| E merkure, 23.12.2020, 12:41 PM |
Jusuf
Buxhovi paraqet programin e partisë si dhe dokumentet tjera të aprovuara në
Kuvend
TË VAZHDOHET MISIONI
HISTORIK...
31
vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës
Nga
Jusuf Buxhovi*
Me
moton për liri, barazi dhe demokraci dhe në saje të përfshirjes të gjitha
shtresave shoqërore dhe politike në të, Lidhja Demokratike e Kosovës, e
themeluar më 23 dhjetor 1989 nga brezi i intelektualëve që mori përgjegjësinë
për fatet e vendit në rrethanat vendimtare, kur Kosovës iu mor autonomia me
dhunë nga Beogradi dhe federata kishte filluar shpërbërjen, shpejt u kthye në
lëvizje kombëtare, që vuri në binarë dy procese historike: rrënimin e
strukturës së lidhjes komuniste e me të edhe të ideologjisë së saj, si dhe
shkëputjen nga pushtimi serb, zhvillime këto që ia hapen rrugën shtetndërtimit
të Kosovës.
Lidhja
Demokratike e Kosovës në ato rrethana arriti të bëjë një kthesë edhe të
mendësisë politike të deriatëhershme, e cila shquhej për orientimin totalitar,
duke e kthyer nga vlerat demokratike dhe konceptet euro-atlantike. Orientimi i
ri politik, i përqafuar nga të gjitha shtresat e popullatës, bëri që çështja e
pazgjidhur e Kosovës të vështrohet nga një prizëm tjetër nga shtetet e
perëndimit, duke kaluar në një stad të ri ndërkombëtarizmit si dhe kthimi
përnjëhershëm të vëmendjes ndaj një popullatë e cila më herët shihej si
politikisht e dezintegruar dhe e manipuluar. Kthimi i vëmendjes nga Kosova bëri
që njëkohësisht faktori ndërkombëtar të marrë edhe obligime rreth gjetjes së
një modusi të zgjidhjes së këtij problem të ndjeshëm jo vetëm ballkanik, pore
dhe më gjerë.
Në
këtë rrugëtim historik, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy pamje. Atë të
rezistencës institucionale, me shtetin paralel, që mori përsipër proceset e
shtetndërtimit, së cilës, me shpalljen e Deklaratës për Pavarësitë 2 korrikut
1990, Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtator 1990, dhe Referendumit për Pavarësitë
26 shtatorit1991 e deri te zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të
24 prillit 1992, iu krijua infrastruktura e legjitimiteti demokratik.
Kjo
pamje, që filloi më 23 dhjetor 1989 dhe zgjati deri më 12 qershor 1999, është
historike.
Pamja
e dytë, është e partisë politike, në përputhje me rrethanat e reja që solli
protektorati ndërkombëtar nga 12 qershori i vitit 1999 deri te koha jonë.
Pamja
si parti politike në kuadër të jetës parlamentare të vendit, po ashtu, ka dy
faza të tjera: atë të suksesit – nga viti 2000 deri në 2007, me ç’rast, LDK-ja,
doli fituese në zgjedhjet e para lokale në vitin 2000, ato vendore në vitin
2001 dhe 2004. Dhe, nga viti 2007 e deri te koha e fundit, ka fazën e rënies
dhe të humbjes së rëndësisë së saj si parti kyçe në jetën parlamentare të
vendit.
Në
këtë ndërkohë LDK humbi radhazi të gjitha zgjedhjet deri te këto të fundit.
Tatëpjeta e LDK-së sa ka të bëjë me vdekjen e parakohshme të presidentit
historik dr. Ibrahim Rugova si dhe boshllëkun drejtues që la, ka të bëjë po aq
edhe me luftën e brendshme për pushtet të grupeve të ndryshme, që partinë e çuan
deri te përçarja si dhe margjinalizimi i saj në jetën politike dhe shoqërore të
vendit.
LDK
duhet ta kuptojë se është parti misionare, gjenerator i ideve dhe koncepteve
demokratike, por edhe zbatuese e këtyre koncepteve në jetën institucionale
shtetërore, për të cilat pati dhe ka ende përkrahjen e gjerë ndërkombëtare. Që
të vazhdojë këtë mision ajo duhet të reformohet thellësisht, t’u kthehet
vlerave burimore duke bërë ripërtëritje të vazhdueshme si me kuadër ashtu edhe
me ide të reja, duke pranuar mendimin ndryshe, pa përjashtuar këtu edhe
fraksionet e brendshme, të cilat, po qe se dalin me koncepte dhe programe të
reja, pse jo, t’u mundësohet edhe garimi
për timonin e partisë. Demokratizimi i brendshëm do ta lironte partinë nga
hipoteka e kapjes nga grupe të caktuara ose feude rajonale, që pengojnë
ndryshimin në përputhje me kërkesat e kohës.
Pra,
sot kur vendi po përballohet me sfidat e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, ku edhe
sloganet e “ndryshimeve” mund të riciklojnë krizën po qe se një klan politik
zëvendësohet me një tjetër, LDK- ja ka nevojë për një reformim të thelle bazik
në të gjitha strukturat e saj në mënyrë që skenës politike t’i kthehet
kredibiliteti i humbur edhe me fajin e saj. Ndryshe do të mbetet një parti që
as e ushtron misionin për të cilin është themeluar, e as lejon hapësirë për një
forcë të re të këtij orientimi. Ndaj, nëse nuk ndryshon qasja e tanishme në
përputhje me ndryshimet që i duhen kauzës së ardhmërisë për t’u kthyer në
promotor të një ndryshimi rrënjësor, LDK do t’i takojë historisë vetëm për
periudhën e aktivitetit të saj gjatë kohës së paraluftës, kur ishte faktori
dominues politik dhe e vetmja lidhje me qendrat e vendosjes.
*Autori ishte Koordinator i Grupit Nismëtar për themelimin e
LDK-së, hartues i dokumenteve të partisë dhe Sekretar i Përgjithshëm nga 23
dhjetori 1989 deri më 5 maj 1991 si dhe anëtar i Këshillit Qendror deri në
vitin 1993.
Dr. Ibrahim Rugova përshëndet Kuvendin pas zgjedhjes për kryetar të LDK-së