Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: U nda nga jeta Dr. Ramadan Xhema

| E marte, 15.12.2020, 07:54 PM |


U NDA NGA KJO JETË DR. RAMADAN XHEMA

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, vdekja mizore shkëputi prej gjirit tonë edhe një tjetër patriot, luftëtar lirie, një tjetër besnik dhe aktivist të palodhur të mbarë çeshtjes kombëtare – një aktivist të dalluar, sidomos në përpjekjet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës – luftëtarit të palodhur në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve autoktonë në trojet e veta në ish-Jugosllavi dhe një anëtar shumë i respektuar i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Ramadan Xhema.  I ndjeri ndërroi jetë me 8 dhjetor, 2020 në Kosovë, ku ishte këthyer për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij.

I akuzuar dikur si “Aktivist i Shqipërisë së Madhe” nga autoritetet komuniste të ish-Jugosllavisë, jeta e Dr. Xhemës ishte plot vuajtje, por edhe e pasur me një qendresë të fortë dhe i palodhëshëm në përpjekjet dhe qendresën e tij të vazhdueshme përball dhunës së përdorur kundër tij dhe shokëve të tij -- të të njëjtit mendim e qëllim -- nga policia serbo/jugosllave e kohës.

Dr. Ramadan Xhema ka lindur më 17 dhjetor të vitit 1936 në Tupallë, komuna e Medvegjës, njëri prej 9 fëmijve të Abaz Jusuf Vranocit.  I riu Ramadan, shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Prishtinë, ndërsa më vonë u transferua në Shkollën Normale të Gjakovës, për të vazhduar më vonë Fakultetin e Mjekësisë. Fillimisht punoi si mësues në Prishtinë dhe pastaj vazhdoi studimet në mjekësi në qytetin Rijeka të Kroacisë.  Sipas biografisë së tij, Ramadan Xhema dallohet, që heret, për veprimtarinë e tij patriotike, duke renë, më në fund, në prangat e policisë ish-jugosllave.  Si shumë intelektualë të kohës së tij në Kosovë, ashtu edhe Ramadan Xhema dallohej për kundërshtimin e tij anti-jugosllav si dhe ndaj politikës së shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga trojet shqiptare për në Turqi – në bazë të marrveshjeve ndërshtetërore midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë, me objektivin anti-shqiptar, të dy palëve, për të zbrazur trojet shqiptare dardane nga popullësia shqiptare autoktone.  Arrestohet dhe burgoset, i akuzuar si “Aktivist i Shqipërisë së Madhe”, ndërkohë që më vonë lirohet nga autoritetet ish-jugosllave, si i pafajshëm.

Në këtë ndërkohë, ai largohet nga Kosova duke u arratisur nga ish-Jugosllavia në vitin 1980 dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku, tanimë, vëllai i tij më i ri në moshë, Xhim Xhema, biznismeni lobisti dhe aktivisti më i njohur i çështjes kombëtare në Amerikë, e që njihej si i tillë, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në sallat dhe koridoret e niveleve të pushteteve më të larta shtetërore dhe qeveritare të Shteteve të Bashkuara në Washington.  Ishte koha e bërjes së historisë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe i ndjeri, Dr. Ramadan Xhema, përkrah vëllait të tij Xhim Xhema -- pjesë e pa ndarë e komunitetit shqiptaro-amerikan -- për 30-vjet nuk pushuan së punuari, së bashku dhe me të tjerë, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran.

Ardhja e Dr. Ramadan Xhemës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1980, shënoi fillimin e aktivitetit të tij në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në Kosovë së bashku me vëllain e tij Xhimin, i cili tanimë – në bashkpunim me shumë aktivistë të tjerë shqiptaro-amerikan -- ishte në kulmin e veprimtarisë së tij patriotike me qëllim të ndërkombëtarizimit të çeshtjes së Kosovës dhe të çeshtjes së të drejtave të shqiptarëve, në përgjithësi.

Në një mesazh të Shoqatës Medvegja në Zvicër, me rastin e kalimit në amshim të Dr. Ramadan Xhemës, thuhet se, “Kontributi i dy vëllezërve Xhema në Amerikë është e do të mbetet Hyjnore për çdo Shqiptar në botë, pa të cilët dihet që Kosova sot nuk do të ishte Shtet i Pavarur, por as Shqipëria në Nato dhe Shqiptarët nuk do e kishim këtë pozitë në Gadishullin tonë Ilirikë, andaj Vepra e tyre do të mbetet e gravuar në Piedestalë e do të valon përherë në Alltarin e Lirisë, në Iliri!”, shprehen zyrtarët e kësaj shoqate, zotërinjt Zenullah Namani dhe Fadil Selmani në mesazhin e tyre nga Zvicra, me rastin e vdekjes së bashkvendasit të tyre.

Ndërsa Hydajet Hyseni shkruan duke iu referuar të ndjerit Dr. Ramadan Xhemës, si, “Shqiptaro – amerikani që mbi gjithçka kishte çështjen shqiptare, dinjitetin dhe interesin e popullit dhe kombit të vet.  Lobist midis lobistëve, tok më vëllain Xhim-in dhe me shumë miq e shokë, me mision ndërkombëtarizimin dhe afirmimin e çështjes shqiptare dhe luftës së imponuar shumë shekullore çlirimtare shqiptare. Bir i kombit shqiptar dhe mik mirënjohës i Amerikës mirëpritëse, demokratike e Wilsoniane, të cilit i shkonte aq bukur ajo thirrja largpamëse e Fan Nolit: ‘mbahu Nëno mos kij frikë se ke djemtë në Amerikë…’. Mik i Amerikës mike, gjithmonë me Shqipërinë Nënë…”, kujton Z. Hyseni, Dr. Ramadan Xhemën, në kalimin e tij në amshim, javën që kaloi.

Ky, pra, ishte Dr. Ramadan Xhema! Përherë shembëll atdhetarizmi dhe burrënie për të gjithë, si edhe pasqyrë aktivizmi të shëndosh, në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve kudo!

Pikëspari, ngushëllimet më të përzemërta mikut dhe bashkpuntorit prej dekadash, Xhim Xhema, këtu në Shtetet e Bashkuara si dhe familjes së gjërë Xhema anë e mbanë trojeve tona për humbjen e rëndë të vëllait të tyre, Ramadan Xhemës -- por të vetdijshëm se vëllezërit Xhema në Shtetet e Bashkuara, në saje të gjakut të tyre farefisnuer dhe punës së tyre të vazhdueshme në interes të Kombit shqiptar, kanë fuqizuar rrënjët dhe kanë përtërirë frymën e shqiptarizmit dhe të atdhedashurisë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe më gjërë.