E marte, 20.04.2021, 09:33 AM (GMT+1)

Faleminderit

Mursel Muçolli: Kadri Muçolli, njeriu që meriton të përkujtohet

E enjte, 07.01.2021, 08:54 AM


KADRI MUÇOLLI, NJERIU QË MERITON TË PËRKUJTOHET

Kadri Muçolli, njeriu që me trimërinë e dijen e tij, me ndihmën e bashkfshatarëve të fshatit Herticë të Llapit, shpëtoi fshatin pa u djegur dhe banorët pa u masakruar nga serbët para 100 vitesh, pikërisht mç 6 janar 1921, kur ishin djegur e masakruar banorë të disa fshatrave tjerë të Rrethit të Podujevës e të Prishtinës, Kadriu mbetet heroi i Herticës!

Në janar të vitit 2021 bëhet njëqindvjetori i masakrës së Errfisë, në fshatrat e Llapit dhe Gallapit. Për ata që duan të dinë më shumë për këto masakra, të marrin tekstin e profesor Dr. Liman Rushiti, “Lëvizja kaçake në Kosovë (1918-1929)”, autori në detaje i përshkruan masakrat në secilin fshat të këtyre anëve.

Qysh si fëmijë kishim dëgjuar prej prindërve dhe familjarëve për masakra të ndryshme të ndërmarra prej Serbisë mbi shqiptarët, të quajtura Errfi, që kishte kuptimin e shfarosjes së popullit në një vend, qoftë me vrasje apo me djegie në mënyrë masive. Kjo kishte ndodhur në janar të vitit 1921, gati dhjetë vite mbas pushtimit të Kosovës nga Serbia. Qëllimi i këtyre mizorive ishte zbrazja e Kosovës nga shqiptarët dhe në vend të tyre vendosja e serbëve dhe e malazezëve në Kosovë, kolonizimi.

Errfia serbe kishte vrarë dhe djegur fshatrat Keqekollë dhe Prapashticë. Si fëmijë nuk e dija çka është Errfia. Familjarët e mi “Errfinë” e shpjegonin si bandë nacionalistësh dhe çetnikësh serbë të mbështetur nga pushteti i atëhershëm i Mbretërisë Serbo-kroate-sllovene, që në të vërtetë ishte pushteti i Mbretërisë Serbe.

Ishte përhapur lajmi se në Kosovë, Errfia po i vret dhe po i masakron banorët shqiptarë, vetëm pse janë shqiptarë. Paniku dhe tmerri ishte përhapur në të gjitha vendbanimet shqiptare. Një panik dhe tmerr i tillë e kishte kapluar edhe fshatin Herticë, i cili shtrihet në juglindje të Komunës së Podujevës. Burrat e fshatit po i mundonte kjo, për çka u mblodhën për të  kuvenduar se si ka mundësi t’i shpëtojnë këtij terrori dhe gjenocidi te Errfisë.

Në bisedë e sipër, ata erdhën në përfundim që të mbledhin lira dhe t’ia dorëzojnë komandantit të Errfisë, ndoshta do të shpëtonin. Pajtohen të gjithë të bënin grumbullimin e lirave. Për ato familje që nuk kishin mundësi të jepnin nga një lirë,  ishte zotuar Xhemë Llalloshi, se do t’i jepte lirat për të gjitha ato familje.

Vendimi i kuvendit të fshatit Herticë ishte se këto lira do t’ia dërgonin tre përfaqësues të fshatit, në krye me Kadri Muçollin, i cili kishte qëlluar kryetar fshati.

Kadri Muçolli kishte pranuar rolin që ia kishin besuar fshatarët. I merr lirat e tubuara dhe me dy përcjellësit e tij, Ajet Muçollin dhe Musli Durmishin, nisen për Orllan, ku kishin informata se gjendej Komanda e Errfisë. Pas shumë peripecish rrugore nëpër male, në kohë dimri me shumë borë, në këtë kohë, të 6 Janarit 1921, arrijnë në Orllan.

Kadriu kërkon leje nga rojet e komandantit që të takohet me Komandantin. I lejohet takimi, hyn brenda te Komandanti i Errefisë. E përshëndet në gjuhen serbe dhe i prezantohet: “Unë, Kadri Muçolli jam përfaqësues i fshatit Herticë, me dy përcjellësit e fshatit që janë në korridor, të garantojmë se në fshatin tonë nuk ka lëvizje kaçake. Nëse fshati kursehet nga ndëshkimi të shpërblejmë me këto para (lira)”, duke ia hedhë lirat në tavolinë (sa ka qenë numri i lirave nuk dihet).

Komandanti ndihet i kënaqur me pagesën. Kadriun e urdhëron që t’i gjejë dy-tri shtëpi të pabanuara në Herticë, ato do t’i djegim, sepse kështu e kemi urdhërin prej së larti që të  dalim edhe në Herticë, i kishte thënë Kadriut komandanti.

Kadriu kthehet i gëzuar në Herticë me dy shoqëruesit e tij dhe i njoftojnë bashkëfshatarët për marrëveshjen e arritur.

Të nesërmen, me 7 Janar 1921 del Errfia në Herticë dhe i djegin dy-tri shtëpi të pabanuara, afër një mali, sipas marrëveshjes. Pas aksionit të kryer, komandanti i urdhëron fshataret e Herticës që t’i ushqejnë ushtarët e tij. Dreka u shtrohet në lagjen e Llalloshëve, pranë shtëpisë së Qamil Llalloshit. Pas ngrënies së drekës, komandanti i Errefisë i urdhëron pjesëtarët e tij, që të ngriten dhe të largohen nga fshati Herticë, ngase aksioni për Herticë mori fund.

Ky ishte kontributi i Kadri (Xhemail) Muçollit me bashkëfshatarët e Herticës që fshati Herticë i shpëtoi masakrës së planifikuar.

Kontributin më të madh për shpëtimin nga masakrat e Errfisë serbe e ka dhënë atdhetari Nazim Gafurri, i cili e shiti tërë pasurinë e vet në Prishtinë, që ta njoftonte Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kombet e Bashkuara e urdhëruan Mbretërinë Serbe që ta ndërpres torturën mbi popullatën shqiptare të Kosovës.

Torturat e pushtetit serb u ndërprenë përkohësisht por regjimi u ndie i turpëruar me këto veprime. Në vend se t’i dënonte autorët e këtyre krimeve, regjimi serb e ktheu ndëshkimin për shqiptarët që kishin ndikuar, që Serbia në arenën ndërkombëtare të njihej si shtet nacionalist.

Nazim Gafurrit, në shenjë të hakmarrjes për kontributin e tij, për publikimin ndërkombëtar të masakrave të Erfisë serbe mbi popullatën shqiptare, regjimi serb ia përgatitë likuidimin. Caktohet atentatori shqiptar, i cili e vret Nazim Gafurrin në Prishtinë.

Gjykata e Serbisë e thërret në gjykim Kadri Muçollin, si të akuzuar për njollosje ndaj pushteti serb. Dënohet me burg në Prokuple. Dërgohet në burgun e Nishit. Në burgun e Nishit keqtrajtohet dhe torturohet derisa i keqësohet gjendja shëndetësore fizike dhe mendore. Kur pas disa vitesh burgim, e kuptojnë se ia kanë arrit qëllimit, e lirojnë të shkatërruar tërësisht fizikisht e mentalisht.

Në këtë rast,nuk ishte fajtor kadriu, porkomandanti i çetnikëve, pse kishte pranuar lirat në kushtëzim me mosndërhyrje në fshatin Herticë. Nuk e kishte njollosur kadriu pushtetin satrap të Serbisë, por komandanti i tyre i korruptuar.

Kadriu kthehet në familjen e tij në Herticë. Mirëpo nga torturat kishte nevojë për përkujdesje dhe përcjellës. Për Kadriun kujdeseshin vajzat e tij: Zyka dhe Zarifja. Përcjellës të Kadriut ishin vëllezërit: Shabani, Syla, Bejta dhe Idrizi.

Në shenjë mirëkuptimi për kontributin e tij në janar të vitit 1921, që shpëtoi fshatin Herticë pa u masakruar, sot një rrugë e këtij fshati mban emrin e Kadri Muçollit.

E përkujton me krenari:

Nipi i axhës Kadri

Mursel Muçolli



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora