E premte, 19.04.2024, 09:42 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Daniel Gàzulli - Ligjerata të At Anton Harapit (2)

E hene, 28.12.2020, 04:54 PM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

AT ANTON HARAPI O.F.M.

(1888 – 1946)

Përgatiti: Prof. Daniel Gàzulli: Pjesa e Dytë

Ligjerata të At Anton Harapit

(Fragmente)

Shënim nga Prof. D. Gazulli:

Kam vërejtë ndër komentues paqartësi e mosnjohje të jetës dhe veprës së At Anton Harapit.

Tue qenë këto ligjërrata të botueme gjatë Luftës Botënore, janë dëshmi mbi të cilat vetëm mund të thellohemi; ato nuk mund të ndryshojnë ma simbas dëshirës apo pikëpamjeve të njenit apo tjetrit.

Secili le të nxjerrë përfundimet e veta.

Nënvizimet janë të mijat.

Ligjërata të At Anton Harapit

(Fragmente)

Shënim:

Kam vërejtë ndër komentues paqartësi e mosnjohje të jetës dhe veprës së At Anton Harapit.

Tue qenë këto ligjërrata të botueme gjatë Luftës Botënore, janë dëshmi mbi të cilat vetëm mund të thellohemi; ato nuk mund të ndryshojnë ma simbas dëshirës apo pikëpamjeve të njenit apo tjetrit.

Secili le të nxjerrë përfundimet e veta.

Nënvizimet janë të mijat.

Publikim në dy pjesë.

TË HJEKIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

Sod në këtë krizë të tmerrshme besimtarëvet të të tre elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë të hjekim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi-shoqit e të vëllaznohemi në njatë Zot qi besojmë e në njatë Shqipni qi e duem me gjithë zemër.

E po e patën detyrë besimtarët njiherë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohet dora-doras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’i a shpëtue shqiptarit besimin në nji Zot, shpresën në nji Shqipni. A sod a kurr të mobilizohemi për fe e atdhe! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia qi po na zhduket ndër duer. Bashkimi i tri klereve në ketë drejtim e veprim, asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sod as Xhamija pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena as tjetra pa Shqipni. Të ngrehemi në kambë. Për nji Zot të vërtetë e për nji Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!

Korrik 1944

NJI KUSHTRIM PËR KULTURË

… Kur ta bajmë shqiptarin t’aftë qi vetë ta kërkojë, vetë ta gjejë dhe vetë ta shfaqë të vërtetën, kemi ba shkencëtarin; kur ta bajmë të zotin qi ai vetë t’i vendojë parimet e drejta të jetës dhe këtyne t’u rrijë me dijtë ç’me dijtë, e kemi çue shqiptarin në kulmin e mirësisë: kemi ba fatosin, qi me fuqinë e vullnesës përfton vepra morale të rendit botnuer. Tue ia mprehë shqiptarit ndjesitë, e bajmë të mrrijë me ndie në shpirt shfaqjet e së vërtetës dhe të mirësisë, atëherë ai i përket, tërhiqet, rrëmbehet, atëherë shpirti i tij jipet, përpiqet, aj nuk pushon derisa të gjej format e mjaftueshme për t’i shprehë ato madhni, ato ideale fisnike për të cilat rron.

Dhe ja kemi ba artistin….

OPINIONI PUBLIK

Parandej, opinioni publik nder ne,- po mujt me u thirrë publik, mendimi e fjala e nja disa pak vetvet- u percaktote nder lagje, nder çeta e tjera rrethe të vogla të nji krahinës. Jeta ishte amull d.m.th. u tfaqte në nji gjeje statike: perpjekjet ishin fort të vështira, prandej rrall‘ e per mallë shqyptarët mund të shndrrojshin mendimet shoq me shoq; ai grimë ndrrim, qi bam nder doke, ma fort se per tjeter, na kje imponue prej nevojet të jashtme, e jo mbas nji opinioni të perbashktë, të bamë me të mendueme.

Sod jeta mendore e shqyptarit dan se asht sgjue: lehtsija e perpjekjevet, egzigencat e reja, lavrimi ushtarak e arsimuer, rrethanat politike, ekonomike e shoqnore i kanë dhanë nji të shtyme të fortë, e aj, ditë per ditë, shkon tue ndrrue e shndërrue mendimin ( opinion), jo vetem me themelet e jetës, qi janë të mirat ideale e materjale, por edhe mbi vlerë e vertetsi të fjalvet qi thohen e të parimet, qi botnisht tfaqen e enden nder rrethe të ndryshme.

Qe se shqyptari hjekë sa ku mundet të bajë shndrrime të mdha në jetë, por a asht kush t’ia paraqesë, e po pat kush me ia paraqitë, a asht i aftë aj t’i pershtasë parimet mbas të cillavet do t’a bajë ket metamorfozë? Qe dy normat themelore mbas të cillave do t’a gjikojmë opinionin publik në Shqypni…

… Kush tha, se shtypi asht ma e madhja fuqi në botë, desht me thanë edhe, se lufta per ide e parime- qi bahet sidomos nepermjet shtypit- asht ma e rrebtë, se lufta per pronim tokash e pasunije. Nji pozicjon mund të fitohet edhe gand e pa hiri, por per m’e mbajtë lypen mend, e mend shumë.

Idet a se parimet janë ligjët, qi rregullojn jeten nierzore, porse këto as s’mund t’imponohen me armë, as s’mund të bahen monopol. Nieri, në mos kurrnji send, asht i zoti të mendoj lirisht: ke per ta vjerrë më konop, ke per t’ia keputë kryet me shpatë, por me kurrsend s’ke me e ba me mendue ndryshe po nuk desht aj vetë. Nieri des per ide e parime të veta, a, si thomi shqyp, per mend qi i ka.

Sokratit i shkoi moti edhe jeta per me ba opinionin publik mbi parime të shndosha; aj ishte i bindun plotsisht, se po të mujte me perftue e me perhapë në popull ide të kjarta per virtyte, do të pshtote atmen prej kercnimevet të mbrendshme e të jashtme.

IDEA ASHT FORCË

Kur nji ide ngallnon në nji nieri, njimend se ven nen veti të gjitha fuqit tjera, por njiherit krijon në te një fuqi të re e të mrekullueshme: nieri atherë kapercen veprimin e zakonshem, kapet në rend të fatosavet; e po ia duel t’a perparojë iden e vet në nji çetë a në nji lagje, aj sundon, e sundimi i tij merr aq haptë, sa janë ata, të cillët i binden asaj ide.

Shumherë punët e mdha shihen ma mirë e ma kjartë nder punë të vogla: në nji katund a në nji lagje, kush lypet e kush pvetet?

Kush prinë, e mbas kuj rregullohen fjalët e punët? Zakonisht pasanikët perbajnë aristrokacinë (parin) e vendit, por as këta s’kan çë të bajnë pa pleqt, pa oratorat, pa ata, të cillvet nuk u bjen fjala në tokë. Gjykimi me vend, fjala e prumt e nji nieri çë do, nder çashtje të kaperthyeme, nder rasa e nevojë të perbashkta, kaparojn bindjen e tjervet per të; aj merr pozicjon, tjerët lidhin e zgjidhin e bajn be per krye e per fjalë të tij; aj ka ba per veti opinionin publik; idet e tija ngallnojnë n’at rreth.

Edhe nder popujt e qytetnuem kush ka ba per veti opinionin publik, ka në dorë zemren, shpirtin e jeten e popullit.

Qeverit, organizatat, shoqnit e parit e ndryshme bajn çë mos per me pasë, e në mos e paçin,-per me e ba shtypin per veti; per ket qellim derdhen miljona e miljarda, pse shtypi asht mjeti ma i afti për ta ba opinionin publik.

Vertetë, se edhe tash së voni nder shumë shtete t’Europës kjenë ba lufta çivile per ngallnimin e idevet, por këto, per posë se janë mjete ekstreme- e të thuhesh të panatyrshme, janë edhe të pamjaftueshme per me e mbajtë e me vijue ngallnimin e bamë; pa bindjen e mendjes së shumicës, nji vend s’ka qetsi as perparim. Opinioni publik i bam në bazë të shndosha asht pajtimi e lumnija e nji vendi…

… Shum fjalë e parime, qi, a nepermjet të shtypit a perpjekjeve tjera, enden në publik, nuk kanë jetë ma se 24 orë. Nji medim i ri, po u tfaq kjartë e ne menyrë të terhjekshme, po preku shpirtin e shumicës, ka per t’u endë anë e kandë nder rrethe, e si të flitet per te pro e kontra, mentaliteteve e ambjentavet, ja ka m’e qitë e m’e lanë, e ajo ide ka me humbë per mos me çue krye ma, ja ka me e pelqye; në ket rasë, mendimi i çpallun, me nji fuqi të bindshme, çilë rrugë e deperton në jetë, tue marrë pozicjon; atherë populli e ban të veten  (e asimilon), a ma mirë me thanë, idea e ban per veti shumicën. Kjo mandej, asht fjala e popullit, opinioni publik, vox populi.

