga kthetrat anadollake duhej të ishte prioriteti
absolut i Shqipërisë që buron qysh nga kohët dritëdhënënëse të Rilindjes
Kombëtare.
Duke
menduar për gjeopolitikën më vjen në
mendje thënia e njohur e regjisorit të madh amerikan Stenley Kubrik:
“Shtetet
e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”!
Më
kujtohet fare mirë incidenti turk me avionin rus në kufirin sirian para 5
viteve. Të gjithë u habitëm sesi Erdogan mori guximin të prekte “gangsterin”
Putin. Për më tepër, refuzimi i menjëhershëm për të kërkuar ndjesë në emër të
cënimit të sovranitetit dhe paralajmërimi që “mos të luante me zjarrin” ishte
për tu admiruar.
Erdo
u tregua me dinjitet.
Mirëpo
vetëm 8 muaj pas atij incidenti që shkaktoi edhe vdekjen e një piloti rus,
Erdogani me një letër përulëse shprehu keqardhjen dhe pendesën e thellë për atë
akt. Jo vetëm kaq. Cari rus e poshtëroi delegacionin turk të kryesuar nga
Erdogan duke e lënë të presë në korridoret e Kremlinit si të ishte një nëpunës
i rëndomtë i administratës. Pamjet e Erdoganit të lodhur që dikur gjen një
kolltuk për tu çlodhur u transmetuan në kanalin televiziv Rusia 1 si për t’i
treguar dy popujve se kush ishte gangster e kush …
Dinjiteti
u përlye keqaz…
Hera
e dytë që Sulltani Erdo e ngriti stekën e konfliktit përtej fuqive të tij ishte
kur arrestoi pastorin amerikan Andreë Brunson me akuzën e pjesëmarrjes në
grushtin e shtetit të vitit 2016. Administrata e Trump i kërkoi lirimin e
pastorit, Erdogani kërkoi në këmbim dorëzimin e klerikut Fetullah Gulen i cili
ishte në ekzil politik në USA. Edhe këtë herë ishte Erdogan ai që u zbyth me
bisht ndër shalë. Pastori amerikan u lirua nga burgu ndërsa Gulen vazhdon i
qetë jetën e tij në Shtetet e Bashkuara.
***********
Të
kthehemi tani në katundin tonë të vogël dhe takimin e djeshëm. U nënshkruan
përplot marrëveshje ku ne veç përfitonim e Sulltani i madh na jepte me bujari.
Ndër
të tjera kronika televizive përmendte rindërtimin e banesave të shkatërruara
nga tërmeti, ndërtimin e një Spitali në Fier, 100 pacientë në vit për ndërhyrje
që nuk mund të realizohen në spitalet tona, restaurimi i xhamisë së plumbit në
Shkodër etj. Asnjë fjalë se çfarë do të bënim ne në këmbim të gjithë këtyre të
mirave që po na i dhuronte me bujari Presidenti Erdogan…
“A
thua pse të na dojë kaq shumë Erdogani ne?”– pyesja veten pa një përgjgije të
qartë…
Më
ndihmoi pak Erdogani kur lexoi tekstin e marrëveshjes:
“Ne
bashkë me autoritetet shqiptare dakortohemi që organizata terroriste e Feto-s
përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që Feto të helmojë
mardhëniet mes dy vendeve tona dhe me këtë rast Turqia me institucionet e saj
do të jenë përkrah Shqipërisë”.
Gjatë
kësaj kohe Kryeministrit tonë i kishte rënë një çehre e zezë turpi. Vetëm ai e
dinte se sa e tmerrshme ishte ajo dekikë. Sepse Kryeminstri ynë është ku e ku
më i hollë nga mendja e modern nga pamja se analfabeti Haxhi i Sharrës. Ai e di
shumë mirë që Gylen është problem i Erdoganit dhe nuk ka asnjë lidhje rreziku
me Shqipërinë. Por, siç e ka thënë
Kubriku i famshëm, misioni i shteteve të vogla nuk është edhe aq fisnik. Nëse
gangsteri i trajton me bujari dihet se
çfarë i prêt në fund të ditës.
Zakonisht
“gangsterët” japin urdhra, poshtërojnë siç ishte rasti i Putin-it në Kremlin,
me Erdoganin.
Kur
“fuqia e madhe” sillet mirë me “të voglën”, madje tepër mirë, ka diçka
shqetësuese. Përtej kthimit në qesharak të shtetit të vogël duke i përmendur
rrezikun gylenist, investimet pahesap dhe dashuria vëllazërore dikur do të
shlyhen.
“Haxhiqamiloida”
nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Ajo gjendet në tjera porta.
Marrë nga https://www.gazetaexpress.com/