E merkure, 24.04.2024, 08:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Astrit Lulushi: Brez i heshtur

E shtune, 02.01.2021, 11:19 AM


Brez i heshtur

Nga Astrit Lulushi

“..Jemi mësuar. Çdo gjë është e jona...”, shkruan Agron F. Çorati në romanin “Në kërkim të vetvetes”. Mesazhi është i qartë: Çdo gjë që bëjmë ndikon mbi vetë ne - çdo hap, çdo veprim, çdo sjellje - prandaj mësohemi të durojmë edhe diktaturën më mizore dhe të mos shkëputemi lehtë prej saj. I kemi shkaktuar shumë të këqia vetes.

“...Jeta në qytetin e zymtë, ku njeriu ecën mendueshëm vetëm, si uji që rrjedh me presion prej rubinetit të prishur. Më poshtë uji i çezmës bashkohet me ujrat e shiut dhe shkon tatëpjetë si një lëndë e vetme. Njeriu qëndron një copë herë, duke vështruar rrëketë e vogla që bashkohen pa zhurmë e vazhdojnë rrugën në një shtrat të vetëm, dhe kapërcen në anën tjetër....”

Është historia 45 vjeçare në këtë fragment shkëpur nga ky libër shkruar në vitet 1960. Sigurimi ia gjeti në dorëshkrim dhe autori u dënua. Libri u botua 18 vjet pas vdekjes, më 1995. Autori Agron F. Çoratit, shkrimtar disident, ishte Dostojevski ynë, shkruan publicisti Reshat Kripa, edhe ky ish i burgosur e përndjekur nga diktatura.

Por mos u mundoni ta gjeni emrin e Çoratit në historinë e letërsisë, as në shkolla; edhe kritika letrate ka thënë thuajse aspak për këtë autor, i cili me përshkrimet e tij të kujton të mëdhenjtë Balzak, Hugo, Dostojevsk e Kafka.

Në Shqipëri koha ecën shumë ngadalë. Librat e realizmit socialist ende mbushin libraritë; ka edhe kanale televizive vetëm për filmat-propagandë të asaj periudhe. Shqiptarët kanë sot Librarinë Agolli e Pallatin Kadare, ndërsa ndonjë prej librave të Çoratit shumë rrallë mund të gjendet në tezgat për rreth Pazarit të ri në Tiranë.

“Në kërkim të vetvetes” është libër autobiografik ose kështu ka dashur ta paraqesë autori. Është një libër jete për çdo njeri që kalon në errësirën pa shpresë të asaj periudhe. Zymtësia e peisazheve, mendimi përshkrues analitik, mundimet e përditëshme shoqërojnë personazhin në kërkim të vetvetes; dhe në fund e gjen atë në fshatin e të internuarve; lë Tiranën për rrugët plot baltë; dhe heq dorë për hir të dashurisë nga katedra e mësimdhënies. Çorati ishte intelektual. Kishte studiuar jashtë. Kishte qenë edhe përkrahës i Nacional Çlirimtares, por u tërhoq duke e denoncuar në opinion Partinë Komuniste si vegël të Partisë Komuniste jugosllave. (H. Çobani, Parathënie).

“Në kërkim të vetvetes” është rrëfim i njeriut, i cili pasi kalon nëpër vështirësi arrin në përfundimin se në komunizëm ka vetëm dy alternativa; ose t’i shërbesh ose t’a luftosh. Autori zgjedh të dytën; luftën e armatosur me heshtje stoike, larg “rrjedhës me shi e ujra të ndotur”. Dhe për këtë regjimi e ndëshkoi. Çorati përfundoi në burgje e kampe internimi dhe më pas punëtor ngarkim-shkarkimi, ku edhe ndërroi jetë në moshën 54 vjeçare. Lindur më 1922, Agron F. Çorati i përket brezit të lënë qëllimish në heshtje të inteligjencës shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora