E marte, 23.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Mendime

Faslli Haliti: Ismail Kadare, shkrimtari novator

E diele, 23.11.2008, 08:09 PM


Ismail Kadare
Ismail Kadare, shkrimtari novator

 

Nga Faslli Haliti

 

Me çdo vepër të tij Kadareja si novator i madh, që nga lib ri poetik Shekulli im, romanet Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Përbindëshi, Dimri i vetmisë së madhe, Pallati i ëndrrave, poema Pashallarët e kuq, etj., e ka nxehur, e ka irrituar, e ka nervozuar shefin e partisë dhe i ka nxjerr telashe e i ka prishur vazhdimisht shumë punë diktaturës dhe partisë shtet.

Nëpër tavolina kafenesh e biseda têt à têt, disa krijues flasin se Kadare, tashmë, është tejkaluar.

Flasin kështu, ata që lakmojnë lartësinë Kadare, por që talenti i tyre nuk arrin t’i ngjisë gjer në atë majë. Malet nuk i bëjnë sfidë maleve. Ata qëndrojnë dinjitozë, secili në lartësinë e vet, pa lakminë e kotë për të zënë vendin e njeri-tjetrit. Tomori qëndron i patrazuar si fron perëndie në jug, i adhuruar prej gjithë maleve; Korabi, gjithashtu, qëndron superb në veri, pa tentativën më të vogël të tejkalimit apo të superimit të maleve përreth. Maja Mon-blanc në Evropë, Xhomolunga në botë, shkaktojnë vetëm habi shtangie, admirimin dhe aspak smirë, zili dhe xhelozi për malet e Evropës apo të botës. Lartësitë krijojnë përherë admirim dhe asnjëherë smirë, zili, xhelozi. Për malet s’mund të thuhet se janë tejkaluar ose u ka ikur koha. Ata janë të patejkalueshëm, të pasuperueshëm. Janë dhe mbeten ndër shekuj pika orientimi për të gjitha gjeneratat njerëzore. Është gëzim formimi i maleve të reja dhe jo i kodrave apo bregoreve që marrin pozën e malit.

Tolstoi, nuk e pranonte Shekspirin. Kolosi rus, ngrihej kundër titanit anglez. Mbreti lir, thoshte ai, mbahet si kryevepra e Shekspirit, por vetë kronika është më e mirë se Mbreti lir. Më kot u mundua kolosi rus të tundte Xhomolungën e letërsisë botërore. Shekspiri ishte dhe mbetet shkrimtari më i madh i kozmosit.

Kadareja, është shkrimtari shqiptar i genit novator e nobelist. Çmimin Nobel, ai,... do ta meritonte edhe sikur të kishte shkruar vetëm ’’Pallati i Ëndrrave’’. Si u tejkaloka ai? Tejkalohet Homeri dhe gjithë ekipi i tij antik? Ai së bashku me ekipin e vet gjenial na ushqen edhe sot e kësaj dite me ide, filozofi, estetikë dhe bukuri antike e moderne. Tejkalohet Arkimedi që me Levën e tij çliroi miliarda njerëz nga mundimi çlirim ky, më i vërtetë dhe më i përjetshëm i njeriut në botën rraskapitëse. Zbulimi i Levës së Arkimedit, i Gravitacionit të Njutonit, zbulimi i dinamitit të Alfred Nobelit ... etj., nuk eleminoi apo fshiu askënd, përkundrazi, zbulimet i tyre e pasuruan më shumë shkencën botërore dhe e bënë më komode jetën njerëzore. Me Levën e artit të tij novator e me krah të madh, Kadareja, gjithashtu, nuk ka eliminuar e fshirë kënd, por ka pasuruar letërsinë shqiptare e botërore, ka lartësuar shpirtin shqiptar e të çdo njeriu të kudondodhur. Vepra e tij, sa ç’është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim.

Me çdo vepër të tij Kadareja, si novator i madh, që nga libri poetik Shekulli im, romanet Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Përbindëshi, Dimri i vetmisë së madhe, Pallati i ëndrrave, poema Pashallarët e kuq, e etj., e ka nxehur, e ka irrituar, nervozuar shefin e partisë, i ka nxjerrë telashe e i ka prishur vazhdimisht shumë punë në botë diktaturës komuniste.

Ai është maja më e lartë në vargmalin e letërsisë shqipe.

Por :

Një zakon të keq poetët kanë,

Shajnë njeri-tjetrin, shajnë shumë,

Muhameti rëndë shau Omarë,

Muhameti derdhi fjalët lumë.

 

Vetëm njëri, heshtur pinte kafe,

Duke psherëtirë qetë i ziu:

Ju bekoftë zoti, pse kaq llafe ?

Ky ish mendjendrituri Sadiu.

( D. B. Kedrin )

 

Edhe pse përherë telash për diktaturën dhe përherë në përplasje e kacafytje me të, me mediokritetin, regresin dhe regresistët brenda vetë partisë shtet, Kadare, jo vetëm nuk u tkurr, por përkundrazi, u rrit dhe fitoi lartësi të reja përherë në lartësim, gjer në majat e Tomorit, Korabit, majave Mon-blanc e Xhomolunga.

Në veprat e Kadaresë, mes rreshtave, ne gjenim atë që na afronte me demokracinë e na drejtonte drejt rrugës së Evropës. Ato pjesëza që atakonin hidhur diktaturën, regresin e regresistët, injorancën e injorantët brenda vetë partisë,, konsideroheshin nga diktatura dhe partia shtet si pika të hidhura helmi nepërke guri. Dhe ajo s’gabonte. Ato të tilla ishin. Edhe sikur gjithë sheqerin e mjaltin e magazinave të Shqipërisë e të botës të harxhonte diktatura si antidot, s’do të arrinte kurrë ta ëmbëlsonte e ta bënte të paefektshëm helmin kadarean kundër diktaturës së lemerishme të partisë shtet.

Kush jam unë që flas kështu dhe bëj klasifikime të tilla? Unë jam vetëm një bregore krijuese që i sheh e mat me dashuri lartësitë e maleve dhe majave të letërsisë shqipe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora