E enjte, 18.04.2024, 02:24 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Morina: Arbneshët e Zemunikut i ruajtën mbiemrat, por jo identitetin

E shtune, 26.12.2020, 08:12 PM


ARBNESHËT  E ZEMUNIKUT  I RUAJTËN   MBIEMRAT, POR JO  IDENTITETIN

NGA SYLEJMAN MORINA

Kur shkruhet e flitet  për arbneshët e Zarës, zakonisht mendohet për Arbanasin  (Arbëneshin), ndërsa për  Arbneshët e Zemunikut dhe Plloçës nuk shkruhet ose përmendën vetëm  sipërfaqësisht.

Në fakt Arbneshët e Zemunikut përmenden kur është  fjala  për  të shpërngulurit  e parë që  ishin  vendosur në  Zemunik, 14 km nga Zara. “Sipas  njohurive të deritanishme  grupi i parë  i arbneshve  të shpërngulur  ishte vendosur  në Zemunik. Në arkivin e Zarës  ndodhet   dokumenti i nënshkruar  mbi dhënien  e  tokës,   e cila  iu dha  21  familjeve  arbneshe  në Zemunik    qershor të vitit 1726.”¹

Pesëmbëdhjetë shtëpitë e para u ishin ndërtuar, si  dhe u ishte siguruar prona, pastaj kanë vazhduar edhe shpërnguljet tjera. Shpërngulja nuk ishte e rastësishme, por e  organizuar, pasi që në ketë  organizim ishin të përfshirë    kryepeshkopi  i  Zarës  V. Zmajeviqi  dhe Republika e Venedikut. Mjerisht  në ato vende të boshatisura nga  shqiptarët u vendos  popullatë malazeze. Arbneshët  e  vendosur  në Zemunik ishin të paktë dhe  nuk ishin të izoluar, por  bashkëjetonin me  popullatën vendore kroate dhe serbe. Procesi i  asimilimit kishte rrjedhur  shumë shpejt në këtë mes të përzier, arbneshët nuk munden t’i rezistonin  këtij procesi shoqëror. Don Mijo Qurkoviqi në broshurën e tij mbi historinë e arbneshve ka përmend një fakt: ”Është e  çuditshme  që asnjë prej pleqve që jetonin në Arbanas rreth gjysmës së shekullit të kaluar (19) nuk mban në mend  se arbanasit e  Zemunikut   kanë folur  arbnisht” .2

Gjenerata e sotme në Zemunik, nuk e konsideron që kanë prejardhje  arbneshe ,  edhe pse emrat  e familjeve ,Paleka, Shestan, Pinçiq, Prengja, Qurkoviq vërtetojnë  origjinën e tyre”3. Nga e kaluara e tyre si dëshmi  kanë mbetur  llagapet e familjeve të ruajtura  deri më sot. Kjo dëshmon se sa  herët ata e kishin humbur gjuhën e tyre. Historiani Tulio Erber, numëron  edhe disa familje tjera të Zemunikut. Ata deri më 1812 i kanë takuar famullisë  së Arbanasit  (Arbneshit) dhe varret i kanë pasur të përbashkëta. Nga arbneshët  e Zemunikut  nuk  kishte pasur personalitete që  janë shquar  për ndonjë  aktivitet    ruajtjen e identitetit të tyre sikurse te arbanasit e Zarës. Ata  gjuhën e kishin humbur herët , prandaj  edhe interesimi i studiuesve të ndryshëm  është përqendruar  vetëm për arbneshët e Arbanasit.

Në Arbanas (Arbënesh ), ende jeton gjuha dhe zhvillohen  aktivitete  për ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore. Këtu arbneshët kanë qenë më të shumtë në numër, më kompakt dhe një kohë të gjatë ishin martuar mes veti, kështu e kishin  fuqizuar  më të tepër lidhjen mes tyre, për këtë arsye procesi i asimilimit ishte zhvilluar më  ngadalë. Arbanasi  ka dhënë personalitete që kanë zhvilluar aktivitete për të mirën e etnitetit e tyre, dhe të kulturës shqiptare. Zemunikun, më 1830,  e kishin pushtuar austriakët, ndërsa administrata e tyre  e kishte  bërë edhe regjistrimin e popullatës, pra  104 vjet pas vendosjes së arbneshve  aty. “Sipas  atij regjistrimi, në Zemunik jetonin 633 banorë në 119 familje, nga të cilat 393 kanë qenë katolikë, ndërsa 240 ortodoksë.  ) Ndërsa Zemuniku është regjistruar  origjinal italisht  siç ishte në kohën e sundimit  të Venedikut. Pra janë shkruar sipas origjinës italiane: Zemonico e Albanesi ose  kroatisht Zemunik i albanci”3. ( Pra në  këtë kohë  shqiptarët  i kanë dalluar nga  kroatët). Ndërsa në regjistrimet e bëra më vonë  arbneshët më  nuk përmenden si komunitet i veçantë. Disa veçori  etnike  kanë humbur me herët e disa me vonë. Ne po e paraqesim  një  shembull. Udhëheqësi i  Zhupës  së Zemunikut Vincenza Basilea, e përmend  një ngjarje  që kishte ndodhur  në mes të arbneshve,  një vrasje mes  familjeve arbneshe të,  “Shimë  Shestanit  i cili e kishte  vrarë Petar  Qurkoviqin, kryefamiljarin e  një familje të madhe. Vrasësi  kishte mbajtur dënimin me burg ,20  vjet, në burgun e Gradishkes. Por familja e të vrarit Petar Qurkoviqit  kishte kërkuar  gjakmarrje, vdekje Shestanit  gjashtëdhjetëvjeçar. Edhe pse  kishin kaluar 16 vite nga dalja prej burgut kishte frikë për jetën e tij. Mirëpo pajtimi mes këtyre familjeve ishte arritur me ndërmjetësimin e priftit Basileu (1868.–1871.)4.  Nga kjo kuptohet se edhe pse kishin kaluar 140 vite nga shpërngulja, larg  atdheut, normat zakonore  të gjakmarrjes, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit ende  nuk ishin  zhdukur.

Nga  arbneshët e  Zemunikut, megjithatë  kanë dalë personalitete të shquara  në lëmenj të ndryshëm, si:  Senka Paleka  shkrimtare, motra e saj  atletja dhe basketbollistja Vanja Paleka (reprezentuese), Bernard Paleka gazetar, Ivan Prengja  krye ipeshkëv i Zarës, Ivan  Paleka skulptor,  të cilin  shkrimtari  i shquar kroat Tin Ujeviq e kishte quajtur  Mikelangjelo kroat, pastaj  Mr. e agronomisë Nikolina Paleka,  Dr. Marko Prengja, specialist i mjekësisë sportive, avokati i njohur Petar Pinçiq, delegati i FBA-s, Tonqi Paleka, agronomi i njohur  Slavko Pinçiq, Mladen Paleka , lundrues dhe këngëtar shumë i mirë. Nuk duhet harruar se me origjinë nga Zemuniku është edhe familja e artistes se njohur  Doris Pinqiq, Marko Pinqiqi  trajner i NK “Zadar”, shkrimtari i shquar, kritiku i njohur  Tomislav Bilosniq. Dy personalitete të shquara me origjinë nga  Zemuniku  e  kanë  pranuar  se  kanë  lidhje gjaku me shqiptarët  i ndjeri, Ivan Prengja dhe  shkrimtari i njohur Bilosniqi. “Monsinjor Ivan Prengja, gjatë gjithë jetës kishte kontakte me shqiptar dhe Kishën katolike në trojet Shqiptare, sepse siç thoshte „Unë jam arbanas“ që do të thotë Arbëreshë.”5

Lidhja e gjakut e Bilosniqit me arbneshët  është nga nëna, sigurisht  edhe kontaktet me intelektualët shqiptarë, përkthimet e veprave të tija në gjuhën shqipe në Tiranë, mirëpritjet  në Shqipëri  e Shkup, vetëm sa i’a kanë sforcuar ndjenjën e përkatësisë  arbneshe.

Zemunikun e kishte vizituar shkrimtari dhe publicisti  Hajrullah Hajdari nga Ulqini më 2017.  Si e ka përjetuar, vizitën  në Zemunk të Zarës  ai e  ka përshkruar në reportazhin   me arbëreshet e Zarës të botuar në “Koha Javore”, në të cilën kishte   shkruar:  “U larguam  nga Zemuniku, disi  të dëshpëruar  për faktin  se asimilimi  i shqiptarëve   këtu kishte  arritur  kulmin, qenia shqiptare  ishte zbehur   dhe  përveç  mbiemrave  që të kujtonin  prejardhjen e shqiptarëve  banorëve të këtij lokaliteti, tjetër nuk u kishte mbetur”6. Por  kështu ka ndodhur edhe  me kolonitë tjera shqiptare në botë. Populli  shqiptarë  gjatë  historisë i është  ekspozuar asimilimit  nga sunduesit e ndryshëm, ose  duke u shpërngul në vende tjera edhe nga varfëria  dhe  atje janë asimiluar . Nga shtypja e varfëria  kanë ndodhur edhe  shpërnguljet të mëdha, si në Itali, Rumani Turqi,  Dalmaci, Ukrainë, Bullgari, Siri, Amerikë, si dhe diaspora e re në vendet perëndimore etj. Por  vijimësia e kësaj plage vazhdon  edhe  në shekullin 21.  Shtrohet pyetja, cili do të jetë fati  i shqiptarëve të shpërndarë në të gjitha   kontinentet? A do të përsëriten edhe raste tjera si  Zemuniku? Për të penguar asimilimin apo ngadalësuar duhet shumë veprime, të organizuara në vijimësi me projektet  kulturore  e arsimore me bashkëpunim me diasporën...

Shtetet tona  jo te konsoliduara, jo demokratike me ekonomi katastrofale, me korrupsion aq të lartë, me  elita politike të papërgjegjshme, nuk brengosen e as nuk shqetësohen   për popullatën  brenda  shteteve tona e lëre më për diasporën. Këta duhet  të angazhohen me projekte afatgjata për t`i i kthye ata që dëshirojnë, për t’i motivuar  për investime,  dhe për t’i tërheq investitorët e tjerë  pa iu vu  barriera burokratike  e personale  nga individët e fuqishëm  politik. Këta nuk merakosen as për ikjen e trurit për të cilin ka investua aq shumë shoqëria  e të cilin si produkt i gatshëm e marrin në shfrytëzim të tjerët. Këto elita mjerisht shumë dëm  i kanë sjell  popullit tonë  në Shqipëri e Kosovë.

Nëse do të vazhdojnë trendët e këtilla të ikjes së rinisë  fatkeqësisht   është duke u rrezikuar edhe  substanca e jonë kombëtare! Po ashtu mund të ndodh që  pasardhësit  e bashkëvendësve tanë  të lindur  në shtetet perëndimore do t’u  falënderohen gjyshërive  dhe  baballarëve të tyre, falë të cilëve ata kanë  lindur dhe  jetojnë    vendet  e zhvilluara demokratike, duke shpëtuar   nga skamja, varfëria dhe korrupsioni me bollëk në vendet e të parëve të tyre. Ashtu   siç ishte përgjigjur  në një hulumtim  shkencor  nxënësi arbnesh i shkollës fillore “Kruno Kërstiq” nga Arbanasit  i  Zarës: “Është mirë t’i ruash  dhe të mësosh për  rrënjët tua, por megjithatë  i falënderoj  stërgjyshërit e mi që u shpërngulën   nga Shqipëria malore në Kroacinë e bukur, që të bëjmë jetën tonë shumë të mirë dhe të këndshme”7

Literatura  e shfrytëzuar:

1. nkarbanasi.hr/o-arbanasima.htm

2.Qurkoviq don  Mijo –Zhupnik u Diklu, Povijest  arbanasa  kod  Zadra, Shibenik .1922 faqe 14

4.  http://kud-sveta-kata.hr/download/vb.pdf

3.Ante Brali?-Zemunik-za  Austrijske Uprave, faqe 227

5 Revista drita . e përmuajshme  fetare kulturore e kishës katolike

Janar 2010 nr.1 Prizren  faqe 4.

6  Koha javore, Podgoricë,  763 ,4.05.2017 faqe  27

7 Povijesno naslije?e i nacionalni identiteti,Zavod za školstvo Republike Hrvatske, Zagreb, 2006.faqe 113.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora