E enjte, 28.03.2024, 09:11 PM (GMT)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Të flesh me qenin

E hene, 24.11.2008, 12:02 PM


Bahri Myftari

 

Djaj të lumtur

 

  FLESH  ME  QENIN

 

            Profesori i spanjishtes e bënte fizkulturën e mëngjesit te kodrat.  Ky ishte rregulli i parë për jetën e tij, madje prej shumë vitesh. Nevoja për frymëmarrje të pastër e për pak vrap ishte një këshillë e kahershme. Nga shtëpia e vet në lagjen te “Kullat” dhe deri aty rrëzë kodrës ai shkonte e vinte me biçikletën e tij të famshme. Një “Bianchi” e viteve ’70- të të shekullit të shkuar, që, sot, zor se do të gjendeshin më tepër se tri-katër copë në tërë qytetin.

            Pra, me të mbërritur te kodra, profesori e linte biçikletën e vet në oborrin e vilës së shokut të tij. Dikur patën qenë djem të lagjes së vjetër. Koha dhe jeta bënë të tyren. I zoti i vilës, ndër  të paktët prej djemve të lagjes që u mor me politikë, i gëzohej  legjislaturës së dytë të parlamentit dhe tani ishte ministri më i admiruar i kabinetit. Profesori e linte “Bianchin” në një kënd të oborrit dhe, ashtu, veshur sportiv, merrte përpjetë kodrës. Gati një orë në mëngjes të çdo dite, profesori bënte ushtrime të ndryshme, frymëmarrje, vrapim të lehtë dhe të shpejtë. Ajo këshillë e kahershme, së fundi, ishte kthyer në pasion për të. Në mëngjesin e ditës së fundit të javës, ndërsa shpejtoi për të marrë biçikletën aty në oborr, u shtang prej habisë. Biçikleta nuk ishte në vendin e vet, madje nuk po ia zinte syri kurrkund. Sakaq, u hap dera e vilës. Në prag u dha ministri i ndjekur nga pas prej qenit,  një “doberman” i zi, energjik dhe i gëzuar. Qeni nisi t’i ledhatohej të zotit. Ministri përshëndeti me zë profesorin dhe, si për ta bërë më të plotë xhestin, urdhëroi “dobermanin”, që gati fluturimthi u hodh drejt gjoksit të profesorit. ”Kujdes!, Kujdes, bir,” tha ministri dhe duke i futur krahun shokut të vet e drejtoi për nga ana tjetër e kopshtit. Aty, një “land Rover” ishte i dëmtuar keqas, aq sa edhe timoni i kishte kërcyer prej vendit. “E sheh, e sheh, i dashuri im, ia pat ministri, ja ç’më ka bërë im bir! Mbi të  njëzetat është, veç vetëm si mish dhe si kocka.” Dhe po me atë mllef dhe inat, ministri vazhdoi: “Një javë më parë, po ky trimi që ka bërë copë-copë “Land Roverin” e hodhi në plehra edhe “Fiatin” e zyrës.” Profesori ndiqte me vëmendje, edhe pse s’po kuptonte krejtësisht çka thoshte ministri, dalëngadalë zu të ftillohej. Aq më mirë që ministri, në çast, i tha të tëra: “Ai ta ka marrë edhe biçikletën,  por shpresojmë, të shpresojmë ta bjerë edhe biçikletën edhe kokën. Ti prit  për një farë  kohe, miku im...” Kaq tha ministri dhe me qenin mbi supe hipi në makinën që e priste për ta çuar në punë.

             Profesori bëri ç’iu tha, veç më kot. Djersa e tharë po i shkaktonte të dridhura. Djali me biçikletën nuk u duk fare.  Profesori iku. Nga ajo ditë e më tej e quante të kotë interesimin për biçikletën. Me djalin e  ministrit ishte këmbyer dy-tri herë. Me thënë të vërtetën, ishte profesori që i druhej ballafaqimit me të. Megjithatë, edhe pse pa biçikletën nuk hoqi dorë nga fizkultura e mëngjesit. E niste vrapin përgjatë bulevardit. Kjo ishte pak e vështirë, por herë -herë mendonte për  të blerë një biçikletë tjetër. Kjo ishte e pamundur dhe e paarsyeshme. Ditë më parë, thjesht për shkaqe financiare, djalin e vogël e pati larguar nga një kolegj privat, ku  ai ishte me djemtë e lagjes, me moshatarë të tij. Ende pezmin e të birit e mbante qepur në sy. Një ditë, të hënën, më tepër se çdo gjë,  krejt pa vetëdije, këmbët e çuan për  andej nga vila e ministrit. Atje, ende zotëronte heshtja. Profesori e dinte fort mirë se e zonja e vilës, e shoqja e ministrit, së bashku me vajzën prej kohësh jetonin në një vend të Evropës Qendrore, nuk i ishte i sigurt, në Vjenë apo në Budapest! Opinioni ishte se nëna ndiqte të bijën, pasi ajo studionte në një universitet me autoritet, veç e  vërteta ishte e krejt ndryshe. Profesori e dinte se vajza pati qenë një përdoruese droge qysh në gjimnaz, e tani nuk ishte për studime, por për kurim në një klinikë të specializuar, për kësi gjërash ishte qëndrimi i nënës dhe i së bijës atje.         

          Po atë të hënë, në një bar-kafe në brendësi të lagjes së vet, krejt rastësisht dhe pa interes fillimisht, profesori po përcillte një kronikë të zgjeruar, ku ministri, ish-shoku i tij, kishte mbledhur të gjithë bosët e bankave private si dhe ata “kapot”, duke u bërë një leksion mbi perspektivën e sigurinë që buronin tashmë edhe për faktin që vendi ishte pjesë e familjes evropiane. Më afër  se kurrë Evropës së bashkuar. Ndërkohë u dha në ekran edhe kryeministri. Ky ishte i përnatshëm në televizor. Kjo sjellje e tij pa kurrfarë mase, kishte filluar t’i nervozonte njerëzit. Pati zëra, fyerje, të bërtitura. Pronari i lokalit, që e kuptoi shkakun, nuk e zgjati më, shkoi dhe e mbylli televizorin. Profesori dhe disa të tjerë, duke përshëndetur e  buzëqeshur ata që do të vazhdonin të rrinin aty, dolën jashtë.

            Në shtëpi u gjend para një surprize të vërtetë. Djali i vogël, i cytur prej s’ ëmës dhe dy vëllezërve studentë, njëri në vitin e parë e tjetri në vitin e dytë, hidhej përpjetë me një letër faksi në dorë. Në të ishte një mesazh i  ministrit që e ftonte të   shkonte te vila në mëngjes.

            - Do të jetë kthyer biçikleta, o ba...

            E ëma  e vëllezërit i bënin shenjë të voglit me sy e me vetulla...

            - Ë ...ba?

            I shkreti djalë! Ndoshta shpresonte se me kthimin e biçikletës, mund të ishte i afërt edhe rikthimi i tij pranë shokëve në kolegj.

            Të nesërmen në mëngjes, pasi përfundoi fizkulturën, profesori u gjend pranë vilës së ministrit. Kishte bindje, domosdo jo aq frymëzuese sa e djalit të vogël, se ftesa  do të ishte për punë të biçikletës. Shtyu portën. Në oborr  veç “Land Roverit”, të bërë copë, nuk po shihte gjë tjetër. Mirëpo ky qe vetëm një çast, Shpejt, aty disa metra prej vendit ku ai linte “Bianchin” e tij, ishte një biçikletë “BMX” e hatashme. S’ngopej së e admiruari. Ndërkohë doli ministri. Ishte veshur me pizhame. Një veshje kjo e harruar prej kohësh. Profesorit iu duk i plakur. Ishin moshatarë, por jo, jo ai ishte i rrëgjuar, i lodhur, i zhubravitur. Ndoshta, ndikojnë pizhamet?!” Sakaq dobërmani hidhej e përdridhej.

            - Siç të thashë, profesor, biçikleta jote pati fatin e atij atje, - ministri tregoi  me gisht “Land Roverin”, - Por,  - vazhdoi, duke u kthyer nga “BMX” - djalin e nisa jashtë shtetit, e nisa për tek e ëma. Nuk po e duroja dot! Nuk e mbaroi fjalën sepse u mek, megjithatë, me njërën dorë në mjekër dhe me tjetrën mbështetur mbi kupën e gjurit të djathtë, mundi të ulej te shkallët.   

             - Kemi pirë shumë mbrëmë, - tha, - nga kokteji kaloi në darkë...erdhi dhe kryeministri, ai e ndezi gëzimin dhe...

            Profesorit iu kujtuan ata burrat në bar-kafe, që kur u shfaq kryeministri në ekran, e detyruan pronarin ta mbyllte televizorin.   

             - Nuk e di profesor, ende në lagjen e vjetër jetoni?

            Profesori pohoi pa zë, duke tundur vetëm pak kokën.

            - Ngushtë, ngushtë qenke! – ia ktheu ministri, duke puthur e përkëdhelur qenin, - dua t’u pyes... për fëmijët e kam fjalën?

            - Tre,  tre djem...

            - Dhe vazhdon të jetosh në shtëpinë e vjetër! Ngushtë, shumë ngushtë dhe  zhurmë besoj...

             - Për nga ngushtësia, ngushtë jam, - ia ktheu profesori, - ndërsa për zhurmën e djemve... ç’të them! Besoj se më kupton, pa atë zhurmë do të kisha vdekur.

            Ministri e shtrëngoi qenin aq fort, sa i ziu kuisi si i goditur. Një çast qe ky, pastaj kafsha ndjeu përkëdheljen e të zotit, që nëpërmjet psherëtimës tha:       

            - Siç e sheh, unë... unë kam bërë një zgjidhje tjetër: nuk kam asnjërin as tjetrin: nuk kam as gruan, as vajzën dhe tani as djalin. Ç’të të them, shoku im i vjetër?! Sa të  më zërë halli, më mirë të më zërë malli. Zgjidhje e gjetur, ë?!

            - Sipas mundësisë dhe dëshirës , - u shpreh profesori pa e parë në sy.

            Ministri urdhëroi qenin: “Shko, shko bir se u bë vonë, shko përqafoje xhaxhin!” Mirëpo, qeni si qen, jo gjithnjë ta plotëson dëshirën. Iu hodh të zotit  dhe i varej gjithë përkëdheli mbi gjoks. Ministri, duke u përpjekur për të larguar  turinjtë e dobërmanit  nga turinjtë e vet, mundi të thoshte:

            - Mos harro ta marrësh atë... është një “BMX” e hatashme, e pakrahasueshme  me atë “bianchin” tënd të shekullit të shkuar.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora