E premte, 19.04.2024, 04:09 PM (GMT+1)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: ‘’Po humbasim’’

E merkure, 06.01.2021, 12:51 PM


‘’Po humbasim’’

Nga Fahri Xharra

Po Humbasim ! Me të vërtetet po humbasim. Po e shoh që po humbasim, po shkrihemi si akulli në Diell. Se po humbasim frikësohej Mit`hat Frashëri që në vitin 1899 apo më herët e shkroi këtë letër drejtuar kohës së tij kur 98 % e popullit të madh shqiptar ishim analfabat.   Po , sot kur gati 99% jemi  të alfabetuar, pse duhet të gjej gjendjen e kombit tonë në atë gjendje si aso kohe. A mendojmë  ndoenjje  gjë të mirë kombin tonë të cilin të  gjithë e shohim që po humbet dhe shkrihet si mos më keq. Marre të keni ju që na “ drejtoni”  në rrugën pa krye !

Marre të keni , ju që na bëni të gjejmë përsëri vetveten si në fund të shekullit 19-të !

Shkrimi është i Mid`hat Frashërit dhe shumë u brengosa kur e lexova dhe më duhej ta ndaj me juve të dashurit e mi që së bashku po e përjetojmë katastrofën kombëtare:

“Të rrojturit e njeriut s'është vetëm me të ngrënë e me të pirë, si e kafshëve; një komb nuk rron si kope dhensh! Duhet që njerëzia të ketë bashkim, vetëdijë që është një komb, të ketë gjuhën, me një fjalë, që çdo njeri i një kombi, të thotë: jam një copëz nga kombi im! Të gjithë duam dhe dëshirojmë një gjë: të shkojmë vëllazërisht mes tonë, të jemi gati të vdesim për mëmëdhenë, të përpiqemi për mbrothësitë e mëmëdhetarëve dhe të gjuhës sonë.

Tani në këto fletë të bardha do të shkruajmë ca gjëra të zeza, të hidhura e të rënda, sa besoj që çdo këndonjësi do ti gjakoset zëmra, siç i rrjedh gjak edhe atij, që shkruan këto fjalë.

Ne, shqiptarët, pa të mendojmë qysh rrojmë! A mund të quhemi vërtet një komb? S'na vete goja të themi se jemi t ‘egër e që s'mund të quhemi komb, por për fat të keq - jemi fort larg një kombi të qytetëruar dhe afër në shkallët e fundit të njerëzisë.

Nuk kemi as dashuri dhe as bashkim midis nesh. Duke mos patur, kështu, bashkim, vijnë ca njerëz të liq dhe na mundojnë si kafshë. Parësi e Shqipërisë shtyp dhe rrjep vegjëlinë! Hapni sytë, pra, ju që ziheni e shqyheni në mes tuaj! Thotë një fjalë: "zihj'e minjve, dasm'e maces". Sa të jemi kështu të ndarë e me grindje, gjithnjë kemi për të vuajtur nën zgjedhë; gjithnjë do të hamë pahir, do nga ata që janë të fortë në vendin tonë, do nga të huajt; kurdoherë do të vdesim urie! Po Humbasim !

Na vjen fort për të qeshur, kur thonë ca të paditur: "Ca nga Shqiptarët janë të krishterë dhe ca myslimanë dhe s'mund të kenë bashkim e vëllazëri mes tyre!". Ata që thonë fjalë të tilla të ndotura, vërtet janë njerëz të liq e shpirt errët dhe s'kanë as dy koqe mend në kokë! Jemi fort të marrë e mëndje pakë, kur dëgjojmë fjalët e helmuara të ca njerëzve, q ‘i kemi armiq, po na rrëfehen si miq; këta grekët dhe halldupët turq, të cilët duan të na ndajnë e na thonë: "Mos kini dashuri në mes të myslimanëve e të krishterëve"!

Këtë mendje të keqe na i japin, që të na dobësojnë e të na hanë mishtë.

Zoti na kreu të gjithë shqiptarë; kemi kaq kohë që flasim një gjuhë dhe të gjithë kemi një gjak, një shpirt, një besë.

Të hedhim një sy mbi gjendjen e shqiptarëve; duhet të kemi zemër të gurtë për të mos qarë, kur shohim sesa vuajnë varfërie! Në shumë vende të Shqipërisë njerëzit ( gati fxh)) vdesin urie; dhe gjithë ata që rrojnë, s'hanë tjetër gjë, veç buk'e djathë e veshin lëvere!

Ç ‘është kjo mynxyrë e madhe? Ç ‘është shkaku?

Shkaku është se jemi në gjunjë, se s'punojmë, se rrimë me duar në gji! Nuk çelim një herë sytë të shohim se bota nuk rron kështu si ne! Në mos mbledhshim mendtë, të duam veten e të kemi dashuri në mes tonë, pa shkuar shumë kohë do të shuhemi fare!.....

Tani të shohim qysh jemi buzë rripës dhe po humbasim. Një komb duhet të ketë gjuhën e të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsisë dhe pa qytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë.

Gjuhën po e humbasim: më çdo vend të Turqisë e të fqinjëve tanë gjejmë me mijëra njerëz, që janë shqiptarë, po s'dinë gjuhën e mëmëdheut. Në tufë shqiptarët dalin jashtë mëmëdheut, martohen në vende të huaja dhe djemtë e tyre, sado që të rrojnë, zihen të vdekur për Shqipërinë! Të mendohemi, pra, a është punë e mirë kjo që bëjmë? Është punë e pëlqyer të kemi djem, që të mos dinë gjuhën dhe kështu të humbin vetijat e kombit tonë?

Duke vajtur kështu, do të vijë një dit' e zezë që të harrojmë fare këtë gjuhë të bukur dhe të mos quhemi më shqiptarë; do të humbasim si komb, sado që të jemi të gjallë si njerëz.

Po m'i madh' i turpeve, është të mos pasurit shkolla shqip! Qysh mund të themi se jemi shqiptarë, pa mësuar mirë në shkolla gjuhën e bukur, që flet mëma dhe áti? Qysh mund të quhemi të qytetëruar, pa punuar gjuhën tonë? Pa pasur libra në të? Gjuha harrohet, po s'qe e shkruar në libra dhe një komb, po të humbasë gjuhën, humbet dhe kombësinë.

Është vërtet një dëm i madh në këtë shekull, që gjithë kombet kanë shkolla dhe fletore në gjuhët e tyre, ne shqiptarët rrimë të pa qytetëruar! Pa vajtur në shkollë e pa mësuar, qysh do të shquhemi nga të egërit?

Sot për sot shqiptarët hyjnë në shkolla të huaja dhe dalin mendje të helmuar s'andejmi: ata që këndojnë në shkollat e bullgarëve, thonë "jemi bullgarë", ata që venë në shkollat greqisht, e pandehin veten e tyre grekë dhe ata që dalin nga shkollat turqisht, thërrasin e thonë "jemi turq"!

Na dridhet zemra kur mendojmë që grekët, turqit, bullgarët dhe serbët kanë me qindra shkolla në vendit tonë dhe ne s'kemi më tepër se dy! ( ne sot kemi shkolla , por s `kemi mësim  fxh )

Të huajt vijnë ndër ne, çelin shkolla dhe ne shqiptarët hyjmë n ‘ato, mësojmë gjuhën e huajt dhe kështu humbasim kombësinë tonë! Të huajt, duke parë që ca shqiptarë mësojnë gjuhën' e tyre, pa pasur turp thonë që ai vend i Shqipërisë, duhet bashkuar me të huajin; nga ai shkak, greku thotë që Janina është imja, serbi thotë kështu për Kosovën dhe bullgari kërkon Manastirin!

Duke mos pasur shkolla shqip, ca nga ca harrojmë gjuhën tonë: në anët e Gjirokastrës flasin greqisht dhe në Tetovë e në Prizren turqisht e sllavisht! Të kishim shkolla, s'bëhej kjo mënxyrë.  Do kuptuar mirë kjo fjalë: duke humbur gjuhën, humbet dhe kombësinë njeriu. Nuk besoj të mos e dini të tërë, që jemi në gojë t ‘ujkut, se greku, bullgari, serbi dhe malazezi duan të na zhbëjnë.

Mos besoni që me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë. E harruat qysh 18 vjet më parë, Serbia na mori Nishin, Vranjën dhe Leskovacin! Këto vende qenë thjeshtë shqiptare, po ishin të paqytetëruar dhe kështu trimëri e tyre s'bëri dot gjë. Prapë n ‘ato kohëra d.m.th. më 1881 Mal'i Zi na rrëmbeu Ulqinin!

Mos u gënjeni kurrë të thoni, që na mban Haldupi.  Haldupët s'rrojnë dot shumë kohë, se s'janë të qytetëruar; me t'u rrëzuar, do të na hedhin edhe ne në greminë dhe kështu do të humbasim si zog nën kërmën.

S'ka njeri të mos kuptojë, që halldupët në Rumeli e kanë jetën të shkurtër dhe nuk i ndalojmë dot rrëshkitën që ka zënë, se një bot ‘e tërë nuk e do; në ndënjshim kështu siç jemi, do të biem dhe ne bashkë me turqit; po në zënçim të zgjohemi d.m.th. në kuptofshim, që jemi një komb, në paçim dashuri e në mësofshim të gjithë gjuhën tonë, ahere pas humbjes së halldupëve, do të jemi të zotë të mbajmë veten tonë.

Po dhe Evropa do të shohë që qenkemi njerëz dhe do të na ketë në kujdes.

Janë ca njerëz me shpirt të poshtër, që thonë: "më mirë të na marrë ndonjë mbretëri e huaj!" Ah! Këta njerëz nuk mendohen, që në na marrtë një i huaj, s'na le as kocka, as mish: do të humbasim edhe gjuhën, edhe kombësinë tonë!

Siç e pamë, rreziku që kemi mbi kryet është' i madh, po në prefshim shpresën dhe të mendojmë "kështu qenka thënë", ahere do të shtohet prishja jonë! Do punuar. Me vullnesë e me punë arrihet çdo qëllim.

Lumo Skëndo

* Botuar tek Kalendari Kombiar i Kristo Luarasit, Sofje 1899

** Albert Dumont: Le Balkan et l'Adriatique, page 204, un v. chez in 12-o chez Didier Paris 1873 (shënim i autorit)

Shkruar nga  Mid'hat Abdyl Frashëri në vitin 1899



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora