Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Tri gabimet e para presidenciale të Vjosa Osmanit
E merkure, 16.12.2020, 08:53 PM
Tri gabimet e para presidenciale të Vjosa Osmanit
Nga
Blerim Latifi
1. Kallzimi në polici i
AKI-së.
Në
ditët e para të hyrjes në zyrën e presidencës, Vjosa Osmani alarmoi publikun
dhe policinë mbi atë që u quajt “hapje e kasafortës që ndodhej në zyrën e
shefit të shtetit nga ana e zyrtarëve të AKI-së”. Çfarë mbajnë brenda kasaforta
të tilla? Asgjë tjetër përveç raporteve të rregullta që AKI u dërgon
presidentit dhe kryeministrit, dy institucioneve të vetme shtetërore që u
përgjigjet. Natyrisht, ato raporte përmbajnë informacione sekrete, të cilat
duhet t’i kenë vetëm presidenti dhe kryeministri. Çfarë nëse ato raporte do t’i
merrte EULEX, ose do të binin në duart e këshilltarëve të Vjosa Osmanit, të
cilët, nga padituria e tyre, fare lehtë mund t’i hidhnin në portale? Tjetra:
presidenti aktual, aq më pak kur ai është ushtrues detyre i presidentit, nuk ka
të drejtë t’i lexoj raportet e inteligjencës, të cilat janë dedikuar për
presidentin e kaluar. Kështuqë zyrtarët e AKI-së kanë bërë shumë mirë nëse i
kanë marrë ato raporte, sepse me këtë veprim kanë siguruar integritetin e
institucionit të tyre dhe interesin nacional të shtetit.
2. Kontrata me Walker-in
Shkëputja
e kontratës që Walker kishte me presidencën e Kosovës, ishte një gabim serioz
moral i ushtruesës së detyrës së presidentit. Një gabim që në thelbin e tij
reflekton mosdurimin e papërmbajtshëm të Osmanit ndaj çdo gjëje që lidhet me
ish presidentin Thaçi. Shopenhauer e ka një aforizmë shumë të saktë : Kur ne
urrejmë dikë, urrejmë çdo gjë të tij, jo vetëm të këqijat e tij, por edhe të
mirat e tij. Vjosa Osmani duhet t’ia mësoj vetes se në zyrën e presidencës nuk
është për të shprehur ndjenjat e saj personale për këtë ose atë person, por për
të kryer detyrat kushtetuese të asaj zyreje. Personalizimi i institucionit
është praktikë që kundërmon autoritarizëm, e kurrsesi kulturë politike
demokratike.
3. Kritika për
Bullgarinë
Në
një studio televizive, para dy ditësh, Vjosa Osmani kritikoi Bullgarinë për
kushtëzimin që është duke ia bërë Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të
integrimit europian. Pse duhet Kosova t’i fus hundët në këtë problem? Pse
Kosova duhet të mbaj anë këtë mosmarrëveshje? Pse Kosova duhet të brengoset për
integrimin europian të vendeve të tjera, në kohën kur ne jemi në fund të pusit
për sa i përket integrimit europian? Pse Kosova duhet të ofendoj Bullgarinë, të
vetmin shtet në rajon, i cili është në Bashkimin Europian, dhe që ka qëndrim
mbështetës për Kosovën, pa asnjë rezervë e kushtëzim? Kjo tregon thjesht
papjekuri serioze diplomatike.