E merkure, 24.04.2024, 10:04 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Baki Ymeri: Dita e Flamurit në zemër të Bukureshtit

E diele, 23.11.2008, 08:59 PM


Baki Ymeri
Dita e Flamurit në zemër të Bukureshtit

Viti 2008, sipas shefit të diplomacisë shqiptare në Bukuresht, ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Samiti i Bukureshtit kurorëzoi përpjekjet tona për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO duke bërë kështu realitet njërën pjesë të ëndrrës euroatlantike shqiptare. Ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve është pavarësia e Kosovës. Shqiptarët, sipas prof. dr. Xhelku Maksutit, në të gjitha kohërat janë integruar në mënyrë perfekte e totale në jetën e shoqërisë rumune, duke marrë pjesë në të gjitha evenimentet e saj, me lojalitet dhe besnikëri patriotike, me mirënjohje për përkrahjen dhënë Rilindjes kulturore dhe kombëtare, por sidomos në shpalljen e Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, tani e 96 vjet më parë.

Nga Baki Ymeri, Bukuresht

Ambasadori, Dashnor Dervishi
Organizuar nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës Shqiptari, në prani të një numri të madh pjesmarrësish rumunë, shqiptarë dhe arumunë, hungarezë, gjermanë, hebrenj, miq dhe dashamirë të kulturës shqiptare, para disa ditësh (20 nëntor), u mbajt në sallën Dalles të Universitetit Popullor të Bukureshtit, një manifestim i denjë kushtuar 28 Nëntorit, Ditës Kombëtare të Shqipërisë. Ishin të pranishëm autoritete institucionesh të ndryshme qeveritare, shkencore e minoritare, mass/media radio/televizive, përfaqësues të ambasadës shqiptare, veteranë të komunitetit dhe studentë. Me këtë rast, Shkëlqesia e Tij, zt. Dashnor Dervishi, ambasador i Shqipërisë në Bukuresht, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se më 28 Nëntor 2008, mbushen 96 vjet nga dita e shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë. Këtë përvjetor, populli dhe kombi shqiptar e përkujtojnë duke përjetuar çaste shumë të rëndësishme, politike, ekonomike dhe sociale. Sot, Republika e Shqipërisë është shumë afër realizimit të objektivave të saj strategjike dhe kombëtare. Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo forcoi institucionet demokratike dhe shtetin ligjor. Reformat zgjedhore dhe juridike po përparojnë me shpejtësi, të mbështetura nga një konsensus i fuqishëm politik. Ekonomia shqiptare gëzon një rritje me ritme nga më të shpejtat në rajon dhe me potenciale të mëdha për të ardhmen.
Viti 2008, sipas shefit të diplomacisë shqiptare në Bukuresht,  ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, Shqipëria i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme dhe është një Shqipëri krejtësisht tjetër. Qëllimet dhe aktiviteti diplomatik i Shqipërisë ka qenë në radhë të parë  i fokusuar drejt Brukselit, në shtimin e kontakteve me NATO-n dhe Bashkimin Europian, duke përballuar me sukses dinamikën integruese për t’i ofruar politikës shqiptare modele, standarde dhe programe zhvillimi për një Shqipëri të integruar. Në Samitin historik të Bukureshtit Shqipëria mori ftesën për në NATO, nënshkroi ne korrik protokollin e anëtarësimit dhe po pret ratifikimin e tij nga të gjitha vendet anëtare me synim anëtarësimin me të drejta të plota para Samitit të Strasburgut. Samiti i Bukureshtit, siç pritej, kurorëzoi përpjekjet tona për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO duke bërë kështu realitet njërën pjesë të ëndrrës euroatlantike shqiptare. Shqipëria në NATO do të thotë Shqipëria demokratike e sigurtë dhe e zhvilluar. Ftesa në Samitin e Bukureshtit dhe ngjarjet që rodhën janë konfirmim i këtyre arritjeve. Përpjekjet tona do të vazhdojnë në kursin e reformave për të konsoliduar dhe zhvilluar më tej të gjitha standardet, kriteret dhe normat e një vendi anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Prof. dr. Xhelku Maksuti
Ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve është Pavarësia e Kosovës

Në këtë tubim madhështor, ambasadori shqiptar theksoi faktin se ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës u prit nga Shqipëria me gëzim dhe realizëm. Lufta e vazhdueshme që shqiptarët bënë ndaj padrejtësisë, ndaj dhunës dhe gjenocidit etnik, kalbëzimi i sistemit diktatorial jugosllav dhe angazhimi serioz i aleatëve euroatlantike kulmuan logjikshëm me shtetin e ri të Kosovës. Ky realitet i ri gjeopolitik përfaqëson një investim dyplanësh. Sot, Kosovën e kanë njohur 52 vende, me konsideratën se asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës si një akt armiqësie ndaj kombit serb apo si favor ndaj shqiptarëve. Këto  kombe e kanë njohur Kosovën sepse janë të bindura se kjo është rruga më e sigurt për të kontribuar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Diplomacia shqiptare ka mbrojtur dhe do të mbrojë, ka promovuar dhe do të promovojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ne përpiqemi t’i zhvillojmë këto marrëdhënie në mënyrën më miqësore dhe ky është një qëndrim i pandryshueshëm i politikës sonë. Për ne, marrëdhëniet e fqinjësisë se mirë me vendet e Evropës Juglindore mbeten prioritet i politikës së Jashtme.
Duke bërë fjalë për Bukureshtin si një nga qendrat më të dashura të historisë shqiptare ku u vendos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në nëntor të vitit 1912, Dashnor Dervishi potencoi faktin se Rumania si një vend mik në rajonin tonë, ka qenë dhe mbetet një vend i vlerave me tradita të lashta në marëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit me  Shqipërinë. Me politikën e saj konstruktive të jashtme, ajo jep një kontribut të rëndësishëm në  Rajonin tonë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Antare e BE dhe NATO-s, Rumania mbetet jo vetëm një aleat i sigurt që mbështet unitetin e këtyre organizatave, por edhe një vend pa rezerva në gjithëpërfshirjen e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, duke dhënë kështu një kontribut mjaft të rëndësishëm në krijimin e një zone të sigurisë për vendet tona që përfshihen në hapësirat  nga Deti i Zi deri në Adriatik. Rumania ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Shqipërisë edhe në përpunimin e politikave të përbashkëta si në proçeset e ngjashme politike e sociale qe dy vendet tona po kalojnë në rrugën konsolidimit të reformave demokratike, ashtu edhe në ato të ekonomisë së tregut. Në volumin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregëtare midis dy vendeve tona, megjithëse shifra le akoma shumë për të dëshiruar, vihet re se vitin e fundit ajo ka kapërcyer në dyfishimn e saj.

Shqiptarët e Rumanisë dhe pavarësia e Shqipërisë në 96 vjetorin e saj

Matej Danili (me kostum kombetar) ne Bukuresht (1948)
Në fjalën e tij, Dr. Xhelku Maksuti, kryetar nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, theksoi faktion se Komuniteti i Shqiptarëve të Rumanisë me një vjteërsi prej mbi katër shekuj në tokën rumune dhe me një aktivitetit meritor në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me kontrubut të veçantë për krijimin e kushteve për shpalljen e pavarësisë,  pavarësisht nga lajthitjet e historisë, ka kremtuar për çdo vit Ditën e Flamurit Shqiptar. Këtë vit mbushen 60 vjet nga riorganizimi i Komunitetit tonë në Lidhjen Popullore të Shqiptarëve të Rumanisë, kur në Bukuresht, në ish/selinë ARLUS përballë ambasadës amerikane (strada Batishtei), qe kremtuar Dita e Flamurit në mënyrë madhështore, sidomos përmes organizimit të rinisë së përbërë nga nxënës dhe studentë që kishin ardhur nga Shqipëria për të studjuar në Rumani. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje ndërlidhet me faktin se në pranverë të vitit 1990, një pjesë nga ish/anëtarët e degës së atëhershme të rinisë, u gjendën në ballë të Komitetit të riorganizimit të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke shpënë më tej traditëne komunitetit shqiptar  në kushtet e reja të zhvillimit të shoqërisë rumune. Për fat të keq, përmes ngulfatjes politike në jetën e organizatës nga ana e disa elementeve të huaja përnga prejardhja dhe traditat e Komunitetit, përmes falsifikimeve të krijuara nga një organizatë joshqiptare për të deleguar në Parlamentin e Rumanisë një person që s’i përkiste etnisë sonë, fakt që solli deri në pasoja të pallogaritshme minoritetit shqiptar dhe vazhdimësisës së mundësive të tij për integrim në shoqërinë rumune.
 Shqiptarët, sipas prof. dr. Xhelku Maksutit, në të gjitha kohërat janë integruar në mënyrë perfekte e totale në jetën e shoqërisë rumune, duke marrë pjesë në të gjitha evenimentet e saj, me lojalitet dhe besnikëri patriotike, me mirënjohje për përkrahjen dhënë Rilindjes kulturore dhe kombëtare, por sidomos në shpalljen e Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, tani e 96 vjet më parë, Rumania duke qenë vendi i parë që dërgoi përfaqësues diplomatikë në Durrës (ish/kryeqendrëa e Shqipërisë), ndërsa përmes përpjekjeve të Mbretit Carol I të Rumanisë, në vitin 1914, do ta dërgojë dhe princin Wilhelm de Wied, nip i mbretëreshës Elisabeta, ai që më vonë do të flejë gjumin e përjetshëm pranë tezes së tij në brendi të Kishës Luterane të Bukureshtit. Edhepse bëhet fjalë për prezencën shqiptare në trojet rumune qysh në Mesjetë, për komunitetin shqiptar nuk mund të flasim veçse duke filluar që nga viti 1595, kur vojvoda i madh i Vllahisë, Mihai Viteazul (shqip Mihai Trimi), martir i shenjtë, do ti lejojë një grupi prej 15 mijë shqiptarësh të kalojnë Danubin dhe të vendosen në veri të tij, për të shpëtuar nga persekutimet osmane.

Kali trojan i komunitetit shqiptar të Rumanisë

Ballina e Shqiptarit (2008)

Siç dihet, vazhdoi dr. Xhelku Maksuti, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë e ka kremtuar në mënyrë të veçantë këtë eveniment, në sallën mikpritëse të Muzeut Kombëtar të Historisë së Rumanisë (1995), 400 vjet të ekzistencës së strëgjyshërve tanë të ardhur nga trojet banuara me shqiptarë, ndërsa ne si pasardhës të tyre u mbetemi mirënjohës dhe besnikë interesave nacionale të këtij vendi, shqiptarët dhe rumunët duke qenë pjesë e Europës në të gjitha kohërat. Në këtë përvjetor i përkujtojme me respekt stërgjyshërit tanë që kanë dhënë kontribut për mbarëvajtjen politke, historike e kulturore të Rumanisë, që nga sundimtari Vasile Lupu të cilit i thonin Vasile Albanezul, apo ata të familjes së Gjikajve, e deri te Elena Gjika (Dora d’Istria), Nikolla Naço, e deri te Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Asdreni, Viktor Eftimiu, Lazim Rexhepi apo universitarët Luçia dhe Nikolla Xhamo (Nicolae Djamo), që numëroheshin ndër anëtarët themelues të BKSHR-së, si dhe shumë të tjerë, siç ishin inxh. Cunescu, arkitekti Nicolau, diplomati Nik Pema, patriotët Visar Dodani, Aleko Vançi apo Dhimitër Kristo Rëmbeci.
Edhepse i mbetemi mirënjohës Rumanisë mikpritëse dhe popullit rumun, Xhelku Maksuti theksoi se “nuk mund të heshtim faktin se si pasojë e neglizhencës së Këshillit të Minoriteteve Nacionale (i udhëhequr vite me rradhë nga Unioni Demokratik i Hungarezëve të Rumansië), komuniteti shqiptar u zëvendësua me një organizatë parazitare/joshqiptare, e udhëhequr nga një një person që s’i përket etnisë shqiptare (Oana Manolescu), por që është imponuar si deputet në Parlamentin e Rumanisë në emër të “minoritetit shqiptar”, si pasojë e së cilës Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, e vetmja organizatë etnike e këtij vendi, nuk gëzon kurrfarë përkrahjeje, duke u ndodhur në prag të shpartallimit organizatorik të saj. Fjala është për konjuktura politikaniste dhe fajin e Byrosë Qëndrore Elektorale (BEC), e cila i jep për herë të katër të drejtë të kandidojë një deputete të huaj që s’ka asgjë të përbashkët me gjakun, shpirtin dhe traditat shqiptare”. Profesor Maksuti dhe ambasadori Dervishi folën me admirim për pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimin e Madh të të gjithë rumunëve (1 Dhjetor 1918), duke i dëshiruar nga zemra prosperitet Rumanisë dhe progrese të reja në afirmimin e qytetërimit bashkëkohor në kontekst të integrimit europian.
 Manifestimi i mbajtur në zemër të Bukureshtit dedikuar Ditës Kombëtare të Shqipërisë do të mbahet mend për numrin e madh të mysafirëve, për një koktej dhënë për nderimin e tyre, për intensifikimin dhe zgjerimin e miqësisë rumuno/shqiptare, për shpërndarjen e një protesti publik kundër kalit trojan të komunitetit shqiptar, për shpërndarjen e revistës Shqiptari dedikuar Ditës së Flamurit, si dhe të botimeve të komunitetit shqiptar, të vjetarit Shqiptari, të antologjive Bukuria e bukurive, Vullkani i durimit, Altri Mondi dhe Tensione sentimentale, të Antologjisë së poezisë shqipe në gjuhën rumune përkthyer nga Renata dhe Luan Topçiu, të cilët kanë përkthyer e botuar këto ditë edhe romanin e shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Visar Zhiti Funerali i pafundmë. Po shtojmë me këtë rast faktin se ambasada e Shqipërisë, edhe gjatë këtij viti, më 28 Nëntor, organizon një manifestim dinjitoz për këtë ditë të shenjtë shqiptare, në lokalet luksoze të Klubit Diplomatik të Bukureshtit.

Ballina, Visar Zhiti



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora