| E merkure, 23.12.2020, 11:50 AM |
Shqipëria dhe Turqit
Nga
Faik Konica
Përktheu dhe botoi në shqip për herë të
parë Fotaq Andrea
Artikull i botuar në organin parisian
“La libre Parole”, 25 dhjetor 1895.
Ngjarjet e Armenisë, nxitur nga
intrigat angleze, e kanë shmangur disi vëmendjen nga çështja shqiptare, po aq
interesante për Francën, duke qenë se Shqipëria është vendi ku luhen intrigat
italiane.
Kemi marrë letrën e mëposhtme, autori i
së cilës dëshiron të mbetet i panjohur, por që është Shqiptar dhe mban një emër
të njohur në histori.
Po riprodhojmë këtu paragrafët
thelbësorë, duke shprehur keqardhjen që mungesa e vendit nuk na lejon ta japim
letrën të plotë. (Hyrje redaksionale, ashtu
sikurse edhe nëntitujt).
Politika e Sulltanit. Agjentët
provokatorë.
Zgjimi i ndjenjës kombëtare që prej
disa vitesh tek popujt e Perandorisë osmane, në Armeni, Kretë, Maqedoni,
Shqipëri, nuk ka si të mos shqetësojë hordhitë mongolike që shtypin këta popuj.
Por këto hordhi e hedhin vështrimin e tyre gjithë ankth në radhë të parë në
drejtim të dy popujve të fundit. Qëkurse ne kemi ngritur kryet dhe po mjekojmë
plagë pesë herë shekullore, qëkurse disa prej vëllezërve tanë kanë dhënë shenjë
jete, Turqve iu futën të dridhurat, ndjenë se po afron ora kur ne – për të
huazuar një shprehje origjinalisht të fortë – “do t’u fusim zjarrin në bythë”
dhe do t’i bëjmë t’i turren ngushticës për t’u kthyer nga kanë ardhë.
Sulltani ka gjithnjë në dispozicion të
tij disa qindra agjentë provokatorë, të gatshëm për gjithçka, qoftë edhe për të
dhënë jetën. Dërgoi kështu një numër prej tyre në Armeni e u dha urdhër nga ana
tjetër guvernatorëve t’u venin në ndihmë me tërë mjetet. Shumë shpejt filluan
hekatombet e Armenëve. Ndërkohë, masakronte edhe disa Turq, me qëllim që t’ua
hidhte fajin Armenëve. Dhe ndërkohë që njoftime të shkurtra, të thata e të
rralla të Agjencisë Havas flisnin përciptazi për çkakish ndodhur në Maqedoni, një dorë e padukshme u krijonte çështjeve të
Armenisë jehonën më të madhe. Vëmendja e mbarë Evropës natyrisht u kthye nga ajo
anë, dhe komiteti maqedonas, duke parë që fuqitë nuk interesoheshin hëpërhë për
Maqedoninë e qetësoi stuhinë revolucionare.
Bëhej fjalë për gjetjen e mjetit për të
shtypur në mënyrë të përgjakshme dhe të efektshme revoltën më të vogël, pa
pasur Evropa të drejtën për të ndërhyrë, dhe pa mundur vetë populli të ankohet. Me një fjalë, kërkohej të fshiheshin
prapa ligjshmërisë të gjitha barbaritë dhe të
gjitha mizoritë turaniane. Çështja ishte e vështirë, por u gjet një përfundim:
u mendua se regjimi parlamentar i jepte përgjigje si jo më mirë. Kjo zgjidhje
do duket e çuditshme për ata që nuk kanë studiuar nga afër strukturën e
Perandorisë osmane; por mjaft të ndiqem në arsyetimin tim dhe do krijohet
bindja se krijimi i një parlamenti nuk ka qëllim tjetër dhe nuk do të ketë
efekt tjetër veçse të ushtrojë një tirani më të madhe mbi popujt jo turq të
Turqisë, për t’i dërrmuar përfundimisht.
Parlamenti turk : një mashtrim
Një nga kushtet për të vënë
kandidaturën për deputet do të ishte sigurisht njohja e turqishtes si gjuhë e
Parlamentit. Mirëpo, llogaritet jo më shumë se pesëmbëdhjetë
mijë vetë numri i përgjithshëm i Kretasve, Maqedonasve dhe Shqiptarëve
që flasin gjuhën turke. Dhe ata që e flasin, natyrisht që janë përfshirë në
partinë turaniane. Për rrjedhojë – me përjashtim të Armenëve që e kuptojnë
shumë mirë gjuhën osmane – gjithë popujt, duke përfshirë edhe Arabët do
detyrohen ta shohin veten të përfaqësuar nga “turqizuesit”, të cilët përherë do
votojnë për qeverinë.
- Po sikur, në çdo vend patriotë të
mirë të jenë arsimuar në gjuhën turke?
- Dale, prisni pak; Turqit janë më
hileqarë nga sa duken. Kanë parashikuar mundësinë e një rreziku të tillë;
prandaj kanë vendosur që deputetët të mos zgjidhen me votim të përgjithshëm.
Ata do “emërohen nga administratat e ngritura në Perandori”. (Po përmend një nga krerët e kësaj partie, Shkëlq. e T. Murad-bej).
Por për të qetësuar Grekët, thuhet se këshillat e patriarkatit do të përfshihen
brenda administratave të ngritura e rrjedhimisht, do të marrin pjesë në votim.
Nisur nga kjo, duhet nënvizuar se: 1°
as që kanë për t’u përfillur ndonjëherë këshillat e patriarkatit, edhe sikur të
duan të bëjnë opozitë, meqenëqë zërat e tyre do jenë vazhdimisht në minoritet;
2° katolikët, duke mos pasur këshilla patriarkati, nuk do jenë të përfaqësuar;
3° deputetët e popullsisëmuhamedane vetëm për nga emri, si
për shembull popullsia shqiptare – e cila, sikur të ishte e lirë, do ta hidhte
në gjiriz çallmën e Muhametit – do të emërohen nga administratat me përbërje
muhamedane, duke u përzgjedhur mes radhëve të pakicës së papërfillshme të
fanatikëve, e rrjedhimisht, nuk do të përfaqësojnë ndjenjat e vërteta të
bashkëpatriotëve të tyre.
Dhe me t’u krijuar ky parlament
bukurosh, Turqve nuk u mbetet veç të fërkojnë duart. Do votojnë ligjet që u
përshtaten dhe jo ato që u nevojiten kombeve të ndryshme. Ca nga ca, krejt
liritë komunale që ende ekzistojnë do zhduken; dhe për rebelimin më të vogël,
qeveria do dënojë me vdekje qindra të pafajshëm. Atëherë, nëse populli
proteston, do t’i thonë: Ne zbatojmë ligjet e votuara nga përfaqësuesit tuaj;
dhe nëse Evropa ndërhyn, do t’i përgjigjen nëpërmjet zërit të deputetëve: “S’ka
ç’ju duhet, jemi të autorizuar prej atyre që përfaqësojmë t’ju vëmë në dijeni se ndërhyrja juaj është e tepërt!”..... (në
origjinal rresht me pika, si edhe në vijim).
Toleranca (!) e Turqve
Murat-bej mburr “butësinë”,
“tolerancën” e Turqve. Por unë do kënaqesha për t’iu përgjigjur duke i
përmendur një fakt: pavarësisht nga një artikull i Tanzimatit për të lejuar lirinë fetare,
por që Turqit nuk e pranojnë, çdo Muhamedan, që kthehet në të krishter dënohet
me vdekje. Po e nënvizoj dy herë me qëllim që kjo veçori, e panjohur nga shumica
e Francezëve, të shërbejë për të rifreskuar më së miri përshpirtshmërinë shumë
të zjarrtë të atyre që kremtojnë çdo ditë – priftërinj të një lloji tjetër –
meshën për nder të Tolerancës mongolike. Nuk po e zgjas në këtë drejtim, por do
shkruaj për një revistë një artikull me titullin: “Toleranca në Turqi”, ku këta
priftërinj me të vërtetë të veçantë do gjejnë në të hollësi nga më të
larmishmet për të kënaqur devotshmërinë e tyre. Theksoj vetëm se do duhej
njëfarë guximi nëse do zihej në gojë “butësia” e Turqve në një vend që nuk e ka
fshirë ende kujtimin e butësive të përgjakshme të Sirisë, ku shumë nga bijtë e
saj u therën me një poshtërsi pa emër.......
Lidhja shqiptare
Një hokatar, emri i të cilit nuk më
kujtohet, pohonte para disa vitesh në një libër që pati njëfarë jehone se
“Lidhja shqiptare” nuk ekzistonte, – sikur ne të qenkëshim të detyruar t’i
hapeshim këtij në mirëbesim për t’ia shtuar vlerën librit të vet! Tipi i tij
është shndërruar në legjendar në Orient, si njeri i shkathët që s’e ka për gjë
të ikë nga Evropa për pesëmbëdhjetë ditë, të shkojë të vizitojë Shën Sofinë dhe
të intervistojë një gjysmë duzinë “kaikexhinjsh” e shitësish “salepi” dhe që, me t’u kthyer në vendin e tij, ia jep
britmës majë tërë çative për kompetencën e vet në njohjen e zakoneve,
letërsisë, karakterit, prirjeve dhe gjendjes së mbarë popujve që përbëjnë
perandorinë osmane dhe, kështu, revistat, “të mirinformuara”, ia paguajnë
artikujt me çmim të shtrenjtë.
As që e shkoj ndër mend të tërheqë me
anë të kësaj letre ndonjë sukses të bujshëm, për t’u nxitur sadopak drejt të
dhënash të dëmshme për interesat e vendit tim. Veçse do desha të pohoj me forcë
se ka tashmë në Shqipëri një Lidhje, që është e shquar, dhe që është e
organizuar në mënyrë të admirueshme. Ajo ka për moto përkthimin në shqip të
këtyre dy vargjeve të Lamartinit:
Nëse shpata ju qëllon t’ju dridhet në
dorë,
Të djeshmen kujtoni, të nesërmen
ëndërroni!
Është e përbërë nga patriotë të zjarrtë
e të çiltër dhe për të parashikuar çdo tradhti, asnjë Shqiptar funksionar i
qeverisë nuk pranohet në të. Numëron shtatëdhjetë e dy mijë anëtarë, nga të
cilët pesëdhjetë mijë janë në gjendje të mbajnë armët. Hierarkia është vendosur
në mënyrë kishtare të themi, dhe
organizimi është i tillë saqë hipopotamët e Anadollit nuk do arrijnë kurrë të
zbulojnë fijen më të vogël.
Shtoni këtu që Maqedonasit kanë edhe
ata Lidhjen e tyre, dhe ç’është e vërteta, më pak në numër dhe më pak e
fshehtë, dhe rrjedhimisht më e ekspozuar, por prapë, e fortë dhe plot zell.
Sikur të mos ishim treguar më të kujdesshëm nga Armenët, do kishim ngritur krye
që tani. Do t’i kishim hequr kollaj qafe një grusht Mongolësh që janë tek ne.
Nuk do kishim madje as nevojën për të bezdisë kordhat tona. Do t’ua kishim
shkulur veshët dhe do t’ua kishim përdredhë qafën thjesht duke vënë në përdorim
muskujt tanë. Por ne e dimë që Mongolët janë kokëshkretë dhe se të mbijetuarit
e tyre do vinin pareshtur për të mos na lënë të qetë. Synimi ynë është pra t’i
bëjmë të përshkojnë edhe një herë ngushticën, për t’u kthyer nga kanë ardhur.
Prandaj presim për të shtuar radhët
tona. Atëherë, një shkrirje është e mundshme me Maqedonasit me pikësynimin e
një veprimi të përbashkët; dhe kur njëqind e pesëdhjetë mijë Sllavë, të cilëve
ndoshta do t’u shtohen disa mijëra Grekë, do vihen në lëvizje, sulltanit s’i
mbetet veç të marrë gratë e thesaret që ka dhe, pasuar nga hordhitë e veta t’ia
mbathë nga sytë këmbët në Azi të Vogël. Me një numër kaq të madh njerëzish aq
të guximshëm Stamboll-i- keqmbrojturi do bëhet hi dhe mbi çallmat e shqyera dhe
rrënojat e xhamive do ngulet krenarisht flamuri i adhuruar i lirisë.
Tepeleni.