| E shtune, 12.12.2020, 09:25 PM |
VRASJA E DINJITETIT DHE IDESË SË LIRISË
Shkruan
Mehmet Kraja
Me
8 dhjetor 1990, tridhjetë vjet më parë, në Tiranë shpërthyen protestat
studentore (e njohur më vonë si “Lëvizja studentore e dhjetorit”), të cilat
zgjatën deri më 12 dhjetor dhe nxorën si rezultat rënien e diktaturës dhe
rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Në Kosovë kishte mendime të
ndryshme dhe ndjenja të përziera rreth këtyre zhvillimeve, por ne në Lidhjen
Demokratike të Kosovës e mbështetëm fuqishëm lëvizjen studentore dhe
demokratizimin e Shqipërisë. E di gjithashtu se në Tiranë shumë më mirë kaluan
ata kosovarë që mbajtën qëndrim “të rezervuar” ndaj këtyre ndryshimeve, ata që
njohën “vlerat” e trashëgimisë enveriste, që nuk u entuziazmuan me lëvizjen
demokratike dhe që më 1997 mbështetën “revolucionin demokratik” të “tre
gishtërinjve”. Që atëherë mund të them se kishte një moskuptim mes Kosovës dhe
Shqipërisë, jo nga ato moskuptimet historike dhe të përvojave të gjata dhe
tragjike të ndarjes, por më shumë një si ndarje botëkuptimore, e cila
konsistonte në të kuptuarit të realiteteve të ndryshme të të dy vendeve:
idealistët e Shqipërisë e kishin prioritet demokratizimin, t’i jepej fund
makthit të tmerrshëm të diktaturës, më pas të përfshiheshin në lëvizjen
politike, e cila do t’i çonte në pushtet; idealistët e Kosovës duhej të
zhvillonin dy beteja paralele, njërën më të rëndë së tjetrën: të luftonin për
çlirimin e Kosovës dhe të hiqnin qafe trashëgiminë komuniste, të Shqipërisë dhe
të Jugosllavisë njëkohësisht. Pushteti mund të ishte ëndërr e largët, ose
improvizim, si në rastin e LDK-së. Si demokratizimi i Shqipërisë, ashtu edhe
çlirimi i Kosovës, për të dyja palët, në ato vitet e fillimit, do të dalë i
pakuptueshëm dhe jashtëzakonisht konfuz, në shumë raste. Vetëm se, atëbotë, si
në Kosovë si në Shqipëri, kishte shumë besim dhe entuziazëm, të cilin e
shpërdoruan në mënyrën më të ulët klasat politike të të dy vendeve.
*
Por
kjo i takon historisë, e cila zgjati plot 30 vjet shpresë dhe zhgënjim, deri
natën e 8 dhjetorit 2020, kur në Tiranë vritet Klodian Rasha 25-vjeçar, që mund
të jetë një rast për ta kapur për gryke njëri-tjetrin, për ta shkundur dhe për
ta pyetur: Ore, çfarë bëjmë ne?! Por, përpara se të merremi me zhgënjimet tona
të reja dhe të vjetra; para se t’ia bëjmë më dije prapësitë njëri-tjetrit,
duhet të themi se një projeksion historik i zhvillimeve politike në Ballkan i
nxjerr shqiptarët popull me avantazhe të mëdha: në fillim të shekullit XXI ata
arritën të bënin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe të participojnë në
mbajtjen e dy shteteve të tjera, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kjo nuk
është ëndërr, ky është projeksion fatlum historik, por kur këtë ta përthyesh
nëpër marrëzitë tona, është edhe fatalitet, gjithashtu.
Veçse,
këtu ku mbaron historia, aty fillon nevoja për t’i thënë qashtër të gjitha
gjërat. Unë duhet t’iu them miqve të mi në Tiranë, gazetarë, analistë,
shkrimtarë, akademikë, pedagogë universitetesh, intelektualë të të gjitha
profileve, se kjo që ndodhi së fundi në Tiranë ishte e pritshme, se ishte një
vrasje e paralajmëruar, se ajo do të ndodhte sot ose nesër, se edhe tani
reagimi i tyre për këtë ngjarje është shumë i vakët, është konfuz, në të
vërtetë nuk është asfare, është një strukje në mjegullën e ndërgjegjes, sikur
ta kenë humbur busullën morale, sepse ata, miqtë e mi të Tiranës (njësoj si unë
për zhvillimet në Prishtinë) mbajnë përgjegjësi për vrasjen e atij djali të ri,
ngase ata e kanë ditur, ose është dashur ta dinë, se një autokraci çfarë sundon
që disa vjet në Shqipëri, se nëpërkëmbja permanente e dinjitetit të njeriut, se
bjerrja e shpresës, se dhuna mbi fjalën e lirë, se maniakizmi i hapur i “papës
së zi”, “bosit të errësirës”, quajeni si të doni, të cilin ata e duartrokasin,
se pushteti i shpërdorur i oligarkëve, se një gjyqësor i korruptuar etj., do të
sjellë doemos një pasojë dhe se, në fund të ditës, një policie të politizuar i
mbetet vetëm të tërheq këmbëzën dhe të vrasë qytetarin e pafajshëm, kushdo që
të jetë ai, i ri apo i moshuar, sapo t’i vijë radha. Nuk kishte si të ndodhte
ndryshe. Ndërkohë, ata e dinë, gjithashtu, se këta të rinj që protestojnë
rrugëve dhe shesheve të qyteteve të Shqipërisë dhe që i bezdisin me vandalizmin
e tyre, janë “mohikanët e fundit”, të cilët përpiqen të ndryshojnë diçka në atë
vend, teksa që nesër, pasi të torturohen nëpër komisariate, pasi të futen në
evidencat e policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë, do të shantazhohen,
do t’iu bëhet jeta e pamundur dhe, me ndihmën e pakursyer të baballarëve të
tyre, do të bëhen kontingjent i parapërgatitur për të ikur nga vendi, nga sytë
këmbët, si qindra e mijëra të tjerë para tyre.
*
Por
tani më duhet ta pranoj, se humbjen e shpresës e kemi të përbashkët, Kosova dhe
Shqipëria, se Shqipërisë iu deshën 30 vjet “për ta prekur fundin”, kurse
Kosovës më pak, 20 vjet, për të parë se zhgënjimi është rruga më e shkurtër për
në askund. Nuk e kam të qartë, nëse është mallkim i racës ose mësim i
përbashkët nga “e shkuara heroike”, por edhe Kosova, me mënyrën si instaloi në
pushtet klasën e saj politike dhe të oligarkëve, ca maskarenj analfabetë dhe
plëngprishës, pa asnjë vlerë morale dhe njerëzore, me bëmat e saj të dhjetë
viteve të fundit dhe me ndihmën e pakursyer të Shqipërisë dhe të Serbisë, për
pak iu shqyen hartat para syve, për pak u shkatërrua integriteti i saj
territorial, për pak u fundos shteti dhe për pak u zhbë ideali i saj i lirisë
dhe i pavarësisë. Kryeministri i Shqipërisë dy gjëra i bëri më mirë se çdokush
tjetër: ndihmoi Serbinë të fuqizonte planin e Çubriloviqit dhe të Qosiqit për
ndarjen e Kosovës dhe së fundi, me trysninë e përbashkët po me Serbinë, bëri që
Kosova të pranojë kokulur “mini-Shengenin ballkanik”, atë që Kosova, disa vjet
më parë, po nën udhëheqjen e LDK-së, kishte bërë një nga veprimet e saj më të
mençura: në kuadër të “Procesit të Berlinit” nuk kishte pranuar që Ballkani
Perëndimor të integrohej nën protektoratin ekonomik të Serbisë.
Nuk
është vetëm ky zhvillim, që e bëri Kosovën vend të shpresave të humbura, njësoj
si Shqipërinë. U deshën njëzet vjet “punë intensive” e klasës sonë politike, që
çdo gjë të humbë rëndësinë dhe vlerën: shteti, pavarësia, njohjet
ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, diplomacia, privatizimi, ekonomia,
arsimi, rendi, të gjitha u bënë pluhur e hi, pa asnjë shpresë se mund të
riktheheshin ndonjëherë në vendin e vet. Njerëzit e zhgënjyer i sheh gjithkund;
tashmë ata e kanë të pamundur të bëjnë jetë të dinjitetshme në Kosovë: nëse je
vrojtues i vëmendshëm, duhet të mbyllësh njërin sy, që të mos shohësh krejt
çfarë ndodh në praninë tënde; nëse je gazetar ose analist, duhet të shitesh dhe
blihesh njëqind herë, që të mbrosh interesa joparimore të injorantëve; nëse je
mësues, duhet të betohesh në Zot të mos e mësosh fëmijën tënd, siç i mëson të
tjerët; nëse je profesor, duhet të bëhesh shkatërrues i sistemit arsimor dhe i
vlerave intelektuale; nëse je biznesmen, duhet të futesh në spiralen e
korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ndryshe nuk ke të ardhme. Por, mbi të
gjitha, ishte Gjykata Speciale, e fundit në këtë radhë zhvillimesh negative, që
ia humbi Kosovës busullën morale, ia humbi pikat e orientimit në kohë dhe
hapësirë.
Derisa
“ushtarët besnikë të partisë” filluan të shëtisnin poshtë e lart, për të
“rekrutuar” nëpër Kosovë mbështetës për “kauzën e çlirimtarëve”, Shqipëria,
ndoshta pas një kohe shumë të gjatë, u bë patericë e Kosovës në këtë kauzë
politike, duke plotësuar një kuadër formal të mbështetjes: bëri deklarata në
medie, shkroi tekste sipas rastit dhe nevojës, ose sipas porosisë, pra njëjtë
si Kosova, asnjëra palë pa u përpjekur të kuptojnë se Gjykata Speciale ishte
rrjedhojë logjike e zhvillimeve politike të njëzet viteve të fundit në Kosovë
dhe në mileun shqiptar. Unë e kam thënë edhe një herë tjetër: Gjykata Speciale
është e padrejtë, sepse shqiptarët në luftën e viteve 1998-99 ishin viktima dhe
se ajo, në një mënyrë shumë të shëmtuar, arriti të deformojë narracionin e
luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës për liri të një populli,
madje të të gjitha luftërave për liri në çdo cep të globit. Dhe e bëri këtë në
një mënyrë krejt të përmbysur: memorizoi bëmat kriminale të çlirimtarëve gjatë
njëzet viteve të fundit dhe me këtë perceptim, me këtë këndvështrim, iu vërsul
Kosovës për krimet e luftës të ndodhura njëzet vjet më parë. Kjo është e njëjta
gjë, njësoj, sikundër që krimet e Serbisë dhe klasa e saj politike e
pareformuar u amnistuan jo duke u mbështetur në gjendjen dhe zhvillimet reale
të asaj kohe, por duke e perceptuar situatën në raport me interesat aktuale të
Perëndimit, për të larguar Serbinë nga ndikimi rus. Një diskurs i këtillë e bën
Gjykatën Speciale krejtësisht johistorike, por vetëm një instrument politik për
të pacifizuar Ballkanin. Më anë tjetër, në reagimet e shumta folklorike kundër
Gjykatës Speciale harrohet se ajo u themelua nga një parlament demokratik dhe
se ata që u bënë viktimë e saj, ishin vendimmarrës të plotfuqishëm. Se cilët ishin
kalkulimet e tyre, mund ta dinë pak njerëz, por që ndonjëri syresh të kërkojë
të lirohet nga paraburgimi, duke ofruar si mundësi banimi “një vend jo fqinj të
Kosovës”, është një cen i paprecedent i integritetit moral. Po të mos e kisha
parë vetë të shkruar, nuk do ta kisha besuar se mund të ndodhte.
*
Tani
Kosova dhe Shqipëria përpëliten në krizë politike dhe në krizën e sëmundjes e
të vdekjes nga pandemia. Derisa shkruaj këtë tekst, mediet e Shqipërisë
njoftojnë se policia në Tiranë rrethon kryeministrinë, ndërkaq analistët në
Prishtinë, bashkë me vetë liderët politikë, bëjnë llogari mbi llogaritë, si
mund ta zgjedhin presidentin duke evituar zgjedhjet, sepse nuk duan që së paku
në tri vitet e ardhshëm ta qeverisin Kosovën sipas vullnetit të votuesve, por
me ata që manipulojnë opinionin dhe vullnetin demokratik. Ndërkohë, pandemia ka
një përhapje të frikshme në Kosovë dhe në Shqipëri dhe, nëse i lidh diçka këta
dy vende në këtë situatë të rëndë, është numri i pasaktë i të infektuarve nga
virusi, sepse statistikave të tyre nuk ka si t’u besojë njeri: ishin po këto
qeveri që gati dhjetë vjet më parë gënjyen veten dhe botën për numrin e
popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, që ta përdornin kurdo që t’iu hyjë në
punë pushtetarëve, në mënyrë që të dalë se sukseset e tyre janë me shifra më të
larta, si në ekonomi, punësim, në bruto prodhimin, në infrastrukturë, në arsim,
kudo. Ta besoni, më herët këtë veprim të shëmtuar të zvogëlimit të numrit të
shqiptarëve e bënin ata që donin të na zhduknin nga faqja e dheut, këtë e dimë
të gjithë, kurse tani na e bëjnë shtetet tona, para syve tanë dhe ne, të
pafuqishëm, bëhemi viktima edhe të shifrave të tyre të gënjeshtërta: sëmuremi
dhe vdesim sipas statistikave të tyre të rrejshme!
(Autori është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve
të Kosovës dhe qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë të tij, nuk
përfaqësojnë institucionin.)
https://www.facebook.com/mehmet.kraja