E premte, 19.04.2024, 03:27 PM (GMT+1)

Speciale

Këze (Kozeta) Zylo: Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

E diele, 23.11.2008, 09:00 PM


Lek Pervizi ne moshen kur u arrestua, burgos e internua 40 vjet.
Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

 

Nga Këze (Kozeta) Zylo

 

Z. Lek Pervizi është një ndër intelektualët e shquar të Kombit, që provoi ferrin komunist, kalvarin e vuajtjeve, si i burgosur, internuar, me 16 viktima në familjen e tij, varret e te cilëva akoma nuk dihen, pëvecse të nënës dhe të vëllait të tij Gencit.

Janë mijëra viktima të pafajshme që pësuan këtë fat tragjik!

Kultura e tij e gjerë, por mbi të gjitha një bashkëshort shembullor, bënte që të gjente dhe castet romantike në internim me gruan e tij Beben, emër që ja pagëzuan të internuarit, pasi ishte fëmija i paktë që i shpëtoi vdekjes në kampin e internimit.

…Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku pranonte me shkue me t'amën e vllaznit në Mal të Zi. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës duke i thënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”.
Sot në moshën 79 vjecare ai jeton i lirë, dhe bën një jetë aktive në Bruksel.  Eshtë botuesi i revistës “Kuq e Zi” ku për 15 vjet rresht në këtë revistë janë pasqyruar ngjarjet më të rëndësishme të Kombit, figurat e shquara të letërsisë dhe artit!

 

Ju keni jetuar ferrin komunist, cili ishte shkaku i dënimit dhe për sa kohë ndenjët në burg dhe të internuar?

 

Shkaku kryesor i dënimeve që më përfshinë me gjithë familjen e fisin, ishte prindi im Gjeneral Prenk Pervizi, i cili, sa ishte në Shqipëri  i ishte kundërvenë regjimit komunist deri me 1946, kur u arratis jashtë shtetit. Si rrjedhim filloi persekutimi, i cili nisi me djegien e shtëpive në Laç e në Skuraj, si ne kohën e mesjetës, katër kulla gjithsejt, që ishin djegur dhe dy herë të tjera prej taborrëve turke,  bombarduar prej gjermanëve e që së fundi  më 1944-1945  u dogjën nga hordhitë barbare komuniste të ashtuquejtura “çlirimtare”, që nuk lanë  gjë pa bërë mbi popullin e tyre, më keq se një ushtri e huaj pushtuese. Emërtimi “çlirimtar” ishte një gënjeshtër e madhe, që servirej për të mashtruar vendin e popullin.

Na konfiskuan pronat e grabitën pasuritë, bashkë me një shtëpi tjetër në Tiranë, te blloku, rruga Vaso Pasha 19, që akoma nuk na është kthyer. Na dëbuan nga shtëpia, në të cilën këshilli popullor futi disa partizanë që akoma e pushtojnë atë. Banesa ishte konfiskue me dekret qeveritar e me dekret duhej të kthehej, por kjo nuk u bë, dhe kemi 15 vjet me gjyqe pa kuptim. U internuam, së pari mama e gjyshja. Vëllai i madh Valentini, oficer akademist,  ishte arrestuar e burgosur që më dhjetor 1944 në Shkodër, edhe vëllai i dytë Genci, aviator,  ishte dënuar 10 vjet. Unë si më i vogli shpëtova 5 vjetët e parë e pastaj më 1950, përfundova drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vëllanë Valentin. Aty na pllakosën në guvat mesjetare të kalasë ku do të kishim lënë kockat bashkë me shumë të tjerë.  Flinim mbi shtresën prej kalldrëmi gjithë lagështirë. Kthinat ngjanin si shpella ciklopësh. Ushqimi ishte për faqe të zezë dhe i pamjaftueshëm. Buka e qullosun. Filluen sëmundjet; kryesisht dizanteria.  U bë sebep një nëndetese greke  që qarkulloi aty së pari, e nje barkë transporti italiane që u kap, që na hoqën  e na çuen në Tepelenë.

        

Beba 6 vjeçe kur doli nga Tepelena në Plug te Lushnjes.
Internimet në Shqiperi nisën që më 1945, fillimisht në Berat, për familjet Veriore dhe në Krujë për familjet Jugore. Por u hap një fjalë se po i grumbullonin për t’i degdisun në Siberi, sipas planit sovjetiko-shqiptar.  A e vërtetë apo thashetheme, të internuarve ju hyri frika. Në vend të Siberisë më 1948 u krijua kampi famëkeq i Tepelenës ku  u mbyllën  në rrethim me tela me gjëmba për gjashtë vjet me mijera qënje njerëzore shqiptare tëpafajshme, pleq e plaka, burra e gra, nana me fëmijë djepi, ku pati edhe lindje. Në atë kamp mizor vdiqën shumë fëmijë ( 33 fëmijë vdiqen vetëm në një natë ) e pleq. Ajo gjëndje nuk kurseu as burra as gra.  Të aftit për pune, i nështroheshin mundimeve skllevërore. Aty vdiq ghyshja 90 vjeçe, dy kushërinj e dy kushërira me fëmijet e tyre, përsa i përket rrethit tonë familjar e fisnor.  Sigurisht se edhe familje të tjera i humbën të dashurit e tyre në ato kondita shtazarake. Më e keqja e makabre ishte se të vdekurve ua ndërruan tri herë varret, kastile për të humbur gjurmët e varrezave të shumta që kishin mbuluar vendin rreth kampit. Atyne varreve nuk u gjëndet më gjurma.  Në ato kushte skëterrore më erdhi frymëzimi për të  përshkruar tmerrin që po përjetonin ato mijëra viktima të pafajshme. Kisha bërë edhe disa vizatime. Por nga një kontroll i rreptë që do bahej (më njoftoi një njeri besnik ) u detyrova t’i djeg të tana. Në fakt i mori nana ime dhe i dogji në zjarret që ndiznin gratë për larjen e rrobave të fëmijëve. Në disa raste ato zjarre shkaktuan plasjen e bombave të luftës italo-greke të mbetura nën dhe, dhe pati të internuar që u vranë. Edhe kjo një pasojë e atij kampi.  Prej asaj dite  fillova t’i ngulis vargjet në mendje. Për t’u stërvitur  e mos humbur aftësinë e vargut poetik, u mora me përkthimin e Ferrit të Dantes, nga një libër i “Komedisë Hyjnore” që ma dha një oficer italian i iternuar aty me ne.  Ishte dhe një anë justifikuese po të kërkonin se ç’shkruaja. Dante studiohej në shkollat shqiptare, pra njihej.  Letra nuk ekzistonte, dhe unë mblidhja letrat e kaushëve të duhanit të pleqve, te cilët i ruanin kastile për mua. Pasi mësoja vjershat e mija përmendsh letrat i digjnja. Kështu munda me ruejtë përmendsh mjaft poezi. Pata mbledhë edhe vjersha rapsodike të krijuara nga vetë të internuarit, të cilat kam arritë t’i rindërtoj e t’i botoj në një vëllim “Lahutari Shqiptar”.

 

Cilat janë disa nga poezitë, krijimet dhe pikturat tuaja që u krijuan gjatë kohës së izolimit, dhe si u bë e mundur ruajtja e tyre?

 

U martua me Lek Pervizin, me 1965 e pati 3 djem.
Poezitë arrita t’i radhis e t’rindërtoj kur fitova lirinë në Belgjikë, në sajë të kujtesës së fortë që më ka karakterizuar gjithë jetën.  Poezinë e parë e kam krijuar përmendsh në një birucë të burgut të vjetër ku më kishin izoluar në maj 1950, ku u arrestova.

Ajo poezi mban titullin, “Tinguj të Kobshëm”, e fillon me vargjet: Pushuen tashma kangët e rinisë…- shpejt filloi në zemrën time brenga   -   tinguj të kobshëm të nxjerrë prej lahutës… Kjo poezi qendron në ballë të librit, si një “prelud” ndaj tragjedisë së mëtejshme që do të shtjellohej  në librin e poezive me titullin: “Ankimi i Zanave”. E përdora këtë titull simbas traditës së kangëve lëgjendare shqiptare, ku Zanat marrin pjesë në trimëritë e vuejtjet e heronjëve të tyre, ju këndojnë trimeritë por edhe kjajnë për vuejtjet e vdekjen e tyre.

      Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll, nga presioni ndërkombëtar, dhe u krijuan kampet e punës së detyruar, në fushat e Myzeqesë, ku të internuarit u kthyen në bujk-robër. Por disa prej nesh u izoluan përsëri, në kampin e të burgosurve në Shtyllaz, duke hapur një kanal faraonik. E prej aty na degdisën në Kuç të Kurveleshit të Vlorës deri më 1958 në izolim total.  Nuk ishim shumë, nja 100 vetë, por prej tyre 70-të ishin intelektualë me tituj të lartë, që i kishin shpëtuar ekzekutimit, e shumta shkodranë, ish ministra, diplomatë, profesorë, muzikantë, piktorë, fetarë, inxhinierë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, oficerë madhorë, agronomë, juristë, gjuhëtarë, përkthyes, etj, të cilët i kishin kryer studimet në shkolla e universitete europiane. Pra një elitë e terë e aftë me drejtue Akademi e Universitete.  Kështu kampi i Kuçit pati fatin të kthehet në një universitet dhe akademi e katakombave, me një elitë të tillë të zgjedhur itelektualësh të lartë, si: Kardinal Mikel Koliqi, Dr. Ali Erebara, Dr. Mykerrem Janina, Prof. Ali Cungu, Prof. Guljelm Deda, Dr. Izedin Beshiraj, shkrimari Dr. Mitat Araniti, oficerët akademistë Lin Deda,  Luigj Berisha, Isa Kokalari, Ded Jakova, Valentin Pervizi, Zef Pali, vllaznit juristë Baldasar e Zef Benusi, Dr. Sabri Quku, Prof. Dr. Lazer Radi, agronomët Kadri Borshi, Faik Selenica,  Jakov Milaj. Inxh. Estref Frasheri, Dr. Ibrahim Sokoli, Dr.Mark Temali, Dr.Sami Hysi, Dr.Mihal Sherko, Dr.Nedim Kokona, ish ministri i arsimit  Zef Shiroka – (vellai i doktor Shirokës), diplomatët ambasadorë  Pandeli Nase e Remzi Çela, Dr.Dilaver Tartari, gazetari Fiqri Llagami, Dr.Karlo Çoba, etj. etj. i përmenda gjithë këto emna, për të treguar, se si diktatura, pasi i kishte pushkatuar shumicën e intelektualëve, ata që mbetën i degdisi burgjeve e kampeve për t’i shuar fare. Në këto kondita ne të rinjtë përfitonim nga dituritë e këtyre figurave  të shquara të kulturës shqiptare. Të rinjtë me të cilët ndaja shoqërinë në atë kamp ishin Fatbardh Kupi, Viktor e Ernest Dosti, Musa e Tomorr Maçi, Tomorr Dine, Thabit Rusi, Ylber Starova, etj.

   Unë vazhdoja me poezitë e mija, gjithmonë me metodën e fiksimit të tyre në memorie. Këtu pata vizatuar disa portrete  të atyre personaliteteve, skica në letra dosido, prej të cilëve me kanë shpëtuar disa, nja 10-15 copë. Eshte gruaja ime që ka meritën  për shpëtimin e tyre. Ajo pothuajse lindi në internim, ku përfundoi me t’amën që në moshën e njomë katër muajshe më 1948, prej t’atit të arratisur jashte shtetit, Nikoll Malaj nga Vermoshi. Përjetoi gjashtë vjet të Tepelenës, e shpëtoi kot nga shfarosja e fëmijëve, dhe i ngeli emri Beba , si një bebe qe kishte shpëtuar dhe në atë konfuzion mortor i ishte  ngatërruar edhe emri. Ajo quhet Gjuliana, por gjithë të internuarit e shoqeria e njohin për Beba. Me këtë emër ajo u bë lëgjenda e kampeve.

 

Cilët miq dhe bashkëvuajtesit tuaj kanë qenë më pranë jush në kohën e burgut dhe të internimit dhe a komunikonit me ta për pikëpamjet tuaja?

 

Për kohën e vuajtjeve, miqtë e dashamirët ishin pothuaj të gjithë të dënuarit. Por me që pyetja kërkon një përgjgje konkrete, mund të them, se një ndër bashkëvuejtësit  mik e shkuar mikut, ka qenë Prof. Guljelm Deda, që ne e thirrnim Lemi. Ky intelektual i lartë

arriti të përkthejë në kondita aq të vështira të internimit, kryeveprën epiko heroike kalorsiake “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendur)  të poetit të madh italian Lodoviko Ariosto prej 40 vargjesh me rimë, në 17 vjet punë të kurajshme. Ishte një punë për të mbajtë të gjallë aftësinë e tij prej letrari e intelektuali të shquar Një punë prej murgu. Ai konsultohej me mua, që megjithëse  i ri, kisha lexuar të gjitha poemet e asaj kohe të Rilindjes së hershme italiane, me Dante, Petrarka, Bocaccio, Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulci , etj. Kështu që kisha një përvojë të forte mbi letërsinë e gjuhën italiane, edhe atë të vjetrën.  Lemi kishte kaluar 45 vjet dënim ndër burgje e kampe internimi, prej të cilëve 10 vjet bashkë me ne.  Miqësi të ngushtë kisha edhe me Mitat Aranitin, shkrimtar e gjuhëtar, përkthyes në shumë gjuhë, me një kulture poliedrike. Pastaj dua të permend prof. Lazër Radin me të cilin kisha punuar gati 20 vjet si marangoz e dizenjator, si edhe Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku, Ali Erebara, Ali Cungu. Patjetër se komunikonim mes nesh lirshëm, sa që zhvillonim edhe biseda pa asnjë rezervë, që quheshin të rrezikshme. Ishte një shoqëri e fortë dhe e vendosur ku njerëzit ruenin cilësitë e virtytet më të mira të shqiptarit.

     Me këto njerëz  ishte kultura që zinte vendin e nderit në çdo bisedë. Sigurisht se për  të rinjtë si unë me shokë, ky kontakt me të tille intelektuale, vlente sa një auditor universitar ose akademik. Nje gjë më kujtohet mire, se e gjithë tema e bisedave ishte se si do të vepronim në lirine e fituar, kur të na lejohej shprehja e fjalës dhe e mendimit dhe Liria e qarkullimit në botën perëndimore. Flisnim për revista e gazeta që do të botonim, si dhe për ekzpozitat e pikturave që do të hapnim,  për botimin e librave.

