E premte, 29.03.2024, 02:40 PM (GMT)

Editorial

Xhemal Ahmeti: Pse varfëria nuk luftohet me bamirësi

E merkure, 30.12.2020, 06:25 PM


PSE VARFËRIA NUK LUFTOHET ME BAMIRËSI, PËRKUNDRAZI

Nga Xhemal Ahmeti

Oscar Wilde provokoi kur tha: «Po mos të ishin skamnorët kaq të shëmtuar, moti do të ishte zgjedhur problemi i varfërisë». Si atëherë kur e shkruajti [1894] këtë liriku irlandez si tash kur rilexohet njejtë keqkuptohet. Çdo shkontekstualizim ka pasojat e njëjta: përdoret ashtu siç duan veshët e injorancës e jo siç e synuan fjalët e autorit. U morr si arrogancë ndaj të varfërve. Ndërkaq Wilde thoshte se bamirësia që u ofrohet të varfërve asnjëherë nuk është e orientuar për t'i zhvarfëruar ata por për t'iu siguruar një strehë që edhe për një kohë të gjatë ta ruajnë atë gjendje që kanë, aq gjatë gjersa t'i vijë radha bamirësit tjetër. E rifrabikimi i varfërisë nëpërmjet bamirësit dhe të varfërit vetë patjetër se është shëmti. Është pengmarrje djallëzore me plan e strategji - vjen ajo nga shteti apo nga kleri, s'ka rëndësi. Nga ky aspekt filozofik i dukurisë thoshte Wilde se të varfrit janë të shëmtuar: sepse lejojnë të jetojnë qençe me kafshatën e atij që bën biznes me ta. Prandaj ndoshta edhe dramatiku tjetër, kësaj radhe gjerman, August von Kotzebue, 78 vite më herët [1816] se Wilde thoshte se; «varfëria herë pas herë gjen bamirës, por asnjëherë miq», ngase po e gjeti të fundit nuk është më. E çdonjë që e zgjat atë nuk mund të jetë mik i bartësve të saj, ngase miqësi kanë vetëm njerëzit e dukuritë jo. E ai që donë tjetrin si të varfër nuk mund të jetë mik i tij [këtu është baza e paradoksit], por armiku i cili jeton në sajë të ekzistencës së të parit. Pa skllav s'ka pronar dhe ansjelltas. Shul shqip e në praktikë kjo i bie kështu: po të isha pasanik do të isha armik i varfërisë nëse do hapja një shitore syzesh për një grup njerëzish që mund të punësoheshin aty dhe të siguronin ekzistencën, të ndërtonin kulm mbi kokë e të llojit. Mik i varfërisë do isha nëse u jepja atyre nga një thes me miell për festa, aty këtu do tua ndërtoja ndonjë kulm mbi kokë (ama pa u dhënë para për nxjemje) dhe kështu në këtë stil...Varfëria nuk luftohet me bamirësi! Përkundrazi.

_____________

KUNGUJT E SENECA-S

Nga Seneca i Riu (rreth -4 deri +65) ka mbetur fjalia «Manus manum lavat», [njëra dorë lanë tjetrën] në kuptimin: i korruptuari [parimisht shikojeni nga aspekti imaterial si bazë e çdo veprimi pasues (i)material] ka gjithmonë nevojë për të korruptuarin tjetër, ndryshe nuk e ka suksesin e njejtë. Fjalia gjendet në veprën, satirën «Apocolocyntosis», që do të thotë «Kungullëzimi» [i perandorit Claudius]. Seneca e bëri satirën kundër Claudius-it, duke qenë shërbetor i oborrit të tij. E bëri, siç thuhet në gjuhën vullgare, «për t'i hyrë në bythë» Neronit, për të cilin ishte i sigurt se do ta marrë shpejtë pushtetin. Satira është interesante dydimensionalisht: 1. Denoncon karakterin e individit që hanë mitet e djeshme në favor të miteve të nesërme për t'ia siguruar qenien vetes dhe 2. Nuk i gjykon njerëzit për atë çka janë por për atë çka s'janë [më = Claudius nuk do jetë më perandor dhe Nero s'do jetë më vetëm senator i zakonshëm].

Kemi të bëjmë me një tip elementi specifik human që qenien dhe aftësinë e vetë e kushtëzon me pozitën e tjetrit dhe shpresat se ai nuk do harrojë se ky e ka përkrahur. Shembulli nuk vlen vetëm brenda temes së pushtetit por edhe famës e tjerave. Prandaj Nero apo Claudius janë kungujt e vegjël të historisë e kryekungulli : Seneca i Riu. Prandaj filozofi gjerman i ditëve tona Andreas Tenzer ka të drejtë kur thotë se «Çka ne urrejmë është projeksion i urrejtes së vetes», e njejta mund të thuhet edhe për dashurinë, simpatinë, mbështetjen pa bazë. Kungujt jetojnë nga iluzionet, të cilat ua varin qafe herë Hatës e herë Hitës, jo se dy të fundit janë Claudiusi apo Nero-ni, perandori potencial porse që të gjithë janë kunguj dhe jetojnë sipas imperativit «Manus manum lavat»!

______________

LUGATI [NË KATUNDIN TIM]

«Idrizi ishte gjeni i matematikës. Pronar i një biblioteke të shkëqyeshme, të fshehur e sistemuar nën tavan. Komunistët e katundit e suspenduan prej funksionit të «vodaç»-it dhe e bënë Rasimin manaxher të ujit gjatë tharrjeve verore. Në shenjë hakmarrjeje. Idrizi Ishte një perlë e hudhur nga fati mbi një gërmadhë plehu. Ky vetëm me Rrustën e Stepeve dhe Zabel Lekën i kishte punët mirë dhe me askënd.Vërdallej katundit përherë me një pallto gri, me kapelë franceze dhe me sfurk nën sjetull. Më së shumti e urrente Muli Zeqon, atë informantin zvarranik të milicisë që mbante shënim edhe për ndërzyerjen e gomerëve e lere më për gjërat që s'bënin njerëzit.

«Kush i ka prish gurrët?» bëriti njëri nga milicët, Vangjeli, një komarxhi plak që jetonte përballë ambulancës së Vrapçishtit. Dikush kishte deformuar gurrët e bardhë me të cilët shkollat kishin shënuar emrin e Titos në syprinën e kodrinës përballë Xhamisë së Re.  Muli Zeqo përsëriti edhe më me zë: «Kush ia ka prajsh emnin Titës», Idrizi drejtoi sfurkun drejt Mulit duke uluri «Luuugaaaatiiii». Ishte skenë e hatashme, komike se si rrëmbente Mulin bashkë me Vangjelin dhe vartësin e tij drejt «gropës së qenve» që kishte hapur Haxhi Ferrati. Vangjeli shpëtoi duke u futur në taksinë e Selimit, ndërkaq Muli, ah Muli...»

[Fragment nga romani «Lugati – kronikë në lëkurë e katundit tim», Fq. 312. (në dorëshkrim)]



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora