E shtune, 17.04.2021, 09:57 PM (GMT+1)

Faleminderit

Hysen Kobellari: Haki Stërmilli, shkrimtar i emancipimit shoqëror

E marte, 05.01.2021, 11:32 AM


HAKI STËRMILLI (17 maj 1895 – 17 janar 1953), DJALOSHI BESIMTAR DIBRAN, NËPUNËSI ATDHETAR, SHKRIMTAR I EMANCIPIMIT SHOQËROR …

Nga Hysen Kobellari

“ Gjatë jetës seme luftova për një atdhe të lirë dhe për një drejtësi shembullore.”

H.Stërmilli, “Autobiografia eme”

Abstrakt

Emri i Haki  Stërmillit zë një vend të nderuar në historinë e letërsisë sonë për shkak të prurjeve interesante në fushën e prozës, dramaturgjisë, letërsisë dokumentare, gazetarisë, etj. Nëpunës besnik dhe atdhetar, luftëtar i lirisë dhe i progresit, përfaqësues i popullit, intelektual i lidhur ngushtësisht me jetën e njerëzve të thjeshtë, njeri i sakrificave për fatet e vatanit dhe të bashkëkohësve, janë disa nga cilësitë që ia rritin në lartësinë e duhur vlerat personalitetit të tij. Haki Stërmilli e kaloi jetën nëpër disa etapa të rëndësishme të historisë shqiptare, nga fundi i Rilindjes Kombëtare, Pavarësia, Lufta e Parë e Përbotshme, themelimi i shtetit funksional në Shqipëri, mërgimi politik, Monarkia, Lufta e Dytë e Përbotshme, Paslufta, monizmi …

Pasardhës i prindërve besimtarë myslimanë …

Në Oranik (Shehër), Dibër e Madhe, më 17 maj 1895 u lind djali i tretë i familjes Stërmilli, Hakiu, me dëshirën e madhe të prindërve të tij besimtarë myslimanë që biri i tyre i dashur të bëhej i drejtë e i mbarë, si të parët e tij si vetë emri dhe siç mëson feja jonë e ndritur islame. I ati ishte besimtar i mirë, njeri i thjeshtë, por jo i pasur, ndërsa e ëma, edhe ajo besimtare e mirë, ishte bijë agai, që pruri si pajë një sasi toke arë dhe disa dynymë vreshta rrushi. Familja e siguronte bukën e gojës me punë krahu të babait, e cila shpesh mungonte. Me kalimin e kohës, dy vëllezërit e rritur të Hakiut hynë në punë, i madhi, më 1911 u bë nëpunës kadastre, ndërsa tjetri hyri çirak tek një qëndistar. Gjendja ekonomike e familjes u përmirësua mjaft dhe u krijuan kushte që djali i tretë i familjes të bëhej me shkollë, të edukohej me frymën e besimit dhe njëkohësisht të kishte kërkesa të larta moralo-fetare, siç shënon shkrimtari në autobiografinë e vet.

Mësimet fillore i kreu vitet e para në Dibër, ku mësoi mirë shqipen, por edhe turqishten dhe arabishten, me mësuesit hoxhallarë të njohur të qytetit, pastaj në Selanik i përfundoi këto studime, duke kryer edhe klasën e parë të gjimnazit. Vitet e tjera i bëri në Dibër dhe në Manastir, duke i kryer të pesta klasat e detyrueshme.

Lufta Ballkanike që pasoi ia rrëmbeu vëllain e madh, shtyllën e familjes, i cili ra në frontin grek, i mobilizuar me detyrim nga regjimi. Humbja e tij e pikëlloi shumë shkrimtarin e ardhshëm dhe ia mbylli shtegun e shpresave të tij për një të ardhme të shkëlqyeshme. Detyrimet familjare nuk e lejuan të të shkonte në Vienë dhe prej andej në Europë për të vazhduar mësimet me bursën që i kishte akorduar qeveria e Ismail Qemalit, gjë që e zhyti në një dëshpërim të thellë, shto edhe okupacionin serb, ndërkohë që ai kishte filluar të zhvillonte talentin e tij si shkrimtar duke kryer një aktivitet të dendur me mësimin e thelluar të gjuhës amëtare dhe rrënjosjen e idealit kombëtar. Ai ishte pjesmarrës në dy kryengritjet e Dibrës kundër pushtuesve barbarë dhe pa me sytë e vet shkrumbimin e mijëra shtëpive dibrane dhe masakrimin e mijëra njerëzve, ku u arratis dhe emigroi në Tiranë dhe n’Elbasan shumica e popullisisë së Dibrës së Madhe, duke shkaktuar në shpirtin e djaloshit një tronditje të madhe shpirtërore dhe morale, duke ia lëkundur besimin në drejtësinë hyjnore…

Në atë kohë u zgjodh Kryetar i Shoqërisë “Djelmënia dibrane” …

Kur ishte duke filluar punë si Sekretar i Prokurorisë në Tiranë, rrebelët kryengritës që kishin krijuar atje një rrëmujë të madhe, e arrestuan, por për shkak të moshes së re, e liruan. Kështu që u detyrua të shkonte në Peshkopi, ku flamuri ynë valonte i lirë dhe gjendja ishte e qëndrueshme dhe e qetë. Për shkak të vështurësive të shumta financiare familjare, iu përgjigj ftesës së qeverisë së Esad Pashës në Durrës, duke u bërë nëpunës i saj, në fillim si tetar në një batalion dibranësh dhe më vonë Drejtor i Protokollit në Ministrinë e Botores dhe Pyjeve…

Në kohën e pushtimit austro-hungarez u emërua Sekretar i Nënprefekturës në Mat, pastaj mori detyrën e N/Prefektit atje, pas kapitullimit të okupatorit. Më 1918 bashkëpunoi me popullin e Matit për të mbrojtur vendin nga pushtimet, për mbajtjen e qetësisë e rendit dhe për pajtimin e gjaqeve.

Nëpunës i lartë në Qeverinë e krijuar pas Kongresit të Lushnjës.

Në vitin 1920, mbas Kongresit të Lushnjës vendi kishte nevojë për njerëz të përgatitur, me kulturë e besnikë të çështjes kombëtare; i tillë ishte Haki Stërmilli. U emërua Sekretar i Parë i Ministrisë së Punëve të Brendëshme, në qeverinë e sapokrijuar, ndërsa më vonë u bë Shef i Zyrës Sekrete po i asaj Ministrie, ku shërbeu deri në vitin 1924. Mbreti i ardhshëm i vendit, Ahmet Zogolli, Ministër i Brendshëm në Tiranë e ka çmuar shumë Haki Stërmillin për vetitë e tij të rralla si intelektual, nëpunës serioz dhe besnik, si dhe për frymën e tij atdhetare e humane. Kur shërbeu në Mat, shkrimtari i ardhshëm, u kujdes veçanërisht për sigurinë e familjes së madhe Zogolli, punoi me motrat e tij për arsimimin e tyre dhe për pajisjen me një kulturë të gjerë bashkëkohore.

Aktivizimi  i Hakiut me Shoqatën “Bashkimi”, ku më vonë u bë Sekretar i Përgjithshëm i saj, shoqatë e cila përhapte pikëpamje antiregjim, e detyroi Ministrin e Brendshëm të vitit 1924, Shefqet Vërlacin, t’a degradonte Hakiun duke e transferuar në Zyrën e Shtypit të Ministrisë. Ai dha dorëheqjen dhe zuri të shiste cigare. Mori pjesë në Kryengritjen e Qershorit, revoltë e shkaktuar nga vrasja e A.Rustemit; duke e rrëmbyer gjendja kaotike dhe atmosfera e paqartë, shkoi në Vlorë dhe pastaj u kthye sërish në Tiranë me armë në dorë. Ministri i Brendshëm i Qeverisë së F.Nolit, Rexhep Shala, i ofroi një post N/Prefekti ku të dëshironte, madje propozoi ngritjen e një nëpunësie speciale për të, por H.Stërmilli nuk pranoi, me arsyetimin se asisoj do të rëndohej populli me taksa. Bëri një banak dhe përsëri nisi të shiste cigare …

Kur u bë Kongresi i Bashkimit nën kryesinë e Ll.Fundos përsëri u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.

Nëpër rrugët e botës, burgjet, internimet, sprovat e para si gazetar …

Pas rikthimit të A.Zogut në atdhe Hakiu u arratis në Itali, ku ndenji për pak kohë, pastaj shkoi në Francë ku punoi nëpër fabrika si punëtor për të siguruar bukën e gojës. Me ndërmjetësinë e KONARE-s, më 1925 udhëtoi në B.Sovjetik, Lituani, ku qëndroi rreth një vit e gjysmë, ku pati kontakte miqësore me Ali Kelmendin. Gjendja e mjerueshme ekonomike e familjes e detyroi të kthehej në Jugosllavi, ku ishin shpërngulur në arrati Stërmillajt; në Austri për shkak të dyshimit që kishin e arrestuan autoritetet e Vienës, që më vonë e deportuan, gjë që ndodhi edhe me autoritetet italiane. E arrestuan edhe Jugosllavët dhe e internuan në Mitrovicë, pastaj e lejuan të shkonte në Manastir, ku kishte zënë vend familja e ikur nga atdheu për shkak të frikës. Aty e mbanin nën vërejtje, pa e lejuar të dalë jashtë qytetit, por Hakiu e mprehu penën fort aty, shkroi e botoi artikuj në revistën “Federata Ballkanike” që dilte në Vienë dhe që drejtohej nga Gj.Dimitrovi, po ashtu botoi në gazetën “Liria Kombëtare”, që dilte në Gjenevë. U lidh dhe bashkëpunoi me njerëz intelektualë përparimtarë në Dibër, Strugë e Manastir. Qysh me krijimin e KONARE-s (Komiteti Nacional Revolucionar), H.Stërmilli u bë anëtar aktiv dhe mbrojti vijën e saj.

Në mars të vitit 1929 u arrestua, duke u trajtuar si kriminel i rrezikshëm dhe iu dorëzua autoriteteve në Shqipëri, ku u dënua për 5 vjet me burgim si kundërshtar i regjimit dhe u lirua tre muaj pasi të përmbushte kohën e dënimit, nga një falje e mbretit A.Zogu. Personalitete të shquara të botës perëndimore si H.Barbys, Gj.Dimitrov, A.Ainshtain, etj., protestuan pranë Fuqive të Mëdha dhe Qeverisë Jugosllave për arrestimin dhe dorëzimin, si gjest që binte në kundërshtim flagrant me Të Drejtën Ndërkombëtare dhe kërkuan nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve Protestuan gjithashtu profesorët e njohur siç ishte Kryetari i Akademisë së Shkencave të Çekosllavakisë, deputetët britanikë P.Marlou dhe V.Kenvood, deputetët gjermanë E.H.dhe Geisha, ata italianë apo indianë,etj.

.Ndërkohë vazhdoi të shkruante artikuj interesantë në shtyp, ku paguhej rregullisht sipas tarifave të kohës, por shkrimtari i konsideroi këto pagesa si një formë joshjeje për të shkruar mirë për regjimin në fuqi. Të tillë e çmoi ai edhe botimin e librit të porositur “Burgu”, me kujtime e shënime nga vuajtjet e burgjeve dhe internimeve, shpenzimet e shtypshkrimit të cilit i mbuloi shteti.

Mundi të punësohej në një firmë të huaj që shiste në Shqipëri llampa elektirke të firmës OSRAM, si administrator, magazinier dhe shitës njëkohësisht, në Rruga Mbretërore, sot Rruga e Barrikadave …

Duhet theksuar se kjo është periudha më e frytshme e tij si shkrimtar, nga se Haki Stërmilli kishte shkruar vite më parë disa drama, si “Dibranja e mjerueme”, “Dashuni e besniki”, 1923, “Kosovarja”, tragjedi,1931, etj. Pas “Burgu”-t, u shkrua i famshmi “Sikur të isha djalë”, i cili ka patur 12 botime e ribotime dhe ishte më i botuari para luftës. Ky roman, shkruar në formën e ditarit të një vajze të thjeshtë të popullit, “rreh disa probleme me randësi të madhe të Shoqnis s’onë. Asht nji roman shoqnor, protoganistja e së cilit asht një vajzë shqiptare, Dija, e pajisun me të gjitha vetiat e pastra të Femnës arbënore. Ajo ndryshon nga shoqet e saja vetëm pse dëshiron t’i thyej prangat në të cilat qëndron lidhur seksi femnuer shqiptar. Asht liberale. Kërkon lirin. E për të ngritë ketë flamur dëshiron “t’ishte djalë”, pse atëherë do mundesh të luftonte ma lirisht …” ( Shkruar nga Dr.Ziaudin Kodra, 1937 ), më tej : “Thelbi i romani àsht i shkurtun: një vajzë jetime e shtytun nga njerka; dashuron dhe bijë viktimë e mentalitetit të vyshkun; për të thanë këto nuk mund të shkruhesh shum; e të 310 faqet e librit janë mbushë me përshkrimin e zakoneve të ndryshme, …; për mue këtu qëndron vlefta ma e madhe e veprës pse në ketë pikë Stërmilli na çfaqet me të vërtetë si një shkrimtar me vërejtje të hollë, tue i dhanë gjallni tregimeve me mënyra të foluni shumë të bukura të gjuhës s’onë.”  Haki Stërmilli konsiderohet si shkrimtar sentimentalist…

Lëvizja e Fierit i shkaktoi përsëri telashe shkrimtarit; e arrestuan, por e liruan shpejt.  Megjithatë,më 6 prill 1939 shkroi “Ti leve o yll”, për Princin Leka…

Me ardhjen e fashistëve në Shqipëri nisi përzgjedhja e intelektualëve dhe figurave të njohura të vendit, për t’i rekrutuar e joshur, si përkrahës të tyre, nën petkun e qytetërimit e përparimit. Shkrimtarin e bënë “fashist”, pa dijeninë e tij; madje bënë edhe telegram fallco, pa nënshkrim përkatës; i propozuan ta bënin Prefekt, e kërcënuan që të pranonte uniformën  në këmbim të pozitave më të larta, u përpoqën ta afronin dhe ta mashtronin, por H.Stërmilli rezistoi në heshtje …

Pjesmarrës në Lëvizjen për liri, përfaqësues i popullit, nëpunës 

Ndjenjat antifashiste tek shkrimtari u rritën me kalimin e kohës. Ndërkohë aktivizohet menjëherë në Lëvizjen për liri e progres, siç propagandonin atëhere komunistët, sidomos pas Konferencës së Pezës kaloi në kampin e Frontit Nac-Çlirimtar. Krijoi në Tiranë, se bashku me G.Strazimirin një Këshillë intelektualësh, po kështu veproi edhe në Lagjen “Çesmja e Shehbegut”, etj. Në vitin 1943 kalon në ilegalitet, merr pjesë në Konferencën e Mukjes si përfaqësues i F.N.Ç., ku në krahun tjetër ishte intelektuali i shquar Isuf Luzi, atdhetar  e filozof, etj. Mori pjesë në strukturat paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga Mbledhja e Labinotit, deri antar kabineti i dalë nga Kongresi i Përmetit e më pas nga Kongresi i Beratit.  Për muaj me radhë luftoi e vuajti së bashku me partizanët e tjerë nëpër llogoret e luftës, mes sakrificash e vështirësish të mëdha fizike e mendore. Për këtë u zgjodh më 1945 dhe 1950 deputet, përfaqësues i popullit. Shërbeu si Kryetar Fronti në Peshkopi dhe N/Kryetar i Kom.Ekzekutiv atje.

Më 1946 u transferua në Tiranë, duke u emëruar Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, u bë pjesë e strukturave të Lidhjese së Shkrimtarëve dhe Artistëve. U dekorua me Urdhrin e Flamurit dhe me Medaljen e Kujtimit. Në tetor 1949 u emërua Drejtor i Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare.

Haki Stërmilli ndëroi jetë në Tiranë, pas një sëmundjeje të rëndë, më 17 janar 1953.

Pallati i Kulturës në Peshkopi mban emërin “Haku Stërmilli”. Rrugë dhe shkolla në Shqipëri e Kosovë mbajnë emrin e tij të nderuar.

Veprat më të mira të Haki Stërmillit janë përmbledhur në tre volume.

I gjithë korpusi i veprave të Stërmillit është :

“Dibranja e mjerueme” (dramë) ,1923;
“Dashni e besniki” (Dramë), 1923;
“Agimi i lumnueshëm” (Dramë), 1924;
“Irena e bukur” (Dramë)”, 1929;
“Tania” (Dramë), 1930;
“Kosovarja” (tragjedi), 1931;
“Suta” (dorëshkrim),;
“Trashgimtarët tanë”, 1950;
“Luftëtarët tanë” (dorëshkrim), 1952;
“Sikur të isha djalë” (roman) 1936;
“Burgu” (letraro-dokumentar), 1936;
“Shtigjet e lirisë” (ditar), botuar 1966;
“Kalorësi i Skënderbeut”, botuar 1968;
“Afsh dhe hov zemrash” (dorëshkrim)

dhe studimin:
Dibra në prag të historisë, dorëshkrim, 1940.


Literatura kryesore e konsultuar :

Robert Elsie, Historia e Letërsisë Shqipe, Pejë, 2001;

Kajtaz Recaj, Krijimtaria letrare e H.Stërmillit, Prishtinë, 1988;

Resmije Kryeziu, Personazhi i gruas në letërsinë shqipe, Prishtinë, 1988;

Rev. Nëntori, Nr.6, 1975, Mbrëmje përkujtimore kushtuar 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit patriot Haki Stërmilli f.193-196;

Wikipedia,

Etj.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora