E premte, 29.03.2024, 05:50 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Përpjekje dhe përjetime nëpër jehonën e luftës çlirimtare

E shtune, 02.01.2021, 12:00 PM


Përpjekje dhe përjetime nëpër jehonën e luftës çlirimtare

Nga Blerim Rrecaj

Po ia nisim të flasim, të themi diç për dy romanet e Mehdi Mulajt: "Gjenerali dhe ushtari pa pushkë" e "Topi". Të dy bazuar në ngjarje të vërteta, të (për)jetuara nga vetë autori dhe kthyer në sukses në artin e të shkruarit. Me sinqeritet e saktësi.

Po fillojmë me veprën e parë, e cila përqendrohet në dy personazhe, Drinit, një djaloshit adoloshent, fëmijës lirimunguar, ëndrrave, dëshirave e përpjekjeve të tij për t'u bërë pjesë e luftës së armatosur në vallen e sertë të lirisë; dhe Colit (Agim Çelajt) njeriut, atdhedashësit, ushtarakut profesionist e me përvojë të jashtëzakonshme, që vije ta kryejë detyrën e tij në atdheun kur ai ka më së shumti nevojë. Coli i cili në vitin 1991, kur filloi lufta mes Sebisë dhe Kroacisë, kishte ikur nga kazerma e ushtrisë jugosllave për të lajmëruar komandantin kroat të policisë së qytetit të Visit në Kroaci për ta njoftuar, e kjo informatë e tij, kishte shërbyer pjestarët kroatë të mos ziheshin të gjallë pasi ishte zbuluar plani i tyre për ta mbrojtur qytetin e tyre.

"Avantura" e Agim Çelajt  prej artileri të diplomuar kishte vazhduar duke ua prishur serbëve tytat e artilerisë në kodrinat e qytetit, marrëveshja e tij me kroatët që ushtarët shqiptarë të largoheshin nga kazermat e qytetit Vis në qytetin e Splitit, e të mos detyroheshin të merrnin pjesë në luftë pos me vullnetin e tyre.

Do të vije çasti kur Coli, prej këtu do t'i afrohej Kosovës fillimisht në Gostivar, më pas do të dilte ilegalisht në Shqipëri për të hyrë në zonat çlirimtare të luftës.

Ku do të takohej me bashkëluftëtarë e bashkëpërpjekësit e lirisë, e edhe me Drinin.

Në sytë e etur të Drinit ai do ta shihte kryedëshirën, kryeëndrrën për shporrjen e robërisë që synohej kaq e kaq kohë nga një popull i tërë. Për të na kujtuar ca vargje të Jesus Lopez Pacheco-s: "Ma hiqni sysh këtë mjegull shekullore. Dua t'i shikoj gjërat si fëmija".

E Drini te gjenerali kishte parë vendosmërinë, butësinë e ashpërsinë, gjithë qenien e tij në shërbim të lirisë. Këto veti aq i kishin dhënë zemër katërmbëdhjetë vjeçarit sa ai të dëshironte ta kishte një pushkë, pikërisht pushkën e tij.

Edhe të i mbeste hatri, e të zemërohej pse s'po e merrte me vete në betejën e ashpër për çlirimin e Rahovecit. Betejë ku gjenerali vritet, por nuk vritet vepra të cilën e përkujton ky fëmijë, tashmë pak më i rritur.

Nga ky libër shohim Drinin me një shtagë duke "mihur" tokën, e në një vend edhe Colin, përpos gjendjeve ndjenjëpërziera që kanë, duket se të dy po e "xiglojnë tokën" me qëllim që t'ia kthejnë buzëqeshjen...

Edhe te "Topi" kemi të bëjmë me betejat pas rënies së Colit, që mund të merret si vazhdim i romanit "Gjenerali dhe ushtari pa pushkë".

Sidoqoftë edhe këtu shfaqen përjetimet  të ngjarjeve, ndodhive, çasteve e detajeve të autorit që nga 24 marsi (dita e nisjes së bombardimeve nga Nato-ja mbi caqet serbe) e deri më 12 qershor (largimi i forcave serbe nga Kosova) parë me sytë djaloshit gati pesëmbëdhjetë vjeçar, Flamurit.

Në një fshat, ku po qëndronin banorë të tjerë të fshatrave përreth, për një çast loja e fëmijëve ndërpritet nga granatat e forcave serbe, duke plagosur rëndë fëmijën që hy në përrockë për ta nxjerr topin, i cili pas pak do të vdiste, duke ia lënë në gjysmë lojën, e shokëve të tij duke u mbetur vetëm kujtimi për të. Edhe topi.

Më pas ngjarjet zhvillohen duke ikur, zhvendosur e vendosur nga njëri vend në tjetrin. Me ankth, frikë, shpresë, mungesë ushqimi, solidaritet, pasiguri, zig-zage, labirinthe, hamendje, hapërime nëpër luftë...

Fshehja e njëmbëdhjetë burrave në pusin për akumulim uji në oborrin e bacës Shaqë, bëhet pasi mbërrijnë aty forcat serbe, dhe më pas duke parë që më s'do të mundnin të rrinin aty pas ca dite, vendosin të dalin nga aty, duke rënë në duar të paramilitarëve e t'u nënshtrohen torturave të tmershme psiqike e fizike, një maratonë e gjatë vuajtjeje duke e parë me dhjetra herë vdekjen me sy, si në stacion policor, si duke i bartur nga aty. E derisa i lëshojnë  në mes një rruge, dëgjojnë një zë anës malit se mos të vazhdojnë rrugës se munden me i vra, zë i një të njohuri të tyre që fatmirësisht del shpëtimtar, duke vazhduar rrugën me kujdes, pa qenë të sigurt se ku do të përfundojnë.

Më në fund pas shumë ngjarjeve e vëshirësive që mund t'i marrim me mend, me 12 qershor fillon kapitulli i ri, duke u munduar të rifillojnë jetën me frymëmarrje më të lehtë e që sapo ka filluar në një vend ku ndihet aroma e duken shenjat e një lufte që sapo u arratis...

Në korrikun e vitit 2002 pas një gare të fituar, shokët vizitojnë varrin e shokut ia dhurojnë medaljen dhe topin me të cilin loznin ca vite më parë, duke kujtuar lojën e lënë në gjysmë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora