Speciale
Jusuf Buxhovi: ''Rilindja'', ''Elida'' dhe porosia për themelimin e partisë politike
E hene, 21.12.2020, 11:56 AM
“RILINDJA” , “ELIDA” DHE POROSIA E GENSHERIT PËR THEMELIMIN E PARTISË POLITIKE
Në
vigjilje të 31 vjetorit të themelimit të LDK-së
Nga Jusuf Buxhovi
Lajmi
që së shpejti gazetarët dhe shkrimtarët e njohur nga radhët e “Rilindjes” do të
themelonin një parti politike shqiptare, nuk kishte nevojë të jepej në gazetë.
Mjaftonte që në kafiterinë “Elida”, ku rëndom silleshin pjesa më e madhe e
gazetarëve dhe shkrimtarëve, të gjuhej një si thashetheme, gjoja si në besim,
që ajo me të shpejtë të merrte dhenë.
Në
të vërtetë, në njërën prej atyre ditëve kur rëndom pinim kafe me Mehmet Krajën,
Xhemai Mustafën dhe Ibrahim Berishën dhe ishte e natyrshme se bisedohej se
çfarë na kishte mbetur pas asaj që kishte ndodhur dhe çfarë përgjigje duhej
dhënë sfidave të ardhmërisë, që dukeshin jo vetëm të paqarta por edhe të zymta
fare përballë asaj gjendje, kur e dinim se me të kaluarën duhej përshëndetur,
por pa lejuar që ajo të kalonte një zero jashtë funksionit kohor dhe shoqëror,
kisha zënë ngojë çështjen e formimit të një partie politike meqë tashmë
ekzistonin edhe kushtet ligjore për të. Ashtu siç më kishte folur kohë më parë
Viktor Majer, se ishte koha që të themelonim një parti politike në mënyrë që
t’u përgjigjeshim sfidave të kohës mr të cilat medoemos ngarkoheshim, ngjashëm
u kisha thënë edhe unë kolegëve, të cilët kush më shumë e kush më pak kishte
diç të ngjashme në kokë.
“Ta
provojmë edhe ketë mesele”.
Meqë
me Krajën dhe Xhemën, të shumtën na bashkonin afinitetet profesionale në
redaksinë e rubrikës së kulturës së “Rilindjes”, po edhe ato të prirjeve të
përafërta artistike në krijimtari, ishte e natyrshme që të arrihej pajtimi
rreth kësaj çështje së paku në nivelin parimor.
Por,
pasi që kaloi humori dhe, më duket se Xhema,, që dinte bisedave t’ua ruante
përmbajtjen, porositi një rend të ri kafesh, dhe tha se ishin për një fillim që
nuk dihej se mund të ishte edhe fund yni, që e përcolli me atë “le të shkojë ku
të shkojë”, aty ra edhe fjala se mos do të ishte më mirë që të fillohej me
formimin e një shoqate kulturore, por mbeti si në erë, meqë dihej se shoqatat
nuk mungonin, dhe ajo e Shkrimtarëve madje ishte në një nivel të lartë të
përgjegjësisë.
Pa
treguar se rreth kësaj çështje kohë më parë më kishin sfiduar gazetarët
gjermanë Viktor Majer dhe Horst Weseler , ndërkohë që ky i fundit kishte sjellë
edhe një sugjerim personal të ministrit të jashtëm gjerman Hans Ditrih Gensher
që sa më parë të t’ia fillonim organizimit partiak mbi bazat e pluralizmit
politik, edhe pse kjo dukej e vështirë, kolegëve u thashë se merrja përsipër
hartimin e dokumenteve bazë, programit dhe të statutit bashkë me pajisjen me
dokumentet tjera që i duheshin një organizimi të tillë legal në përputhje me
ligjin federativ tashmë të aprovuar rreth organizimit politik të qytetarëve
nëpër shoqata dhe parti politike, dhe se për të gjitha do t’i njoftoja
vazhdimisht.
Sipas
ligjit në fuqi nismën për themelimin e partisë politike apo të shoqatës mund ta
ndërmerrnin së paku njëmbëdhjetë qytetarë me deklarimin e lirë në listën me
nënshkrime që do t’u dërgohej organeve përgjegjëse bashkë me programin,
statutin dhe hollësitë tjera rreth të ardhurave financiare të nevojshme për
veprimtari. Pasi që të kompletohet dokumentacioni, organet përgjegjëse, pra ato
policore, janë të obliguara që brenda afatit ligjor prej dyzet e tetë orëve të
jepnin përgjigje me shkrim për lejimin apo ndalimin e veprimtarisë. Në rast se
brenda këtij afati nuk jepej kurrfarë përgjigje dhe nuk bëhej ndonjë vërejtje,
atëherë lejohej kuvendi themelues.
Nga
mesdita, sipas marrëveshjes, takova redaktorin e radios gjermane “Westdeutsche
Rundfunk” Horst Weseler dhe ia bëra me dije se kishte filluar nisma për
themelimin partisë së re. I tregova për bisedën me kolegët më të afërm dhe për
miratimin që kisha prej tyre. Ai mbeti i kënaqur dhe më premtoi se do të
kthente në Prishtinë pas dy javësh. Tha se shpresonte se deri më atëherë do të
kryheshin punë të mira.
Të
nesërmen prapë bashkë me Krajën, Mustafën dhe Berishën në kafenë e mëngjesit në
“Elida”. U thashë se ia kisha filluar punëve rreth themelimit të partisë së re,
që do të bëhej në përputhje me ligjin federativ. Andaj, ua bëra me dije se
nënshkrimet e tyre më duheshin ndër të parët.
“Mbase
nuk jeni pishman?”, fola si me shaka.
Sikur
nuk kishin pritur që çdo gjë do të fillonte me asi turri. Kraja, tha se i kisha
duart të veproja si të dija, por nga ai të mos kërkonte tjetër pos të vinte në
kuvendin themelues, nëse ai përnjëmend do të mbahej.
Në
ndërkohë kisha takuar edhe dy veta që i merrja të rëndësishëm drejt themelimit
të partisë. Fjala ishte për Zekeria Canën dhe Milazim Krasniqin. I pari, tashmë
me themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, si
sekretar i tij dhe njeri i vyeshëm, do të mund të ndihmonte drejtpërsëdrejti që
disa nga anëtarët e Këshillit ku bëja pjesë me disa nga shkrimtarët, t’i vinin
në ndihmë nismës së re, qoftë duke u përfshirë në listën e nismëtarëve qoftë
duke marrë përgjegjësi , ndërsa i dyti, ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve
të Kosovës, të cilën Rugova e drejtonte me shumë sukses dhe po ashtu kishte
përvojë organizative me shkrimtarët.
Zekeria
Cana, i cili kishte duart plot me punë, parimisht u pajtua, por tha se mos
duhej pritur edhe pak, që të piqeshin kushtet. Ma përkujtoi UJDI-n dhe si tha
“ecjen me fenerë”.
Ia
ktheva se koha nuk priste.
“Nëse
ne bëjmë sehir sigurisht se mund të paraqiten edhe të tjerë dhe një zot e di si
mund të shkojnë hesapet”.
Nuk
e çuam më gjatë, pos që më tha se kishte ndihmën e tij por edhe të Këshillit.
Më tha se pranonte të nënshkruhej në listën e themeluesve.
Takimi
me Milazim Krasniqin filloi me atë buzëqeshjen e tij të hapur se tashmë e
dinte.
“Punë
e mirë fort. Duhet të lëvizim disi.”
Ia
tregova disa nga ato që ai tashmë i dinte, por edhe për ato që tashmë kishin
filluar të bëheshin. Pak si me shaka i thashë se më duhej edhe nënshkrimi i tij
për atë masbatën që të mos burgosem pse bëj propagandë armiqësore, por
propagandë legjitime për parti politike.
“Epo,
pa myhyr sot nuk bëhet gjë”, ma ktheu njëjtë dhe më tha se më kishte aty fund e
krye. Shtoi se shkrimtarët sikur kishin mallkimin e përgjegjësive historike.
Nuk
desha t’ia hapja punën e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës në listën e
themeluesve, meqë vlerësoja se edhe ai do t’i bashkëngjitej asaj, por që duhej
të ruhej paksa për sprovat e ardhshme, që si do të shihet do të jenë tejet të
mëdha dhe te një përgjegjësie historike, të cilave Rugova do t’u jepej me
përkushtim të madh.
Por,
mu të nesërmen edhe kjo çështje ishte rregullua. Madje, më lehtë seç e kisha
menduar. Sepse Milazim Krasniqi kur kishte marrë listën në Shoqatë që ta
nënshkruante dhe kur pas një ore ma ktheu te kafe “Elida”, ku po e prisja, më
tha se kishte edhe nënshkrimin e Ibrahim Rugovës.
“Bali,
pa një pa dy nënshkroi. Uroi punë të mbarë, por tha se hë për hë aq mund të
bënte për nismën.”
“Bali”
e quanin Rugovën bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Më vonë do t’i vihej nofka
“shalli” dhe të tjera.
Me
marrjen e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës, krahas atyre që tashmë shfaqeshin si
embrion i grupit themelues (Unë, Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa dhe Ibrahim
Berisha) dhe, nënshkrimit të Zekeria Canës, Milazim Krasniqit lista, po i
afrohej numrit “kritik” të njëmbëdhjetëshit, me çka edhe formalisht
plotësoheshin kushtet me të cilat mund të paraqitej kërkesa zyrtare për
vazhdimin e punëve të mëtutjeshme për thirrjen dhe mbajtjen e kuvendit
themelues të partisë.
Por,
siç do të shihet, thirrja dhe mbajtja e kuvendit themelues kërkonte edhe shumë
e shumë punë, që nga hartimi i programit, i statusit dhe dokumenteve të tjera,
që për t’iu ardhur rreth, krahas hapit dhe vrapit të domosdoshëm poshtë e
përpjetë në kërkim të nënshkruesve të listës por edhe të atyre që pos si numra
ishin të domosdoshëm për çati, duheshin edhe, ata që do të merrnin përsipër
punët rreth konceptit përfundimtar dhe të asaj se mbi çfarë platforme do të
themelohej partia dhe të tjerat që i duheshin një nisme.
Ishin
këto dilema që sa më shumë sheshoheshin ktheheshin në shqetësim. Sidoqoftë me
kyçjen e mëtutjeshme të profesor Fehmi Aganit, si dhe nënshkrimet që kisha
marrë nga akademik Idriz Ajeti, akademik Mark Krasniqi, akademik Dërvish
Rozhaja, profesor Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, pastaj Bujar Bukoshi, Ajri Begu,
avokati Mustafa Radoniqi dhe të tjerëve që do të gjendeshin në njëzet e treshen
e iniciuesve të kuvendit themelues, ishin krijuar kushtet edhe për hapjen e
çështjes se konceptit, së paku në vija të trasha, në mënyrë që të shkohej më
tutje.
Meqë
ishte e vështirë që nënshkruesit e nismës për themelimin e partisë të mblidheshin
bashkërisht, dhe kjo madje kishte edhe arsyet e veta në ato rrethana të
terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj intelektualëve, mora përsipër që krahas
atyre me të cilët thuajse çdo ditë takoheshim në kafe “Elida” (ata që vinin nga
“Rilindja” dhe shkrimtarët nga radhët e kësaj shtëpie), me të tjerët të
komunikoja herë “spontanisht”, e herë ashtu shpejt e shpejt, pa formalitete, që
t’i njoftoja por edhe të merrja mendime, vërejtje dhe sugjerime rreth atyre që
bëheshin. Kjo mbase ishte mënyra më e mirë e punës.
Duhet
thënë se edhe para se me Krajën, Mustafën dhe Berishën të hapej biseda, që disi
dhe me dikë patjetër se duhej të bëhej për të shkuar më tutje, në kokë tashmë
kisha tri pika nismëtare mbi të cilat do të mbështetej koncepti: atë të
barazisë së plotë, të demokracisë (pluralizmit politik) dhe të përkatësisë
perëndimit. Në rrethanat përkatëse, ato duhej të kundroheshin si çështje
politike dhe si të tilla të bëheshin pjesë e platformës partiake, si pikënisje
e qëllimeve të caktuara, të cilat nuk duhej parë dhe marrë të ngurtësuara, por
si mundësi e ndryshimeve dhe e përshtatjeve në përputhje me nevojat dhe
rrethanat nëpër të cilat do të kalohej.
Tek
e fundit, programi nuk do të thoshte shumë dhe nuk garantonte gjë po qe se do
të mbetej letër e thatë. Ishte një formalitet me të cilin mund të shkohej më
tutje, për t’u hapur dyert e veprimtarisë. Pra, puna e mëtutjeshme ishte ajo që
do t’u jepte ngjyrimin dhe përmbajtjen kërkesave në mënyrë që ato të ktheheshin
në koncepte të qëndrueshme. Por, mendja ma thoshte se ne kishim nevojë për një
program konceptual, jo të telisur, që do të përvijonte kërkesat ku ajo e
barazisë, e demokracisë (pluralizmit)dhe e përkatësisë Perëndimit, do të
krijonin një trekëndësh strategjik. Mund të lejoheshin kamuflime, mund të
lejoheshin fraza dhe çmos tjetër, por programi i partisë nuk mund të
anashkalonte këto tri kërkesa.
Rreth
barazisë si pikënisje e të gjithave, sesi më kishte mbetur në kokë fjalia që ma
kishte thënë vite më parë filozofi gjerman Von Vajzeker (më vonë president i
Gjermanisë), kur bashkë me shkrimtarin Hajnrih Bëll dhe historianin Jens Rojter
në Bad Godesberg te Bonit bisedonim rreth librit “Jugosllavia pa Titon” e Karl
Gustav Shtrëmit, me ç’ rast Jugosllavisë do t’i parashihej mbijetesa apo edhe
sfida e rrënimit pikërisht mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Filozofi
gjerman e kishte quajtur të drejtë përcaktimin për barazinë, por si do të
shihet atëherë dhe më vonë, kjo për rrethanat nëpër të cilat kalohej, pas
fushatës se egër serbe që të kërkohej gjoja barazia me të tjerët që për
parakusht kishte rrënimin e kahut të barazisë së shqiptarëve, gjë që kjo edhe
do të ndodhë më 23 mars të atij viti, shfaqej e anatemuar me dhunën e të fortit
dhe mashtrimin e pranimit të saj. Pra, ajo duhej të kushtëzohej edhe me
kërkesën për liri, por çështje ishte si dhe da mund të intonohej ajp jashtë
pluralizmit politik? Megjithatë, nga aspekti politik, koncepti i barazisë në
ato rrethana ishte parësor prej saj nuk mund të hiqej dorë sepse jashtë saj
qëndronte vetëm opsioni i forcës, lufta që edhe po të ishim të aftë për të, pa
u plotësuar disa rrethana, të cilat atë do ta kthenin në mjet të qëllimit dhe
jo qëllim të mjetit, ajo mund të ishte e kotë, shkatërruese dhe
vetëshkatërruese...
Atë
natë, qita në letër pikat e para mbi të cilat do të niseshin bisedimet dhe
konsultimet me të tjerët rreth hartimit të programit të partisë.
Ato
ishin tri bazike dhe një përcjellëse. Pra, barazia, demokracia, sistemit
pluralist (me intonimine lirisë së mendimit), të cilave u bashkohej edhe ekonomia
e lirë e tregut.
U
përpoqa pastaj që brenda kornizave të secilës të shoh qëllimet të cilat do të
paraqitnin konceptin dhe platformën e partisë. Kështu, te barazia perceptova
statusin e ardhshëm të Kosovës, ku ajo në federatën apo konfederatën jugosllave
duhej të shfaqej vetëm si e barabartë me të tjerët dhe assesi ndryshe. Tek e
fundit a nuk ishte edhe kërkesa për Kosovën Republikë e dalë nga demonstratat e
vitit 1968 dhe ato të vitit 1981kërksë për barazinë me të tjerët?
Kjo
kërkesë duhej të mbështetej mbi të drejtën e vetëvendosjes dhe të lidhej me
konferencën e Bujanit, por çështje ishte se a do të mund të theksohej kjo aty,
ngaqë mund të bëhej shkas për ndalimin e themelimit, edhe për arsyen se para më
shumë se një viti Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, nga
trysnia e Beogradit, kishte dalë me qëndrimin që edhe pas gjysmë shekulli
rezoluta e Bujanit të anulohej! Edhe pse vendim antihistorik dhe si koncesion
tepër i papërgjegjshëm , megjithatë, ajo mund të luante rol të madh kundruall
çdo thirrjeje në të apo analogjive që do të mund të shfaqeshin si kërkesa të
drejta të shqiptarëve për vetëvendosje. Zaten, ky edhe kishte qenë qëllimi i
këtij akti. Por ishte çështja e demokracisë dhe mbështetja në të që paraqiste
çelësin kryesor mbi të cilin projektoheshin por dhe mund të mbështeteshin
kërkesat për barazi të plotë në federatën apo konfederatën e ardhshme sapo ajo
t’i nënshtrohej sistemi pluralist si bazë e demokracisë parlamentare. Andaj,
kërkesa për demokraci, ishte formulë thuajse magjike mbi të cilën ndërtoheshin
që të gjitha postulatet civilizuese dhe hapte që të gjitha dyert qofshin edhe
ato që aq tragjikisht kishte mbyllur anulimi i Bujanit.
(Shkëputje nga libri "Kthesa Historiuke 1 - Vitet e
Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së", 2008, i përpunuar dhe i plotësuar në
plarformën elektronike gratis: jusufbuxhovi.com)