E marte, 16.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Varianti që nuk na përfaqëson denjësisht

E enjte, 10.12.2020, 09:48 PM


Varianti që nuk na përfaqëson denjësisht[1]

..sprovë mbi baladën “Kënga e Dhoqinës”..

Nga Timo Mërkuri

Varianti “Kënga e Dhoqinës” i yllësisë baladeske “Besa e Kostandinit”, është një nga variantet më elegante dhe plot muzikalitet, e cila këndohej në gjitha trevat e Shqipërisë Jugore, madje në bregdet, jo vetëm që këndohej në valle gjer në vitet ’60, por gjyshet tona jua këndonin nipërve e mbesave në shtëpi edhe në kohët e mëpasme, madje e këndje  në disa variante brenda fshatit apo nëpër fshatrat fqinjë. Po kështu, në krahinën e Labërisë, ky variant gjendet në disa motërzime, të cilat janë të përafërta me variantin e bregdetit dhe të  Arbëreshëve të Italisë, pa përmëndur ato të arvanitasitasve në Greqi. Është një nga variantet më magjepëse të kësaj balade, si të “qëndisur “ me dorë, sa që edhe me një lexim të shpejtë të mbeten në mendje vargjet tronditëse të mallëkimit të nënës, ngritja e Kostandinit nga varri dhe udhëtimi i vëllait të vdekur me motrën mbi të njëjtin kal. Madje qysh në fëmini na fiksoheshin në kujtesë vëlla e motër mbi kalin e zi, me shalë të zezë dhe frerin e argjendtë, me flokët e përbaltura dhe të lagështa të Kostandinit, që era ja shpupuris Dhoqinës në fytyrë, të cilën gëzimi i vizitës së papritur të vallait të vogël dhe nisja e menjëherëshme për vizitën e shumë dëshiruar te nëna plakë, nuk e la të thellohej shumë te kuptimi i këngës së zogjve.

Kështu edhe ne, magjia që shpërndan ky variant balade nuk na la të shohim se mbi të ka rënë diçka më shumë se pluhuri i shekujve.

Faktorët pozitivë artistikë si dhe përhapja e madhe në trevat e banuara me popullatë shqipfolëse ndoshta kanë qënë arsyet që komisioni shtetëror shqiptar e paraqiti për të përfaqsuar folkloristikën e vendit tonë dhe variantin shqiptar të baladës së “besës” pranë komisionit të botimit të “Antologjia e poezisë ballaknike” (EMOS) Athinë, 2006, botim në të cilin të gjitha vendet ballkanike që e kanë  në folkloristikën e tyre baladën e Kostandinit, pavarësisht nga emri i saj, e kanë të përfshirë  te botimi i EMOS  në gjuhën e vendit dhe e kanë të  përkthyer në gjuhët e vendeve të tjera, në botimet e  tyre. Kështu në botimin shqip të saj gjënden variantet e e kësaj balade të vendeve ballkanike, ku i gjetëm të përkthyera në shqip dhe i përdorëm për

këtë studim.

Ky përfaqsim i baladës shqiptare “Besa e Kostandinit”  me variantin “Kënga e Dhoqinës” përballë varianteve  të popujve ballkanikë,ka mbartur me vete disa problematika me ndikim negative në paraqitjen e vlerave reale artistike dhe historike të  baladës shqiptare të “besës” ..

Për të folur për këto problematika, ne le të njohim fillimisht tekstin e baladës.

Kënga e Dhoqinës[2]

Ditën e Pashkës në drekë
Seç u therr një ka në fshat
Vajta e mora një okë mish
Dhe e hodha në kusi.

5-Me vrap dola në avlli
Të mar një kërcu të zi
Të më shpifet një stihi
Me vrap m’u hodh në kusi
Më helmoi djemt e mi
10-Nëntë djem e nëntë nuse
Të nënta me djem në duar
Nëntë djepe ç’mi përmbyse
Nëntë pajë ç’mi zhurite
Nëntë dyfeqe ç’mi shite!
15-Kostandin, të arthtë gjëma
Martove Dhoqinën larg
Larg e larg mërguar
Tre male kaptuar!
Ditën e Pashkës së madhe
20-Dhoqina na hidhej valle!
Kostandini u ngrit nga varri,
Rrasa iu bë kalë,
Balta i u bë shalë.
Vrap e vrap te Dhoqina.
25-“Mire se erdhe, o im vëlla,
në ke ardhë për të mirë,
të vishem si gjeraqinë,
në ke ardhë për të keq,
të vishem si kallogre”.
30-“Jo, motër , sikundër je”.
E hipi në vithe të kalit.
Zoqtë udhës, seç po thoshin:
“Cili – viu, viu-viu,
Kush ia bën, ia bën vetiu,
35-Keni parë a s’keni parë!
Shkon një zogëz bishtbardhë,
I vdekuri me të gjallë!
Vete gjen te der’ e kishës,
“Ikë tani o moj Dhoqinë,
40-Se kam punë  në ajodhimë,
Se aty e kam shtëpinë”.
Vate gjer te dera,
Çëk-çëk në portë.
“Ç’je ti që kërcet në portë?
45-Mos je bushtër, a murtajë?
A mos je zonja murtajë
Që më hëngre djemt’ e mi?”
“Hap, moj nënë, derën,
Jam Dhoqinë e vetëm!”
50-Me cinë erdhe, moj Dhoqinë?
-“Un’ ardhshë  me Kostandinë”.
-Ç’Kostandin, moj t’arthtë gjëma?
Kostandin i vdekur,
Ç’bën tre vjet pa treturë?”
55-Një në prak e një në derë,
56-Plasnë si qelqe me verë[3].

Hoshtevë Gjirokastër

I-Balada qysh në vargun e parë na bën një prezantim interesant, që rrallë gjëndet variantet e tjera të kësaj balade. Realisht ky variant  fillon me vargun “Ditën e Pashkës në drekë”, varg i paraqitur  me një mënyrë tepër të natyrëshme, sikur dëshiron që të saktësojë  pafajësisht kohën e veprimit, momentin e ngjarjes dhe sikur ky çast krejt rastësisht na qënka “Ditën e Pashkës në drekë”. Nuk do paraqiste asnjë shqetësim sikur kjo përmëndje të ishte rastësore, por fakti që kjo baladë nis në një ditë feste kristiane “Ditën e Pashskës në drekë”, pas nëntëmbëdhjetë vargjesh, po në këtë ditë nis pjesa e dytë e baladës ‘’Ditën e Pashkës së Madhe/Dhoqina na hidhej valle” pas nëntë- mbëdhjetë vargjesh të tjera e shpie ngjarjen te  një objekt kristian ’Vate gjer te dera e kishës”, për ta mbyllur aksionin e Kostandinit brenda kësaj kishe..”Ikë tani moj Dhoqinë/Se kam punë në ajodhimë/ Se aty e kam shtëpinë” të krijon përshtypjen se ngjarja, jo rastësisht është vendosur “me dorë” te “sheshi i kishës”. Këtë përshtypja na e përforcon fakti se është i vetmi variant shqiptar ngjarja fillon e vijon me  një datë feste kristiane e përfundon në një object kulti të krishterë, sepse te varianti “Kostandini dhe Garantina” balada nis me vargjet”Ish një nënë shumë e mire/kish nëntë djem të hijshëm/e të dhjetën një vashë”,”Kënga e Halil Garrisë” fillon me vargjet.”Zot ç’ka than Halil Garrija? /Be mbi zotin trimi bani/“Pse nant vllezën ne q’i jemi/Veç nji motër, tjetër s’kemi..“,“Besa e Kostandinit” nis me vargjet ”Ish një mëmë shumë e mirë E na kishë nëntë djelmë bujarë/Të dhjetën një vashë”, te “Doruntina” me vargjet “Gjashtë e gjashtë dymëdhietë/ Doruntina e tremëdhjetë.” etj. fillime që skanë asnjë lidhje me besim apo kulte fetare..

.   II-Fakti i ringjalljes së Kostandinit në baladë “dëshmohet” si në llogjikën e vijimit të subjektit të baladës, ashtu edhe  në një numër të madh variantesh e motërzimesh shqiptare (madje dhe në ato ballkanike e europiane), kështu që ky fakt është “provuar” plotësisht. Ndërkohë theksojmë se; kisha kristiane, ndoshta do ta toleronte ringjalljen e Kostandinit, në rast se do vinte si pasojë e “urdhërit” apo “porosisë” së Zotit, siç ndodh në disa variante ballkanike. Te varianti bullgar: “Zoti u brengos kur dëgjoi, /Gjithë sa tha ja plotësoi:/Dheun e bëri gunë të lehtë,/Tabutin-kalë të shpejtë,/Kryqin-pagur të verdhë./65-U ngrit Llazari e shkoi”, te varianti rumun “E ndoqi mallkimi/Dhe kur deshi zoti/E dërmoi token/Kur do të ringjallej/Ai do të bëhej /Si froni m’i vyer/Kali më i shpejtë,/Mbulesa stoli/Mbi shalën e tij,/frerët të tendosur/Vrapi i marrosur /Kali i xhindosur”, te variant serb dhe boshnjak“Por zoti i madhe e mëshiroi/ Dhe ai dërgoi dy ëngjëj të tij./-Shkoni poshtë dy ëngjëj të mi/Deri te varri i bardhë i Jovanit, /I Jovanit, vëllait më të vogël/Me shpirtin tuaj i jipni shpirt/Nga varri kalin ia mbaroni/Nga dheu ia gatuani bukën/Nga qefini ia bëni dhuratat/E përgatisni të shkojë te e motra”.

III-Ka njëvarg  që të ve në mendime dhe konkretisht vargun  katërmbëdhjetë, ku nëna në vajtim e sipër, pasi përmënd në vajtim, përmasat e gjëmës që e ka gjetur ”Nëntë djem e nëntë nuse/Të nënta me djem në duar/Nëntë djepe ç’mi përmbyse/Nëntë pajë ç’mi zhurite”, cilëson befasisht...”Nëntë dyfeqe m’i shite”..

Ky varg nuk është aq i pafajshëm sa duket, pasi është një varg që cilëson një epokë dhe pikërisht epokën e armëve të zjarrit. Për herë të parë armët e zjarrit dëshmohen në vendin tonë në shekullin e XV dhe pushkatari i parë që përmendet në histori është Gjergj Aleksi, ushtar i Skënderbeut që më 23 prill 1467, gjatë rrethimit të dytë të Krujës vret me një të shtënë pushke Ballaban Pashën.

Kështu që përmëndja e dyfeqeve në këtë variant balade, madje qysh në nisje të saj, lë të nënkuptojë se kjo është krijim i epokës së armëve të zjarritm, duke dëshmuar në mënyrë indirekte se balada është një krijim i mesjetës dhe nuk qëndron pretendimi I shqiptarëve për origjinë nga epokat e hershëmrisë të shoqërisë njerëzore

IV-Te “Kënga e Dhoqinës” kemi cilësim të zhvillimit të ngjarjeve të baladës në“Ditën e Pashkës në drekë”, “Ditën e Pashkës së madhe”, lëvizje vend ngjarjeje “Vajti gjer te der’ e kishës” dhe mbyllje “Unë do shkoj në ajodhimë/Se aty e kam shtëpinë’’, cilësime që realisht nuk kanë asnjë lidhje llogjike me subjektin e baladës, por janë të shtuara në një kohë tjetër.

Te kapitulli “Hyrje në baladë” sqaruam se balada ka një subjekt pagan dhe se ringjallja e Kostandinit nuk është imitim i mëpasmë i ringjalljes së Krishtit apo Llazarit, por ka ndodhur shumë kohë para tyre.Fakti që Kostandini ringjallet pas tre vjetësh nga dita e vdekjes (ç’bën tre vjet pa tretur), dëshmon hershëmrinë e baladës.Fakti që nëna mallëkon të birin e vdekur me një forcë, që rezulton e “barabartë” me forcën e Zotit pasi ajo, ashtu si vetë Zoti ngre të vdekurin nga varri. Madje forca e nënës është “më e madhe” pasi ajo e ringjall të birin tre vjet pas vdekjes, kohë që ai duhej të kishte përfunduar procesin“tretjes”së trupit, ndërkohë që Jezu Krishti ringjallet vetëm ditën e tretë.

Të gjithë këto element paganë dëshmojnë për një hershmëri të baladës, jo vetëm parakristiane.Mungesa e egzistencës së shtetit apo e organizmave shtetërore në baladë e shpie epokën që cilëson në hershmërinë paraantike.Mungesa e babait si person apo kujtim drejtues i familjes, cilëson epokën e fundit të matriarkatit.

Natyrshëm lind pyetja: si shpjegohet cilësimi i elementëve kristianë në këtë variant? Kjo pyetje e ka një përgjigje logjike.Krishtërimi u njoh nga shqiptarët qysh në shek.e I pas Krishtit, por populli ynë, ndonëse e pranoi krishtërimin, nuk u shndrua në popull fetar. Ai vijoi të ruante rite, doke e zakone pagane, madje deri në kohët moderne.Ndërkohë shekulli XV solli ndryshime të mëdha.Në vitin 1453 ra Kostandinopoja, rënie që u shoqërua me masakra masive nga pushtuesit, përfshirë dhe vrasjen makabre të familjes perandorake. Pushtuesit, veç të tjerash nisën edhe tjetërsimin e objekteve të kultit kristian, si kthimi në xhami i kishës së Shën Sofisë si dhe kishave në vendet që pushtonin, detyrimin e ndryshimit të besimit fetar kristian në myslimanizëm etj..Personazhet dhe idetë e një sërë baladash dhe këngësh ballkanike nisën të islamizohen.

Është pikërisht kjo koha, që priftërinjtë katolikë dhe ortodoksë duke përfituar dhe nga marveshja e kishës së Kostandinopojës me Sulltanin, nisën iventarizimin e aseteve kristiane (materiale apo shpirtërore) me synim mbrojtjen por edhe përfitimin e tyre. Duke “pretenduar autorësinë” e veprave të artit gojor shqiptar, ata ndërhynë te subjekti dhe bota e personazheve të  tyre, duke i veshur me “veladon” kristian. Kështu  ndërhynë te teksti i baladës së “Besës së Kostandinit”, madje e quajtën “Kënga e Dhoqinës”, e çvendosën kohën dhe ngjarjen në ambiente dhe data të shënuara kristiane, ringjalljen e baladës e spostuan në “Ditën e Pashkës së Madhe” që të kujtohej ringjallja e Jezu Krishtit dhe jo e Kostandinit, ndërkohë që ky u rikthye në ajodhimë për të rihyrë në varr, për t’u tretur e haruar, pasi s’kishte më mission për të kryer,  ndërkohë që Jezu Krishti qëndronte në qiell në krah të të atit dhe vazhdonte misionin e tij si bir perëndie. Kënga nisi normalisht këndohej në ditët e festave kristiane, te sheshi i kishës së fshatit, me një melodi të përvajëshme, si hymnet kishtare. Nuk është dhe aq e pafajshme kjo ndërhyrje priftërinjsh në baladë.

V-Ka një ndryshim të madh kjo baladë e ripunuar krishtërisht.Asgjëkundi nuk përmëndet fjala “besë”. Ja si e mallëkon e ëma Kostandinin te varri :..Kostandin, të arthtë gjëma/Martove Dhoqinën larg/Larg e larg mërguar/Tre male kaptuar!..Asgjëkundi fjala“besë”. Ndërkohë që te varianti arbëresh.”Kostandini e Garentina” kemi:“Kostandin o biri im/ ku është besa që më dhe/se do sillje Garentinën,/Garentinën, motrën tënde?/Besa jote nën dhe”, në variantin e Labërisë të “Kënga e Dhoqinës” kemi : “Lanet paç, o Kostandin,/Lanet paç o biri im,/Ma dhe Dhoqinën në fqinj/…/Po tani që mu bë gjëma,/Ku është besa që më dhe?/ Dhoqinën ti, ku ma ke”, te “Kënga e Halil Garrisë” kemi vargjet : “Amanet more zogu i malit/ M’i  thuej vllaut Halilit të ri/Se jot motër mue më ka thanë:/“Ku e lae bësën q’i m’ke dhanë?”/ “T’ka xan vori me besë të dhanë/T’pret nji motër, t’pret nji nanë”, te “Besa e Kostandinit” kemi :Të japbesën mëmëza im /Kur t’e duash ti Jurendinë /Shkonjë e sjellë si vetëtimë./E kështu mbi atë besë/Konstandini,vëllau i vogël/Pat martuar të vetmen motër/…/Kostandin, o biri im,/Çon’ju , bir, se jam jot’mëmë/Të më sjellësh bijën time/Ku ë besa që më dhe/Besa jotë nënë dhe.., te “Doruntina” këndohet: “ku isht besa çë më dhe?/Vdikje, e vate edhe nën dhe”!...etj . Nga ky ballafaqim nxjerim përfundimin se priftërinjtë që e ri’shkruan” baladën e mësipërme,ndërsa u kujdesën që ta vishnin subjektin “me veladon” kishtar, nuk haruan që t’ja mënjanojnë, t’ja fshijnë simbolin kombëtar të qënies së baladës, duke paraqitur si element parësor simbolin fetar.Këtë spostim janë munduar ta fshehin me vlera artistike, rrjedhshmëri subjekti e vargje dhe sidomos me faktin që balada këndohej e vallzohej në festa fetare në oborin e  kishës.

Ne që jemi rritur me baladën e Kostandinit, e ndjejmë që te mallëkimi i nënës, edhe te ky variant, është i “heshtur” si shkak “shkelja e besës”, motori lëvizës” i baladës, por në një antologji ballkanike, ku pretendohet të argumentohet edhe origjina e baladës nëpërmjet variantit tënd, të paraqitesh me një variant ku mungon “dëshmia” kryesore e autorësisë, ndërkohë që dihet se “besa” është koncept dhe institucion vetëm shqiptar, unë mendoj se është më shumë se gabim.

….vijon…

Sarandë, më Nëntor- Dhjetor 2020



[1] Me titullin “Kostandini nuk hyri në ajodhimë”një sprovëe përafërtështë botuar te libri im “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë, 2018., paragrafë  pjesorë të së cilës janë përfshirë te kjo pjesë të studimit të “besës”  në librin im të ri në proces “Besa shqiptare e Kostandinit”.

[2]Marrë nga  EMOS “Antologjia e poezisë ballaknike” Athinë 2006 f.q. 32-33..Te “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos këtë legjende e kemi ne proze (Plaka me nëntë djemtë) .

[3]Këtë variant  balade  poeti dhe përkthyesi Andrea Zarballa e përktheu dhe u përfshi në botimin greqisht të EMOS si varianti përfaqsues i Shqipërisë. Po kështu u përkthye dhe në gjuhët e tjera të Ballkanit, duke u përfshirë në botimet e shteteve përkatës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora