E enjte, 25.04.2024, 10:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Ibrahim Kabili: Rapsodi, këngëtari dhe instrumentisti Kasem Murati, me një krijim të ri për vendlindjen

E diele, 13.12.2020, 11:27 AM


Rapsodi, këngëtari dhe instrumentisti Kasem Murati, me një krijim të ri për vendlindjen

Nga Ibrahim Kabili

Vendlindja është e shtrenjtë! Madje, ajo është dhe e shenjtë për bijat dhe bijtë e saj! Secili nga ne i përket një treve të caktuar, një krahine nga vjen, një zone gjeografike, një bashkësie njerëzish, një komuniteti që bashkëjeton me të ose jo, por që je krenar për Të. Pikërisht kjo është vendlindja. Pavarësisht se ku ndodhesh, lidhesh pazgjidhmërisht me të. Atë e sheh, e prek, kryen aktivitetin dhe "peshon"shumë nëse ke peshë. Kur nuk je fizikisht aty, atëherë ajo të mungon më shumë, sheh ëndrra me të, dëshiron ta shohësh sa më parë, dhe kur e prek nuk mund të "ndahesh" më lehtë prej saj...Por dhe kur ndahesh, për shkak të lëvizjeve emigratore,e arsye të tjera, secili nga ne e kthen kokën pas, që aty don të rikthehesh akoma pa ikur, e në të kundërt ikën me kokën pas...lkën i brengosur në shpirt, ikën me mendimin se ajo ka nevojë për mua, ka nevojë për ne, e kur ne largohemi në shumica, ajo mbetet e "vetmuar"! Kështu ka ndodhur në disa fshatra të Bendës, dhe në fshatin Bruz- Mal të Malsisë së Krujës, pjesë e Krahinës së Bendës. Pa dyshim kjo ka ndodhur dhe me rapsodin, këngëtarin, instrumentistin dhe valltarin e mirënjohur Kasem Selim Murati. Unë kam njohje të hershme me rapsodin murati, i kam ndjekur aktivitetet dhe krijimet e tij prej kohësh. Ajo që më forcoi dhe më shumë bindjen,se duhej bërë një shkrim modest për të qe kënga e tij më e fundit "Përshëndetje malsia ime". Kjo këngë u publikua në You Tube në 27 korrik 2000. Këngën ma përcjell në WhatsApp zoti Ferit Hoxha, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore "Benda", i cili po bën një punë të mrekullueshme për promovimin e vlerave më të mira të Krahinës, edhe nëpërmjet kësaj shoqate. Pjesë e grupit artistik të Bendës kohët e fundit është dhe këngëtari në fjalë, i mirënjohuri Murati. Para disa vitesh dhe familja e tij, si shumë familje të tjera, vendoset me banim në Bathore për shkak të Ujësjellësit të Bovillës. Pavarësisht kësaj Ai për asnjë moment nuk është shkëputur prej vendlindjes së tij...Dhe më tej, shpreson se një ditë do rikthehet përsëri...! Kënga: "Përshëndes malsinë time"...e vërteton katërcipërisht këtë...E urojmë ti plotësohet dëshira e tij! Artistët janë të ndjeshëm ndaj shprehen me "nota" të tilla patriotike duke respektuar shumë dhe notat muzikore.

Me datën 10.12.2020 pas një telefonate, takohemi, në një lokal në Zall-Mëner të ri, afër Universitetit Bujqësor të Tiranës. Gjetëm një ambient të ngrohtë pasi ky fshat, banohet me banorë të zonës sonë, të shpërngulur nga Bovilla. Kasemin e gjej duke pirë kafe me Vath Bashën dhe Ali Tafën, të dy këto janë nga familje të fisme dhe i bëjnë nder zonës nga janë. Përshëndetemi përzemërsisht dhe ndahemi me këto të dy për tu takuar përsëri...Natyrisht është kohë kovidi dhe e "nesërmja" nuk dihet...

0ra shënonte 09 e 30 minuta. Fillojmë bisedojmë me Kasemin. "Skanojmë" gjithçka rreth veprimtarisë së tij artistike dhe shoqërore. Kafja në lokal zgjati për rreth dy orë, natyrisht biseda, pastaj më përcjell Kasemi me makinë deri te shtëpia në Institut! Pasi më rifalenderoi për nismën, ndahemi përzemërsisht, secili në destinacionin e tij...Vizitoj njerzit e shtëpisë aty, nëse kishin shenja kovidi, apo ishin shëruar prej tij! Kohë të vështira! Më ngacmonte shumë vrasja makabre e Klodian Rashës, dy ditë më parë nga një polic 20 metra larg shtëpisë së tij! Krim! Më kriminale dhe përdorimi politik i tij nga opozita! Duhet drejtësi për të. Sidoqoftë ai nuk kthehet më!

Duke ju kthyer "misionit" duhet të sfidohet gjithçka dhe të realizosh atë që ke mendur, duhet optimizëm, duhet motivim, fatmirësisht kjo mua nuk më mungon. Nuk ka si ndodh ndryshe kur bisedon me një artist që ka punuar një jetë me këngën dhe muzikën, si Kasemi! Shkurtimisht dhe modestisht do të përshkruajmë disa radhë nga veprimtaria e tij.

Kasemi lindi më 24.05.1958 në fshatin Bruz-Mal të Krujës në një familje të thjeshtë e bujare por dhe me tradita atdhetare. Arsimin fillor dhe atë 8 vjeçar e kreu në fshatin e tij të lindjes me rezultate të mira. Ai kujton me nostalgji mësuesit e tij të shkollës dhe përkushtimin e tyre në atë kohë për mësimin dhe edukimin e nxënësve. Kohë të bukura që nuk kthehen më, duhet ti kishim kushtuar më shumë rëndësi shkollës, pohon ai. Duke kujtuar mësuesit e tij ai flet me fjalët më të mira e punën plot kushtim të ish drejtorit të shkollës Mehmet Ahmati. Në shkollën 8 vjeçare ajo që ra në sy te kasemi qe talenti i tij në fushën e këngës dhe muzikës. Që në moshën 7-8 vjeçare u aktivizua me grupin artistik të shkollës. Kënga e parë që ai këndoi në shkollë qe: "Partisë 25 vjeçare". Kështu qe koha, gjithçka qe e politizuar, por arti në ato vite qe art. Dhe unë thekson ai, që në klasë të parë mësova ti bie çiftelisë dhe ndëgjoja nëpërmjet radios, rapsodët më të mirë të vendit dhe në mënyrë të veçantë rapsodin e mrekullueshëm të zonës sonë, të pa përsëritshmin Sali Sala. Në këtë periudhë Kasemi angazhohet dhe bëhet pjesë e grupit artistik të Bruz-Malit. Nga viti në vit ai erdhi duke u pjekur nga ana artistike.

Në vitet 1977-79 kryen shërbimin ushtarak në Korçë, në pikën kufitare të Nikolisë. Atje ai tanimë ishte i afirmuar si këngëtar dhe u aktivizua, dha shfaqje, e konkuroi me reparte të tjera në ushtri. Nuk e "ndjeva" shumë ushtrinë duke u marrë me muzikë, citon ai.

Në vitin shkollor 1984-85 mbaron arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme Zall-Dajt. Nga kushtet ekonomike nuk mundi të vazhdojë arsimin e lartë. Pas mbarimit të ushtrisë fillon punë në ekonominë bujqësore dhe në vitin 1981 emërohet përgjegjës i vatrës së kulturës në Bruz-Mal. Këtë detyrë e kreu me sukses deri në vitin 1990, kur ajo u mbyll. Gjatë kësaj periudhe grupi artistik i Bruz-Malit u plotësua më shumë me elementë të rinj dhe Kasemi luajti rol me përvojën e tij. Vetë ai, ishte Rapsodi kryesor i grupit bashkë me këngëtarin tjetër, Ismail Tarja. Vetë Kasemi ishte këngëtar, luante mrekullisht me çifteli, i binte kitarës, fizarmonikës dhe ishte një valltar i mirë. Pranë vatrës së kulturës kishte dhe bibliotekë për lexim. Në përbërje të grupit për një periudhë të gjatë qenë: Kasem Murati, këngëtar, instrumentist shumë i mirë në çifteli, i binte kitarës, fizarmonikës dhe valltar; Ismail Tarja, këngëtar, valltar, çifteli; Ali Bajrami me daulle, specialist shumë i mirë; Sejfulla Ahmati, me fyell; Mehmet Ahmati, valltar; Bihane Murati, valltare etj. Me grupin artistik ka konkuruar në fshatra, në bazë zone, në bazë të rrethit të Krujës dhe me numra të veçantë, në shkallë vendi, ku janë vlerësuar dhe me çmime e fletë nderi. Grupi kishte në repertorin e tij këngë që i kushtoheshin fshatit, jetës së re, dashurisë, këngë patriotike si ato që i këndonin "Isuf Pulës"e "Islam Lilës",etj. Këngët folklorike zinin vend të veçantë në repertorin e grupit, kishte dhe këngë politike që i kushtoheshin partisë dhe udhëheqësit, gjithçka qe e politizuar... Duke kujtuar ato kohë Kasemi thekson: Në rrethin e Krujës gjatë konkurimeve në bazë rrethi, "problem" kishim vetëm Milotin, ai merrte gjithmonë vend të parë, Bruzi në më të shumtën vend të dytë...Kishte konkurencë, rritej cilësia...

Krahas veprimtarive zonale grupi dhe elementë të tij si pjesë e grupit të Krujës, kanë marrë pjesë dhe në veprimtari kombëtare si:

•Festivalin folklorik të Beratit me këngën "Moj skile, moj molldare", kënduar nga Kasemi, shoqëruar me lodër e çifteli nga grupi.

•Në veprimtaritë kombëtare që zhvilloheshin në qytetin e Lezhës në kuadrin e përvjetorëve që zhvilloheshin për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot - Skënderbeun. Janë vlerësuar në këto veprimtari me fletë nderi e çmime.

•Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës shumë herë, si valltar me valle dyshe burrash, me lodër, me çifteli dhe si këngëtar në grup. Kanë marrë pjesë në festival Kasem Murati, Ali Bajrami, Bihane Murati etj.

Pas viteve '90, Kasemi ka punuar dhe punon në dasma, ceremoni familjare dhe evenimente të ndryshme. Disa nga këngët që ka kënduar janë: Këngë për Isuf Pulën dhe Islam Lilën; Dëshmorit Sulejman Elezi; Këngë për Veli Allën; Këngë për dëshmorin Ibrahim Basha, në bashkëpunim me këngëtarin Gëzim Hida: Përshëndetje, malsisa ime; etj. Ka kënduar dhe këngë të këngëtarëve tjerë si: Këngë për vëllezërit Besnik dhe Enver Veseli; Për ty moj vashë; Provuam fatin; Këngë kurbeti; Lulja; Nat livadh ku del burimi; Syni si shtat pranverë; Kështu është moda; Fluturo si pllum; Gjysëm shtizë ulet flamuri etj. Po kështu ai këndon dhe dhjetra këngë të tjera folklorike të krahinës së Bendës dhe Kurbinit etj. Në vitin 2014 ai nxorri dhe një album me disa këngë. Secila këngë interpretohet me nivel artistik, me zë melodioz, me zë si të bilbilit. Pyetjes: Cilat qenë motivet që të çuan me bërë këngën: "Përshëndetje, malsia ime" Kasemi përgjigjet: Dashuria për vendlindjen time Bruzin, malsinë time që e konsideroj të tillë nga Qaf-Molla deri dhe Kurbinin. Njerëzit e mrekullueshëm të saj, traditat e tyre, mikpritja, zakonet, besa, vlerat e larta njerëzore të tyre. Bukuritë natyrore të sajë, malli për to...".

Disa nga vargjet (e shkurtuara) të këngës: "Përshëndetje, malsia ime".Teksti, muzika dhe kënduar nga rapsodi Kasem Murati:

Me plot mall e plot kujtime

Du me i këndu vendlindjes time

Ndonëse në mal e ndonëse në fushë

Mu prej zemre smë del kurrë

Kujtoj kohët ku kalova

Ku unë isha, ku unë shkova

Ku unë qava ku punova

Ku kërceva ku këndova

Kujtoj krojet ku ujë kam pi

Kujtoj hijet plot freski

I përshëndes, o shpi për shpi...

I kujtoj të gjitha me radhë

Që nga Rranza në Bruz-Zall

Në Bruz-Mal vendlindja ime

Ku kalova unë plot gëzime

Krejt malsinë e kam shumë mall

N'Cudhi Kamp, mor n'Cudhi-Zall...

...Nojë, Mafsheq dhe në Shkretë

Kam kalu me dit me net...

...Lucë e Zgurë dhe Mal-Mëner

Kam kalu me shumë herë...

...Në shumë kohë e shumë shpesh

Zall-Mëner e në Bulçesh...

...Kujtoj Vilzën plot bujari

E përshëndes me përzemërsi...

...Prej Murrize në Zall-Bastar

I përshëndes të gjithë me radhë...

...N'Besh, Shupal dhe në Selitë

Kemi kalu me net, me ditë

Plotë me zemër na kanë pritë...

Kënga është e gjatë, e realizuar me mjeshtëri për vendlindjen nga Murati,ku mbart vlera të larta artistike, pasqyron bukuritë natyrore dhe vlerat shpirtërore e kulturore të Bendës e banorëve të saj. Sikur të bënim të gjithë për krahinën, ashtu si dhe Kasemi! Mirë do ishte, apo jo?

Siç cilësuam më sipër ai ka një mori këngësh, njëra më e mirë se tjetra.

Nga disa këngë patriotike të tij veçojmë disa vargje:

•Këngë për Isuf Pulën, Islam Lilën, Xhemal Dërvishin. Teksti Sulejman Balika. Muzika dhe kënduar nga Kasemi.

Nëpër telat e çiftelisë

Këngë po i këndojmë t'rimave të malsisë

Islam Lilës burrit t'rimnisë

Isuf Pulës, Xhemal Dërvishit

Flakë e ndezën urën e Ishmit...

Të gjithë dhanë jetën për Shqipëri

Të gjihë e kanë ngaj histori

Si rrufeja që djeg lisin

Sot po i këndojmë Xhemal Dërvishit

Lind e rrit djali n'Cudhi

Sokol djalë e trim si zana

Sall, barut e gatoi nana...

...Anës detit, bregut Ishmit

Vepron çeta e Xhemal Dëdvishit

Ish natë dimri me stuhi

Frynte erë e binte shi

Jasht nuk dilte asnjeri

Pesë makina këmishëzi

Rrethojnë Xhemalin në befasi

Kërcet pushka e dridhet Ishmi

Luftë banka Xhemal Dërbishi...

Çeta e kaloj urën e lumit ndërsa Xhemali bie dëshmor në luftën për liri...

•Disa nga vargjet: Kënga për Veli Allën. Teksti i përpunuar nga Mehdi E.Hoxha. Kënga dhe muzika nga Murati:

N'Selit Malit kris Alltia

Qenka vrarë Haxhi Alia

Vallë nga vjen ky Haxhi Alia

Thonë e paska çu Turqia...

...Veli Alla n'kam asht çu

Jo zotni mor tungjatjeta

Ska me u zhvesh fëmija n'djepa

Këtë bidat se ka Selita

Me i zhvesh fëmijët djem a çika...

...Fjalë e fjalë u ba ngatrri

Qit alltinë mor nën xhuli

Po mendohet kuj ti bi

Haxhi Aliut bri më bri...

Vritet Haxhi Aliu, Veli Alla burgoset në Turqi, vdes atje e kënga këndohet në breza. Kasemi me këngën e përjeton në histori, veprën burrërore të tijë...Në çdo skaj të krahinës pëllëmbë dhe histori...

• Dëshmorit Sulejman Elezi. Teksti Halim Laci. I përpunuar nga Kasemi, me muziken dhe këndur prej tij:

Një kangë del pre kraharorit

Me i këndu një këngë dëshmorit

Lindi n' Mat në fshatin Ketë

Pushka e tij, kudo kërcet...

...Luftë po ban Sulejman Elezi

Flakën e barotit n'hasmin e ndezi...

Kam lanë babën e kam lanë nanën

Hasmit gjallë sja lëshoj Tiranën...

Pushka e tij se ndali flakën

Gjersa plisat u përgjakën...

Gjaku i tij skuqi Tiranën

Tanë Shqipëria po i këndon këngën...

Sulejman elezi partizan me brigatat partizane bie në luftën për çlirimin e Tiranës kundër pushtuesve...Përjetimi në këngë i veprës së tijë, nga Kasemi, vlerësim i lartë për heroin.

•Disa vargje nga : Këngë për dëshmorin Ibrahim Basha: Kënduar nga Kasem Murati dhe Gëzim Hida:

Po e pyet Tomorri Drinin

Ku e ka nana Ibrahimin

Në ballë të frontit n'luftë me krimin

Kur Atdheu, lëshoj kushtrimin

Në beteja në i'nstikam

Në Irak, në Afganistan

Nderoj kombin dhe flamurin

Ndur armiqve, ja la turrin

Porse jetën Atdheut ja fali

Ish djalë Bende, shqipe mali

Nga tetë muajt që pat ba betimin

Pushka top se ndali trimin

Po një ditë në befasi

U përhap një lajm i zi

Lajmi i zi pikëlloj nanën

Tanë Bulçeshi e lëshoj gjamën...

...Ky kushtrim vjen si rrufe

Ibrahim Basha ka ndërru jetë...

...Mallku qoftë dora e tradhëtisë

Vrau një yll të policisë

Jo ska vdek ky trim shqiptar

Emri i tij ndrit si ar

Kur na thrret zani i Atdheut

Prapë ky djalë ngrihet prej dheut.

Trimat si Bimi, nuk vdesin kurrë. I përjetshëm kujtimi.Kënga për të, përjetim në histori!

Ka disa vite që këngëtari dhe rapsodi jonë Kasem Murati është pjesë e ansamblit "Benda". Ky grup i mirënjohur artistik është riorganizuar dhe e ushtron veprimtarinë e tij në kuadër të Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda. Kasemi ka punuar në vite me shumë persona dhe instrumentistë dhe ruan kujtime shumë të mira. Ka kujtime të pashlyera për të ndjerin Ali Bajrami si lodraxhi, për të ndjerin Nazmi Tarja si kërcimtar, si nstrumentist në dajre dhe xhez,  Agim Dërvishin dhe shumë të tjerë. Ai fol me relata për gjithë këngëtarët, ahengxhijtë dhe instrumentistët e zonës që janë përmendur dhe shkruar për to.

Një meritë të veçantë për këtë grup ka kryetari i Shoqatës "Benda", Ferit Hoxha. Shoqata duhet ndihmuar dhe përkrahur. Në ekonominë e tregut gjithçka, krahas të tjerave që përmendëm, varet nga paraja. Le ta ndihmojmë Shoqatën, grupin e saj artistik dhe të ruajmë e shpalosim vlerat! Le të kontribojmë secili nga ne për ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave. Ne ikim pa kthim, të tjerë vijnë në vijimësi, e vlerat mbesin!

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 11.12.2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora