Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faik Konica: Shqipëria dhe Turqit

| E merkure, 23.12.2020, 11:50 AM |


Shqipëria dhe Turqit

Nga Faik Konica

Përktheu dhe botoi në shqip për herë të parë Fotaq Andrea

Artikull i botuar në organin parisian “La libre Parole”, 25 dhjetor 1895.

Ngjarjet e Armenisë, nxitur nga intrigat angleze, e kanë shmangur disi vëmendjen nga çështja shqiptare, po aq interesante për Francën, duke qenë se Shqipëria është vendi ku luhen intrigat italiane.

Kemi marrë letrën e mëposhtme, autori i së cilës dëshiron të mbetet i panjohur, por që është Shqiptar dhe mban një emër të njohur në histori.

Po riprodhojmë këtu paragrafët thelbësorë, duke shprehur keqardhjen që mungesa e vendit nuk na lejon ta japim letrën të plotë. (Hyrje redaksionale, ashtu sikurse edhe nëntitujt).

Politika e Sulltanit. Agjentët provokatorë.

Zgjimi i ndjenjës kombëtare që prej disa vitesh tek popujt e Perandorisë osmane, në Armeni, Kretë, Maqedoni, Shqipëri, nuk ka si të mos shqetësojë hordhitë mongolike që shtypin këta popuj. Por këto hordhi e hedhin vështrimin e tyre gjithë ankth në radhë të parë në drejtim të dy popujve të fundit. Qëkurse ne kemi ngritur kryet dhe po mjekojmë plagë pesë herë shekullore, qëkurse disa prej vëllezërve tanë kanë dhënë shenjë jete, Turqve iu futën të dridhurat, ndjenë se po afron ora kur ne – për të huazuar një shprehje origjinalisht të fortë – “do t’u fusim zjarrin në bythë” dhe do t’i bëjmë t’i turren ngushticës për t’u kthyer nga kanë ardhë.

Sulltani ka gjithnjë në dispozicion të tij disa qindra agjentë provokatorë, të gatshëm për gjithçka, qoftë edhe për të dhënë jetën. Dërgoi kështu një numër prej tyre në Armeni e u dha urdhër nga ana tjetër guvernatorëve t’u venin në ndihmë me tërë mjetet. Shumë shpejt filluan hekatombet e Armenëve. Ndërkohë, masakronte edhe disa Turq, me qëllim që t’ua hidhte fajin Armenëve. Dhe ndërkohë që njoftime të shkurtra, të thata e të rralla të Agjencisë Havas flisnin përciptazi për çkakish ndodhur në Maqedoni, një dorë e padukshme u krijonte çështjeve të Armenisë jehonën më të madhe. Vëmendja e mbarë Evropës natyrisht u kthye nga ajo anë, dhe komiteti maqedonas, duke parë që fuqitë nuk interesoheshin hëpërhë për Maqedoninë e qetësoi stuhinë revolucionare.

Bëhej fjalë për gjetjen e mjetit për të shtypur në mënyrë të përgjakshme dhe të efektshme revoltën më të vogël, pa pasur Evropa të drejtën për të ndërhyrë, dhe pa mundur vetë populli të ankohet. Me një fjalë, kërkohej të fshiheshin prapa ligjshmërisë të gjitha barbaritë dhe të gjitha mizoritë turaniane. Çështja ishte e vështirë, por u gjet një përfundim: u mendua se regjimi parlamentar i jepte përgjigje si jo më mirë. Kjo zgjidhje do duket e çuditshme për ata që nuk kanë studiuar nga afër strukturën e Perandorisë osmane; por mjaft të ndiqem në arsyetimin tim dhe do krijohet bindja se krijimi i një parlamenti nuk ka qëllim tjetër dhe nuk do të ketë efekt tjetër veçse të ushtrojë një tirani më të madhe mbi popujt jo turq të Turqisë, për t’i dërrmuar përfundimisht.

Parlamenti turk : një mashtrim

Një nga kushtet për të vënë kandidaturën për deputet do të ishte sigurisht njohja e turqishtes si gjuhë e Parlamentit. Mirëpo, llogaritet jo më shumë se pesëmbëdhjetë mijë vetë numri i përgjithshëm i Kretasve, Maqedonasve dhe Shqiptarëve që flasin gjuhën turke. Dhe ata që e flasin, natyrisht që janë përfshirë në partinë turaniane. Për rrjedhojë – me përjashtim të Armenëve që e kuptojnë shumë mirë gjuhën osmane – gjithë popujt, duke përfshirë edhe Arabët do detyrohen ta shohin veten të përfaqësuar nga “turqizuesit”, të cilët përherë do votojnë për qeverinë.

- Po sikur, në çdo vend patriotë të mirë të jenë arsimuar në gjuhën turke?

- Dale, prisni pak; Turqit janë më hileqarë nga sa duken. Kanë parashikuar mundësinë e një rreziku të tillë; prandaj kanë vendosur që deputetët të mos zgjidhen me votim të përgjithshëm. Ata do “emërohen nga administratat e ngritura në Perandori”. (Po përmend një nga krerët e kësaj partie, Shkëlq. e T. Murad-bej). Por për të qetësuar Grekët, thuhet se këshillat e patriarkatit do të përfshihen brenda administratave të ngritura e rrjedhimisht, do të marrin pjesë në votim.

Nisur nga kjo, duhet nënvizuar se: 1° as që kanë për t’u përfillur ndonjëherë këshillat e patriarkatit, edhe sikur të duan të bëjnë opozitë, meqenëqë zërat e tyre do jenë vazhdimisht në minoritet; 2° katolikët, duke mos pasur këshilla patriarkati, nuk do jenë të përfaqësuar; 3° deputetët e popullsisëmuhamedane vetëm për nga emri, si për shembull popullsia shqiptare – e cila, sikur të ishte e lirë, do ta hidhte në gjiriz çallmën e Muhametit – do të emërohen nga administratat me përbërje muhamedane, duke u përzgjedhur mes radhëve të pakicës së papërfillshme të fanatikëve, e rrjedhimisht, nuk do të përfaqësojnë ndjenjat e vërteta të bashkëpatriotëve të tyre.

Dhe me t’u krijuar ky parlament bukurosh, Turqve nuk u mbetet veç të fërkojnë duart. Do votojnë ligjet që u përshtaten dhe jo ato që u nevojiten kombeve të ndryshme. Ca nga ca, krejt liritë komunale që ende ekzistojnë do zhduken; dhe për rebelimin më të vogël, qeveria do dënojë me vdekje qindra të pafajshëm. Atëherë, nëse populli proteston, do t’i thonë: Ne zbatojmë ligjet e votuara nga përfaqësuesit tuaj; dhe nëse Evropa ndërhyn, do t’i përgjigjen nëpërmjet zërit të deputetëve: “S’ka ç’ju duhet, jemi të autorizuar prej atyre që përfaqësojmë t’ju vëmë në dijeni se ndërhyrja juaj është e tepërt!”..... (në origjinal rresht me pika, si edhe në vijim).

Toleranca (!) e Turqve

Murat-bej mburr “butësinë”, “tolerancën” e Turqve. Por unë do kënaqesha për t’iu përgjigjur duke i përmendur një fakt: pavarësisht nga një artikull i Tanzimatit për të lejuar lirinë fetare, por që Turqit nuk e pranojnë, çdo Muhamedan, që kthehet në të krishter dënohet me vdekje. Po e nënvizoj dy herë me qëllim që kjo veçori, e panjohur nga shumica e Francezëve, të shërbejë për të rifreskuar më së miri përshpirtshmërinë shumë të zjarrtë të atyre që kremtojnë çdo ditë – priftërinj të një lloji tjetër – meshën për nder të Tolerancës mongolike. Nuk po e zgjas në këtë drejtim, por do shkruaj për një revistë një artikull me titullin: “Toleranca në Turqi”, ku këta priftërinj me të vërtetë të veçantë do gjejnë në të hollësi nga më të larmishmet për të kënaqur devotshmërinë e tyre. Theksoj vetëm se do duhej njëfarë guximi nëse do zihej në gojë “butësia” e Turqve në një vend që nuk e ka fshirë ende kujtimin e butësive të përgjakshme të Sirisë, ku shumë nga bijtë e saj u therën me një poshtërsi pa emër.......

Lidhja shqiptare

Një hokatar, emri i të cilit nuk më kujtohet, pohonte para disa vitesh në një libër që pati njëfarë jehone se “Lidhja shqiptare” nuk ekzistonte, – sikur ne të qenkëshim të detyruar t’i hapeshim këtij në mirëbesim për t’ia shtuar vlerën librit të vet! Tipi i tij është shndërruar në legjendar në Orient, si njeri i shkathët që s’e ka për gjë të ikë nga Evropa për pesëmbëdhjetë ditë, të shkojë të vizitojë Shën Sofinë dhe të intervistojë një gjysmë duzinë “kaikexhinjsh” e shitësish “salepi” dhe që, me t’u kthyer në vendin e tij, ia jep britmës majë tërë çative për kompetencën e vet në njohjen e zakoneve, letërsisë, karakterit, prirjeve dhe gjendjes së mbarë popujve që përbëjnë perandorinë osmane dhe, kështu, revistat, “të mirinformuara”, ia paguajnë artikujt me çmim të shtrenjtë.

As që e shkoj ndër mend të tërheqë me anë të kësaj letre ndonjë sukses të bujshëm, për t’u nxitur sadopak drejt të dhënash të dëmshme për interesat e vendit tim. Veçse do desha të pohoj me forcë se ka tashmë në Shqipëri një Lidhje, që është e shquar, dhe që është e organizuar në mënyrë të admirueshme. Ajo ka për moto përkthimin në shqip të këtyre dy vargjeve të Lamartinit:

Nëse shpata ju qëllon t’ju dridhet në dorë,

Të djeshmen kujtoni, të nesërmen ëndërroni!

Është e përbërë nga patriotë të zjarrtë e të çiltër dhe për të parashikuar çdo tradhti, asnjë Shqiptar funksionar i qeverisë nuk pranohet në të. Numëron shtatëdhjetë e dy mijë anëtarë, nga të cilët pesëdhjetë mijë janë në gjendje të mbajnë armët. Hierarkia është vendosur në mënyrë kishtare të themi, dhe organizimi është i tillë saqë hipopotamët e Anadollit nuk do arrijnë kurrë të zbulojnë fijen më të vogël.

Shtoni këtu që Maqedonasit kanë edhe ata Lidhjen e tyre, dhe ç’është e vërteta, më pak në numër dhe më pak e fshehtë, dhe rrjedhimisht më e ekspozuar, por prapë, e fortë dhe plot zell. Sikur të mos ishim treguar më të kujdesshëm nga Armenët, do kishim ngritur krye që tani. Do t’i kishim hequr kollaj qafe një grusht Mongolësh që janë tek ne. Nuk do kishim madje as nevojën për të bezdisë kordhat tona. Do t’ua kishim shkulur veshët dhe do t’ua kishim përdredhë qafën thjesht duke vënë në përdorim muskujt tanë. Por ne e dimë që Mongolët janë kokëshkretë dhe se të mbijetuarit e tyre do vinin pareshtur për të mos na lënë të qetë. Synimi ynë është pra t’i bëjmë të përshkojnë edhe një herë ngushticën, për t’u kthyer nga kanë ardhur.

Prandaj presim për të shtuar radhët tona. Atëherë, një shkrirje është e mundshme me Maqedonasit me pikësynimin e një veprimi të përbashkët; dhe kur njëqind e pesëdhjetë mijë Sllavë, të cilëve ndoshta do t’u shtohen disa mijëra Grekë, do vihen në lëvizje, sulltanit s’i mbetet veç të marrë gratë e thesaret që ka dhe, pasuar nga hordhitë e veta t’ia mbathë nga sytë këmbët në Azi të Vogël. Me një numër kaq të madh njerëzish aq të guximshëm Stamboll-i- keqmbrojturi do bëhet hi dhe mbi çallmat e shqyera dhe rrënojat e xhamive do ngulet krenarisht flamuri i adhuruar i lirisë.

Tepeleni.