| E shtune, 02.01.2021, 11:48 AM |
KONFERENCA E BUJANIT DHE REZOLUTA IDEOLOGJIKE PËR VETËVENDOSJE DHE PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË
Përkujtesë
historike
Nga
Jusuf Buxhovi
Konferenca
e Bujanit, e mbajtur më 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944, paraqet një
ngjarje të rëndësishme nga lufta antifashiste nacional-çlirimtare, në të cilën
u konfirmua e drejta e shqiptarëve për vetëvendosje dhe për bashkim me
Shqipërinë, por mbi konceptin ideologjik të imponuar nga komunistët shqiptarë
dhe ata jugosllavë, që kishin përvetësuar luftën antifashiste, gjë që nuk mund
të përfundonte ndryshe pos me një robëri tjetër nga jugosllavët, siç ndodhi në
të vërtetë.
Mbledhja
e Konferencës u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, pranë
bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë
e Rrafshi i Dukagjin it, ku morën pjesë 49 delegatë (43 shqiptarë, tre serbë,
dy malazias dhe një turk) që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat
shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe
atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë
e të gruas antifashiste etj të rreshtuara në kuadër të Frontit Antifashist
Nacional-çlirimtar të Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet
që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash:
Mehmet Hoxha (kryetar), ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar),
Pavle Joviqeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar),
Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar), Xhevdet
Doda (anëtar).
Konferenca
e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar në
konferencë, ku thuhet:
"Kosova
dhe Rrafshi i Dukagjinit është një anë, e cila popullohet në pjesën më të madhe
nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet
me Shqipërinë. Prandaj, e ndjejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet
në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e vehta.
Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të
Rrafshi i Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të
Jugosllavisë”.
Konferenca
e Bujanit si dhe rezoluta e saj, duhet parë si një koncept ideologjik të të
majtës shqiptare, të dirigjuar nga komunistët jugosllavë, që kishte për qëllim
që ta pengojë idenë e bashkimit shqiptar në kuadër të koncepteve demokratike,
siç i parashihte edhe Karta e Atlantikut, për të cilën u angazhua NDSH-ja dhe
forcat tjera nacionaliste sado të shkapërderdhura gjatë dhe mbas luftës, të
cilat dështuan ngaqë u mungoi përkrahja e Perëndimit. Kjo u pa më së miri me
zhvlerësimin e saj, në Konferencën e Prizrenit, më 10 korrik 1945, kur koncepti
i “luftës së përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë”, pasi që forcat
partizane jugosllave të kenë depërtuar në Kosovë, me pajtimin e Enver Hoxhës me
Titon në nëntor të vitit 1944 dhe, në rrethanat e një shtetrrethimi dhe të
gjendjes së luftës, nën pretekstet e shfaqjes së “kundërrevolucionit”, t’i kenë
qëruar hesapet me të gjitha forcat patriotike që luftuan aleancën komuniste
shqiptaro-jugosllave, siç ndodhi në Drenicë dhe gjetiu, ku u vranë mijëra
shqiptarë. Pra aleanca ideologjike midis komunistëve shqiptarë dhe atyre
jugosllavë, solli ripushtimin e Kosovës, ndërsa “e drejta për vetëvendosje” do
të kthehet në “deklarim për bashkim me Serbinë”!
Edhe
përkundër epilogut tragjik, formula ideologjike e bashkimit shqiptar, e
inspiruar nga Konferenca e Bujanit, vazhdoi të shfaqej edhe në vitet e
gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta e deri vonë, e rinkarnuar në iredentizëm
ideologjik, anipse kërkesa për Republikën e Kosovës, e kishte zhvendosur nga
binarët e legjitimitetit politik në të cilët do të vendosej procesi i
shtetndërtimit të Kosovës, i cili do të përmbyllet më 17 shkurt 2008.