E hene, 25.01.2021, 08:11 PM (GMT)

Vërtetësi

Romeo Gurakuqi: Ish-Presidenti (Bujar Nishani), gënjeshtar djallëzor

E enjte, 31.12.2020, 11:40 AM


''Romeo Gurakuqi:

Sapo jam njoftuar nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), se dy kartelat në shifra të paraqitura nga ai individi që për fat të keq ka qenë President i vendit, nuk kanë të bëjnë as më mua, as me familjen time.

E gjithë mjegulla e hedhur në opinionin publik kundër personit tim dhe njerëzve të familjes sime nga ish - presidenti i Republikës dhe simahorët e prapësive të tij përbën një shpifje të mirëfilltë, një përpjekje për të më dëmtuar imazhin, shantazh kundër personit tim.

Rasti në fjalë është flagrant dhe përbën skandal të paprecedent në jetën publike të Shqipërisë së 30 viteve të fundit, që nuk mund të kalohet lehtë, jo vetëm nga unë, por shpresoj as nga  organet e drejtesise dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë.

Nga individi në fjalë, ish -president i Republikës, janë përdorur dy numra kartelash, emrat e dy oficerëve operative dhe dy pseudonime informatorësh të ish -Sigurimit të Shtetit, të cilët identifikohen lehtë në Berat dhe Lushnjë. E gjithë kjo maskaradë është stisur për të goditur një deputet të PDSH, familjen e tij, për të më frikësuar, për të mbytur fjalën e lirë dhe arsyetuar mbrapshtitë  e goditjes së deputetëve opozitare ne bllok.

Pyetja ime është: Kush është ky individ, që guxon të kryejë një vepër të tillë kaq të rëndë kundër personit, një natë para Krishtlindjeve?

Është ish- presidenti i vendit dhe ish-ministri i brendshëm, i cili pasi rrëfen si pa gja të keq, se në detyrën që ka pasur ka shkelur disa ligje, godet politikisht duke shpifur paturpësisht një përfaqësues të lartë të Opozitës shqiptare, drejtuesin e përfaqësisë demokrate të Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë, një nga anëtaret e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë.

Nuk kam mjete të tjera për t'iu përgjigjur një individi, që në linjë me gjithë jetën e karrierën  e vet, për një javë rresht gënjeu  në mënyrë djallëzore  opinionin publik, lëndoi  familjarët  e mi, indinjoi miq, dashamirë, bashkëqytetarë, njerëz vullnetmirë dhe me arsye, krijoi aq trazirë kundër Opozitës, sikurse e kishte ba gjeneralisht në media për dy muaj rresht, që nga data, 23 tetor 2020.

Unë gjej rastin të falenderoj nga zemra bashkeqytetarët  e mi, të cilët më mbështetën fuqishëm që ne momentin kur dëgjuan lajmin e pështirë, nuk dyshuan kurrë tek unë dhe nuk i besuan për asnjë cast shpifjeve poshtëruese  të këtij njeriu, që u maskua nën petkun e ish- presidentit.

Vetvetiu lind pyetja: nëse një si ai paska patur të dhëna kaq të rënda kundër një deputeti të PDSH, pse nuk ka folur menjëherë duke e denoncuar faktin?

Si është e mundur që Kryetari i Këshillit Kombetar godet me shpifje te denja per sherbime kurthesh,  një deputet të partisë së tij, një anëtar të këtij Këshilli?!

Individit në fjalë inati ia errësoi arsyen, zanati i vjetër ia zgjoi shqisat e përfjetura, banaliteti i së keqes ia paralizoi arsyen dhe sulmoi në terrin që ka brenda vetes. 

Tashmë, që shpifja e tij doli sheshit, atë nuk ka retorikë që ta shpëtojë, avokat që ta mbrojë, përkrahës të ndershëm të së djathtës që të mos e braktisë. Une premtoj se ai do behet shembull per cilindo që të ardhmen e vet e ndërton  mbi praktika të tilla diversioni.

Pyetja tjeter qe vjen natyrshem ne radhe është: Si  ka mundësi që një njeri me këtë spesor moral dhe intelektual të jetë caktuar dhe të ketë shoshitur kandidatët e mundshëm për deputetë të PDSH?

Në fakt ai, masha e topitur e së keqes, por sidomos ata, simahorët nxitës, që me anën e tij tentuan të mashtrojnë opinionin publik, më në fund duhet ta kuptojnë se e shkuara nuk blihet, sado i pasur qofsh sot, sado diploma të kesh blerë në tregun e shumicës. Sepse e kaluara rri aty, e shpërndarë në mijëra pikla dhe stërkala, që nuk shlyhen me kinse pushtetin e dhuruar pikërisht për shërbime të këtilla.

Koha kur mbi njerëz të pafajshëm ndërtoheshin skema poshtërimi dhe prozhmimi nga kupolat e errëta, ka marrë fund. Këtë gjë ia bëj me dije këtij individi, që ka patur rastin të kryesojë Republikën dhe te gjithë kurthaxhinjve që i bëjnë hije, që kujtojnë se ai ka diçka në dorë për të ardhmen e Opozitës, që shkon me vendosmeri drejt drejtimit të vendit. Këtë gjë ua premtoj edhe qytetarëve shqiptarë, pse dinjiteti im dhe vlerat që më ushqejnë nuk më stepin në impenjimin tim politik.

Nishani e ka nisur karrierën si shërbëtor i zjarrtë i dhunës, mbrojtës i dhunuesve dhe ndihmës i mjeshtrave të kurtheve të botës së cilës ai i përket gjenetikisht.

Me individin në fjalë do të vijoj betejën nëpërmjet drejtësisë shqiptare, e cila duke e dënuar aktin qe ai kreu, do të dënojë shpifjen si mjet për të kontrolluar politikën shqiptare dhe për të mashtruar opinionin publik.''

https://www.facebook.com/romeo.gurakuqi

___________

Ish-presidenti(!) dhe shpifësi aktual:

''Bujar Nishani

Të dashur miq, Romeo i 2017 është bashkuar me korin e korbave, të tmerruara nga përparimi, civilizimi dhe vizioni i jetësuar prej Partisë Demokratike në proçesin e përzgjedhjes së kandidatëve për listën e deputetëve.

Romeo na u shfaq si shpifësi ordiner i rradhës, duke përsëritur logorenë e enveristëve dhe ish bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit, që ka 15 vite që tenton më kot të ndot, me të vetmin qëllim, të na zmbrapsë nga beteja me kodoshët stalinistë.

Të nderuar miq !

E di fare mirë se ju të gjithë, do të më thoni që një ish president nuk ja vlen të merret me një llaxore korridoresh.

Po, shumë e vërtetë si parim, por unë do të lutesha për mirëkuptimin tuaj.

Në fakt nuk ja vlen që të ndalemi e të qëllojmë me gur çdo qen që na del përpara e na leh, se ashtu, nuk do të kishim kohë të mbërrinim në destinacion kurrë.

Por sot aq e madhe sa ç’është mundësia e komunikimit dhe shprehjes po aq është edhe mundësia e shpifjes dhe intrigës !

Gjithashtu, unë mendoj se vemiet po nuk i dezinfektove, ato kthehen ne krimba e gangrenizojnë gjithnjë e më shumë.

Të gjithë mbartësit e këtyre shpifjeve, pararendës të Romeos së 2017, janë dënuar nga gjykatat e këtij vendi si “shpifës”.

Ata do të kujtohen gjithmonë si shpifës ordinerë e fëmijët e tyre si fëmijë të shpifësve ordinerë !

Por Romeo i 2017 , ka një dallim prej tyre. Romeo është edhe burracak, frikacak e zvarranik, nuk i del shpifjes ballazi !

Para zgjedhjeve të vitit 2017, Romeo më dërgonte sms, ku kërkonte ndihmë se (sipas Romeos) punëdhënsi i tij, H. Çili i kërkonte me ngulm që Romeo të sulmonte e shante në media Sali Berishën.

Atë kohë kisha ndjesinë, se kisha të bëja me një kameleon që “luan me dy porta”.

Por në 2017, Romeos ju dha një mundësi e artë dhe vlerësim maksimal duke e vendosur të udhëheq listën elektorale të Partisë Demokratike në Shkodër.

Këtë besim, Romeo e shndërroi në dështimin dhe rezultatin elektoral më skandaloz dhe poshtërues për Partinë Demokratike në Shkodër gjatë gjithë historisë së pluralizmit shqiptar.

Romeo 2017, e lëshon gjuhën me akuza banale pa u nxirë e pa u skuqur, për sa thotë.

Si një ish Ministër i Brendshëm, do ti sugjeroja Romeos 2017 të kërkonte e lexonte në arkivin e Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Brendshme) kartelën Nr. 379, të datës 08.01.1949, të rekrutimit të “SATELITIT” prej oficerit të sigurimit, Anastas Bojaxhi dhe kartelen Nr. 2641 të datës 27.02.1980, të rekrutimit të “VIGJILENTIT”, prej oficerit të sigurimit, Selfo Islami.

Jam i bimdur se paskëtaj, Romeo 2017, do të kthjellohej, pakëz.

Unë e kuptoj fare mirë se logoreja e Romeos 2017 është turfullimi i serbofilit të Tiranës, kur sheh diferencën e madhe të modeleve midis një partie moderne me profil perëndimor si Partia Demokratike e nga ana tjetër Rilindja e serbofilit të Tiranës që përzgjedh vrasës, trafikantë, rrëmbyes e zhvatës për deputetë.

Unë e kam të qartë, të nderuar miq, se filoserbi i Tiranës dhe banda e tij, sponsorizon gjithshka për të na perfshirë në debat.

Megjithatë, ja jap me dëshirë këtë kënaqësi.

A e dini pse ?

Sepse, përtej kënaqësisë që do të shijojnë nga ky debat, do të kuptojnë edhe se cila është e ardhmja për ta.

Çdo pasuri të paligjshme që kanë vënë, do t’i kthejnë mbrapsht, të gjitha.

Pa perjashtim !

Nuk ka alternativë dhe as shpëtim !

Me këtë rast, njohim edhe ata mjeranë që identitetin dhe dinjitetin e tyre e kanë sa vlera e një sufllaqeje !''

https://www.facebook.com/Bujar-Nishani-288438424538934



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora