E enjte, 28.03.2024, 10:19 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Palltua e ngrohtë e Dhimitër Ninit!

E shtune, 02.01.2021, 10:24 AM


Palltua e ngrohtë e DHIMITËR NINIT!

Kujtimit të DURO MUSTAFAIT

(tregim si piketë referimi)

"...por ti s'paske? Na të miat!

Të ngrinë dora pa dorashkë"

A.Tvardovski  "Vdekja   e Ushtarit"

Nga Përparim Hysi

Prolog

E sjell këtë tregim si një pikë referimi,për dy arsye. Së pari, për të kujtuar mikun tim aq të çmuar, të ndjerin DURO MUSTAFAI ( më 22 dhjetor mbush vitin që është ndarë nga jeta), por edhe për të evokuar dhe për të sjellë për lexuesin atë miqësi aq të ngrohtë që na ka shoqëruar tërë jetës. E amplifikoj këtë miqësi,sidomos tani, kur monstrat me gene"bishe" ia arritën jo vetëm ta"vrasin" këtë miqësi kaq të sinqertë, por me"farën farmak" që mbollën nëpër botë, presin,gati me orgazëm kënaqësie perverse,vetëm e vetëm si të rritet kurba e vdekjeve. Ky panik si një cunam që ka tronditur dhe po trondit botën, mjerisht ka shtrirë panxhat vdekjeprurëse dhe mbi vendin tonë. Duam apo nuk duam, jemi para një të vërtetë  tronditëse: dashuria mes njerëzve sa vjen e po ftohet dhe ca më keq:jemi ndarë së gjalli. Ndodh si me"brezin e humbur",kur lakohej sentenca:" Edhe në s'u prekën në luftë nga copat e predhave apo granatave, ata, prapë së prapë,erdhën të plagosur". Kur them e shkruaj kështu as nuk shkruaj revan dhe as me apriori,përkundrazi: shkruaj për nje realitet aq të prekshëm, të kthyer, pothuaj në "send" që ta zëshë me dorë.

Jetoj në Tiranë dhe jo vetëm unë.Këtu jetojnë dy vëllezër e dy motra të miat. Para "flamës" (zëre si para epokës së re?!!!), jo vetëm takoheshim dy-tri herë në javë, por nëse  nuk shkonim reciprokisht dhe familjarisht tek njëri-tjetri,"fajtorit" i "thyhej nota në sjellje". Tani që "fryu veriu në Mal të zI",kemi një vit që vizitave u kemi vënë vizë dhe rrofshin telefonat. Të shkojmë dhe më tej: para 10-ditësh shkova në FIER (atje kam shumë miq) dhe, qëllimisht, për t'i ruajtur (secili, përfshi dhe mua) "aspirant" për kandidat infektimi, nuk lajmërova njeri. Me "hallkan mbi hundë" i rashë Fierit mes përmes dhe, kurkund, nuk më njohu njeri i gallë. Sikur po këndohej kënga"O Mete,për vete". A nuk është për t'ia  thënë kujes apo të sjellësh si pikë referimi atë thënien mitike të MALOMBRËS tek"Qyteti i fundit"  të PETRO MARKOS:"Povero noi"?  Po duhet thënë:- Mjerë ne!  Një sentencë e tillë nuk është shpresëdhënëse,por as disfatiste. Është një realitet i trishtë dhe i dhimbshëm.

I ndjeri,DURO MUSTAFAI, që  u nda nga jeta në dhjetorin e kaluar, ka shkruar një libër të tërë për miqësinë e ngrohtë midis shokësh.Me ndjesinë e NJERIUT me zemër të madhe dhe me penën e  mprehtë të një  gazetari veteran, ka shkruar librin "Shokët që na u bënë vëllezër". I njoh një  për një ata"shokë që u bënë vëllezër" (unë jam njëri prej tyre) dhe dua t'i them të ndjerit:- Prehu në paqë,or mik dhe ç'ke shkruar në këtë libër ,qoftë dhe në libra të tjerë, të të bëhet dritë aty,mbi varr, por"vëllazëria" vdiq bashkë me ikjen tënde. Erdhi një"gogol" që gllabëroi çdo ndjenjë miqësie e dashurie dhe GLOBI mbarë u ftoh. Nga një anë, ike i "lumtur" pa parë këtë "kolerë"që e sollën monstrat që,ashtu si lakuriqtë e natës, nuk e duan diellin që ngrohë botën. Ata nuk kanë fytyrë,por surrat dhe, mjerisht, e"modifikuan" njeriun tjetër.

Eh, mor DURO i dashur!

Si buçiste klubi nga"ata shokët që u bënë vëllezër*,kur festonim ditëlindje apo ndonjë promovim libri. Qe një"republikë e lumtur" me një"president permanent" si i NDERUARI  (ai duhet të jetë President i Republikës),AKADEMIKU  BARDHYL GOLEMI  dhe me  rreth 15 "anëtarë" dhe dukej se kështu do vazhdonim sa të ishim gjallë. Po ku të lë i ligu "... që të ngreshë kasolle?!!!". Se doli "djalli nga fundi i dheut" dhe po bën batërdinë.

Me shokë e me"vëllezër" po"vdesin" çdo ditë ,pak nga pak,ose u bënë kashtë e kokërr.

*     *     *

Ka qenë funddhjetori i vitit 1962. DURO MUSTAFAI u caktua në një delegacion që shkonte të merrte pjesë në festimet e 3-vjetorit   të fitores së revolucionit kubadhe për të uruar FIDEL KASTRON . Gati tri vjet që ishte në punë me një "fësh-fëshe" mbi kostum (aq i premtonin financat familjare),po bëhej gati të linte Tiranën. Mbrrin nga Durrësi DHIMITËR NINI (mbajeni mend këtë emër),për ta përcjellë shokun e tij të NORMALES  së ELBASANIT dhe,kur e sheh me"fësh-fëshe" jo vetëm ndihet keq, por i thotë:- Ku vete me këtë "fësh-fëshe" si letërcigari, tani, në palcë të dhjetorit? Dhe  pa e bërë dy,ç'tha me gojë, e bëri vepër:hoqi nga trupi pallton e madhe"Gub" ("gub"-stofi më i shtrenjtë që hyri në Shqipëri në kohë të diktaturës"), ia veshi mikut dhe mbi trup veshi"fësh-fëshen" e tij. DURO MUSTAFAI në Kubë qëndroi plot 35-ditë dhe,pothuaj ,asnjë ditë nuk e veshi pallton e mikut (Kuba ,pothuajse, nuk njeh dimër), por ai që"kërcëlliti dhëmbët" nga të ftohtit e dimrit,qe DHIMITËR NINI! Se e tiilë ka qenë miqësia dhe ngrohtësia mes shokësh. Kjo "pallto e DHIMITËR NINIT" është mirë të"varet në muze" si një relikte me diçiturën" Kështu ishte atëherë?!" O  ZOT, po pse kjo"atëherë" shkoi e vajti sikur ka ndodhur"para epokës së re?". Sa trishtues dhe e dhimbshme! Të vrasësh të bukurën? Të sinqertën? Të ngrohtën? Është njësoj si të zhdukësh gjeografikisht "Rrymën e ngrohtë të GOLFSTRIMIT? Dhe këtë e bënë dhe vazhdojnë të bëjnë.Por unë hyj në grupin e njerëzve optimist që  e keqja një ditë do mposhtet,por kurrë,siç po shoh, do vijë ajo ditë që një DHIMITËR NINI të zhveshë pallton që të mban ngrohtë e të ma veshë mua.Kjo është"arritja më e kobshme" e monstrave që kanë frikë diellin.

*     *      *

Epilog

Kishim, pothuaj, një vit që një grup i vogël (nga shokët që u bënë vëllezër), takoheshim për çdo të mërkurë tek një klub pas shkollës 9-vjeçare "SABAUDIN GABARANI" në Tiranë. Grupi që prej katër vetësh: DURO  MUSTAFAI,QANI ZAIMI,THOMA MIÇALLIU dhe PIRO  PAPALILO. Që të katër kishin mbaruar NORMALEN e ELBASANIT dhe,sado që ishin mbi 85-vjeç secili,e ruanin miqësinë. Në këtë grup, mua më"mori prej dore" DUROJA dhe,pastaj, u bëmë miq. Një ditë prej ditësh, tavolinës sonë iu shtua një burrë i gjatë, i mbajtur mirë dhe që kish ardhur,enkas nga DURRËSI.  Të porsardhurin e prezantoi DUROJA. Ky është DHIMITËR NINI,- tha DUROJA.

Oh,- thashë unë,- ky është ai ,i palltos"Gub" dhe tavolina u bë më e ngrohtë. Ky,Dhimitër NIni, i shpeshoi ardhjet dhe një ditë prej ditësh na dhuroi një libër që kish botuar. Qe nga ata miqtë e mirë që është zor ta mbashë. U nda DURO MUSTAFAI nga jeta dhe,qysh nga janari, filloi "flama", u harrua dhe klubi. Sidoqoftë, të gjithëve"shokëve që u bënë vëllezër" u uroj vetëm shëndet dhe, padyshim,jetë e shëndet DHIMITËR NINIT në Durrës se meriton të këndoshë për të, atë këngën e SHQPËRISË SË MESME:" Të kisha pas një djalë si MEMA/paç me i hy Vezirit brena".

Na duhet një mik si DHIMITËR NINI dhe palltoja e tij aq e ngrohtë! Bota është e njerëzve dhe jo e syrretërve që kanë frikë diellin.

DURO MUSTFAI,ti rron me ne!

Tiranë,18 dhjetor 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora