Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Tryeza e Hajdarit

| E marte, 22.12.2020, 03:16 PM |


TRYEZA E HAJDARIT

(Ese, ose një triptik nga dita e sotme)

Nga Prend BUZHALA

Tashmë në Lena graphic (Prishtinë) është krijuar një hapësirë dinamike e përbashkësisë së njerëzve që e bëjnë kulturën pa zhurmë e pa bujë. Pa klane, gardhiqe apo kufij, pa parcelat politike apo partiake, krahinore apo pa përkatësi të parcelave tjera. Por aty ku komunikimi rrjedh lirshëm, spontan, puna gjallëron në ato hapësira nga punëtorët që shtypin, lidhin apo dizajnojnë libra. Kurse Tryeza e Hajdarit shpesh këmben dialogët pa ndonjë dirigjues: nga ato të së kaluarës e deri te problemet e sotme, nga puna e rëndë në kohët e regjimit shtypës nëpër bodrume (evokime të shtypshkronjës së tij në podrum gjatë viteve’90) e deri te kjo e sotmja, te Shtypshkronja e Lirisë.

Sot, bie fjala, në kohë jo të lehta pandemie, po e veçoj, si përjetim personal, një triptik takimesh e veprimtarish. Së pari, vijnë shkrimtarë të njohur si Agim Gjakova, Ibrahim Kadriu... ndodhin edhe dhurime e këmbime librash... me maskat në fytyrë, si sfidim kohësh me moshën e thellë. Janë aty Fatmir Selimi (mjek dhe autor i disa vëllimeve për shqipatrët në Turqi), Ramadan Mehmeti... e sa e sa të tjerë.

Së dyti, Ismet Krasniqi Lala pranon Mirënjohjen për Vendin e Dytë në poezi nga organizatori i takimeve letrare e kulturore Ismet Sopi, që mbahen në Llapushnik të Drenasit.

Së treti, Fatime Kalimashi, krijuese, erdh me familjen e saj nga Zvicra. I botohet libri i saj me poezi "VARKA E KUJTIMEVE”. Punëtorët janë të kujdesshëm, radhitin librat në Tryezë, bëhen fotografi me familjen, me të pranishmit, me krijues nga Rahoveci. Na i bëjnë edhe fotografitë. Lexohen poezi... me nga një gëzuar me gotat përpara.

1.

Hajdarin e njoh që nga fillimvitet ’90. Në Epokën e Rezistencës e të Republikë-bërjes. Kishim rënë në kontakt nëpërmes miqve për të arritur te shtypshkronja e tij. Aso kohe botonim revistën “Tribuna” të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi” të Klinës. E radhitnim në kompjuterët e “Infotrade” në Prishtinë (nëse nuk kam harruar), së bashku me Skënder Rracajn e Pal Canajn. Aty i radhitnim edhe botimet e para të Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës.

Disa nga këto botime i dërgonim te shtypshkronja e Hajdarit në Breg të Diellit, në një shtëpi pa dritare e dyer, por që në bodrumin e saj, të maskuar, qëndronte shtypshkronja. Duhej t’i ndiqnim rrugët tërthore për të mos na rënë në gjurmë milicia serbe. Por Hajdari nuk ndalej. Ishte ai që kishte punuar në Slloveni e në “Rilindje” në zanatin e tij të shtypshkronjës. Porse pas sa vitesh, regjimi serb i bie në gjurmë. E fton në “bisedë informative”, pasojnë masa e masa... deri te lufta e fundit. Nga forcat serbe bombardohet shtypshkronja e tij.

E paslufta?

As në pasluftë, në Kosovën e lirë, nuk ndalet. Para një dekade themelon shtypshkronjën e tij “Lena graphic.” E tash ai është aty, te Tryeza e tij, rrethuar me libra, me punët e shtypit, me krijues e me klientë të fushave të ndryshme për shërbime shtypi e dizajni.

Sigurisht që Kosova ka pritur me shekuj ta ketë lirinë e vet, për ta krijuar e forcuar edhe kulturën e vet. Kultura, në secilën kohë, e bën më pak skllav njeriun dhe një komb. E bën më të lirë. I jep kuptim e domethënie jetës e gjallimit.

2.

Dhe, për t'iu dalë në ndihmë dhjetëra e dhjetëra krijuesve nga diaspora, Shqipëria, Kosova, Presheva, Maqedonia, Mali i Zi... nga të gjitha viset e Kosovës, Lena Graphic themeloi edhe veprimtarinë e vet botuese, me bashkëpunim të mirëfilltë me Bibliotekën kombëtare për ta institucionalizuar librin. Kryhet një rit spontan i publikimit të librit: rreth Tryezës tubohen miqtë që qëllojnë aty, përurojnë krijuesin a krijuesen, lexohet ndonjë poezi a fragment libri, bëhen fotografi, ato publikohen jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe nëpër portale. Arti sjell harenë e publikimit, nga një gotë bën të ngrihet me përgëzime. Fryma solemne e librit është edhe frymë e identitetit tonë kulturor. Krijohen miqësi të reja të artit, thuren fije të reja bashkëpunimi, duke u krijuar, kësisoj, një entitet i bukur... deri te krijimi i një identiteti veprues e artistik, kulturor e etnik. Një entitet shumëplanësh që dhuron energji e forcë besimi. Kësisoj thuret harta e gjuhës dhe harta e krijimit, harta e botimit të librit dhe e kulturës.

Tryeza e Hajdarit, pra, nuk është vetëm e bisedave as vetëm e bashkëpunimit "zyrtar". As vetëm e një fotografie që shpesh i quajmë me humorin solemn si "fotografi historike". Interesimet zgjerohen, Raifi aty shërben me një gotë raki, evokon ndonjë çast nga betejat e së kaluarës, na njofton me miq të rinj. Vijnë edhe miq nga kombet tjera, anglezë, gjermanë, amerikanë, francezë... Madje, mik i shpeshtë aty është Marc Perry, i buzëqeshur, diaolgues, i hapët, kureshtar... edhe vetë njeri i letrave.

Kultura nuk përjashton, por afron. Krijon emrin e saj me interesimet, mendimet, modelet e lirshme. Bisedat në tryezë dinamizohen qoftë edhe me ndonjë polemikë, sepse kështu vlerat marrin krahë. Është ajo klimë civilizimi që e cilëson një jetë ndryshe nga kallëpet e ngurta zyrtare. Mu ashtu si kanë qenë të lirshëm në secilën kohë njerëzit e artit.

3.

Tryeza ka emrin e vet, por ka edhe librat e vet, fjalimet e kumtesat kur aty mbahen promovime në atmosferë festive. Diku thuhet: "Bukuria e botës qëndron në larminë e njerëzve të saj." Në larminë e individualiteteve krijuese e vepruese. Shpaloset bukuria e brendshme e librit. E njerëzve që kanë vlera, por që jo rrallë rrethi ynë i hekurt i pseudo-elitave, e ka ndrydhë atmosferën. Por ja që nuk ka mundësi t’i ndalojë njerëzit e letrave “periferike” të mos botojnë e publikojnë, të mos festojnë e promovojnë, të mos debatojnë e komunikojnë. Ruth Benedict (antropologe e studiuese amerikane e folklorit) shprehet se ndryshimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore, nuk janë biologjike, por kulturore. Askush nuk humb te kjo tryezë, por përfiton.

Porse kultura, në secilën kohë ka, në qenësinë e saj, edhe një përmasë tjetër, shpesh edhe të pahetueshme: ajo është muri që përballon hordhitë e një kohe, si dje si sot. Madje, edhe sulmet kundër identitetit nacional, historik e kulturor. Njerëzit, që nga Jugu i Shqipërisë e deri te Tryeza e Hajdarit, që nga SHBA, Evropa apo viset tjera e deri aty, mbjellin veprimin, realizojnë botimin, zhvillojnë komunikimin, marrin vendime për një manifestim, promovim, shëtitje, krijim asociacioni, bëhen zëra dinamizues. Pa protokoll. "Nëse duam ta ruajmë kulturën, duhet të vazhdojmë ta krijojmë atë" (Johan Huizinga). Pa kulturë njerëzit shndërrohen në hordhi, e thonë sa e sa njerëz të urtë ndër shekuj. Norman Mailer i quan “hordhi totalitare”.

Jo pak krijues të rinj kanë ardhur aty dhe kanë shpalosë prirjet e tyre, mësojnë si bëhen hapat e parë në redaktim, recensim, botim... mandej marrin udhë dhe ecin në këmbë të tyre. Paçka se ndonjëri ndër ta më nuk e kthen kokën aty. I ka udhët e veta. E, ndër ta, tashmë ka autorë që kanë bërë emër edhe jashtë. Edhe nëpër media. Edhe te botues tjerë “seriozë”!

Dhe, viteve të fundit, Lena graphic ndan edhe Çmimet e Mirënjohjet e veta në fushë të librit, kulturës e veprimtarisë jetësore.

Libri hyn ndër lavditë e një kulture.

Le të jetë, ndër këto lavdi, edhe Tryeza e Hajdarit, (e Hajdar Fejzulalhut me mbiemrin e ri Lubonezi) sinonim për shumëçka, sinonim i botimit të librit, që nuk e lë pa zë, sinonim  festave të kulturës.

(21 dhjetor 2020)