LMASHKU I HIPERKULTURËS NË SHQYPNI

Të huejët per ne e na per vedi bindena, se si në pak kohë kemi mrrijtë, jo vetun me pa e me njoftë nevojen e gjytetnimit; por edhe me gjetë mënyren, se si me e fitue, e me e zgjedhë mjetet, qi pershtaten ma fort gjendjes së ligshtë të shqyptarit.

Ky hap kaq i guxueshem do të na epte shkas të gjithve m’u krenue, mos t’ishte në sejcillin ideja zotnuese, qi do me dalë në pah e s’len të shtrohet aq letas prej tjerve.

Kjo asht ideja, qi, pshtetë n’arsye, ep të drejtë me jau ba kritiken tjerve e me pvetë e me kerkue n’emen të dijes psehin e secilles veper, qi asht në të perpjekun me të mirë të perbashktë.

Shqyptari në punë të kulturës ka synin e madh. Etshem per sa qindvjeta me thithë njoftimet e dijes së njimendtë, tuj e pa vendin teper mbas tjerësh, do në pak kohë me perftue në vend të vet shka kje perftue nder shtete të mdha mbrenda qinda e qinda vjetsh e m’u ba baras me ta, pa shikjue zhvillimin e mentalitetit të popujve e të breznive, pa peshue rasat e shkaqet psikologike të ndrrimeve të ndryshme, pa çmue randsinë, qi kanë doket e nji populli; por “kashata e madhe të xen fytin”, thotë një fjalë e moçme, e, per mos me na kja puna në dorë, do “matë hapi sa të jet vrapi”.

Ky entuzjazem, aq i nevojshem per nji popull, qi nisë me i çilë syt kah kultura, kishte me i ndrrue ftyrë vendit; po t’ishin puntorët nierz pernjimend të zotët, qi me auktoritet të vetin të perparojnë ide të shndoshta, projekte të peshueme, mendime e drejtime në çdo degë e per çdo degë e per çdo nevojë. Kta po, se kishin me i a njitë krahin atdheut e kishin me e çue në nji shkallë të lumnueshme kulture; por mjerisht kësi nierzsh zheni mungojnë, e, në kje se gjindet kush në Shqypni, qi pernjimend me nji vullndesë të fortë, me nji ideal të lumnueshem para sysh, mundohet per të mirë e të marë t’atdheut, tuj ba edhe vedin flije, asht fare i izoluem per kahë ndima morale e per kahë ndima materjale, e mjetet, qi mundet me pasë perdore, janë aq pak e të pafuqi, sa mos me kenë i zoti me luejtë nji rrol të madh n’edukatë kulturale të popullit, e gadi as mos m’u njehë porsi puntuer e porsi aj qi nzitë kahë perparimi mentalitetin e popullit.

Ata qi duken se veprojnë sot në mnyrë aktive per kulturë të popullit, janë ata qi veprojnë per interesë; por dihet fort mirë se shka bahet per inetresë, nuk bahet per ideal e prandej nuk mundet me pasë efekt të mirë e të qindruseshem.

Levertija sot zotnon mi botë e asht aq e fuqishme, sa me shkimë ndiesit ma bujaret, sa me ndryshue mendimet e mara, sa me pengue çdo ideal a plan veprimi. Vjen prej vedi se kultura, qi kerkohet m’u dhanë per interesë, s’ka temel të qindrueshem, s’njet, s’asht në nji fjalë, e njimendtë, pse kultura e gjytetnimi do të fillojë prej zemre, tuj perftue nji karakter të shndoshtë e tuj drejtue mas arsyes ndiesitë e të prirunat; me sa kultura me intëresë, tuj kenë faret materjale, s’ka tjeter lamë veprimi veçse ndiesit, perjashtue prej çdo parimit edukues, prandej edhe mjetet per me i njallë e me i pertri këto ndiesi janë shi njato, qi ka trishtue nierzimin njat herë, kur, mrrijtë në kulm të gjytetnimit, nisi me e efeminixue natyren e vet, tuj kerkue andje të reja, krejt njashtu si Kserksi i Persisë, per të cillin diftohet, se merzitë prej pasunive e të mirave qi e rrethoshin, paguete mirë njata qi mrrijshin me i gjetë ndoi mjet të ri gzimit.

Sikurse mendja e nierit asht e kufizueme, njashtu edhe kultura, qi rriedh prej soje, i ka kufit e vet, në mënyrë qi po duel jashta rrethit të vet, jashta arsyeje, degjeneron e nuk asht ma per zhvillim të popujve, por per të sosun të tyne; pse aty ku nisin andjet e epshit, pran arsyetimi, e ku s’ushqehet mendja, s’ka perparim as gjytetnim të njimendtë, e deri mjetet e ndershme e bujare të kulturës, marrin nji rrymë të damshme, deri hartet, qi janë shija ma i pari e ma i sugurti i gjytetnimit e parqesin shka ndien e provon zemra e nierit e drejtueme mas arsyes në kerkim të bukurisë e të së vertetës, deri ato janë per poshtnim të natyrës e të mendes së nierit…

SHQIPTARI I MADH

Vehtja e vepra e At Gjergj Fishtës më kujton fjalën e një profesori austriak, i cilli, tue folë mbi aftësit e karakteristiken e shpirtit shqiptar, më thotë: Fuqija mendore e shqyptarit asht virgjin e e palodhun. E, po të mbërrijte shqyptari me pasë nji edukatë të plotë e nji trajtim të kryem, lehtësisht, se edhe prej prehnit të Shqypnis, do të mund dilshin zotsi mendore, të mjaftueshme jo vetem per rrethin e vogël shqyptar, por t’afta me hi edhe në rrethin botnuer, e me dhanë kontributin e vet nder lamije të hapta të mbarë jetës njerzore.

Nuk asht mendimi i em, këtu t’u vë kandarin e t’i peshoj këto fjalë, në se e sa vertetohen n’At Fishten; këta veç asht e sigurtë, se per Shqypni e për shqyptar, ky kje nji nieri i jashtëzakonshem e ma i madhi edukues i popullit qi na patem deri me sod. Koha e studimet, qi kanë për t’u ba mbi iden e vepren e tij, kanë me ndritë e me caktue, nëse e sa origjinaliteti i tij e kapecen rrethin shqyptar.

Njerzët e jashtëzakonshem shkojn nji jetë, të thuesh, baras me njerzë tjerë, porse dallohen në këta, se shpirti i tyne, porsi në nji vegim, të kjartë e sheh iden, e lehtas e pershin më një syntezë mendimet, zakonet, vepren e jeten e shumicës; atë botë, ata, tue u naltue mbi njerzë tjerë të rrethit e të kohës, gjejnë e vendojnë synime të reja ma të nalta e ma fisnike, e me të gjitha fuqit e veta, vehen t’i shprehin e t’i çojnë në vendm, tue e mishnue kështu me to kohen e breznin. Edhe i a dalin.

Në këta mbahet fuqija mysterioze e tyne, e cilla, per ta asht nji gja fare e thjeshtë e e zakonshme, me At Gjergjin, më thotë: Quam parva scientia regitur mundus!

At Gjergji asht nji fatos. Ai ngreh flamurin e gjuhës e të kombsis, jo nder kështjella as nder gerdhata, por në cepin e idevet e nder thellinat e ndiesivet; kushtrimin e tij e ndjeu intelektuali dhe analfabeti, nacjonalisti, si dhe ai i dekuni në shpirt per atdhe; ushtima e tij theu çë do rrymë të kundërt e depërtoi thellë, mje në palcin e shpirtit të shqyptarit, e aty, tue prekë ma t’imtat pejza të thalbit të jetës, trandi, zgjoi, rrëmbeu… Cofja ma e lanun e apatiku ma i shgrehun, ashtu edhe skeptiku ma i lëshuem zemre, kjen prekë e naltue nder ma t’amblat shpresë, se “Ka po Shqypni…” e se, “Per shqyptarë do të jetë Shqypnija”!- Kam ndollë vetë aty , kur nji ditë, nji shqyptar këllefit të vjetër, tue ankue per do shperdorime të nierzve të shtetit me At Gjergjin, dote disi me perfundue, se s’ ka Shqypni. Fishta don t’i a spjegojë punen, se nierzit e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na së kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!

DUKË E KENË...

Due të shoh ma kjartë, “Mehr Licht” kshtu thote Goethe, si të dote me kerkue dishka në msheftsin e jetës, e kshtu edhe që do shqyptari qi e merr çashtjen e Shqypnis pernjimend, do të thojë kundrejt atij nderlikim mendimesh e pikpamjesh qi kemi në boten tonë ideale.

Matemi, epemi e duem: e kaluemja nuk na mjafton, e tashmja nuk na pelqen, e ardhmja na shfaqet në mejgullinë! Duem, e duem njimend, por ende nuk e shohim të kjartë ata shka duem. Ku e ban nana at djalë shqyptari, i cilli me kjartsin e kristalit e me sigurin e Arkimedit të dajë ata shka ban e shka nuk e ban per ne, ta ngulë me vend e mirë boshtin e jetës shqyptare! Hominem quaero!

Jemi sternipat e asaj plakë, e cilla, si u dogj kungujsh, i fryni kosit. Shkeptik shqyptari? Sigurisht jo per natyrë, por lodhë prej vuetjesh, don ta veje njeherë kamen dyst, e prej se nuk din shka qet e nesermja, nuk sheh ku ta ngulë. Në lamen ideale mandej, sa shkon tue marrë haptë lamshi i jetës me perparim e kulturë, aq nderlikueshem vjen e tëhollohet nder fije të para, në vemen e ides themelore.

Formula e zakonshme me te cillen sod shfaqet ideologjija shqyptare asht kjo: Shqyptari tash e mrapa do të besojë vetem në fuqin e vet ideale e në komb!

Qellimi per t’a çue në vend asht: ndertimi i Shqypnis së lirë e ideale, qi per qyshk të domosdoshem ka fjalen e ditës: religio delenda - vizë çë do besimit.

Kjo ideologji, xanë me gjithnduer tharmi, mru me gjithfarë duersh e pjekë me turli qellimesh, jo vetem e mson të dam besimin prej atmje, dije e gjytetnimi, por edhe në kundershtim flagrant me kto ideale…

SHTOJCË

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora këtë barrë për kolltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Ja arsyeja për të cilen pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptar: pse nuk mujta t’a shoh Shqipninë n’anarki.

Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për ne Shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatërrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonin shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejmë fijën lamshit; delikt asht në ketë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjën, përmbysjen e katundeve, humbjen e gjasë dhe shkatërrimin e familjevet…

Pra m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.

…Se sa me rrezikue vehten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija”.

Edhe komunistave due t’u a tham nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata Shqiptar, të cilët vërtetë e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashma të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipní. Kjo asht vertetë, e kjo don me thanë se gadi të gjithë komunistat shqiptar veprojnë me krye në thesë pa dijtë shka bajnë e për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipní, e vetëm për Shqipní.

Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrines komuniste e vepres komuniste me formen kombëtare – sikurse i kam ndigjue unë vetë tue dishmue organizatorët komunista – mue më ban me dyshue për sinçeritetin e kësaj rryme shqiptare: pse, vallë, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu?

Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qellim nuk i lanë vend dyshimit.

More, me kobure në gjoks nuk bahet kush vlla, as shoq, por skllav, ja mizuer apo hypokrit.

Gjithmonë tue rrenue nuk ndertohet”

Shkurt 2012.

Shenim nga F.Radovani: Njerzit e mdhaj nuk i kanë mungue Shqipnisë!

Dishmi gojore e ish-Regjentit Cafo Beg Ulqini (1968):

Në vitin 1968 i Ndjeri Cafo Beg më ka tregue se: “At Antoni refuzoi me u largue nga Shqipnia në nandor 44, kur Cafo Begu i ka ofrue me shkue në nji streh të Tij në Mal të Zi. At Antoni i asht pergjegjë: “Kam punue per Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shperblim, por as dënimi nuk ka pse m’pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurr nuk i tradhtova, me ta vuejta, per ta edhe punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”

Melbourne, 15 Gusht 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora