E enjte, 25.04.2024, 07:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Ruzhdi Ushaku: Sprovë për shpjegimin e prejardhjes së emërvendit Valkalia

E premte, 21.11.2008, 12:35 PM


SPROVË PËR SHPJEGIMIN E PREJARDHJES SË EMËRVENDIT VALKALIA

 

Nga Prof. Dr. Ruzhdi USHAKU

 

Emërvendi Valkalia (Valchalia) dëshmohet historikisht në formë të shkruar në hapësirën gjeografike të Shqipërisë në fillim të shekullit XVI, në veprën për historinë e Skënderbeut të Marin Barletit. E ndeshim në funksion të përcaktuesit në strukturat gjuhësore si fusha e Valkalit, Gryka e Valkalit apo lugina, ngushtica, biga e Valkalit.(1). Në tekstin latin të Barletit shënohet me grafi Valchalia dhe duke u përshkruar si “fushë e bukur dhe e gjerë” që “përfundon me ngushticë”, identifikohet me Vajkalin e sotëm, si emër I një lagjeje të fshatit Bulqizë të Dibrës.(2)

Vetë toponimi Valkalia konsiderohet dhe shpjegohet përgjithësisht si një kompozitë latino-romane Valle-calle nga një val(is) callis apo val(e)cale, me kuptim “luginë udhë, luginë kalimi” (3).

 

Një shpjegim i tillë, në shikim të parë i tejdukshëm dhe bindës si motivim në rrafshin leksiko-semantik e referencial, në rrafshin e strukturës gjuhësore funksionale del pakëz si jo i zakonshëm me shpjegim si *“luginë-rrugë, apo lugina e rrugës” dhe si e tillë nuk inkuadrohet në ndonjë sistem ku do të kishim raste të tilla, pranë atyre më të zakonshme si “gryka e luginës, qafa e luginës” (e jo *lugina e grykës, *lugina e qafës), përkatësisht shembuj të mirënjohur si Anamali, Bregdeti, Qafëthana, breglumi, vargmali e ndonjë tjetër, dukuri këtë sa i takon raportit funksional mes përcaktuesit dhe të të përcaktuarit që ndeshen edhe në gjuhë të tjera siç do të shohim më poshtë. Logjikisht shtrohet edhe çështja e realitetit gjeografik më të hershëm të ekzistimit më parë të luginës e pastaj të rrugës e jo rrugës para luginës.

Së këndejmi shtrohet nevoja e një vështrimi më të gjithanshëm të këtij toponimi, pra në aspektin historik-gjeografik e gjuhësor, ku me një qasje interdisciplinare do të mirreshin parasysh një kompleks kriteresh topografike e gjuhësore si bazë për motivimin denominues të këtij toponimi.

 

Aspekti historik e gjeografik

 

Në veprën e Barletit për historinë e Skënderbeut, ku toponimet dhe antroponimet mbështeten kryesisht në identifikime historikisht të njohura, ekziston një material faktik real dhe i besueshëm onomastik, pa marrë parasysh vështirësitë e ubifikimit apo të identifikimit të mundshëm me hapësirën e përpikët gjeografike të sodit. Është me rendësi se në këtë vepër historike përmendet kampi i Skënderbeut i cili gjendej “në një luginë të këndshme dhe të hapët që zgjatej përpara dhe që e kish emrin Valkali.”Në fund të kësaj përmendet “një mal me gryka e ngushtica”(4). Pikërisht në hapësirën e kësaj fushe e lugine u zhvilluan përleshjet më të mëdha, dhe përveç numrit shumë më të madh të kalorësve në krahasim me këmbësorët në të dy taborret, përmenden edhe dy episode interesante për “kalin e therrur e të mbytur të Skënderbeut”,përkatësisht “për kalin me të cilin Skënderbeu shpëton nga armiku”! (5).

Ka gjasa që kali apo kuajt si realitet i mëhershëm apo edhe i mëvonshëm në jetën e Skënderbeut, të kenë qenë si motiv referencial për emërtimin e luginës, përkatësisht toponimit latino-roman Val që mund të ketë zënë vend më herët në këtë hapësirë, siç kemi raste të shumta në hapësirën e Shqipërisë dhe më gjerë.

Ekziston mundësia që para Skënderbeut në këtë hapësirë strategjike të ketë pasur ndonjë motivim për konceptin dhe emrin e kalit, apo edhe si një rimotivim eventual nga koha e luftës së Skënderbeut dhe mbështetur në këtë fakt edhe historiani ta ketë shënuar emrin Valchalia në formë sadopak të latinizuar. Mbase më herët apo edhe më vonë, si rimotivim i mundshëm, kjo luginë apo ky lug I quajtur Val do të ketë qenë karakteristik për beteja më të hershme tipike për kalorësi, ndërsa ngushticat dhe grykat edhe vende strategjike vëzhgimi apo prite a pusie. Ky toponim si Valkal apo Valkal rikujtohet në Kënkën e Beratit të poetit arbëresh Gavril Dara i Riu si vijon: “ “Afër vaut, ndë Valkal,/ tek lufta bushtër u çel,/ …/Niku dhëndërth i ri / ndërroi darsëmet për luftën/ e kangelet për Valkal.”

Ngjarja historike e betejave të Skënderbeut në këtë hapësirë ka lënë gjurmët toponimike në “Gjurmët e Kalit të Skënderbeut” si një dukuri gjeomorfologjike natyrore që i gjasojnë patkojve të Kalit (Kr. burimin te Mark Tirtja, në Lemba (Ulqin), 1/1999, f. 71-72). Veç kësaj është e njohur gojëdhëna e Lurës “ku ka pjellë pela e Skënderbeut”, si dhe fakti se me emrin turk hargele shpjegohen toponimet Hargelija, Fusha Hargelije (F. Luli, ,Kumtari 7, f. 156.

 

Aspekti gjuhësor

 

Dëshmia gjuhësore Valchalia për toponimin në fjalë lidhet me ngjarjen historike të betejave të Vajkalit (Valkalit) të vitit 1465, përkatësisht në kohën kur Barleti ishte ende fëmijë. Historia e Skënderbeut e botuar më 1510 mund të jetë shkruar kah fillimi i shekullit XVI. Me fjalë të tjera, grumbullimi i të dhënave dhe shënimeve nga ana e Barletit do të jetë bërë diku nja 40 vjet pas luftës dhe betejave të Skënderbeut, kohë kjo relativisht e mjaftueshme që në kronika, memoare apo traditën gojore të kësaj ane(6) të jetë inkuadruar elementi motivues apo referencial për luginën siç ësht ai kali, si më e hershëm, në shenjë kujtimi nga këto beteja, apo edhe si rimotivim i mundshëm përgjasimi, me më pak gjasa, nga një valle-calle të cekur më lart.

Nuk do mend se emri latino-roman val, siç e kemi cekur edhe në punimin tonë për hidronimin Valbona, gjen një shtrirje gjeografike të madhe. Në këtë kontekst kemi parasysh se përveç apelativit valle të venecianishtes ndeshet edhe si romanizëm vala, dhe si toponim Vali në hapësirën e Bokës së Kotorrit, dhe krahas këtyre edhe apelativi kala me kuptim rrugicë. Në fjalorin e Bardhit, për valle të latinishtes gjejmë fjalën fushë të shqipes.

Për mendimin tonë, elementi calle me kuptimin primar “rrugicë, rrugë e vogël”, përkatësisht një valle-calle >vallis-callis më parë do të duhej të ketë dhënë një Valcal (Valkal) sesa Valchal-ia (Valkal-ia) të dëshmuar në formë të shkruar te Barleti, gjë që nënkupton se duhet të shpjegohet edhe elementi –ia. Ne këtu shohim një Valkali+a ku a-ja mund të jetë një shtesë latinizuese me analogji apo asociacion, për çka do të bëjmë fjalë më poshtë. (për këtë dukuri edhe te H. Ceka, f. 51).

Përveç aspektit morfofonetik, duket se edhe motivimi funksional, e mbase edhe referencial, nuk mund të jetë aq bindës nga fakti se si përshkruhet fusha e Valkalit më lart, si dhe në pikëpamje funksionale të elementeve leksiko-semantike në raport i përcaktuar –përcaktues. Kështu, motivimi denominues e referencial me elementin e bashkërenditur si përcaktues në strukturën e thellë gjuhësore, i kuptuar dhe shpjeguar si valle-calle (=luginë -rrugë), që në strukturën e thellë gjuhësore mund ttë kuptohet si * “lugina, fusha e rrugës”, funksionalisht dhe semasiologjikisht nuk inkuadrohet në sistem të kompozitave të ngjashme, dhe më parë do të duhej të motivohej me referencë si *rruga e luginës, fushës; që nënkupton se më parë ka ekzistuar lugina e pastaj mund të jetë gjetur apo trasuar rruga e kalimit, për çka do të bëjmë fjalë edhe në vazhdim.

 

 

Gjymtyra e dytë kali apelativ me kuptim “rrugicë, rrugë” apo zoonim.

 

Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat historike e etnogjeografike kur dëshmohet toponimi Valkali-a, kemi arsye që në këtë strukturë leksiko-semantike të shohim edhe ndonjë fjalëformim, përkatësisht gjurmë të shqipes në gjymtyrën e dytë. Edhe pse mund të na tingëllojë si etimologji popullore, gjymtyra kali disi imponohet, në rend të parë si fjalë e hershme dhe e përgjithshme për emërtimin e shtazës, e prejardhur nga latinishtja caballus (-kalë). Kjo fjalë e familjarizuar e shqipes, e dëshmuar që nga shkrimet më të hershme të shqipes, përkatësisht në Fjalorin e Harfit si kale, kurse sipas Dh. S. Shuteriqit, edhe më herët, i cili në kompozitat e emrave familjarë Gergi Calemarsi dhe Mitri Calimarsi nga viti 1417 sheh strukturën leksiko-semantike Kalëmarrës, pra “ai që merr, rrëmben kuaj”, dhe fjalën kale nga viti 1445 (7). Nuk ka dyshim se emri i kësaj shtaze aq të nevojshme dhe të afërt për njeriun ka pasur dhe ka për! hapje shumë të gjerë, si fjalë e mbarë shqipes, pa marrë parasysh prejardhjen e saj, duhet të jetë përdorur shumë herët gjë që shihet edhe nga evoluimi morfofonetik caballus>kalë.

Në hapësirën etnogjeografike shqiptare kemi toponime të shumta të përbëra me gjymtyrën kalë, gomar, mushkë, pelë e të ngjashme me to: Kalushi, Qafa e Kolçit , Qafa e Pelave, Sukpela, Maja e Gamurit , Traki I Mushkës, Qaflugu i Mushkës (shembujt te Gj. Shkurtaj, Onomastikë dhe etnolinguistikë, &3.3.1.-3.3.5, f. 79-83.), pastaj ato më të hershme shqiptare si Qafa e Agrit (Monte Agori) nga shekulli XVII (8), në Anë të Malit afër Ulqinit mikrotoponimi Shkallmushka, (“Shkalla e Mushkës”), Rruga e Kalit (Rashtishë), pastaj Pusi i Pels (Shtoj-Ulqin), Guri Kalit Beqirbegut (Kala-Ulqin) e ndonjë tjetër, e mos të flasim për toponime e mikrotoponime të shumta me element leksikor zoonimik si pëllumb, qyqe, dhi, sqap, ujk, dhelpër, derr, shqipe, gjarpër e të tjerë.(Shih shembuj te F. Luli, pun. I cit., f. 148; 150). Në këtë kontekst vlen të ceket edhe toponimi Jond ovasi (burime te Radonic, f. 249), për një vend ku është ndërtuar ! Kalaja e Elbasanit nga një jund me kuptim mushkë gjysmë e egër që shetit me kuaj të pazbutur (këtë shënim na dha orientalisti Nehat Krasniqi) dhe krahas këtij edhe varianti sllav Konjuh, Konju dhe Konjuz (Radonic &,342, f. 194).

 

Struktura fjalëformuese e disave prej tyre na rikujton kompozitat apo togfjalëshat më të hershëm të shqipes, të dëshmuara nga fillimi i shekullit XIV e këtej si Burmasi, Qafëmolla, Buzëgjerpëri (Buseigiarpeni), Vade-ja (Vau I Dejës), Baladreni apo Balldreni (Balli i Drinit), bregdeti (9) si kompozita nga bashkimi I dy emrave të ngjizur apo pranë njëri tjetrit, pastaj Mali i Gjarpërit apo Maja e Gjarpërit, ( Lugina e Valbonës ) , mandej Qafë Buall/Vajkal, Qafa e Buallit në Valikardhë (10), pastaj fusha e Bullit , për të cilin mendohet se lidhet me emrin e zhapinit (Saura e latinishtes), pra një gjarpëri të quajtur bullar apo bollar, përkatësisht përbindësh në formë zhapini (11) e ndonjë tjetër. Këtu do të shtonim se në Ulqin bullari emërton një gjarpër të parrezikshëm për të cilin ekziston besimi “se është i shenjtë dhe se nuk bën të vritet sepse ai “i ha gjarpërinjtë helmues”, “kurse bolla apo ora e shtëpisë” ! është po ashtu e shenjtë sepse ,siç thuhet, “e ruan shtëpinë”.

Nga ana tjetër në hapësirën etnogjeografike shqiptare ekzistojnë toponime të përbëra nga zooninme si elemente përcaktuese siç janë ato Suka e Dhive të Egra, Shtegu I Dhive të Egra, Guri i Qyqes, Sheu i Qyqes, pastaj Kroni I Sqapit, Shpella e Sqapit e të ngjashme me to.(12)

Në se këto emërtime nuk rrjedhin nga ndonjë etimologji popullore, atëherë ka gjasa që ky toponim të hyjë në sistem të nomenklaturës toponimike të këtij lloji, dhe Valkali të mund të zbërthehet si një togfjalësh i vjetër i shqipes me kuptim “Lugina e Kalit”, analoge me një ndërtim latino-roman Montecauallo afër Tivarit (nga viti 1414)(13), pra malkali, “Mali i Kalit.”Valkalia pra do të ishte një “Lugina e kalit”, “Lugina e kalimit”, më parë se “Lugina rrugë” apo “Lugina e rrugës”, e kjo e fundit më parë do të motivohej si emërtim referencial “rruga e luginës”.

 

Dukuria e strukturës fjalëformuese dhe leksiko-semantike të disa toponimeve me gjymtyrën përbërëse zoonimike, është e përhapur edhe në hapësira të tjera gjeografike, madje prej kohëve shumë të lashta. Rikujtojmë këtu toponime të ndryshme kompozitore me emrin e “ujkut” si përcaktues si Ulcirus mons në Dalmaci, Ulcisia castra, Ulco amne dhe Ulcaea palus në Panoni, pastaj Lupofontana nga shek. VI që e ndeshim te Prokopi i Cesaresë, përkatësisht Lupi Fontana (Jireçek, Romani… f. 18) Edhe në hapësirën e Francës dëshmohen herët shumë toponime kompozitore me emrin e shtazve dhe shpezëve të ndryshme në funksion të përcaktuesit si Campoussy (Campo Ursino i v. 1011)”Fusha e Ariut”) , Moncrabeau (Monte Caprelli të v. 1281) “Mali i Kaprollit”, Montfaucon (Mons Falconis, v. 1238)=”Mali i Falkoit”, Marlemont, apo Montmerle (“Mali i Mëllenjës”(14), e të ngjashme me to.

 

Ndërlidhja e gjymtyrës së dytë –kalia me emrin e shtazës, me një tendencë të mundshme të rimotivimit popullor me fjalën kalim, gjen mbështetje edhe në faktin se në Fjalorin e arbëreshëve të Italisë, për foljen shqipe kalonj si kuptim i parë shënohet folja e italishtes cavalcare(“kalëroj”) e pastaj ato me kuptim “nisem, shkoj, tejkaloj, kaloj përtej”. Edhe në Fjalorin e Bardhit ndeshim për foljen e latinishtes obequitare ose perequitare ,në strukturën fjalëformues të të cilave dallohet equus e latinishtes klasike për emërtimin e kalit dhe barasvlerësi në shqipe me galcuem rretherreth, përkatësisht me ngalcue perchiarch analogjikisht edhe me foljen equitare të latinishtes me “kalëroj”, kurse te arbëreshët e Italisë foljen ngaloj dhe ngalkonj, me kuptim “kalëroj”, “hip në kalë”.

Te toponimi Valchalia ne shohim një “Lugina e kalit”, si një lloj hibridi me fjalën aq të dendur dhe të vjetër në jetën shoqërore të shqiptaëve, si motvim i mundshëm denominues e referencial me përcaktuesin kali, gjeografikisht dhe historikisht i arsyeshëm, me një strukturë togfjalëshi arkaik të shqipes me nyjën e shquar kal-i(15), kurse ta quajmë kështu epitezën –a Valchali-a e shohim qoftë me analogji me Mathi-a, Chaoni-a, , Musacheni-a, Scuria (krahas Scura), të përdorura në të njëjtin kontekst etnogjeografik e historik të shqiptarëve, pa përjashtuar mundësnë që kjo epitezë të jetë përdorur këtu si një shtesë latinizuese –a, mbaresë karakteristike për mbiemrin e gjinisë femërore në përshtatje me atë Val të latinishtes, si një përcaktues i mbiemrëzuar në gjininë femërore. Shtojmë këtu se në një tekst në gjuhën italiane (16), ndeshim formën valle de Valcha, pra “Lugina e Valkas”, me një formë të s! hkurtuar.

Nga ajo që u shtrua, rrjedh se ekzistojnë dëshmi gjeografike, historike dhe gjuhësore që toponimi i mirënjohur Valkalia të jetë i zbërthyeshëm në gjymtyrën e parë të përcaktuar Val (me kuptim “fushë, luginë”) dhe atë kali si përcaktues nga një emër shtaze aq të kultivuar e të njohur në jetën ,historinë e përgjithshme njerëzore pra edhe të shqiptarëve në rastin konkret. Lidhshmëria me kalin si motivim referencial mund të jetë edhe më e hershme, por nuk përjashtohet edhe ndonjë përgjasi më e hershme me rimotivime të ndërsjella.

 

S h ë n i m e:

 

1. Shih e krahasso te: Marin Barleti, Historia e jetës dhe e vepravet të Skenderbeut, USHT, Tiranë,1964, f. 450;456; 458.

2. Hasan Ceka, Në kërkim të historisë ilire, Tiranë, ASHRSH-IA, 1998, f.241-242..

3. Shih te: Emil Lafe, ”Toponimia latino-romane e shqipes”, në Studime ilire II, Prishtinë, Rilindja,1978, f. 133; Po ai, “Toponymes latino-romains sur le territoire albanais”, në Studia albanica 1/1973, Tirana, ASRPA-ILL, Xe/73, f. 165-166; Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore IV, Prishtinë, Rilindja, 1977, f. 272.

4. Shih te Marin Barleti, Historia e jetës dhe e vepravet të Skenderbeut, cituar nën 1, f. 45o;456;458.

5. Po ai, po aty, f. 454-459.

6. Për këtë më gjerësisht te Dh. S. Shuteriqi, Mbi Barletin dhe shkrime të tjera, Tiranë, SHB “Naim Frashëri”, 1979 f. 51-62;73;79; Dr. Jovan Radoni?, Djuradj Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku,Beograd, SKA-Spomenik XCV-Drugi razred 74, 1942, f. 229-232.

7. Dh. S. Shuteriqi, “Fjalë nga leksiku i shqipes para Buzukut (879-1553)”, në Gjurmime albanologjike-Ser. filologjike 19/1989, Prishtinë, IA, 1989, f. 323.

8. Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore I, Prishtinë, Rilindja, 1976, f. 30.

9. Për këto më gjerësisht në punimet e K. Cipos, A. Xhuvanit, A. Kostallarit e ndonjë tjetër, në Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe I, Tiranë, USHT-IGJL, 1972.; Shih edhe te Jorgji Gjinari, “Mbi nyjen e prapme të shqipes në aspektin e lidhjeve gjuhësore iliro-shqiptare”, në Studime ilire II, Prishtinë, Rilindja, 1978, f. 115, shën. Nr. 6.

10. Shih e krahaso në Gjeografia fizike e Shqipërisë II, Tiranë, ASHR-QSGJSH, 1991, f. 195.

11. Hasan Ceka, vep. e cit. nën 2, f. 241-242; K. Jire?ek, Romani u gradovima Dalmacije tokom srednjega veka, Beograd, SANU, 1962, t. II, f. 68.

12. Shih burimet te: Fran Luli, “Shfaqje të mitologjisë në toponimi dhe antroponimi”, në Kumtari 7, Shkodër, Muzeu historik Shkodrës, f. 148;150; Ruzhdi Ushaku, Hulumtime etnolinguistike, Prishtinë, Fakulteti I Filologjisë, 2000,f. 43.

13. Burimi te: Konstantin Jire?ek, Romani u gradovima Dalmacije tokom srednjega veka, Beograd, SANU, 1962,t. II, f. 68.

14. Kr. në: Dictionnaire étymologique des noms de lieux en France, par A. Dauzat et Ch. Rostaing, në Larousse Sélection 2, Paris, Sélection du Reader’s Digest, f. 1727; 1844; 1857.

15. Për këtë dukuri shih punimin e cituar nën 9, Jorgji Gjinari, “Mbi nyjen e prapme të shqipes…”f. 115. dhën. nr. 6.

16. Kr. burimin te dr. Jovan Radoni?, Djuradj Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku , cituar nën 6, f. 230.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora