Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Uji në Lufaj, një çast historik

| E premte, 11.12.2020, 09:08 PM |


UJI NË LUFAJ, NJË ÇAST HISTORIK…

Nga Ndue Dedaj

Marianne Graf është atje ku nuk janë të tjerët.

E pandalshme dhe e gjendshme kudo në male ku ka njerëz që duhen mbështetur.

Bën për njerëzit atë që nuk e bën tjetërkush.

Ja, si këtë mrekullinë e nxjerrjes së ujit në fshatin e largët Lufaj, buzë Trangës mahnitëse të Selitës. Ajo këtë e quan një moment historik, pasi:

“Për herë të parë në historinë e këtij vendi (nga kohërat ilire), banorët e rrafshnaltës nxjerrin ujë të freskët pusi - nga një thellësi prej 200 m. Që nga kohërat shumë të hershme, banorëve u është dashur të sjellin ujin të ngarkuar mbi kafshë duke e mbartur nga një burim që ndodhet rreth 3 km larg. Shumë emigruan menjëherë pas kthesës e ata që mbetën do të ishin larguar me sot e me nesër. Por për ku? Tani kjo pyetje nuk shtrohet më. Përkundrazi, në pyetje shtrohet kthimi. Disa familje do të kthehen së shpejti në vatrat e tyre…”

I ka thënë të gjitha vetë përmes këtij statusi në faqen e saj “Albania Austria Partnerschaft”, kurse ne dëshirojmë të shtojmë vetëm dy fjalë. Kjo zonjë austriake, që e ka fituar “pasaportën” shqiptare prej më shumë se një çerek shekulli, kësaj here jo vetëm ka nxjerrë ujin me sondë për banorët e Lufajt, por njëherësh ka sfiduar të gjithë ata që u janë përveshur ujërave të maleve, burimeve, përrenjëve dhe lumenjëve për t’i bërë “dritë” për veten e tyre. Ajo ka bërë të kundërtën, ka zgjatur “dorën” nëntokë, e kam marrë ujin e thellësive dhe ua ka dhuruar njerëzve si të ishte ndonjë hyjni ujërash e Antikitetit… apo e kohës moderne!

Marianne është dora e “padukshme” e ndryshimit, me aq shumë vepra të shquara bujarie austriake, në vendin e pirustëve. Do të duhej një libër i tërë për t’i përshkruar një nga një.

Dhe, me sa di, ende nuk e ka titullin “Qytetare Nderi e Mirditës”.