Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmir Halimi: Roman me vlera të larta artistike

| E shtune, 02.01.2021, 12:26 PM |


Romani ‘Fletët e një ditari’ i Ismail Ailut është me  vlera të larta artistike

Nga Ma. Sc. Fatmir Halimi, Prishtinë

Shkrimtari Ismail Aliu brenda një kohe shumë të shkurtër para lexuesve po paraqitet edhe me romanin e tij të tretë “Fletët e një ditari”. Romani ka vlera të larta ideore e stilistike, pasi që autori ka përdorë një gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshme për të gjitha shtresat, me një stil të pasur leksikor e semantikë të fuqishme.

Aliu si personalitet dhe formim intelektual vjen nga Tetova, studion për ekonomi në Universitetin e Prishtinës, në Kosovë dhe më pastaj për shkaqe të rrethanave politike emigron qysh para 40 viteve në Berlin të Gjermanisë. Me këtë dua të them se Aliu edhe pse më shumë se gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në mërgim dhe i cili shumë mirë është integruar në jetën shoqërore dhe kulturore gjermane, prapëseprapë  ai shkruan vetëm Shqip, edhe pse dyert i ka të hapura që të botoi edhe në gjuhën Gjermane. E gjithë kjo buron nga malli dhe dashuria që ka ai për atdheun e tij dhe dëshira e madhe që përmes temave që trajton të kontribuoj në ngritjen e vlerave tona kombëtare dhe letrare. Ismaili përmes syzheut të formave të tij në qendër të vëmendjes ka individin shqiptar të migruar nëpër vende të ndryshe evropiane, integrimin e tyre në jetën shoqërore, ku ata jetojnë dhe veprojnë. Përveç këtij integrimi të shkëlqyeshëm shkrimtari vazhdimisht jetën e këtyre personazheve e lidh me prejardhjen e tyre shqiptare. Prandaj po një temë të tillë e trajton edhe në romanin e fundit Fletët e një ditar.

Fabula e romanit

Romani Fletët e një ditari në vija të trasha trajton jetën e dy të rinjve shqiptarë të dashuruar marrëzisht. Plaurati një djalë i bukur i punësuar në një kompani të madhe Gjermane, ai ngarkohet me detyrë për zhvillimin e biznesit të kësaj kompanie edhe në Vlorë të Shqipërisë. Ai kishte mundur që nga Gjermania në Shqipëri të vinte përmes fluturimit ajror, por zgjodhi rrugën tokësore në mënyrë që t’i vizitonte edhe qytetet e tjera. Plaurati arrin në Vlorë, akomodohet në hotel dhe fillon takimet në Institutin e Vlorës për Biznes. Aty takon Antigonën-drejtoreshën e bukur të institutit. Pasi shpalos projektin e kompanisë Gjermane për investime, që ai e përfaqësonte, bie në dashuri me këtë femër të bukur, shumë inteligjente e mbi të gjitha elegante dhe shumë e moderuar në çdo aspekt.

Shkrimtari Ismail Aliu rrëfimin e tij për ngjarjet, të bëmat dhe episodet e shumta të jetës ia kalon narratorit, ose rrëfimtarit në vetën e parë, pra personazhit kryesor, Plauratit, i cili për të gjitha këto mbanë shënime, që nganjëherë thotë se po shkruaj në ditarin tim e nganjëherë po shkruaj në këtë fletore të zezë. A për te mbajtur shënime, përveç fjetores ka edhe llaptopin dhe kamerën e tij. Rrëfimi i shkrimit të tekstit të romanit mund të interpretohet në dy rrafshe të mëdha; në rrafshin e ekzotik ose toponomastikë dhe në atë të dashurisë. Themi kështu që, pasi personazhi kryesor Plaurati arrin ta shpreh dashurinë e madhe ndaj Antigonës, ai përmes aventurave që i bënë me të, arrin t’i vizitojë shumë qytete të bukura të Shqipërisë, shumë plazhe bregdetare të atilla që deri sot janë ende të pa eksploruara, mandej edhe shumë bujtina nëpër pjesët më malore dhe të thepisura të vendit. Ai mbetet i pasionuar pas bukurive natyrore të Shqipërisë edhe pse vetë është shqiptar, por nuk kishte arritur deri më sot t’i vizitojë. Pra e gjithë kjo aventurë bëhet falë njohjes me vlonjaten e bukur Antigonën. Shkrimtari për rrafshin ekzotik dhe toponomastikë ka për qëllim që lexuesve tua paraqes këto perla e margaritarë të bukurive te rralla natyrore, e te cilat i ka vetëm  Shqipëria në Evropë.                            Kurse rrafshi i dashurisë së zjarrtë mund të interpretohet si kontradiktë apo si konvencë e standardizuar në jetën shqiptare, ku femra ende paraqitet si pronë- apo pjesë e pandarë e të fejuarit, burrit, familjes dhe shoqërisë shqiptare. Prandaj shkëputja e saj dhe thyerja e këtyre konvencave, çdoherë përfundon me fatalitet. Pra kjo është një dukuri negative e shoqërisë shqiptare, e cila po na përcjell edhe në ditët tona të “moderuara” evropiane. Një fat të tillë në roman do ta pësojnë edhe këta dy të rinj.  Antigona para se ta njihte  Plauratin nga Berlini paska qenë e fejuar me Astritin. Ai do ta ndjekë pas edhe përmes njerëzve të tij.

Romani në vete bartë edhe shumë ngjarje dhe rrëfime të ndryshme, ku bartëse të tyre janë edhe shumë personazhe të tjera si Artani, Beni, Genti, Shpresa pronarët e shumët të restoranteve rojet e plazheve etj., ku të gjitha këto janë të lidhura me personazhet kryesore me Antigonën dhe Plauratin. Të gjitha këto vetëm sa e pasurojnë dhe ia ngrisin vlerën ideore e artistike romanit si tërësi.

Përfundim

Pas këtij shqyrtimi teorik të diskursit letrar mbi romanin Fletët e një ditari të Ismail Aliut vijmë në disa përfundime.

Së pari, romani Fletët e një ditari na vjen si perlë në letërsinë tone, i cili lexohet me një frymë, dhe është roman që të lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjetë në faqet pasuese të tij.

Së dyti, si për nga rrëfimi i tekstit e po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe realizimi i tij si tekst është një roman modern, që me sukses autori i shfrytëzon elementet dhe kategoritë stilistike si retrospektiven, paralelizmin tematik, intertekstin. citatin e të tjera.