Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: 57-Vjetori i pushkatimit të poetit disident tepelenas Trifon Xhagjika

| E enjte, 24.12.2020, 10:41 AM |


Në 57-Vjetorin e pushkatimit të poetit disident tepelenas Trifon Xhagjika

O jetë, linda në shkreti!

Nga Keze Kozeta Zylo

Sot në 55-vjetorin e e pushkatimit të poetit ushtarak disident, tepelenasit Trifon Xhagjika marr penën nga Nju Jorku me cingërrima të akullta bërë nga pandemia botërore dhe ulem të shkruaj.  E pamundur që në fillim si fqinj më të afërt me Peshtanin të mos më vinë imazhet e një natyre panoramike të Peshtanit, familjet e mrekullueshme ku u lind dhe u rrit poeti disident Trifon Xhagjika.  Si një hymn shkrihen zërat e mezhgoranasve dhe të Peshtanit me këngën aq të kënduar nga bilbilenjtë e këtyre dy vendeve me histori dhe një kulturë të lashtë të miqësisë së pandarë me njeri-tjetrin.  Jehona e kësaj kënge për dy fshatrat malore si Mezhgorani që ka Trebeshinën perballë i ka kaluar kufijtë përtej oqeanit nëpër dallgët e shpirtrave tona si emigrantë duke vazhduar ta këndojmë si: “Në Jugun e Shqipërisë/ Se ç’ janë dy malësi/ Trebeshina me Golikun/ Që të dy janë për karshi./ Përmes tyre shkon një lumë/ Lumi Vjosa është ai/ Përmbi Vjosë një fshat i bukur/ Peshtani, shokë Peshtani!

Nuk e di si do ta këndonte Poeti Trifon Xhagjika si biri i Peshtanit këtë këngë domethënëse.  Por e sigurtë se shpirti i tij i trazuar nga rrebeshet dhe tufanet e kohës së diktaturës kishte krijuar portretin e rebelit, të disidentit, të poetit që me penën e tij tronditi dhe vazhdon të trondit shqiptarët këndonjës të së vërtetës…  I sjellë këto dy fshatra kaq afër me njeri tjetrin ngase emrin e tij, vëllain doktor dhe familjen e nderuar kujtoheshin brenda mureve të gurta herë pas here dhimbshëm dhe heshturazi nëpër familjet tona. Kujtohej dhe fjala e Dr.Yllit, vëllait të tij, i cili kur pa që vëllait i hodhën prangat në sallën e gjyqit thirri: “Mbaje kokën lart vëlla”! Fshati ka përqindjen më të lartë ortodokse, por gjithmonë në harmoni me bashkëfshatarët e tyre dhe fshatrat përrreth myslimane.

Trifon Xhagjika ishte pinjoll i derës së madhe të Xhagjikajve.  Xhaxhai i tij Koço Xhagjika ishte mësues i parë i gjuhës shqipe dhe më 1947 u burgos për 15 vjet. Vëllai i tij Dr. Ylli Xhagjika, u burgos dhe u internua për 27 vjet rresht.  Vazhdoi persekucioni dhe me internimin e motrës se tij Santa. Vëllai tjeter Anastasi, inxhinier elektrik, u pushua nga puna.

Ai shërbeu në ushtri pas shkollimit të lartë dhe si sot në një ditë dimri të egër, më 23 dhjetor, 1963 u arrestua bashke me një grup të rinjsh dhe u dënuan me pushkatim.  Poezia “Atdheu lakuriq” është drithëruese: “Nuk mundem,nuk mundem/ E pashë Atdheun lakuriq/ vetëm pa miq e shokë/. Mundohej të këpusë një degë dafinë/ nga lavdia e shekujve./ Atdheun e dija të uritur! Por sa i vogël qenka!/ As një degë nuk e këpuste dot”.

Poeti u vra nga skuadra pushkatare nën terrin e diktaturës, nën drithërima të çdo qenie të gjallë që dëgjonte krismat që derdhnin gjak të kuq njeriu, gjak të pastër arbëror.  Dhe kjo tragjedi të kujton shkrimtarin e madh botëror Shekspirin që shkruajti sa vepra dramatike që u luajtën dhe do të vazhdojnë të luhen në skenë sa të jetë njerëzimi.

Ai u vra me thirrmën e shpirtit duke ju thënë pushkatarëve në fjalën e fundit si: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”  Dhe kjo dëshirë që e çoi në egërsinë e pashoqe sistemin pushkatues të kujton Prometeun që është një martirizim heroik, simboli i përpjekjeve për njerëzimin ku në momente të caktuara ka dhe ndjesi prekëse si: “Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht, as vetë nuk di kur mua më dhemb më shumë”…

Por jo poeti disident tepelenas e di mirë ku ishin plagët e Atdheut, plagët që i kishte si Krishti në trup ndaj dhe gjuan me vargun brilant demaskues, të thiktë mbi zemrat e republikës që e kishin bërë popullin vetëm të vuante, të vuante skajshëm.  Vepra e poetit Xhagjika dhe pse u mbulua nga koha e diktaturës, varri i tij ende nuk është gjetur, përsëri ai do të lexohet dhe lexuesit do të gjejnë frymëzimin brez pas brezi.  Trifon Xhagjika është poeti që si ç thotë korifeu i letrave shqipe Faik Konica për Prometeun se: “Se natyra e njeriut nuk ndërron, por një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vertetat e gjithe kohërave të pastajme.

Plagë të pashëruara ende…

Dhe mjerisht koha e Trifon Xhagjikes vazhdon, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varfëria e pamëshirshme në qindra e mijëra shqiptarë, analfabetizmi i ulur këmbëkryq, prostitucioni i vajzave nën dhunën e tutorëve, prostitucioni politik, korrupsioni dhe gllabërimi i pasurive nga gropat thithëse të shpirtrave të kriminelëve krijojnë një imazh rrënqethës në sytë tanë.

Këto tragjedi duhet të lindnin një Shekspir të kohës, por fatkeqësisht nuk u lind.

Shekspirët e kohës shqiptare janë poetët që dhanë jetën për Liri si Havzi Nela poeti tjetër disident që u var në mes të qytetit të Kukësit nga diktatura.  Ai ëndërronte lirinë duke shkruajtur si:  “Fryma e Helsinkut u derdh porsi era,/Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera/ Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,/Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë/”.

Poezitë e Xhagjikës janë si Pegasi flutures dhe shpërndahen ne çdo zemër njerëzore shqiptare, ato janë dhe si ecja e nje kali të hazdisur për t’i treguar botës mbarë se Shqipëria kishte rënë nën diktaturë, ndaj ai shkruan: “Miq! Dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar? Jam unë”!

Këto poezi janë të mbushura me metafora që kane patosin e luftës për Liri, godasin pa mëshirë obskurantizmin dhe diktaturën.

Poeti martir pranon më mirë të vuajë se sa të jetojë pa Liri, ai sfidon pa frikë sahanlëpirësit e sistemit.  Ai punoi në Ministrinë e Mbrojtjes si redaktor në sektorin e botimeve si dhe më vonë në gazetën “Luftëtari”.  Trifon Xhagjika botoi në shtypin letrar si në gazetën “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj.  Verbëria e mbjellë ndër popull u kishte veshur me dyll bebëzen e syrit dhe e pamundur ta hiqnin cipën e trashë të mjegullës ndër sy ndaj ai me indinjatë të thellë shkruan tek poezia “Kënga e verbër” si: “E shkreta ti, o Republikë/ u blatohesh të zotërve/ pa e ditur ç’janë/ Dritën ta shuajnë në terr/ e ditën ta ndezin/ bukën ta shtrojnë në sofër/ e duart t’i presin/ në burim të çojnë/ e gojën ta mbyllin/.  Ata të kthyen në metelikë!

Pena e tij shkëlqen dhe zbardh si bora në malin e Golikut për të vërtetën gënjeshtare të drejtimit udhëheqës, të tiranisë së pabesë që shtypi dhe shfrytëzoi popullin gjer në asht.  Epitetet që i vë Republikës si e pabesë, e shëmtuar, mashtruese janë një thirrmë e shpirtit të tij të vrarë, janë demaskim i shthurrjes dhe korrupsionit të udhëheqësve që shtypnin pamëshirë disidentët dhe elitën intelektuale të Kombit. Ndaj ai i fton ta lexojnë dhe të shkojnë pas Poetit për të vërteten që gjëmon sa tunden malet e Shëndellisë, Trebeshinës dhe Golikut që jane aty rreth shtëpisë së tij si: “Veç me mua ejani/ t’ju rrëfejë të vërtetën që ndrit./ Të dinë udhëheqësit lart dhe e larta Republikë/ se nuk jemi as të verbër/ as të shurdhër në politikë./ O Republikë e pabesë!/ T’u fala si kristiani Krishtit,/ po ç’më dhe?/ Dhe diellin do të ma zësh…/ Turp, Atdhe!/ Tek ty jam/ i lirë pa Liri”…

Poeti kishte qenë në “Shkollën Normale të Elbasanit”, si dhe më vonë për gazetari, por edukatën e lartë, dashurinë për dijen ishin ngjizur nga familja e tij plot kulturë e mirësi në vendlindjen e tij në Peshtan. Më vonë në moshën 8 vjeçare familja e tij u detyrua të jetonte në Tiranë, për shkak të djegjes së shtepisë së tij nga lufta italo-greke më 1941.

Trifon Xhagjika është autori i poezisë që është bërë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos, qysh në vitet 60-të. Breza të tërë oficerësh e kanë duartrokitur atë për vite me radhë, ndërkohë që vjershëtori i saj nuk jetonte.

Sipas Wikipedias rreth poetit Xhagjika.

Doemos që ke dhimbje dhe të ndizet një revoltë në shpirt që poezitë e poetit disident të pushkatuar nga diktatura janë tejet aktuale dhe sot, plot pas 57 vjetësh të vdekjes së tij, poetit që akoma nuk i dihet varri.    Çfarë trishtimi dhe mallkimi që ende vazhdon midis nesh për jetën ashtu si tek poezia “Apologjia ime” ku midis te tjerash shkruan:

“…Marrëzi, dhe mëkate për jetën e tërbuar/ se kur më ndal, o gjeneratë, që vuan rrugës ndonjë natë, më merr për të dënuar dhe, me një zë që vret, ngahera më pyet: -Ku linde, o i ri?

-O jetë, linda në shkreti! 1962.

Fakt është që populli vazhdon sindromën e Stokholmit, si në historinë në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbanken” në Stokholm të Suedisë.  Ajo përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur.

Edhe pse viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të kusarëve.

Prandaj kur populli të çlirohet nga adhurimi për udhëheqësit duke u thurrur këngë e poezi dhe nga dashuria e verbër me sy të dyllta, atëhere do të themi me plot gojën: Se nuk linda në shkretinë e shpirtrave që adhurojnë politikanët mashtrues dhe grabitqarë.  Kjo syndromë të sjellë aq prane vargjet e Brehtit tek “Marshi i viçave” përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc ku shkruhet:  “Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin”.

E kujtojmë sot dhe përgjithmonë poetin disident Trifon Xhagjika me plot nderim dhe respekt në 57-të vjetorin e vdekjes së tij shkaktuar nga skuadra pushkatare me urdhër të udhëqësve të diktaturës komuniste.  E nderojmë për veprën që la pas, poetin disident pa varr që pohoi fuqishëm në poezitë e tij se lindi në vendin që drejtohej nga shpirtrat eshkë të tharë duke lenë një popull në mjerim dhe varferi të tejskajshme ashu siç thote poeti disident se:

“O jetë, linda në shkreti”!

23 dhjetor, 2020

New York