E shtune, 17.04.2021, 10:28 PM (GMT+1)

Speciale

Jusuf Buxhovi: Të vazhdohet misioni historik

E merkure, 23.12.2020, 12:41 PM


Jusuf Buxhovi paraqet programin e partisë si dhe dokumentet tjera të aprovuara në Kuvend

TË VAZHDOHET MISIONI HISTORIK...

31 vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Nga Jusuf Buxhovi*

Me moton për liri, barazi dhe demokraci dhe në saje të përfshirjes të gjitha shtresave shoqërore dhe politike në të, Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar më 23 dhjetor 1989 nga brezi i intelektualëve që mori përgjegjësinë për fatet e vendit në rrethanat vendimtare, kur Kosovës iu mor autonomia me dhunë nga Beogradi dhe federata kishte filluar shpërbërjen, shpejt u kthye në lëvizje kombëtare, që vuri në binarë dy procese historike: rrënimin e strukturës së lidhjes komuniste e me të edhe të ideologjisë së saj, si dhe shkëputjen nga pushtimi serb, zhvillime këto që ia hapen rrugën shtetndërtimit të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës në ato rrethana arriti të bëjë një kthesë edhe të mendësisë politike të deriatëhershme, e cila shquhej për orientimin totalitar, duke e kthyer nga vlerat demokratike dhe konceptet euro-atlantike. Orientimi i ri politik, i përqafuar nga të gjitha shtresat e popullatës, bëri që çështja e pazgjidhur e Kosovës të vështrohet nga një prizëm tjetër nga shtetet e perëndimit, duke kaluar në një stad të ri ndërkombëtarizmit si dhe kthimi përnjëhershëm të vëmendjes ndaj një popullatë e cila më herët shihej si politikisht e dezintegruar dhe e manipuluar. Kthimi i vëmendjes nga Kosova bëri që njëkohësisht faktori ndërkombëtar të marrë edhe obligime rreth gjetjes së një modusi të zgjidhjes së këtij problem të ndjeshëm jo vetëm ballkanik, pore dhe më gjerë.

Në këtë rrugëtim historik, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy pamje. Atë të rezistencës institucionale, me shtetin paralel, që mori përsipër proceset e shtetndërtimit, së cilës, me shpalljen e Deklaratës për Pavarësitë 2 korrikut 1990, Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtator 1990, dhe Referendumit për Pavarësitë 26 shtatorit1991 e deri te zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të 24 prillit 1992, iu krijua infrastruktura e legjitimiteti demokratik.

Kjo pamje, që filloi më 23 dhjetor 1989 dhe zgjati deri më 12 qershor 1999, është historike.

Pamja e dytë, është e partisë politike, në përputhje me rrethanat e reja që solli protektorati ndërkombëtar nga 12 qershori i vitit 1999 deri te koha jonë.

Pamja si parti politike në kuadër të jetës parlamentare të vendit, po ashtu, ka dy faza të tjera: atë të suksesit – nga viti 2000 deri në 2007, me ç’rast, LDK-ja, doli fituese në zgjedhjet e para lokale në vitin 2000, ato vendore në vitin 2001 dhe 2004. Dhe, nga viti 2007 e deri te koha e fundit, ka fazën e rënies dhe të humbjes së rëndësisë së saj si parti kyçe në jetën parlamentare të vendit.

Në këtë ndërkohë LDK humbi radhazi të gjitha zgjedhjet deri te këto të fundit. Tatëpjeta e LDK-së sa ka të bëjë me vdekjen e parakohshme të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova si dhe boshllëkun drejtues që la, ka të bëjë po aq edhe me luftën e brendshme për pushtet të grupeve të ndryshme, që partinë e çuan deri te përçarja si dhe margjinalizimi i saj në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

LDK duhet ta kuptojë se është parti misionare, gjenerator i ideve dhe koncepteve demokratike, por edhe zbatuese e këtyre koncepteve në jetën institucionale shtetërore, për të cilat pati dhe ka ende përkrahjen e gjerë ndërkombëtare. Që të vazhdojë këtë mision ajo duhet të reformohet thellësisht, t’u kthehet vlerave burimore duke bërë ripërtëritje të vazhdueshme si me kuadër ashtu edhe me ide të reja, duke pranuar mendimin ndryshe, pa përjashtuar këtu edhe fraksionet e brendshme, të cilat, po qe se dalin me koncepte dhe programe të reja,  pse jo, t’u mundësohet edhe garimi për timonin e partisë. Demokratizimi i brendshëm do ta lironte partinë nga hipoteka e kapjes nga grupe të caktuara ose feude rajonale, që pengojnë ndryshimin në përputhje me kërkesat e kohës.

Pra, sot kur vendi po përballohet me sfidat e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, ku edhe sloganet e “ndryshimeve” mund të riciklojnë krizën po qe se një klan politik zëvendësohet me një tjetër, LDK- ja ka nevojë për një reformim të thelle bazik në të gjitha strukturat e saj në mënyrë që skenës politike t’i kthehet kredibiliteti i humbur edhe me fajin e saj. Ndryshe do të mbetet një parti që as e ushtron misionin për të cilin është themeluar, e as lejon hapësirë për një forcë të re të këtij orientimi. Ndaj, nëse nuk ndryshon qasja e tanishme në përputhje me ndryshimet që i duhen kauzës së ardhmërisë për t’u kthyer në promotor të një ndryshimi rrënjësor, LDK do t’i takojë historisë vetëm për periudhën e aktivitetit të saj gjatë kohës së paraluftës, kur ishte faktori dominues politik dhe e vetmja lidhje me qendrat e vendosjes.

*Autori ishte Koordinator i Grupit Nismëtar për themelimin e LDK-së, hartues i dokumenteve të partisë dhe Sekretar i Përgjithshëm nga 23 dhjetori 1989 deri më 5 maj 1991 si dhe anëtar i Këshillit Qendror deri në vitin 1993.

Dr. Ibrahim Rugova përshëndet Kuvendin pas zgjedhjes për kryetar të LDK-së



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora