E enjte, 28.03.2024, 11:07 AM (GMT)

Kulturë

Skënder Asani: Profili njerëzor e intelektual i Anton Çettës

E diele, 27.12.2020, 11:33 AM


ANTON NIKË BERISHA SJELL NË SHKUP PROFILIN NJERËZOR E INTELEKTUAL TË ANTON ÇETTËS

Shkruan Dr. Skënder Asani - Drejtor i Institutit të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve – Shkup

Anton Çeta nuk ishte një pleqnar i zakonshëm. Ai, siç del edhe nga libri që po e promovojmë sot: “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë” e autorit Prof. dr. Anton Nikë Berishës, ishte filozof i pajtimit kombëtar dhe vetëm duke qenë i tillë ai u bë legjendë e gjallë në kujtimet e njerëzve, të cilët kur flasin për periudhën e pajtimit të gjaqeve, në fillim të viteve 90 ta të shekullit të kaluar, pashmangshëm e përmendin edhe emrin e prof. Anton Çettës.

Ky emër shënon epokën më të ndritshme të mirëkuptimit brendakombëtar dhe si i tillë është sinonim i njeriut fjalë urtë e mendje ndritur, dy komponentë këto që Anton Çetta i përdori në terrenin e vështirë të hasmërive në mes të shqiptarëve.

Mirëpo, siç e thotë edhe prof. Anton Nikë Berisha, në librin që sot kemi në duar, vetëm kjo nuk mjaftonte. Për ta bindur personin që ta falë gjakun duhej ditur se cilat fjalë dhe në cilin çast duhej të përdoreshin dhe në ç’mënyrë duhej të thuheshin. Nga ky libër mësojmë gjithashtu se kur Anton Çetta i hynte brenda një familje për t’ia falur gjakun, ajo e kishte vështirë ta kthente e të mos ia falte dhe ka pasur raste që njerëzit kanë shtruar edhe këtë kusht: “Nëse e fal gjakun, ia fal vetëm Anton Çettës”.

Jemi me fat si komb që e patëm një figurë kaq rrezatuese në planin intelektual, njerëzor dhe kombëtar, siç ishte Anton Çeta, i cili, siç na del edhe nga ky libër i thuktë dhe mjaft përmbajtësor i prof. Anton Nikë Berishës, shqiptarëve iu erdhi kjo figurë gati si hyjnore, atëherë kur autonomia e Kosovës po rrënohej dhe po zhbëhej nga regjimi i Beogradit dhe kur popullit të traumatizuar i duhej një terapi shpirtërore, që do ta bënte të ndjente afërsinë e njëri tjetrit.

Zaten historikisht, shqiptarëve para çdo furtune të madhe iu ka paraprijë pajtimi kombëtar dhe kjo s’kishte të ndodhte ndryshe edhe me Kosovën e viteve nëntëdhjetë, atëherë kur ndodhën shumë ndryshime politike, por edhe përgatitje të asaj që do të ndodhte në fund të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, kur rezistenca e armatosur detyroi ndryshimin e rrethanave në favor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Këto dhe mendime të tjera të imponohen posa ta kemi lexuar librin që kemi në duar të cilin ITSHKSH ka nderin ta promovojë sot dhe në këtë mënyrë, ndoshta krejt rastësisht, pikërisht ky botim i prof. Antonit vjen edhe si perde që mbyll skenën e veprimtarisë së këtij viti kalendarik.

Jemi shumë të gëzuar që kjo ndodhi kështu, mbase edhe për faktin se, miku ynë, prof. Antoni ishte me ne gati gjatë gjithë vitit që po lëmë pas, kurse vepra që ndodhet këtu para nesh, mund të jetë dhurata më e mirë që mund të të bëjë një mik e një bashkëpunëtor i Institutit.

Në këtë vepër prof. Berisha ka ndriçuar dhe një varg cilësish dhe vlerash të shumëfishta të veprimtarisë së Anton Çettës si mbledhës dhe si botues i llojeve të ndryshme të letërsisë sonë gojore, që u bartën prej një brezi tek tjetri shekuj me radhë: “Rëndësia dhe vlera e materialeve të mbledhura e të botuara nga Anton Çetta nuk shprehet vetëm në sasinë e tyre, por para së gjithash në cilësinë dhe shumëllojshmërinë; ato mbrujnë në vete një gjuhë e një sistem të pasur të shprehurit burimor, ku shqipja dëshmohet në forma të shumta e të ndryshme të saj.

Këto krijime ngërthejnë në vete aso vlerash që jo vetëm e pasuruan, por mund ta pasurojnë edhe më tej artistikisht shpirtin e njeriut tonë. Disa prej tyre shprehin në mënyrë të përmbledhur mendime e urti nga përvoja jetësore, disa shqiptojnë gjallimin e përditshëm, të tjerat botën legjendare e mitike ose të gjitha këto shpesh dalin të gërshetuara e të shkrira me njëra tjetrën dhe paraqesin një botë sa të pasur aq të veçantë”.

Në librin “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë” vihet në dukje dhe rëndësia e Prof. Anton Çettës në fushën e letërsisë për fëmijë, të veprimtarisë universitare dhe të përkthyesit letrar nga tri gjuhë huaja. Berisha shkruan: “Anton Çetta i shtjelloi dhe i rrëfeu në vargje disa ngjarje që janë interesante për fëmijët dhe që heqin peshë në veprimin dhe në jetën e tyre të përditshme[1]. Disa sosh janë shembuj konkretë sesi nëpërmjet veprës letrare mund të arrihet efekti edukativ, pra t’i tregohet fëmijës rruga e drejtë, t’i sugjerohet rëndësia e virtyteve ose t’i bëhet e ditur për pasojat e një vesi ose të një vepre të keqe e të shëmtuar (“Shtatë thuprat”, “Kush punon, ha”, “Unë ngi e miku ngi”).

Disa njësi të tjera trajtojnë tematikë legjendash e përrallash, që pos qëllimit të njohjes dhe futjes së fëmijëve në këtë botë të pasur e magjepse, synojnë ndriçimin e të mirës dhe të së keqes, rëndësinë e veprimit të individit, shkathtësinë e tij që të gjendet në jetë e të ngadhënjejë mbi vështirësitë […], ku çdo gjë është e mundshme dhe parashtrimi dhe gjakimi i qëllimit është në të vërtetë realizimi i tij, siç ngjet, në “E vërteta del edhe nga pusi” dhe “Ditët e plakave […] Si pedagog universiteti ai dha një ndihmesë të rëndësishme në edukimin dhe në përgatitjen e disa brezave studentësh, të cilët pastaj, me të mbaruar fakultetin, u punësuan në shkolla të mesme, të larta e në fakultete dhe ndihmuan në arsimin e mesëm e të lartë në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi […]

Po kështu, duke njohur mirë disa gjuhë të huaja dhe duke pasur njohuri nga disiplinat e ndryshme, sidomos nga letërsia, prof, Çetta përktheu disa vepra letrare nga frëngjishtja, italishtja, serbokroatishtja, ku bie në sy përkushtimi, gjuha e zgjedhur dhe e pasur, saktësia dhe shkathtësia e bartjes së mesazhit poetik në gjuhën shqipe. Të përmend këtu, fjala vjen, përkthimet: “Tregime” të Gi de Mopasanit, “Tregime të zgjedhura” të Alberto Moravisë, “Të jesh” (poezi të zgjedhura) të Vinçens Satangjelos, “Vocrraku” i Alfons Dodes, “Sonete” të Zef Serembes, “Trëndafila dhe gjemba” të Pashko Vasës, “Vjershat për fëmijë” të Jovan Jovanoviq Zmajit, pjesë të “Këngës së Rolandit”, të përkthyer në dhjetërrokëshin tonë epik etj.”.

Në fund uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke sjellë për publikun edhe vepra të tjera, ku firma e autorësisë së prof. Anton Nikë Berishës do të jetë garanci më i mirë i rrugëtimit tonë në drejtim të duhur.

Shkup, 22 dhjetor 2020

[1] Shih librin tim Letërsia për fëmijë si art i fjalës. Shtëpia botuese “Arbëria 07”, Tiranë 2013.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora