E marte, 16.04.2024, 11:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Aleksandër Rrapi

E merkure, 01.03.2006, 10:25 PM


Aktorin, që e duan edhe grekët

Nga Altin Metaj/Greqi - Shqip

Aleksandër Rrapi

Mrekullia e një artisti të ardhur nga Shqipëria. Aleksandër Rrapi është padyshim shembulli i njeriut, i cili mbërriti në skenat greke duke realizuar ëndrrën e tij më të madhe. Një pasion i madh për artin skenik që nuk arriti ta shuante as ekstremizmi grek
Aleksandër Rrapi erdhi në Greqi ashtu si edhe qindra e mijra emigrantë të tjerë. Por në ndryshim nga të tjerët ai për asnjë moment nuk pushoi së punuari për të realizuar ëndrrën e tij, të interpretojë në një skenë greke. Kjo ishte ëndrra e tij e çmendur, e cila tashmë është bërë realitet. Protagonist në një sërë shfaqjesh teatrore, por edhe interpretimet e tij në serialet televizivë grekë, e kanë renditur atë në kuadrin e artistëve me të dashur për publikun grek. Aleksandër Rrapi është padyshim shembulli i njeriut, që megjithëse nuk dinte as gjuhën greke dhe punonte në punë të rënda fizike, për asnjë momentet nuk u tërhoq, por mbajti ndezur pasionin e tij për artin skenik.
Kur dhe përse erdhët në Greqi?
Arsyet e ardhjes ishin thjesht ekonomike. Megjithëse sa mbarova shkollën e lartë për aktor në vitin 1990, m’u dha vetëm një mundësi njëvjeçare për të punuar në trupën profesioniste të Beratit. Aty punova me regjisorë të afirmuar për Shqipërinë dhe shkollën e teatrit, si Sheri Mita dhe Leka Bunga. Plus dhe dëshira familjare meqë jam djali i një aktori. Babai im ka qenë në radhët e para të krijimit të Teatrit Popullor Shqiptar me brezin e aktorëve tashmë të njohur. Dëshira ishte që largimi im fizik nga Shqipëria të mos kishte lidhje me largimin nga skena dhe arti.

Ndërkaq me ardhjen në Greqi, nuk besoj se e gjetët gjithçka të shtruar. Si ndjehet një artist kur në vend të aspiratave të tij artistike i duhet të përballet me sfidat e mbijetesës?
Kjo është shumë e qart dhe shumë e vështirë njëkohësisht për të gjithë emigrantët. Detyrimet ekonomike më bënë që të punoja shumë orë të ditës. Sinqerisht e kisha ëndërr në fillim që, a do të mundesha të shkelja ndonjëherë në ndonjë skenë greke. I shikoja në horizont, ndoshta e shikoja edhe të pamundur duke parë vështirësitë e gjuhës greke, plus edhe një farë acarimi shpirtëror që kishte opinioni grek kundër çdo emigranti shqiptar. Vështirësitë i dimë të gjithë, nuk dua të marrë pozicione politike. Mbi të gjitha kam pasur një këmbëngulje të madhe dhe kërkesë te vetja, domethënë si një fëmijë që hyn për herë të parë në shkollë e mëson A, B, C-në edhe unë mësova A,B , C-në greke. Këtë e bëra për kulturën time, pa menduar se një ditë do të shkelja rëndë në teatrin apo në skenën greke. Kjo bëri që unë në çdo moment të jetoj ëndrrën për të luajtur në skenën greke. Për ato vite kjo ishte çmenduria ime, por kjo çmenduri bëri që pas kaq vitesh ëndrra ime të bëhet realitet.

Ndërkohë që ju jetonit këtë ëndërr, cilat ishin përpjekjet për t’u integruar edhe artistikisht?
Rasti dhe fati për çdo njeri është mrekullia e momentit. Duke punuar diku në një shtëpi, në ndërtim, i zoti i shtëpisë pasi kisha disa ditë që punoja më thotë : “Më bën përshtypje mënyra se si diskutojmë apo flasim bashkë. Dua të më thuash të vërtetën se me se je marrë në Shqipëri, sepse nga mënyra se si punon nuk je afër ndërtimit dhe mbi të gjitha më bën përshtypje mënyra se si gjykon dhe trajton problemet e kohës në të cilin jetuam”. Bëhej fjalë për vitin 1993. Kjo bisedë ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme pasi ai njeri më dha mundësinë që të krijoja në Qeratea, në vitin 1994, një grup teatror me nxënës të shkollave të mesme dhe me nxënës të shkollave 8-vjeçare. Më dha mundësinë që të vija në skenë shfaqjen “Kërkohet gënjeshtari” e Dhimitri Psathas. Duke mos harruar që në mëngjes bëja punë të rëndomta dhe mbasditeve merresha me provat e shfaqjes deri vonë. Kisha harruar familjen, kisha harruar jetën time personale. Gjithçka ia kushtova kësaj shfaqjeje, e cila për mua ishte një dritëz që sa vinte e afrohej drejt meje, ishte drita e teatrit dhe e skenës.

Viti 1994 ishte viti ku irritimi ndaj emigrantëve shqiptarë ishte në kulmin e tij, një emigrant shqiptar krijon një grup teatrimi me nxënës të shkollave greke. Si reagoi opinioni ndaj këtij fakti?
Isha nga të vetmit shqiptar që nuk kam mohuar kombësinë time. Isha në muajin e parë dhe të dytë të punës. Gjatë kësaj kohe asnjëherë me grupin nuk kisha deklaruar identitetin tim. Vetëm në momentin kur në premierën e shfaqjes u dëgjuan fjalë kaq të mira, atëherë me gojën plot kam mbushur veten emocionalisht dhe përpara sallës kam deklaruar se ja çfarë mund të bëjë një artist i ardhur nga Shqipëria.

Kur ishte aktivizimi juaj i parë si profesionist dhe si ndodhi kjo?
Duke pasur një familje shqiptare brenda familjes së tij, regjisori Manusho Manushaqit i lindi ideja që shqiptarët përveçse një ndihmesë ekonomike që mund të japin në ndërtimin e sotëm të Greqisë, mund të japin edhe një ndihmesë intelektuale. E nënvizoj këtë për vetë faktin se heroin e filmit “Dashuria erdhi nga larg” nuk e gjeti rastësisht në një fanar apo garazhd makinash ku flinte. Por e gjeti te një intelektual shqiptar, që vinte me një shkencë të mësuar si agronom, por arsyet ekonomike, ashtu siç më kishte ndodhur mua edhe shumë të tjerëve, e kishin detyruar të punonte kudo. Kjo ishte edhe ideja që ngacmoi nga ana profesionale dhe afroi shumë aktorë profesionistë që gjenden në Athinë, të shtyhej më tej ideja e regjisorit Manusho Manushaqit. Ky i fundit, në bashkëpunim me skenaristin Vasili Spilopulo, krijoi atë film. Pak a shumë të gjithë e dimë suksesin që pati ky film dhe ndikimin që ai pati në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Madje, filmi ndikoi edhe te shqiptari më i fundit. Ishte e vërtetë bindja e opinionit grek që shqiptarët nuk janë vetëm ajo pakicë që shtypi grek i lakonte disa herë, që bëjnë incidente dhe që kishin krijuar skena të papëlqyera. Ishte vërtet momenti që dikush duhej të merrte iniciativën; gjë që nuk erdhi nga pala shqiptare. Megjithatë shkëndijën e afrimitetit midis dy vendeve e kishte dhënë pak më parë edhe filmi “Mirupafshim!” me aktorët shqiptarë shumë të njohur si Kadri Rroshi dhe Margarita Xhepa. Ky film shpalosi në opinionin grek mikpritjen shqiptare, dashurinë historike të dy popujve dhe kishte lënë mënjanë atë gjuhën e keqe të opinionit të grekërve kundër nesh.

Fjala, gjuha është sigurisht një nga mjetet kryesore të aktrimit dhe ju greqishten nuk e keni gjuhë amtare. Kjo a ju krijon pengesë në komunikimin me spektatorin grek?
Meqë m’u dhe mundësia do t’ju them një rast interesant. Në vitin 2004 aktivizohem në teatrin “Knosos”. Shfaqja që paraqitëm ishte “Eleni” e Evripidhit. Pas shfaqjes dikush vjen, më uron dhe më thotë “do t’ju bëj edhe një kompliment tjetër. Ngjan shumë me një aktor shqiptar, të cilin e kam parë gjashtë muaj më parë te filmi “Dashuria erdhi nga larg”.

Në ekranin grek vitet e fundit janë shfaqur një sërë veprash që u referohen emigrantëve shqiptarë, ku interpretojnë ashtu si edhe ju një sërë aktorësh shqiptarë. A mendoni se këto vepra kanë ndikuar sadopak në ndryshimin për mirë të mentalitetit të vendasve ndaj shqiptarëve?
Aktivizimi i shqiptarëve në televizionin grek ka sjellë një lloj çkontraktimi të marrëdhënieve shqiptaro-greke. E them këtë për shumë arsye, ngaqë shqiptarët janë vendosur në pozicionet e tyre si familjare, ashtu edhe ekonomike. Ka shumë shqiptarë miq të mi që kanë arrritur të hapin bizneset e tyre. Kjo ka bërë që ky lloj çkontraktimi fizik dhe psikologjik u krijua që me filmin e parë “Dashuria erdhi nga larg”. Pasi i solli shqiptarët më afër me grekët dhe anasjelltas. Ka shumë miq apo mikesha të mi që kanë arritur të krijojnë familje shqiptaro-greke. Grekët nuk ruajnë më atë lloj fanatizmi të keq kundër nesh, por kanë arritur të krijojnë familjet e tyre. Mundësitë tona ose arma jonë, pra arma e një aktori është fjala. Nëpërmjet kësaj fjale, nëpërmjet kësaj arme që dimë të komunikojmë si në shqip, ashtu edhe në greqisht kemi krijuar një opinion më intelektual. Njëkohësisht opinioni i përgjithshëm është i rregulluar dhe rregullohet gradualisht, në rrjedhën e viteve. Ndryshe mund të fliste dikush për shqiptarin e viteve ’90-të, ndryshe mund të flasë për shqiptarin e sotëm të vitit 2005. Vetë ne shqiptarët duhet të punojmë secili në fushën e tij për të ngritur figurën tonë.

Në Greqi jeni një grup aktorësh shqiptarë që në një mënyrë apo tjetër, po bëni karrierë në profesionin tuaj. Duke ditur edhe konkurrencën e tmerrshme që ka në treg, afirmimi i të gjithëve i dedikohet ekskluzivisht vlerave artistike, apo mos kemi të bëjmë me fenomenin e krahut të lirë të punës, d.m.th. konsideroheni si krahë i lirë pune nga regjisorët dhe producentët grekë?
Vërtet sot në Shoqatën e Aktorëve Grekë janë anëtarë mbi 2500 aktorë grekë të pa punë. Aftësitë tona profesionale dhe përsosmëria e shkollës shqiptare, si në fushën e teatrit, ashtu edhe të muzikës, pikturës apo koreografisë, ka të bëjë me atë që pozicioni i sotëm që gjendet gjithsecili nga ne nuk përcaktohet nga miqësitë personale, por ka të bëjë thjesht me aftësitë personale të gjithsecilit. Është vërtet një ëndërr për çdo artist shqiptar, ose për çdo shqiptar të thjeshtë, që të kishte qendrën e tij kulturore, ndaj duhet që shteti shqiptar ta shikojë këtë gjë më me seriozitet. Dhe këtu lind pyetja se, a duhet të ketë një qendër kulturore shqiptare në Athinë. Besoj se shumë shpejt duhet të na kthehet një përgjigje nga ata që e kanë në dorë një gjë të tillë.

Për shumë vite ëndrra e shumë aktorëve në Greqi është ngritja e një teatri shqiptar në Athinë. Kjo si do të mund të realizohej?
Do të doja të bëja një thirrje, që dikush duhet të kujtohet për ne. Dikush duhet të vijë si ajo nëna që mbledh rreth vetes fëmijët dhe foshnjet. Jemi në hapat e para, jemi foshnje të krijimit të një teatri shqiptar në Athinë. Kjo është një ëndërr për secilin nga ne, duke menduar se do të plotësojmë edhe deficitet që kanë shqiptarët për shfaqje teatrore. Tani është e domosdoshme për të gjithë që pas një jave të lodhshme të kishin një të shtunë apo të dielë të mbushur me aktivitete shqiptare. Një qendër kulturore do të bënte të mundur ruajtjen e traditave tona edhe në fusha të tjera përveç teatrit si, kënga, vallja apo filmi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora