Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristo Çipa: Bashkëmoshatarëve emigrantë

| E marte, 29.12.2020, 12:25 PM |


Gjashtë poezi nga poeti Kristo Çipa  “Mjeshtër i Madh”

1-Bashkëmoshatarëve emigrantë

Hypët në guxim të brezit

Ëndra plot e xhepa zbrazur

Veshët cipën e mëngjezit

Taksi-mjegulla kish ardhur

Nga lëndina e fëmijërisë

Ylberin morët nxituar

Se në shtigjet e stuhisë

U duhej  për të kaluar

Jeta vetull shën Ndreu

Si ortek ju rrokullisi

Sa herë qenia ju gënjeu

Nga fillimi prap ju nisi

Bukë plot, po kurrë s’ju ngopi

Hëna u ësht’ dukur njerkë

Rrumbullak vërtet është globi

Emigranti del pa pjesë

2-Dhe në yje varën djepe

(Prishja e katundit)

Ç’ësht’ kjo psherëtimë jetime

E ftohtë si thikë shpine

O bij-o o o.?

Vjen gjëma me kryeqyqe

Grykës lumit hingëllinte

Moj mëm-o o o!

Stamboll u bëfsh gurë-gurë

Nise fermanin në udhë

Pilurin te verë në gjumë

Katundin me rrënjë ta ç’kulë

U nis gjaku shoi zjarrin

Flaka e dogji të gjallin

Shpirti trupit s’ja gjen varrin

Dhe mitrës foshnjën ja marrin

Osmanllinjtë qiellin rrjepin

Hëngrën fushën, vollën detin

Nëpër gjak e mbytën demin

Që të vrasin amanetin

Hiri katundin mbuloi

Ikja malet i kaptoi

Dhe një grusht shpirt’ që shpëtoi

Brenda amanetit roi!

Plagët mbuluan me sherqe

Nëpër yje varën djepe

Në vetëtima, për vete

Atje hodhëm  rrënjë jete

3-Mos e digj shpirtin poet!

Mos e digj shpirtin poet

Zjarri i jetës ka marrë ujë

Uji nuk zbret më në det

Me vetveten bën rrëmujë

Mos e digj shpirtin poet

Nëpër djep tundet vetmia

Nusja vellon nis e shqep

Dhëndri s’vjen në dasmën e tia

Mos e digj shpirtin poet

Sytë e qorrit ka marrë rëra

Guri durimit i flet

Heshtjen mike unë e bëra

Mos e digj shpirtin poet

Fol dhe ti sa flet ikona

Koha dhembjen me lot qep

E qëndis me hallet tona.

Mos e digj shpirtin poet

Të rënët po pinë lavdinë

Amanetin kanë për drek

Dhe plagët mbi tavolinë

Mos e digj shpirtin poet

Vdekja merr liçencë të tallet

-Sa sëmurë që është kjo jetë

S’besoj ta shërojnë spitalet

Mos e digj shpirtin poet

-Le të digjet, është zë fikur

Kur dhe pena nuk i shkrep

Në të gjallë quhet i ikur

Shpirti vet po shkon në meshë

Se ringjallja paska zbritur.

4-Ti vjedh dritën flakës

Nën ato kanata

Sokaku më këreru

Nuk guxonte nata

Të binte përdheu

Kishte dalë si ëndër

Flokë kapullenja

Ecte hëna shtrembër

Me inat përbrenda

Qerpiket me maja

Si shigjeta ç’ponin

Nga shikimi i saja

Merrte dritë qorri

Më ftohej guximi

Dhe frymën ma zinte

Nga shtiza shikimi

Pushtimi më vinte

Si krah kalqyqe

Vetulla lëvizte

I qëronte yjet

Nata të mos binte

I thoshja: bjerrë, natës

Të vijë mugëtira

T’i vjedh dritën flakës

Nga faqet pasqyra

5-Varma shpirtin në tërkuzë

Një dashuri e marrosur

Malluar në shteg të fjetur

Erdh si vetëtimë e ftohur

Se rrënjët re si ka gjetur

Unë si ylberi mbi hone

I thashë: më s’më gjen mua

Ajo tha- Jam vepra jote

Dhe një puthje ma ke hua

Puthëm moj me ato buzë

Ler kamatën e vonuar

Varma shpirtin me tërkuzë

Në të nesërmen e shkuar.

6- Jemi pagzuar lumit Akeron

Ç’ke moj shpresë e prerë që vetëm mbjell lot

Më ri vështrim shuar, nxin si korbi zog

Si një natë dimri, shumë e gjatë, hata

Se për ne shërimi thua ilaç s’ka?

Ngjallu! Zbukurohu! Fshije ç’të mundon!

Kemi pirë uje lumit Akeron!

Herë na rrallon plumbi, ikja na këput

Kur na dremit gjumi, engjëlli vjen mbi sup

O ëndër vonuar çohuni mos flini!

Brenda gjakut tuaj thëret rebelimi.

Deti i përpjekjes jetën e shpëton

Të gjithë notojmë lumit Akeron!

Malet hingëllijnë, logatje në dete

Dhëmbjen maje thike kemi lidhë në djepe

Shkulim vetëtimat nga leshrat e reve

Qiellit të vrenjtur i rrëzojmë themelet.

Në ujin e vdekjes fati ynë jeton

Jemi pagëzuar lumit Akeron!