| E shtune, 02.01.2021, 11:06 AM |
Flet këngëtarja e mirënjohur, Liliana Kondakçi, 7 herë fituese e çmimit të parë në festivalet në RTSH
- “Festa
e Këngës Shqiptare” ishte një sfidë ndaj Pandemisë
- Që nga vitit 1967 deri në vitin 1990 unë kam
marrë pjesë në 23 festivale pa ndërprerje.
-
Si talent më ka zbuluar i madhi Pjetër Gaci, në vitin 1967 kur kam qenë
14 vjeç.
- Gaci
më dha të këndoja një këngë të këngëtares së madhe Vaçe Zela “E dua vendin tim”
të kompozuar nga Agim Prodani.
- Ishte
viti 1967, isha 14 vjeç në Festivalin e
5-të dhe këndova këngën “Tekstilistes”
Nga Albert
Z. Zholi
Para disa ditësh dhe pse Pandemia ka
kufizuar lëvizjet është realizuar dhe filmuar nën drejtimin e Gjergj Lekës
“Festa e Këngës Shqiptare”. Kjo Festë mblodhi rreth vetes këngëtarët e vjetër
që kanë kënduar “live” për vite të tëra dhe që sot kërkohen nga publiku i gjerë.
Kjo Festë u zhvillua që dhe brezi i ri të mësojë se kush ishin ata këngëtarë që
e rritën cilësinë e këngës së muzikës së lehtë shqiptare dhe nuk e
deformuan atë. Pjesëmarrëse ishte patjetër dhe Liljana Kondakçi një zë i
veçantë i muzikës së lehtë shqiptare. Mund të themi se ajo mbetet një nga
këngëtaret e spikatura të muzikës së lehtë që në kohë të lirë admiron muzikën
klasike. Tip shumë i shoqërueshëm, energjike, e dashur, punëtore, por dhe
gjithmonë e qeshur. Cilësi që e bën të dallueshme është se edhe në momente të
vështira ajo është e qetë, tolerante dhe falëse.
Ka kohë që situata është e vështirë për
këngëtarët. Por dhe pse Pandemia ka kufizuar lëvizjet, para një muaji është
realizuar dhe filmuar nën drejtimin e Gjergj Lekës, “Festa e Këngës
Shqiptare”. Çfarë përmbante në vetvete ky project, kush e realizoi dhe
çfarë kishte si qëllim dhe cilët nga këngëtarët e brezit tuaj ishin?
“Festa e Këngës Shqiptare”, ishte një projekt
i kantautorit Gjergj Leka, pa spektatorë, dhe në kushte Pandemie. Vendosa
që të isha pjesë e këtij organizimi për vetë dashurinë e madhe që kam për
këngën. Ky takim në këtë ‘Festë Kombëtare të Këngës’, pati një rëndësi të
veçantë
për mua dhe për të gjithë artistët, që të
risjellim përsëri në skenë atë
muzikë origjinale e tradicionale shqiptare të
brezit tonë dhe këtë ta
bashkëngjisim me po aq emocion edhe
artistëve të brezit të ri. Disa nga artistët e njohur të muzikës së lehtë
ishin: Justina Aliaj, Alida Hisku, Ilir Shaqiri, Kozma Dushi, Rakipe Karaj,
Elida Shehu, Bahri Rusja, Rajmonda Kamberi, por edhe të tjerë artistë të njohur
si, Alda Cukaj, Alban Emiri, Teuta Pango, Irma Gurakuqi, Neptun Gjata,
Dhimitër Stefa, Artan Bakija, Anisa Grenazi, Ardiana Pinari, Agim Poshka,
Elidon Prodani, Sajana Kodheli, Leonard Bulku, Marinela Kasneci, ...e shumë e
shumë pjesëmarrës të tjerë të cilët me kaq dashuri interpretuan këto këngë të
asaj kohe me një fryme e një freski të re muzikore. Në stafin realizues
ishin Gjergj Leka, me artistët e tij Alma Strazimri, dhe Erisela Leka,
nën regjinë e Edi Dingu. Të gjithë këngët tona të asaj kohe u rifreskuan në një
orkestracion të ri dhe kohor, si dhe me një profesionalitet të lartë, nga
kantautori Gjergj Leka, i cili drejtoi për 4 net me radhë në skenë,
këtë ‘Festë të Këngës Shqiptare’, me një
profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë. Dolëm mbi Pandeminë…Kur diccak e bën
me dashuri sigurisht bën gjëra të bukura. Pra atë që duhet ta bënte shteti e
bën individi. Populli ybë e do shumë këngën e do shumë, muzikën ndaj dhe
ne duhet tu përgjgijemi dëshirave të tyre. Në këtë situatë një event I tillë
ishte një sukses. Ne u bashkuam si shumë vite më parë.
-Liljana po aq e bukur, dinamike, e
qeshur, e rinuar, kush është sekreti i këtyre cilësive të Liljanës që e fshehin
moshën?
Në fakt e para është geni, e dyta,
fatmirësisht më ndihmon profesioni që kam, pra kënga dhe për këtë falënderoj
zotin që më ka dhënë zërin, po kaq mirë me vokal dhe shpirtërisht. Pra zërin
dhe forcat i kam si para 10 vjetësh dhe po kaq jam e angazhuar në shumë koncerte
të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Punoj çdo ditë për profesionin tim me
shumë kënaqësi. Shtoj repertorin, dëgjoj muzikë, ndjehem mirë kur jam me
shoqërinë time, kur diskutojmë sinqerisht për artin për këngën, për probleme të
ndryshme të jetës tonë, pasi jeta është mbushur me ngjarje dhe befasira. Jeta
është shumë e bukur dhe pse ka dhe thashetheme, intriga. Njeriu duhet të bëj
dallimet dhe të gjejë rrugën e duhur. Më e bukura më e këndshme më e gjetura në
shpirtin tim është mikrofoni, këngët që unë këndoj. Mikrofoni është bën pjesë
në jetën time, shpirtin tim kaq shumë sa kur e marr në dorë më largohen vetiu
si me magnet hallet problemet, shqetësimet. Pra dukem njeriu më i lumtur. Të
gjitha brengat para mikrofonit më largohen. D.m.th, është kaq gjë e
bukur të jesh artist, saqë vetëm ata që janë artistë mund ta kuptojnë.
Kam shumë raste që kemi pasur aktivitete dhe kolegët kanë shprehur habinë me
qetësinë, dëshirën, entuziazmin tim para mikrofonit. Pra mikrofoni më tjetërson,
më jep mendim, forcë, kërkesa ndaj vetes, çdo gjë të bukur që njeriu kërkon në
jetë. Njëherë tjetër dëgjoj të pëshpërisë dikush që këtë energji Liljanës ja
jep pija
Pra
është e vërtetë?
Aspak. Nuk ka lidhje fare me mua. Miqve të mi u them nuk është pija ajo që më
bën energjike dhe të qeshur. Unë nuk pi. Nuk e përdor pijen. Pra nuk përdor as
uiski as xhin, as birrë. Unë mund të pi vetëm një gotë verë të kuqe në mbrëmje
kur ha bukë. Asnjë lloj pije tjetër. Pra dhe këtë me masë. Pra forca më vjen
vetëm mendimi që do këndoj. Ajo që thashë më lart. Në momentin që jam mbrapa
perdes, ku spikeri do të përmendë emrin tim, më bën shumë entuziaste. Më duket
sikur më vjen një fuqi e madhe nga lart, që më largon çdo dyzim apo pasiguri.
Nuk është pija ajo që frymëzon aktorin apo këngëtarin (mendimi im), është
dashuria për profesionin. Mënyra se si artisti e ndjen që do ti jap publikut,
mënyra se si e shikon atë publiku në skenë. Këto elementë më bëjnë të
përgjegjshme aq sa nuk më bëhet më ta lëshoj mikrofonin nga dora. Vokali im
merr nuancat e duhura, aq sa mund të këndoj gjatë gjithë kohës për orë të tëra
live.
Liliana dhe skena…Disa harrojnë kur ke dalë
në skenë. Vërtet, kur u zbulua si talent Liljana dhe nga kush?
Unë kam kënduar që në moshën 3 vjeç kur kam
qenë në kopsht dhe më thonë se kur kam dalë në ekranin e televizioneve më ka
zbukuruar si talent, i madhi Pjetër Gaci, në vitin 1967 kur kam qenë 14 vjeç.
Ai më dha të këndoja një këngë të këngëtares së madhe Vaçe Zela, të cilën e kam
shumë për zemër, pikërisht këngën e mirënjohur “E dua vendin tim” të kompozuar
prapë nga kompozitori i madh Agim Prodani. E kam kënduar për herë të parë në
një shfaqje të estradës së Tiranës, pastaj më dërgoi tek Radio Tirana në një
anketë. Më pas erdhi muaji dhjetor që bëhej festivali në Radio Televizion.
E vërtetë? Pra ju 14 vjeç, keni marrë pjesë
në Festivalin në Radio Televizion?
Pse habitesh? (qesh sërishmi). Dua të theksoj
se para se të shkoje në festival, Radio Televizioni organizonte një konkurs
paraprak. Aty shikoheshin zëri, talenti, mënyra e zotërimit të vetes. Sepse pa
kaluar këtu nuk krijohej bindja se do ishe e sigurt në skenë. Fitova në konkurs
për të kaluar në Festival.
Cili Festival ka qenë?
Festivali i 5-të. Ky ishte festivali i parë
që kam marrë pjesë. Kënga titullohej “Tekstilistes”. Që atëherë pretendoja për
çmim. Ishte viti 1967.
Pra 14 vjeç. Dhe merrnit pjesë në një
Festival që kërkonte kaq shumë punë, mund, djersë, përgjegjësi dhe
profesionalizëm. Si jeni ndjerë?
Si të të them. Ka qenë një moment që s’di ta
komentoj. Duke qenë e vogël në fillim nuk i dhashë atë rëndësinë që duhet. Se
kisha shumë idenë e madhështisë së një aktiviteti të tillë kombëtar. Por kur
dola në skenë, ku salla ishte plot me personalitete, mendova se evenimenti
ishte i një rëndësie të tillë që logjika ime nuk mund ta perceptonte realisht.
Kjo këngë kishte si kompozitor Vasil Memën nga Durrësi.
Pas këtij festivali a ka pasur ndonjë
festival që Liljana nuk ka marrë pjesë?
Absolutisht jo. Që nga vitit 1967 deri në
vitin 1990, unë kam marrë pjesë në 23 festivale pa ndërprerje. Një rrugë e
gjatë e mbushur me emocione, gëzime, zhgënjime, arritje, pra gjithçka që të fal
një eveniment i përmasave të tilla.
Krahas festivaleve në Radio TV a zhvilloheshin
evenimente paralele të këtyre përmasave në sistemin monist?
Po. Ka qenë dhe festivali i ushtarit. Kam
marrë pjesë në dy festivale të tilla. Edhe në festivalet e interpretuesve apo në dekadat e
Majit. Anketat muzikore.
Po në
Festivalin e 11 –të, a ka marrë pjesë Liljana?
Po. E thashë dhe më
lart. Qysh në vitin 1967 unë kam qenë në çdo
festival.
Nuk u ndëshkuat si shumë kolegët tuaj?
Jo. Ndoshta zoti më ndihmoi.
Ku keni shkuar për herë të parë jashtë
vendit?
Në vitin 1973, në një Festival në Ohër. Ishte
një mrekulli. Të dilje jashtë atëherë ishte shumë luks. E ndjeva veten si në
Shqipëri, pasi aty shumica ishin shqiptarë.
Ndonjë këngë të veçantë ?
Kam kënduar një këngë të Aleksandër Peçit me
poezi të Natasha Lakos, e cila e shkroi këtë poezi për vajzën time të cilën
sapo e kisha lindur. Ishte një tekst enkas dhe muzika u harmonizuan me poezinë
dhe është një këngë shumë e mirëpritur dhe që këndohet dhe sot nga grupmosha të
ndryshme
Nga festivalet kë do të veçoje?
Festivalin e ‘9-të. Është kënga e Shpëtim
Kushtës me tekst të Fatos Arapit “Mesnatë” që është vendosur dhe në diskun e
artë, kemi marrë çmim të parë. Në festivalin e ‘9-të kam kujtim se e kam
kënduar vetë këngën fituese, sepse atëherë kishte dhe dublant kënga, për fat të
mirë është se e madhja Vaçe Zela tha ta këndojë Liljana, pasi në raste të tilla
ajo këndonte vetë. Ishte fat i madh, ishte një moment i paharruar. Ndoshta
magjik mund të them. Mes këngëtarësh potentë, kompozitorëve po të tillë. Autorë
tekstesh që kanë lënë gjurmë. Atëherë kërkesa e llogarisë ishte maksimale. Nuk
tolerohej asgjë.
Sa çmime keni marrë në gjithë këto Festivale
dhe bashkëpunime?
7 çmime të para dhe shumë të dyta.
Sa albume
ka bërë Liljana?
Unë albume?! Kam kënduar
afërsisht 1000 këngë. Sa albume bëjnë. Albumet e mia janë këngët e panumërta,
këngët që këndohen nga të gjithë, në çdo kohë.
Po kënga popullore sa vend zë tek ju?
Çudi më parë nuk e kam
dashur. Nëna më ka thënë t’i këndon vazhdimisht këngë popullore, pse nuk këndon
dhe në skenë. Do dua të bëj një album të tillë. E ndjej se kam rezerva të
pashfrytëzuara në këtë drejtim.
Në sa
vende të botës keni dhënë koncerte?
Thuajse në të gjitha
vendet e Europës, ku ka emigrantë shqiptarë. Por edhe në Amerikë dhe Kanada.
Por vendi im më i preferuar është Greqia. Aty këndoj më shumë greqisht kur më
kërkohet. Në repertorin tim të këngës greke kam më shumë se 200 këngë. Grekët
në fillim s’e mendonin se isha shqiptare.
Keni
mbetur nostalgjike e repertorit të mëparshëm, apo keni dhe këngë të reja?
-Unë kam punuar gjithnjë
me krijimtarinë. Edhe albumin që po përgatis e kam me këngë të reja,
pavarësisht se ndonjë këngë e repertorit mendoj se do të ruhet. Shumë shpejt
albumi im do të jetë gati.
Në
vitet e demokracisë së brishtë gjysma juaj e kohës kalohet në Greqi. Këndoni
dhe rrini pranë fëmijëve, jeni lodhur?
Përkundrazi. Nuk e kam
vënë re lodhjen. U bë një kohë e gjatë dhe më është bërë si Tiranë-Durrës kjo
linjë. Për mua nuk është rehat të qëndruarit në një vend. Nuk e mendoj dot
veten të rri në një vend. Më thërrasin të gjithë, vajza, nëna, im shoq,
karriera dhe unë jam e kënaqur t’u rri pranë të gjithëve. Përderisa më
kërkojnë.
Cilat
janë veset që Liljana i largon nga vetja?
Thashethemet dhe
gënjeshtrat. Në shoqërinë e sotme vese të tilla janë shumë të dëmshme. Disa
herë mund të bëhen dhe të qëllimshme. Njeriu modern duhet të rrijë larg tyre.