Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Në Mekat, mes miqve dhe dashurisë për gjuhën

| E merkure, 06.01.2021, 11:12 PM |


Në Mekat, mes miqve dhe dashurisë për gjuhën

Nga Entela Binjaku

Arumunët janë të vendosur në disa zona të Shqipërisë si në: Korçë, Tiranë, në Durrës, Kavajë, Elbasan, Divjakë, Lushnje, Berat etj.

Vlora është një ndër qytetet ku jetojnë arumunët.  Kjo pakicë kombëtare banon në fshatrat: Selenicë, Armen, Mekat, Bunavi, Bestrovë, Cerkovinë, Skrofotinë, Zvërnec, Beshisht.

Fshati Mekat, është fshat pothuajse i tëri me arumunë. Në këtë fshat në mënyrë vullnetare nisi disa vite me parë edhe një shkolle arumune me 22 fëmijë, të cilët kanë përparuar shumë në këtë gjuhë. Një  nga banorët Sokrat Koreta mund të konsiderohet si një ndër misionarët e pakicës arumune në Vlorë. Në 5 vitet e fundit ai u ka dhënë mësim fëmijëve në fshatin Mekat.

Shumë i respektuar nga komuniteti ku jeton, Sokrati është jo vetëm një mësimdhënës pasionant por edhe i përkushtuar ndaj gjuhës dhe traditës arumune apo rrëmënje sic njihet.

I frymëzuar fillimisht nga nëna e tij,  Sokrati nisi t’u mësonte fëmijëve të fshatit  gjuhën rrëmënje. Disa vite pas kthimit nga Greqia duke ndjerë keqardhje për rrezikun e humbjes së gjuhës, Sokrati vendosi të nisë mësimin e gjuhës fëmijëve.  Ai gjeti jo vetëm mbështetje,  por edhe shumë dashamirësi në fshat. Sot nëse do të pyesësh thuajse të gjithë fëmijët e fshatit të përgjigjen në gjuhën e nënës. Dhe kjo falë punës së tij.

Ishte viti 2016  kur thirrjes së Sokratit nga ky fshat i Vlorës për të ruajtur gjuhën ju përgjigj një tjetër i apasionuar pas rrënjëve dhe ky ishte Thoma Binjaku nga Fieri.

Bashkë, fierakë dhe vlonjatë të këtij komuniteti si: Mihal Gerveni, Berti Lera (që ishte edhe kryeplaku i fshatit Mekat), Ligor Doko, Mihal Doko etj., të mbështetur edhe nga dashamirës të traditës rrëmënje, ngritën vullnetarisht një shkollë të mësimit të gjuhës në këtë fshat.

Sot kur  kanë kaluar 5 vjet nga koha kur ngritën shkollën që përbëhet nga 22 fëmijë, dëshira e Sokratit vijon të jetë e madhe që fëmijët të pajisen edhe me kostume popullore e të përfaqësohen në aktivitete të ndryshme me identitetin e tyre rrëmënj.

Këtë dëshirë e ndan edhe një ndër figurat qëndrore të këtij komuniteti Mihal Gerveni. Ja si shprehet Mihali në fjalën e tij. “Shkolla në këtë fshat ka pesë vjet që është hapur. Në fshatin tonë dëshirojmë që të kemi një klasë që të mësohet,  sepse Sokrati ka shumë durim për të mësuar fëmijët. Këtu pak më parë se të vinit ju, ishin rreth 10 fëmijë që flasin gjuhën dhe jua ka mësuar Sokrati. Të gjithë i ka mësuar Sokrati. I ndjeri Thoma ka punuar shumë për fshatin tonë. Sokrati ka punuar i papaguar, duke shpenzuar paratë e shtëpisë. Ai ka punuar jashtëzakonisht që e nxori gjuhën tonë në dritë.

Sokrati ka punuar shumë dhe ka arritur deri sot këtu, pas ikjes së Thomait, këtu nuk ka ardhur më askush”, shprehet Mihali. I vetëdijshëm për nevojën për përfaqësim dinjitoz të komunitetit të kësaj zone edhe në aktivitete të tjera, ai shprehet me dëshirën për investime edhe në drejtim të pajisjes me veshje tradicionale.

“Ne duam që këtu të bëhet një investim në shkollë dhe një investim për uniforma. Gjithë labëria ka uniformë, kurse ne nuk kemi. Nuk na ka dhënë askush ndihmë”.

Më tej vizita u vazhdua në Kishën Shën Dhimitri nga ku duket i gjithë fshati.

Mihali shpjegon: “Kisha që është qendrorja dhe  e vjetër është në fshatin tjetër Mekat i parë. Ajo është kishë shekullore. E prishi monizmi dhe u bë prapë. Më pas u bë kjo kishë që u ndërtua në në kohën e demokracisë”. Duke vizituar kishën Mihali thotë se:  “Ikonostasi është dru, i punuar në Durrës. E porositi fshati Mekat. U punua atje dhe paratë ju dhanë në dorë. Kanë qenë njerëzit që  kanë investuar,  fshatarët dhanë paratë, por edhe dashamirës nga Vlora që kontribuan”.

Parashqevia është nxënëse në klasën e tetë. Ajo dhe 20 shokë e shoqe të saj mësojnë gjuhën arumune prej tashmë 5 vitesh.

“Ne filluam të mësonim në vitin 2016 dhe na e mësoi xhaxhi Sokrati. Ne nuk dinim ta flisnim, vetëm nga gjyshërit që e dëgjonim, por na e mësoi ai dhe filluam të flasim. Gjuha më duket shumë e bukur”.

E pyetur sa kohë mund të vazhdojnë ta mësojnë këtë gjuhë ajo përgjigjet se është më mirë ta mësojnë sepse kur të rriten mund të udhëtojnë ndonjë ditë në Rumani dhe mund ta flasin.

Ajo thotë se pothuajse të gjithë shoqet dhe shokët e saj e flasin gjuhën. “Jemi nja 20 vetë”.

Për herë të parë për këtë gjuhë na ka folur gjyshja dhe xhaxhi Sokrati. Ajo thotë së mësuesi i tyre që kur ka qenë i vogël e ka ditur gjuhën, tani ai dëshiron që edhe ne ta njohim gjuhën e të mos jemi të paditur.

Kur në klasën e saj të tjerët që nuk e dinë gjuhën duan edhe ata ta mësojnë.

E pyetur cila ishte një dëshirë e saj ajo përgjigjet:  “Do të doja shumë që të krijohej një klasë apo një shkollë ku të mësoja gjuhën rumune”.