Një perspektive në dukje e paarritshme, e supozuar, por që edhe mund të realizohej. Siç e shihni, në ato katakomba vlonte shpirti i qëndresës në forma të ndryshme. Kjo na jepte kurajo me shty ditët, deri sa të arrinte dita e shpëtimit. Kjo e gjitha.

 

Lek Pervizi me te vellanë Genc, studente ne Itali
Cilët shkrimtarë disidentë janë për ju shkrimtarë bashkëkohorë dhe a janë vlerësuar ata si duhet nga kritika e Letërsisë shqiptare?

 

Eshtë një pyetje shumë e zorshme. Disidenca në ato kondita të terrorit më t’egër që mund të mendohet, nuk mund të zhvillohej, as mund të guxonte  të bente sikur gjoja  zhvillohej.

As edhe një shkrimtar shqiptar nuk mund të pretendojë që të ketë qenë disident apo të jetë i përfolur për i tillë. Të mos harrojmë se si u shpreh shkrimtari arbëresho-argjentinas Sabato, kur erdhi në Shqipëri pas diktaturës : “I urrej ato shkrimtarë që kanë bashkëpunuar  me diktaturën.” E kishte fjalën me disa shkrimtarë shqiptarë që e mbanin veten si “disidentë” të padeklaruar, sepse po të deklarohëshin përfundonin, ose u pritej koka ose plakoseshin në skëterrën e burgjeve e kampeve.

Flitet për disidence pa e kuptuar mire atë veprimtari që në një regjim totalitar duhej të zhvillohej që të merrte një emertim të tillë, siç ndodhi me Havelin apo Pasternakun e Solgjenicinin. Po a kishte mundësi kjo në ato kushte të diktaturës totalitare komuniste shqiptare, ku vetëm me një shikim të diktatorit të shkonte koka për fiq? E jo ma të  merrte formë  një disidence sa do embrionale? Them embrionale, sepse ajo që quhej vigjilenca e organeve te sigurimit e te partisë ishte aq e organizuar, sa që edhe fluturimi i  një mize kontrollohej, e jo ma që dikush të shpaloste shkrime e libra ose te fliste apo llomotiste sipas qejfit e në kundërshtim me vijen e partise e te qeverise.

Nuk po permend emra, por sipas mendimit tim, duhen vlerësuar më tepër ata shkrimtarë dhe artistë, që qendruan kundësrshtarë të regjimit dhe u dënuan. E megjithese u dënuan, mbajtën një qëndrim të pamposhtun, duke iu kushtuar një krijimtarie  të fshehur e mendore, që në rast se zbulohej ose spiunohej, u kushtonte dhe jetën, siç ndodhi me dy poetët e rinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe së fundi me poetin Avzi Nela.   Ose si Astrit Delvina, që dihej botnisht se shkruente, por jo për lavdinë e partisë e të shokut merhum. Astriti përfundoi edhe në burg. Nga vuajtjet e torturat u sëmur aty. Mori kancerin e vdiq sapo  u lirua më 1990. Ku futet ky shkrimtar, a nuk qenka i përshtatshëm që të quhet disident ? Aq edhe më mirë të quhet kundështar. Ka më nder. Kemi të tjere si Nikoll Mazrrekun (me të cilin ndava Tepelenën e Lushnjën), i cili ka shkruar libra në gjendje burgu. Dorëshkrimin e tij i nxorën të burgosurit me marifete të pamendueshme, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, po të zbuloheshin.  Ku janë ato dorëshkrime e pse nuk botohen? A nuk qenka disidencë kjo të krijosh e të shkruajsh në gjendje burgu e internimi? Dikush më kërkonte  të më shpjegonte, se disidente quhen vetëm ata shkrimtarë e intelektualë komunistë, që kundërshtojnë partinë e sitemin e tyre dhe i kundërvihen me vepra shkrimore apo artistike. Po si qenka e mundur që nën diktaturën komuniste në Shqipëri t’i lehohej ketij far lloj disidenti komunist “ndaj partisë e sitsemit ” që te shkruaj e të botojë vepra që nuk ndjekin vijen e realizmit socialist?  Pra kalojmë në një gjendje absurditeti. Kurse te tjerët që u mbyllën në burgje e kampe, duhet të quhen shkrimtarë kundërshtarë. Sepse nuk janë disidentë ndaj partisë e regjimit, por e kundërshtojnë atë e prandaj janë dënuar. Këto janë dokrra që krijohen enkas për te krijue konfuzion dhe për të nënvleftësuar ata që bajtën peshën e rëndë te kryqit mbi shpatullat e tyne, njëkohësisht për t’ju njohur ish shkrimtarëve komunistë të drejtën për të çuar përpara letërsinë e kulturën shqiptare, siç po ndodh.

Përfundimisht unë personalisht nuk e kam dalluar as nuk e dalloj një disidencë të mirëfilltë, bile as edhe një pseudodisidencë që të meritueshme me u quejtë ashtu. Do t’ishte mirë që vëmendja e kritikëve dhe shkrimtarëve që merren me studimin e letërsisë të përqëndrohej mbi këtë kategori shkrimtarësh të dënuar e të masakruar. Kaq kisha me thanë.

 

Cilët shkrimtarë shqiptarë do të vlerësoni në kohën e diktaturës dhe post diktatoriale?

 

Që një shkrimtar të vlerësohet duhet që vepra e tij të pasqyrojë anën e mire të shoqërisë, dhe të dënojë anën e keqe të saj. Në kuptimin që të ruaj ato vlera të mirëfillta që shprehin lirinë e mendimit e të fjalës, të veshur me art, të dyja këto në shënjestrën e censurës së një sistemi diktatorial.

Unë nga ana ime mbaj mend ( e them për krahasim) kur vazhdoja studimet ne Itali, në Romë, që nën regjimin fashist kishte lindë e zhvillohej nje linjë letrare, zëdhënëse e asaj diktature,(siç ndodhi tek ne)  që nuk honepsej nga lexuesit, të mësuar me lexue vepra të pa angazhueme me ideologji, ku liria e fjalës dhe e mendimit shprehej nepërmjet talentit dhe aftësive letrare te shkrimtarëve. Kështu, lexuesi italian, lexonte kryesisht veprat e përkthyera nga vendet e tjera perëndimore, ku përparësi kishin shkrimtarët anglezë e amerikanë, si Kronin, Shteinbek,  Lewis, Mitchell, Galsworthy, Walpoole, Mann, etj. E për çudi edhe Shollohovi me Donin e Qetë, disa shkrimarë hungarezë, si Foldi, Zilahy, Kölmendi, Herzog,etj. Gjermanët si Fallada, Rilke, Remarku, etj.  Preferoheshin romane, ku stili letrar ishte i përsosur dhe i lidhur me formën e përmbajtjen e lire.  Aq të shpëlarë  ishin librat e autorëve konformistë të fashizmit plot lëvdata e propaganda për sistemin, sa që nuk  i blinte as i lexonte kush, dhe unë nga ana ime nuk mbaj mend që të kem lexue ndonjë të tillë. Aq neveritës ishin, siç ishin neveritës dengjet e romaneve të epokës së diktaturës, fund e krye propagandë komuniste. Nga ana tjetër propaganda fashiste i ngrinte në qiell si shkrimtarë të mëdhej (siç ndodhte tek ne në Shqiperi). Tani ato kanë përfunduar në koshin e plehrave  e nuk ua di kush as emrin, as përmenden gjëkundi në ndonjë bisedë letrare. U është vënë viza. Nuk vlenin sepse i kishin shërbyer një sistemi diktatorial të urryer.

      Tek ne po ndodh e kundërta. Orvaten që me çdo kusht të vlerësohen po ata shkrimtarë e krijues të tjerë ish komunistë, që veprat e tyre i kanë kthyer në atë propagandë të partisë në fuqi e të diktatorit sundues, me justifikimin se pasqyrojnë atë epokë.

Prandaj një letërsi e kushtëzuar ideologjikisht e në shërbim të një sistemi që ka shtypur e terrorizuar popullin e tij, nuk ka si të marrë kunorën e lavdisë. Une për vete time nuk mund t’i radhis në radhën e shkrimtarëve të mirëfilltë, që veprat e tyre ua kanë kushtuar subjekteve të lira dhe i kanë trajtuar me aftësi profesionale e me  frymëzim të lire. Shkrimtarët e kohës së diktaturës nuk kanë si të vlerësohen as nuk mund të vlerësohen, përveçse negativisht, si konformistë dhë në shërbim të atij sistemi, si përçues të ideologjisë dhe të parimeve të imponuara të komunizmit. Çdo vepër e tyre ka vepruar si gryka e automatikut që ka vrarë shkrimtarë, poetë, artiste e intelektualë me vlerë shqiptare, vëllezër të tyre. Ajo letërsi mund të quhet letërsia e mohimit, sepse mohoi kryesisht lirinë dhe të drejtat e njeriut. Mohoi popullin e tij dhe gjithë kulturën e mirëfilltë shqiptare.

    Tani, pas komunizmit, jemi në një fazë kërkuese, prove, orvajtjesh. Nuk ka dalë akoma  shkrimtari i madh që të pasqyroje epopenë  tragjike të një populli të terë. Aftësia e shkrimtarëve të mëdhej, eshtë që të pasqyrojnë ato vlera të mëdha të një populli,  që në rastin tone, janë qëndresa vetëmohuese e bijve më të denjë të tij, në luftën  e së mires kundër se keqes, e lirisë dhe e demokracisë kunder diktaturës.

     Kthehemi gjithmonë te Iliada e Homerit, te Lufta e Trojës, që mishëron të gjithë luftnat, por që merr kuptimin e paraqitjes së botës së vjetër me gjithë mjedisin e saj e personazhet, që u përjetësuan nga ai poet i madh. Ajo mbetet kryevepra e përhershme e qytetërimit botëror, që frymëzoi e frymëzon të tanë shkrimtarët pasardhës. Por  të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, janë përfaqësues te kohëve që jetuan. Homeri, Virgjili, Dante, Ariosto, Firdusi, Shekspiri, Omar Kajami, Cervantes, Goethe, Hugo, Balzak, etj. na dhanë epokat e tyne  me nivel të lartë artistik. Na dhanë jetën, medimin, traditat, botëkuptimet,  njerëzit e thjeshtë e të shquar, pra botën e tyre shpirtërore e materiale, me të cilën ne njihemi e marri mësim. Në këtë kontekst edhe  Gjergj Fishta  quhet poeti  i madh  kombëtar, pse na dha atë botë shqiptare, shpirtërore, materiale, njerëzore, në  nivelin e

Ne Belgjikë
një epopeje epiko heroike të një kohë  që nuk përsëritet më. Lahuta e Malcisë përbën një fakt unikal, ku u pasqyrua e u vulos bota e traditave, luftërave, zakoneve, dokeve e kanuneve, heroizmi, krenaria, vetëmohimi, trimnia, besa e burrnia, bukuria e karakteri i femrës shqiptare, etj, veti e virtyte që nuk janë më. Na dha personazhe te nivelit heroik si herojt e Iliadës. Dolën figura të përmasave homerike, si Oso Kuka, Mic Sokoli, Marash Uci, Ali Pasha i Gucisë, Tringa, etj. jo më kot u quejt “Homeri Shqiptar” Dostojevski i anatemuar zuri vendin e vet në podiumin e nderit. Prandaj neve na duhet një Bjelinsk shqiptar, ose disa Bjelinskë, për të venë rregull në letërsinë tone.

Do të thoni, pse kaq skeptik dhe kundërvenës ndaj shkrimtarëve që i shërbyen regjimit dhe atyre të postdiktatures. Si mos te jem i tillë? Kam njohur talente të verteta,  që mund të ishin berë shkrimtarë, poetë  e artiste të nivelit të lartë. Por sistemi i degdisi me hap kanale, me tha këneta, me prashit misër e lakra. Njoh një të ri të talentuar, piktor, të cilin “lufta e klasave” ja mohonte meritat dhe e çoi me gërrye arat e parcelat e bujqësisë, pa asnjë të drejtë studimi artistik.  Më 1990 ai kalon në botën perëndimore, dhe pranohet menjëherë e pa konkurs, në një akademi arti prestigjoze, ku shkëlqen e dipllomohet me notat më të larta, e çmim të pare në pikture. Tani është piktor i afirmuar, bile ka hyrë në enciklopedinë e artistëve të atij vendi. Shqipëria vazhdon të mos e njohë, sepse i përkiste asaj shtrese që ishte persekutuar. Ato talente që hynin në radhën e të deklasuarve e të dënuarve, kosa e diktaturës nuk i kurseu, i zhduku nga faqja e dheut e u mori jetën më aktive. Sot, ata që nuk vdiqën, mund të jenë pleq që mezi ecin e mezi shohin, ose që u dridhet dora, ajo dorë që në liri do të kishte qëndisë vepra të bukura. Prandaj është e zorshme të japësh mendime  kur shapi është përzier me sheqerin. A thue do të dali dikush i aftë që ta bejë atë punë ?

    Po e përfundoj me një dëshmi të rrallë, nga një mik i imi profesor e shkrimtar, bashkëvuajtës, që pasi e kishin dënuar disa vjet dhe liruar, nuk kaloi shumë dhe e arrestuan përsëri dhe u gjet para shefit të degës të qytetit të tij. Shiko i tha shefi, t’i njohim e ti vlerësojmë aftësitë, prandaj partia ka menduar me të dhënë dorën. Do të emërohësh profesor dhe do të keshë mundësi të shkruash e të botosh libra. Me një konditë: të pranosh bashkëpunimin me sigurimin e me institucionet e partisë. Që tani je i lirë të japësh mësim si profesor e të tregosh aftësitë e tua letrare, po qe se firmos këtë dokument. Miku im u përgjigj se nuk e pranonte asesi atë lloj propozimi të turpshëm. Paç veten në qafë, i tha shefi. Te pret ose  pushkatimi ose do të kalbësh gjithë jetën në burgje e kampe internimi. Ja ku më keni, më vrisni që tani, ose më dënoni sa të doni, po atë turp nuk ja lejoi vetes. Nuk e pushkatuen por gjithë jeta i kaloi në burgje e internime ku u semur rëndë dhe pas ngjarjeve të 90-s vdiq.  Pra kishte nga ato burra qe nuk u bënte ferr syri para terrorit të diktaturës.

 

Ju keni 15 vjet që drejtoni revistën “Kuq e Zi”, cili është kontributi i kësaj reviste në Diasporë, dhe cilat janë temat që zënë një vend të gjerë aty?

 

     Koha kalon shumë shpejt në botën e lirë, dhe 15 vjetët e revistës me duken si 15 ditë.
Ideja e një reviste, siç e kam thënë, kishte lindur qysh në atë kohë të dënimeve, ku shpresa për një lirim të plotë, nuk ishte shue kurrë, dhe ja që e fituem lirinë e dolëm në atë vend, në Belgjikë, ku shqiptarët kishin gjetur strehim politik qysh me kohën e Faik Konicës, e ku kishte pa dritën revista "Albania", nga 1897 deri 1903, e cila vazhdoi të dalë në Londër deri më 1909. Pra qysh nga koha e asaj reviste kishin kaluar 100 vjet, e një tjetër shtyp shqiptar i atij lloj nuk ishte dukur gjëkundi as si një fletë e vetme letre.  Ne erdhëm në Belgjikë, më tetor 1990, dhe nuk m’u desh shumë kohë për të kuptue mangësinë e shtypit shqiptar. Fillimisht isha i zanun me redaktimin e poezive të mija të kohës së burgjeve e kampeve, që arrita t'i mbledh në një liberth: "Ankimi i Zanave" tëcilin e përktheva në dy gjuhë të tjera që zotëroja, frëngjisht e italisht. Pastaj iu vura punës për të krijuar revistën. Punë që e mora përsipër vetë, mbasi isha mjaft i prirun e praktik për të tilla gjëra, dhe njëkohësisht si piktor, e më lehtësohej detyra. Kështu, më tetor – nëntor 1993 doli numri i parë, sigurisht me pakicë, që i shpërndava ndër shokët e tjerë tëvuejtjeve, si Gulljelm Dedan Mark Dema, Mikel Koliqi, Lazer Radi, Ded Gjomarkaj, Eugjen Merlika, Nush Radovani, Gjosho Vasija, Injac zamputi, At Zef Pllumi, Hans-Joachim Lanksch, e të tjerë, që më uruen për këtë nismë. Po ashtu i dhurova dhe bibliotekës kombëtare e bibliotekave të tjera,  dhe disa figurave tënjohura të diaporës, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora, Sali Toptani, Dervish Duma,Ton Koka, etj. Të gjithë sa përmenda derisa qenë gjallë, u banë anëtarë nderi e bashkëpunetorë, dhe ky është njënder i madh qëi mbetet revistës.
    Revista mori përsipër të zhvillojë një kulturë të shëndoshë të bazuar mbi parimet e Rilindasve, si një tribunë e vërtetë shqiptarizmi. Ajo trajton tema tëndryshme, kulturore, letrare, historike, gjuhësore, dokumentare, e të tjera fusha tëkulturës shqiptare e botërore, por kryesisht ato çështje që u përkasin shqiptarëve. Botohet pa qëllime perfitimi, dhe gjithë ata që punojnë për të e bëjnë falas. Një rast unikal për të cilin krenohemi.
Pra rëndësia e revistës, qëndron në faktin që ajo në një farë mënyre vazhdoi në gjurmët e Konicës, dhe me këmbëngulje u botua kaq vjet rresht dhe mendon se do të vazhdojë edhe për shumë kohë.

Në 15 vjetorin e saj, revista gjen rastin nëpërmjet jush, t’ju urojë bashkatdhetarve kudo janë, mbarësi ne familje e jetë, e suksese në detyrë, në punë dhe në veprimtarinë e tyre intelektuale në dobi të Kombit Shqiptar.

Në prag të festës kombëtare,  Gezuar festën e Flamurit e të 28 Nëntorit.

Cilat janë librat tuaja të botuara dhe a keni gati ndonjë për botim?

 

Grup te rinj te dalun  nga Tepelena, ku u intenuan femije dhe u rriten nder  tela.  Foto 1954 ne Lushnje. Lek Pervizi me i gjati.
Mbasi mori udhë botimi i revistës u përqëndrova në shkrimet e mija e më dolën shumë variante e detyra: Së pari duhej shkruar për atë kohë dhe për atë pjesë të historisë shqiptare që ishte mbuluar me harresën deformuar e sakatuar, duke qenë vetë dëshmitar i shumë fakteve, nëpërmjet prindit tim, Gjeneral Prenk Pervizi, një figure prestigjoze ushtarake që kishte përcjellë gjithë historinë e re shqiptare, nga 1918 deri kur vdiq më 1977 në Belgjikë, ku kishte gjetëstrehim politik, si rrjedhim duhej shkruar edhe biografia e tij e plotë. Duhej shkruar për denimet, burgje e kampet, për kujtimet e mija, për vllaznit e familjen nëtërësi, por ja që liria të jep shumë mundësi dhe të hap të gjitha dritaret e dyertë e mundshme të bibliotekave e të arshivave. I dhanun edhe pas historisë, e pas figurës kombëtare  të Gjergj Kastriot Skaderbeut, përkrah të cilit kishin luftuar të parët e mij, ja që më bie në dorë vepra origjinale e Dhimitër Frangut, këshilltarit e shoqëruesit të Skanderbeut, qëi kishte ndenjur pranë gjithë kohën  e luftrave dhe të veprimtarisë sëPrincit të madh krutan. Menjëherë e përktheva dhe e botova në Shqipëri, si një dokument faktik i jetës dhe veprave të Skanderbeut, për të hedhë poshtë gjithë trillimet dhe hamendjet për të, që filluan të përhapin paturpërisht disa individë pseudohistorianë,  fatkeqësisht shqiptarë, sepse të huajt edhe mund ta bënin atë punë, por për çudi nuk e kanë berë e në të kundërtën i kanë thurur lavde. Akademia dhe Instituti i Historisë me historianët e njihnin veprën e Frangut, por nuk i kishin dhënë rëndësi duke ngritur në qiell si 'bible" veprën e Barletit. Ndersa Barleti vet e kishte marrë (vjedhur) veprën latinisht të Frangut, duke ndërtuar veprën e tij mbi të, e duke i shtue rrëfime absurde e fantastike dhe fjalime të pavend tëSkanderbeut. 

    Për këtë përkthim pata një vlerësim dhe Unioni Kombëtar i Artistëve më dekoroi me një çmim.  Historianët dhe akademikët mbetën gojë mbyllur, sepse kishin shkelur të drejtën eskluzive tëAt Dhimiter Frangut, si shkrimtari i parë që shkruejti veprën e parë, jetën e veprat e Skanderbeut, që më vonë kur u përkthye italisht, njohu botime të shumta,

17 vetëm në Venecia, si dhe të tjera në vende të ndryshme europiane. Kjo nuk i heq asgjë veprës së Barletit, por është mirë që haka të vejë tek i zoti.  
    P
ërkthimi u realizua nga italishtja e vjetër, ku isha mjaft i thelluar duke pas lexuar pothuejse të gjithë librat e asaj kohe, nga Dante e më vonë.  Kështu më doli prap punë me përkthye një autor e historian italian tërilindjes, 1531, që dhe ky kishte përvetësuar librin latinisht të Frangut dhe e kishte përkthyer e botuar si të vetin. Ky ishte Paolo Jovio, peshkop i Noçeres dhe koleksionist i madh veprash artistike, portretet e njerëzve të shquar, ku figuronte dhe portreti i Skanderbeut, që quhet më i sakti dhe që është ai që ruhet në "Galeria degli  Uffizi në
Firenze.
   Kjo val
ë përkthimesh më shtyri tëpërkthej nga frëngjishtja një libër mbi pellazget e  pasardhësit e tyre, qe simbas autorit, Eduard Shnaider, ishin Shqiptaret. Libri ishte botuar ne Paris me 1894. Duke qenë se e ndjek fillin historik të prejardhjes së shqiptarëve  nga Pellasget, e përktheva dhe është gati për botim, vitin e ardhshëm. Edhe libri i Paolo Jovios është për t'u botuar. Gjithashtu për botim kam një libër mbi babain tim  sipas relacioneve të tija origjinale për luftën e Abisinise 1935-36, ku ai përfaqësonte Shqipërinë në Komisionin e Vëzhguesve Ndërkombetarë dhe manovrat e Mëdha. Kam dhe librin "Lahutari Shqiptar", një përmbledhje kangësh rapsodike popullore të krijuara nga të

Me Nermin Vlorën e te shoqin Renzo Falaschi, Beba, Lek Pervizi ne Brusel,  para tabllosë me nje skene beteje te Skanderbeut,  punuar nga Leka ne Plug te Lushnjes,  më 1968.
burgosur e të internuar nën diktaturën. Një libër me rëndësi unike, sepse aty shprehet fjala e mendimi i popullit. Një tjetër vepër origjinale imja për botim,  është një libër mbi historinë e shqiptarëve, nga origjina deri më sot, sipas një teorie të re. Këtë libër e kam çuar për botim frëngjisht në Paris, sepse atë e kam shkruar fillimisht frëngjisht, duke parë se historia e  Shqipërisë nuk njihet fare nëvendet e huaja, me titull "Albanie, pays à connaître" (Shqiperia vend për t'u njohur). Kam në shkrim e sipër, një përmbledhje poezish të krijuara në kushtet e reja të lirisë, si dhe të tjera lidhur me familjen, si një poemë familjare në tingellimë njëmbëdhjetë rrokshe. Monografitë e vllazënve të mij, Valentin e Genci, të dy të vdekur, njeni, Genci, ne kampin e Gradishtes, pas 42 vjet burgje e kampe, e tjeri, Valentini, që pas 47 vjet burgjesh e kampesh, u bashkua në Itali me te shoqen italiane,  e ku vdiq me 1999 në Bologna.

Ju keni qenë një jetë të tërë burgjeve, internimeve, cfarë tmerresh do të kujtonit më së shumti për atë kohe?

 

      Kjo pyetje e ka përgjigjen direkte. Tmerri që nuk mund të hiqet nga kujtimi është terrori që u ushtrua mbi intelektualët shqiptarë që u zhdukën nëpërmjet pushkatimeve me e pa gjyqe, dhe u burgosën masivisht duke iu nënështrue punës së detyrueshme shumë të rëndë, sa që ato kampe pune u quejtën kampe shfarosjeje. Tmerri i kampit të Tepelenës që u be sinonim i terrorit qe ushtrohej mbi qenje njerezore krejtesisht te pafajshme, si pleq e plaka, nëna e fëmijë, burra e gra, familje të tëra,  nga të gjitha anët e Shqipërisë, pa dallim.
    Por tmerri m
ë i rëndë është ai personal, ku të dashurit tanë vdiqën në ato kushte mizore : gjyshja, quhej nënë vogla, që vdiq në kampin e Tepelenës 90 vjeçe. A ka më akuzë të rëndë për kriminelët ? Sa pleq të tjerë si ajo humbën jetën, e varret nuk u gjenden ? Mama, edhe ajo e internuar me 1945 njohu vetëm kampe internimi nga Berati, ne Tepelene, Portopalermo, Gradishtë e Plug të Lushnjes, ku vdiq më 1977 në moshn 77 vjeçe pas 32 vjet internim. Vellai Genci, i cili vdiq në Gradishte të Lushnjës më 1989, pas 42 vjet burg - internim. Me vdekjen e pjesëtarëv të familjes  dhe të kushërinjve në Tepelenë, me të vrare e tëpushkatuar, e të vdekur në burgje e kampe familja jonë e pagoi me 16 viktima : 12 burra, dy gra e dy fëmijë, varri i të cilëve, përveç të mamës e të Gencit, nuk dihen ku janë. Këtyre, t’u shtohet eliminimi i  njerezve, besnikëve e miqve tanë. Janë me dhjetra që u pushkatuan. Ndër ta shume intelektualë, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë, ku disa prej atyre figurave  të shquara vinin në shtëpinë tonë: si Gjeneralët Aqif Përmeti e Gustav Mirdashi, Patër Anton Harapi, Pater Lek Luli, Dom Shtjefën Kurti, Cen Elez Ndreu, Patër Klement Miraj, Mark e Llesh Gjomarakaj, Dom Ndue (Anton) Zogaj, të gjithe të pushkatuar. 

 

Si e pritët vdekjen e Enver Hoxhës, dhe ku ishit në atë kohë?

 

Ishte një lajm i papritur që sillte një lehtësim shpirtëror.  Diktatori i hiqej qafet shqiptarëve, mbi të cilët kishte ushtruar terror të paparë gjatë 40 vjetëve. Ngjallej shpresa e një ndryshimi që ta çonte Shqipërinë në drejtimin e saj të natyrshëm, drejt Europës . Një e  keqe e madhe i hiqej Shqipërisë. Njerëzit nuk e përmbanin në vetvete atë ndjenjë lehtësuese që ishte një shpresë  e gëzim për një shpëtimi t'ardhshëm. Të gjithë, dhe vetëkomunistët, pa çka se derdhnin lot krokodili, edhe ata e ndjenin  shpëtimin nga hija e tij e rëndë që peshonte si shpata e Demokleut edhe mbi ta, e që kishte qërue hesapet edhe me shumë prej tyre. 
     Un
ë gjendesha në shtëpi me gjithë gruen e djalin e vogël, 9 vjeç. Lajmin e morëm nga radio. Nuk lëvizëm fare nga shtëpia. Por pak më përpara kisha një punëtë zyrat e sektorit, dhe vërejta që ato të zyrave më shikonin sikur nuk më kishin njohur kurrë. Ato e paskëshin ditë dhe kërkonin të kuptonin në se unë dija gjë, e në qofte se dija, çfarë shprehje kisha të gezuar apo ...hiq gjë. Ec e merre vesh se ku iu shkonte mendja!

Të nesermen në mengjes herët, unë kisha dalë para zyrave ku më bëhej apeli. Isha i vetmi që bëja apel dy tri herë në ditë aty në Plug. Bënte ftohtë dhe kisha veshë pallton. Prit e prit, kryetari i Këshillit nuk po dukej. Kur dëgjoj një zë, ai kishte dalë në dritaren e pallatit kundruell ku banonte  e ma bënte me dorë që të shkoja.
     T
ë nesërmen në brigadat mbajtën mbledhje ku u tha se Lek Pervizi, ndërsa bëhej ceremonia mortore, shetiste si kapadai, poshtë e lartë sektorit nga gëzimi. Ndërsa për gruan time kishin folë se ajo ia kishte marrë këngës duke kënduar arie operash në fushë. Çështja ime u mbyll, sepse ishte kryetari i këshillit që e dinte se unë isha duke prit apelin pa luajtur vendit. Kurse për gruan u bë problem. Erdhi operativi, i cili thirri ato vajzat që kishin nxjerrë llafin e këngëve e që punonin në një brigadë me gruan time, për të bërë një proces verbal për incidentin. Me atë proces verbal gruaja mund të arrestohej e dënohej. Operativi u kërkoi vajzave të tregonin të vërteten sepse përndryshe e çonin shoqen e tyre në burg. Ishte sekretarja e partisë së sektorit që e kishte kurdisë atë punë. Kur operativi i pyeti vajzat, se a kishte kënduar Beba atë ditë në fushë, ato i thanë se Beba këndonte gjithmone në fushë, e atë ditë ajo nuk kishte qenë në punë. Doli problemi pse nuk kishte shkue në punë. Shyqyr që brigadieri pohoi se e kishte lënë gruen pushim dy ditë sepse ajo kishte punuar dy të djela.  Edhe ajo çështje u mbyll e lindi tjetra. Doli  problemi i djalit tim 9 vjeç, që i paskej thënë një shoku të tij 5 vjeç, kur po luenin, se aty po më rreh mua se ka vdek Enveri.  U mblodh shkolla. Erdhën operativi e sekretarja e partisë e cila e mbante në prehër fëmijën 5 vjeçe, duke i kërkuar të thoshte se ç'kishte thënë Aureli, djali im. Aureli përgjigjej që nuk kishte  thënë asgjë. Një komedi e sajuar nga sekretarja, për të goditur mua e familjen. Të nesërmen kur Aureli shkoi në shkollë, e sulmojnë fëmijët e tjerë dhe e rrahin, e njeri e kërcënon me një kacavidë që të pranonte se kishte thënë: “aty po më rreh mua se ka vdekur Enveri”. Në fushë qarkullonte fjala e partisë, se duhet të  shikoni se kush janë armiqtë e popullit. Djali i Lek Pervizit, kështu ka thënë, e i ati Leka shetit nëpër sektor si kapadai, ditën e varrimit, e shoqja këndon opera në fushë, për tëshprehur gëzimin për vdekjen e udhëheqësit tonë të ndritur. etj. etj. Në fakt vdekja e diktatorit ishte një shpëtim për të gjithë. Për ata që kanë ndjekur televizionin shqiptar, sa ishte gjallë  Enveri, kohët e fundit, gjithë anëtarët e Byrosë politike ishin tharë e bërë si ceraga të tymosura e nuk u qeshte fytyra. Ata e ndienin shpatën që u rrinte e varur mbi kokë. Pas një muaji  nga vdekja e diktatorit, ata e kishin marrë veten. Dukeshin të ripërtërirë e të shendoshur  e gjithë shend e verë, sikur kishin shpëtuar nga një rrezik i madh. Kur ata? Po populli ? edhe populli, po e ndiente afrimin e paevitueshëm të ndryshimit për më mirë, që ishte shëmbja e diktaturës.

 

Tirane, shtator 2008
C’ndjeu Lek Pervizi kur u rrëzua busti i Enverit dhe a kishit shpresë se po vinte demokracia e vërtetë?

 

Isha në Bruksel në shtëpi duke ndjekur lajmet televizive, ku pa pritur doli pamja e shëmbjes së monumentit të diktatorit me turmën e madhe të popullit në eufori festive. Diktatura komuniste kishte marrë fund. Ishte një ndjenjë gëzimi që na pushtoi, e gjithëfamilja, gruaja dhe tre djemtë u grumbulluan aty për të parë atë ngjarje të madhe historike, që u shfaq gjithë atë ditë dhe ditë të tjera. Populli shqiptar po i jepte fund me guxim, njeherë e përgjithmonë, sistemit të urryer komunist, ku me shëmbjen e statujës së Enver Hoxhës mbyllej  epoka më e  errët e më e përgjakur e historisë sonë. Patjetër se ajo ngjarje hapte rrugën e Shqipërisë, drejt lirisë e demokracisë. Shqiptarët duhej të kuptonin e të kuptojnë se vendi ndodhej si para një tërmeti shkatërrues, ku paraqitej nevoja që të rindërtohej bashkarisht. Pra duhej punë e mirëkuptim nga një anë, por duhej edhe vendosmëri nga ana tjetër, ku ata që kanë qenë shkaktarë krimesh e persekutimesh, tëlargohen në shtëpitë e tyre e të gëzojnë atë pension që u jepet. Të lozin domino e të shëtisin ku ta kenë qejfin, por të mos fusin përsëri turinjtë  aty ku nuk duhet e ku nuk kanë të drejtë të përziehen. Pas shëmbjes së bustit patjetër se lindën  shpresat për vendosjen e demokracisë edhe në Shqipëri. Sipas meje, pavarësisht nga disa probleme tëbrendshme, Shqipëria do ta gjejë vendin e vet kur të hyjë në Europë, atëhere është më se e sigurtë se demokracia do të vendoset e të lulezojë në Shqipëri si në vendet e tjera europiane. 

 

Si u njohët me bashkëshorten tuaj, të quajtur ndryshe bebe,  si ishte martesa juaj, castet romantike në internim, dhe mund të më flisni dhe për femijët tuaj?

 

Edhe çastet romantike nuk kanë munguar nëatë errësirë skëterrore, si rreze dielli mes stuhisë. Kështu e mendoj unë njohjen e martesën  me shoqen time të jetës. Ajo quhej Gjuliana Malaj, e bija e Nikoll Malajt, i cili ishte arratisur në korrik 1948, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë. Gjuliana katër muajshe, me t'amen Zorka, me origjinë malazeze, u intenuan menjëherë dhe i degdisën në Berat në korrik 1948, dhe pastaj nëTepelenë, ku ajo u rrit e u bë gjashtë vjeçe e aty fitoi emrin "Beba", sepse ishte një nga fëmijët e paktë, dhe më i vogli, që i shpëtoi vdekjes masive të fëmijëve.

Kështu Beba erdhi në Plug të Lushnjës ku u rrit e u bë një vajzë e bukur që tërhiqte vëmëndjen e të rinjve që i vinin rrotull, por më kot. Ajo i kishte bërë planet e veta dhe e kishte fiksuar mendjen aty ku nuk i shkonte mendja askujt, aq ma pak të interesuarit, që e shoqëronte dhe e respektonte me sinqeritet e me shpirt kalorsiak si një vajzë e kampit. Kjo kishte në një farë mënyre një ngjasim me filmin me Zhan Marene, i cili rriti vajzën që ia kishte lënë amanet i jati i vrarë, dhe më në fund kur vajza u rrit u dashurua dhe u martua me të. Kjo pak a shumë është historia sentimentale që na bashkoi neve, qëprej 43 vjet, me tre djem.  Në Tepelenë, ku kisha nanën time, e ama e Bebes, që shkonte në punë, ia linte vajzën asaj dhe mua, që asokohe isha i sëmurë rëndë e nuk më nxirrnin në punë. Kështu që Beba u rrit pothuajse me ne. Dhe erdhën ditët e mëvonshme, kur ajo u rrit dhe zgjodhi të bashkohet me mua, bile të rrijë, sepse s'amës i doli leja me u kthye të prindët në Mal të Zi, me tre kalamajtë e tjerë të mitur. Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku ajo pranonte me shkue me t'amen e vllaznit. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës që ia kishte dhënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”. Operativi kishte tundur kokën si me thënë, a e di se me kë je bashkuar ? Me të birin e Gjeneralit. E armikut nr.1 të popullit.  Zi e më zi ka me të shkue jeta.
    E kështu ndejti me mua për të shijuar jetën e internimit e të punës në fushat e  parcelat e bujqësisë nga mëngjesi deri në darkë, pa pushuar një ditë.  Ishte fati yne që u shemb diktatura e dolëm në Belgjikë, për të harruar ate të kaluar tëkobshme dhe shijuar pakëz jetë të lirë nga koha që na ka mbetur për të jetuar.

 

U preka shumë që ju midis personaliteteve që keni pasur kontakt direkt, përmendni dhe intelektualin erudit prej Prizreni, z.Lazër Radi, me të cilin kam pasur një miqësi familjare disavjecare, deri sa na ndau viti i mbrapshtë i 97-es, c'mund të kujtoni nga bisedat intelektuale me të, dhe si ndihej ai për Kosovën, por që ishte burgosur dhe internuar tërë jetën në tokën amë?

 

Emnin dhe shkrimet e jueja znj.Zylo i kam ndjekur, e më vjen mirë që i perkisni asaj shtrese intelektualësh që e kanë të qartë se diktatura komuniste e katandisi Shqipërinë si një vathë bagëtish, ku kasapi zgjedh berret që do të theri. Ndryshe nuk mund të mendohet ajo e kaluar që bani kërdinë kryesisht mbi shtresën intelektuale të formuar në shkollat më të mira të Europës .

Me  Lazër Radin jam njohur për pamje në Savër më 1954. Kam kaluar 20 vjet me të në kondita të ndryshme.  Së pari na mbyllën në kampin e Shtyllazit e të Radostinës (Fier) me nja 90 të internuar të tjerë ngjitur me kampin e të burgosurve, që hapnin një kanal vaditës, ku na kishin futur dhe neve për të punuar. Pastaj na hoqën e na çuen nëKuç të Kurveleshit ku ndejtëm të izoluar tre vjet, 1955-1958. Këtu u njohëm më mirë dhe zumë miqësi, ai kishte njohur edhe babanë tim dhe kështu miqësia u forcua.
     Siç e kam th
ënë, aty në Kuç ishte mbledhë ajka e intelektualëve që i kishin shpëtuar pushkatimit, por jo burgjeve e internimeve. Lazri ishte një intelektual i mirë dhe shumë i përgatitur, nga ana kulturore vlerësohej nga të gjithë. Bisedat tona, në atë mjedis i përkisnin më tepër letërsisë, sepse kishim disa profesorë dhe shkrimtarë që ngjallnin këto biseda. Nga Kuçi na çuen në Lushnje, e këtu na caktuan me punue si marangoza dhe si dizenjatora për fermën “29 Nëntori”. Nga viti 1958 e dri 1978, plot njëzet vjet punova me Lazrin, dhe veçanërisht në punë si disenjatorë e piktorë, kishim kohë me u prrallisë e bisedat tona gjthmonë rrihnin mbi kulturën, letërsine, poezinë, librat, të ardhmen etj. Kur të shkojme në Itali e gjetkë, më thoshte  Lazri ndër të tjera, ti do të merresh me pikturë, dhe unë do të bëhem menaxheri yt, sepse ti si piktor nuk merresh dot me punën e organizimit të ekzpozitave e të porosive që mund të vijnë. Lazri më konsideronte si një piktor të madh, të cilit ia kishte pre rriskun diktatura, por do të vinte ajo kohë që të fitonim lirinë dhe talenti im do të afirmohej. Kjo ndër të tjera një lloj bisede. Flisnim dhe për shkrime. Ai diçka merrej me shkrime, por më shumë kujdes, pa ra në sy. Me mua bisedonte çdo gjë, edhe nga ato bisedat më komprometuese e të rrezikshme. Por gjithçka mbetej brenda nesh. Edhe për perspektivën e botimit të një reviste kulturore flisnim, se si mund të botohej jashtë shtetit, si Konica.  Pra ishin biseda frymëzuese për t'ardhmen, në kuptimin se edhe në konditat pa rrugëdalje, na mbante shpresa e shpë
timit. 
P
ër Kosovën ai kishte  nostalgji të madhe. Emocionohej kur kujtonte fëmininë.

Familje jo e pasur. Mbante mend  e dëshpërohej për keqtrajtimin nga ana e serbëve, që donin me kolonizue vendin dhe i detyruen me e braktis Kosovën e me kërkue shpëtim në Shqipëri.  Kur erdhën në Shqipëri në kohën e Zogut, patën vështirësi. Ai e ndoqi dhe e mbaroi shkollën në Shkodër , me bursë shteti. Por u dallua shumë në mësime e doli shkëlqyeshëm në maturë.  Fitoi bursën për në Itali, ku zgjodhi drejtësinë, dhe në mbrojtjen e dipllomës, mori komentin dhe analizën e Kanunit të Lek Dukagjinit, duke befasuar komisionin dhe duke u dipllomuar me notat më të larta 30 me lode. U mor me gazetari e artikuj të ndryshëm edhe me temë letrare, si poezi e të tjera shkrime.  Nga ana politike, ai kishte besim se Kosova do ta fitojë Pavarësinë dhe se nuk do të shkojë vonë e do të bashkohej me Shqipërinë në një shtet të vetëm. Për atë ishte një arritje e pashmangshme, sepse kohët kishin ndryshuar dhe forca e Serbisë sa vinte  dobësohej. Serbia do të dorëzohej pa shpresë ndaj fitimit të pavarësisë së Kosovës, dhe të bashkimit të saj me shtetin amë. Kur u shëmb diktatura desh me shkrue çka kishte blue në mendje gjithë kohën e dënimeve, dhe botoi disa libra, sa me ndie kënaqësinë intelektuale për të cilën ishte i prirun. Por ishte tepër vonë. Mosha dhe vuajtjet e pësuara, ia prenë edhe atë pak jetë që i kishte mbetur. Me '97 m’i dergoi me një mik, të gjithë librat e tij me këto fjale: “ Po ti çoj ti ruejsh, se po kthehet prapë komunizmi, nabarë të shpëtojnë këto pak vepra sa mos me mu harrue emni”. Ai kishte besim te madh tek une. Por edhe unë nuk mund të bëja mrekullira, pavarësisht se e kisha natyrën e tillë, të organizimit e të vendosmërisë si dhe të kapacitetit krijues. Por si thonë, trimi i mirë me shokë shumë, ndërsa  kisha mbetur vetëm dhe në dhe të huaj. Ato shokë  nuk  ishin më, mua nuk më mbetej veçse me percjell amanetin e tyre për të mos mbetur të harruar.

 

Ju faleminderit për mundësinë që më dhatë për të shprehur disa mendime vetjake.

Të pakta, por të sakta.

 

Ishte kënaqësia jonë z.Pervizi t’ju intervistonim për publikun e gjerë dhe për ta njohur atë më nga afër me vuajtjet dhe tmerret tuaja nga sistemi diktatorial!

Ju urojmë jetë të gjate ju dhe znj.Bebe, shëndet dhe lumturi në familjen tuaj!

 

Nentor, 2008

New York

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora