E premte, 19.04.2024, 10:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Pse “po” paskajorja në standardin e shqipes së natyrshme (5)

E marte, 08.12.2020, 08:45 PM


V. TË RIKTHYERIT E PASKAJORES SI FENIKS I RINGJALLUR DHE RAPORTI NDËRSINONIMIK BALLAFAQUES

LOJAL I SAJ ME FORMAT E STANDARDIT TË SOTËM

- Dita vjen dritëpashtjerr - sado nata të jetë skëterr

NGA DR. NUHI VESELAJ

Sihyrje

Siç po shihet nga formulimi i titullit, në këtë krye do të trajtohet të rikthyerit e paskajores në standard si feniks i ringjallur dhe kjo do të trajtohehet guximtarisht në raport ballafaques me format sinonimike në përdorim e sipër si me qenë një  rikthim tashmë në procedurë të rregullt, edhe pse dihet se paskajorja e mirëfilltë tash mbi 70 vjet në Shqipëri dhe mbi 50 në Kosovë, është përjashtuar nga standardi unik i zyrtarizuar dhe aq më tepër lidhur me këtë rikthim, me shikue sipas sistemit zyrtar, asnjë organ kompetent nga Qendra ende nuk  ka dhënë pëlqim rehabilitimi, atëherë normalisht lind pyetja, kemi të bëjmë me ndonjë lajthitje rasti apo me ndonjë gjendje të jashtëzakonshme?! Nuk kemi të bëjmë as me njërin as me tjetrin sugjerim, por me gjendje specifike pothuaj të rëdomtë të lejueshme, por që gjithsesi kërkon sqarim.

Kjo që u tha më sipër është e vërtetë se paskajorja e mirëfilltë, siç  është pohua më parë edhe në këtë punim ishte përjashtuar allapartizançe nga norma zyrtare e gjuhës shqipe më 1945 në Tiranë dhe më 1968 në Prishtinë, mirëpo ajo në fakt jetoi nuk u zhduk nga sovrani ose nuk mundi të zhdukej sepse ishte mishethua e mpleksur me popullin që e fliste dhe e flet që nga identifikimi dhe me shikue sipas anës  historike dhe të drejtës së natyrshme universale paskajorja, duke qenë si pjesë e themelore e gjuhës si dhe ndërkohë e ish-shqipes letrare në Periudhën e Pavarësisë, ishte nën mbrojtje të normës së shqipes globale dhe njëherazi edhe sipas normës pragmatike të situatës. Me folë pak më troç. Paskajorja mbeti e mbrojtur jo nga norma zyrtare, por u mbrojt dhe mbeti e gjallë nën hije standardi, duke qenë pjesë përbërëse  e gjuhës ku  kishte përdorim të dalluar në gojën e Shqiponjës së Flamurit shqiptar që ligjëronte mbi bazë të gegnishtes. Madje u vetmbrojt jeta e saj edhe për vlerat që kishte, ngase me funksionet e veta, veç tjerash, në kuadër të ligjërimit përgjithësisht, dallohej, për këto katër funksione: a) rreth  përfaqësimit foljor e emëror, b) përshkallëzimit kuptimor, c) fjalëformimit me pjesoren e shkurtë dhe ç)  për pjesëmarrje në shprehje komplekse me simotra sinonimike brenda fjalive e sifjalive në sintaksën e shqipe.

Dhe kështu si njëra nga gjindja e dalluar më gjalluese e asaj shtëpie ligjërimore, kishte dhe detyra të tjera varësisht nga nevoja dhe klimat politiko-shoqërore që përjetoheshin gjatë zhvillimit historik nëpër shekuj.  Së këndejmi  paskajorja edhe gjatë periudhës së monizmit, edhe  pse jashtëzyrtares, jetonte dhe e ndihmonte standardin jo aq haptas, por strukturisht. Ndërkohë pas  përmbysjes së monizmit e në vijimsi, kjo formë nga nevoja filloi me u përmend si ndihmëtare e nevojshme  gjithnjë e më haptas tash  edhe nga  goja e Shqiponjës tjetër të Flamurit që ligjëronte zyrtarisht mbi bazë të toskërishtes, prandaj me plotë të drejtë mund të thuhet se ajo si edhe më përpara po edhe tash duke qëndruar brenda dialektit gegnisht u imponua  në  letrarishten zyrtare, dhe pikërisht së andejmi po vjen kërkesa për legalizim.  Prandaj mbështetur në nevojën që po imponohet ne shfrytëzuam këto fakte dhe e formuluam këtë titull punimi, duke cilësuar paskajoren si feniks të ringjallur në letrarishte (standard) dhe po e trajtojmë në raport  ballafaques me format sinonimike  të standardit të sotëm, me të cilat bashkëjetonte më parë, madje nën hije edhe pse e përjashtuar kishte prani, andaj  sot lojalisht ka ndërveprim tok me format që qëndronin eqëndrojnë brenda standardit aktual.

Ç’është e drejta, para se të kalojmë në analiza konkrete rreth ballafaqimit e shoh të nevojshme të them dy fjalë jo aq si qëndronte më parë, apo si  mbeti gjallë paskajorja  në gojën e Shqiponjës së  Flamurit që ligjëronte shqip mbi bazë gegnishtes edhe si vepronte nën  hije  në përgjithësi, por edhe në veçanti sa i takonte  fushës  mendimore mediditative, por s’mund  të  rri pa përmend ndonjë hollësi se çfarë përhapje e jetë stabile kishte në fushën letrare estetike më parë dhe ndërkohë. Për të mëparshmen po mjaftohem  me  dy fakte nga Periudhën e Pavarësisë. E para, i madhi Atë  Gj. Fishta, vetëm në poezinë Lule vjeshtet (1909) 37 herë e ka përdorur paskajoren e mirëfilltë, ndërsa Pirro Floqi në poemën Kosova e lirë (1941) vargëzimin e përmbyll me 30 paskajore.

Po ky përdorim  edhe pse jo aq me rezm standardi vazhdoi edhe me gojën e Shqiponjës tjetër të Flamurit me ligjërojën e shqipes së normëzuar mbi bazë të toskërishtes dhe sa i përket anës shpirtërore letraro-artistike edhe para dhe pas zhbërjes së monizmit pas viteteve të 90-a të shekullit të kaluar dhe më haptas në fillim të shekullit të ri u fol dhe u shkruar frymëzisht për paskajoren  edhe me gojën e standardit dhe kështu argumentohet ringjallja e paskajores edhe  brenda jetës së standardit.  Kështu dolën edhe vepra të shkruara mbi këtë vijë. Është fat që Mehmet Elezi nuk mbeti i vetmuar në Shqipri, ndërsa “akademikët“ e këndejshëm nga presioni, duke mbetur në ferkemt e Institutit, sa i përket kësaj pike, vetëm sa u përlloçavën pa kryer punë, apo jo?!

Në të vërtetë, si formë e rëndësishme themelore përveç nevojave shkencore paskajorja vazhdoi  me depërtue si  ”moll e ndaluar” nga fusha e krjimtarisë letrare, Kështu pa përmendur të tjerë, vetëm në një krijim poetik të Sabri Hamitit  Paskajore (2017) prej 31 vargjesh paskajorja  zuri vend në afro 40 raste.

Sidoqoftë, po në gjuhën e zyrtarizuar të kësaj goje më 2010 nga dy kryesuesit e akademive shqiptare Kolec Topalli (Tiranë) dhe Besim Bokshi  (Prishtinë)  që nuk ishin pa shokë, u  kërkua rikthimi i paskajores në standard në procedurë të rregullt... Si rrjedhojë. barrierat që ishin të forta, ndërkohë pothuaj filluan të thyhen nga vetë pedagogët, jo vetëm të universitetit të Tiranës, po gjithandej e gjithkëndej, duke dhënë tema të tilla disertacionesh që shkencërisht zbulonin nga terreni si dhe nga veprat klasike vlerat e paskajores  dhe kështu  urtësisht u hapën dyert për rikthim të paskajores në diskutim forumesh me kompetencë, madje këtë rigjallërim e mundësuan  me mendimet e tyre me qinda studiues e intelektaualë respektues të denjë të këtij standardizimi, të cilët edhe arsyetonin riintegrimin e paskajores së mirëfilltë në standard. (Shih vepra Drejt standardizimit ... (2015.)

Në këto rrethana u botuan e po botohen edhe punime me vlerë, kushtuar pikërisht paskajores së shqipes. Ndër mendimtarët e kësaj teme po veçoj studiuesit me origjinë jugore, si Stavri Trako, i cili në mënyrë të veçantë ka meritë për përshkallëzimin  kuptimor që mundëson paskajorja në krahasim me lidhoren, pastaj të gjindshmin Ardian Vehhiu, i cili fton të fillohet me paskajore në standard, gjithashtu përmend poetin Sulejman Mato, i cili botërisht kërkon paskajoren në standard, madje po e përmend edhe të madhin Ismail  Kadare, i cili  sakrafikimin e paskajores e quan akt barbar. Tash së fundi kam vënë re që një numër i konsiderueshëm gazetarësh, politikanësh, kolumnistësh, madje edhe tregimtarësh po me prejardhje jugore, po gjejnë rast që vërtet me mjeshtri dhe në mënyrë të natyrshme po e fusin në shkrimet e tyre paskajoren e mirëfilltë, madje në trajtën gegnishte.

Këto që i thamë e nuk i thamë po që nënkuptohen, por mua ishin prova të mjaftueshme që më duheshin edhe, pra edhe nga goja e Shqiponjës tjetër e Flamurit tonë kombëtar me ligjërim mbi bazë standardi (toskërishte) që në emër të të dy gojave të Shqiponjës me formulue titullin e këtij kreu dhe me qenë i lirë me përdorë paskajoren, sa herë që e kërkon rasa. Këtë rast më shkon ndërmend fakti historik që shqiptarët bënë mirë që pa pritur ndonjë dekret përvojë stambolli, e përqafuan alfabetin e dytë nga Kongresi i Manastirit (1908), atë që e kemi sot me rrezatim perëndimor, ashtu mund të veprohet pse jo,  edhe me përvetësimin e paskajores në standard, pa pritur koncensus nga ndonjë paskajorefob sot në pozitë,  apo jo?!

Së këndejmi, atë që sapo e thamë e nuk e thamë po nënkuptohet, do të përpiqemi ta  vërtetojmë së bashku gjatë trajtimit,  por, nuk po mund të lë pa e shprehur një të vërtetë të madhe që tani është kënaqësi me përmend. Paskajorja askund nuk po rishfaqet si gogol ndaj standardit siç është propaganduar makiavelisht deri vonë. Ajo duke u rikthye së toku me sishoqe po krijon një mozaik shpjehjesor të  harmonishëm shumë të përkapshëm. Veç kënaqësisë mozaike  opinioni i ri edhe nga analiza jonë, gjithnjë e më shumë mund të njihet me një pjesë të autonomisë kuptimore të privuar pa të drejtë kundrejt paskajores mbi 70 vjet, realitet ky që do të trokasë lehtë në mendjen e secilit shqipfolës dhe të ndonjë stardologu që ende mban dyshim ose ka mbetur i hutuar.

Sidoqoftë  tashti  do të trajtohet konkretisht ballfaqimi i sapocituar i paskajores së mirëfilltë me format sinonimike të standardit të shtjelluar në këto tri pika:

së pari, paskajorja në raport me katër forma të njohura përfaqësimi nga standardi i sotëm;

së dyti, paskajorja e ringjallur në raport me trajta sinonimisht të fryra, amputime, lajthitje gjatë standardit pa paskajore dhe

së treti, raste ikjesh nga shprehjet me paskajore gjatë periudhës moniste pa paskajore dhe riballafaqimi sfidues konkurrues i sotëm.

(1) Paskajorja e rikthyer dhe raporti me katër trajtat orto-morfologjike

përfaqësuese të standardit të sotëm

Të shohim tani paskajoren potencialisht të rikthyer në raport me katër trajtat përfaqësuese të standardit të sotëm: a) punoj –me punue, b) të punoj- me punue, c) të punosh – me punue dhe ç) për të punuar –(për) me punue.

1) Raporti përfaqësimor punoj –me punue

Meqë ndër funksionet parësore të paskajores së mirëflltë përmendet funksioni përfaqësimor i foljes si funksion i specializuar i saj, atëherë në mungesë të paskajores së zbuar gramatikanët tanë standardologë, duke pasur model gjuhët pa paskajore, si trajtë përfaqësuese ngarkuan polisemantikisht veten e parë njëjës të së tashmes së mënyrës dëftore: punoj ndaj formës së paskajores së mirëfilltë me punue. Sa ishte e samethënshme e sa jo kjo zgjidhje le të vlerësohet.

Meqë  rreth paskajores së mirëfilltë si trajtë-formë përfaqësuese kemi bërë fjalë paksa më lart në këtë punim e më gjerësisht gjetiu (Shih Shumësi dhe shquarsia...  Pjesa e tretë  Era, Prishtinë, 2015) (f. 209-214), këtu nuk po zgjatemi, por e themi pa rezervë se funksioni ose fusha semantike e paskajores në krahasim me trajtën e njëjësit të dëftores edhe pse nuk del e plotë, assesi nuk duhet vlerësuar si veprim i dëmshëm a i qortueshëm. Madje, veta e parë njëjës e dëftores në zera fjalësish në fjalorët leksikorë praktikish tashmë del e pranueshme, mirëpo, megjithatë, prania e paskajores është e domosdoshme si pjesë mozaike, sepse konceptet përkatëse i qartëson dhe i plotëson më mirë përgjithësisht paskajorja si për foljet e rregullta, aq më tepër për ato të parregulltat, dhe njëherazi paskajorja përdoret domosdo për koncepte të tjera, siç janë analizat gjuhësore fjalëformuese,  formëformuese dhe kohëformuese, ngase në analiza të tilla nuk bën punë trajta e zyrtarizuar përfaqësuese e së tashmes së dëftores, madje as pjesorja e zvetnuar përkatëse e standardit, ngase përfaqësimin e plotë e kryen ndershmërisht vetëm paskajorja e mirëfilltë me pjesoren e vet të shkurtë. Së këtejmi, e quajmë fort me vend kërkesën e studiuesve dhe të intelektualëve që patjetër pa zvarritje paskajorja me+pjesore e shkurtë në këtë kontekst duhet ta fitojë prestigjin e plotë të standardit.

Gjithsesi, ritheksojmë për të satën herë, se vendi përfaqësimor i paskajores që sot për sot ka mbetur i diskutueshëm vetëm për dikënd e jo për shumicën e gjuhëtarëve dhe intelektuialëve , duhet të plotësohet jo sa më parë duke lënë zvarritje në kohë, por mennjëhershmerisht me riintegrimin e saj ku e lyp puna, në shpjegime në të gjitha nivelet shkollore si zgjidhje të paqortueshme. Madje  siç e lyp rendi patjetër duhet të zërë vendin e duhur të merituar në gramatika dhe në libra shkollorë që nga abetarja e tekste të tjera normative e përgjithësisht.

2) Raporti të punoj – me punue

Të punoj më fort njihet si trajtë e përdorshme përfaqësuese sinonimike ndaj paskajores në fjali e përgjithësisht. Dihet se pothuaj të gjitha format e mënyrave të foljeve të shtjelluara: kushtore, dëshirors, urdhërore në kontekste të caktuatra mund kenë njëfarë barasvlerësie shprehjesore me trajtat e paskajores së mirëfilltë,  por si më praktike për këtë destinacion ceken trajtat e mënyrës lidhore (8 vetat e 6 trajtave njëjës e shumës të së ardhmes), si trajta: të punoj (të punosh, të punojë, të punojmë, të punoni të punojnë) ndaj trajtës me punue të paskajores, por veta e parë e njëjësit të punoj qëndron kontekstualisht si më praktike. Po e improvizojmë sa për ilustrim një fjali në veten e parë njëjës toskërisht e gegërish, trajta paralele këto, me ndryshim-plotësim vetëm tek e tashmja e lidhores /paskajorja e mirëfilltë, të cilën momentalisht nuk e qaska standardi(!):

Më duhet të punoj që të kem një të ardhme më të mirë. /

Më duhet me punue për me pasë një të ardhme më të mirë.

Pjesa e parë pa paskajore: “më duhet të punoj që të kem” si trajtë e standardizuar ishte dhe është pronë e standardit të të dy dialekteve (gegnisht e tosknisht), ndërsa pjesa e dytë më duhet me punue për me pasë, gjoja ishte vetëm pronë e gegërishtes dhe e ish standardit të saj tash klandestin, sepse nuk po i jepka qasje standardi mbi bazë të toskërishtes(!), por meqë realisht trajta e tillë është në përdorim të përditshëm (klandestinisht) nga gegërishtfolësit dhe respektuesit e ish standardit, po edhe nga një pjesë e toskërishtfolësve, gjithsesi e kuptueshme nga të gjithë, atëherë në këtë kontekst, sidomos për purotoskërishtfolësit nevojitet një sqarim rasti. Të dyja versionet të punoj ndaj me punue ose të kem ndaj me pasë janë forma të hershme, kishin dhe kanë barasvlerësi sinonimike. Mirëpo duhet të dihet se për gegërishtfolësin apo respektuesit e ish-standardit të shqipes që në sistem ligjërimor të tyre i kishin dhe i kanë të dy variantet të punoj dhe me punue ose me punua (i rugovsi), përkatësisht të kem dhe me pasë, ata nuk mund t’i braktisin këto trajta nga struktura shprehëse edhe përkundër qortimeve të standardit, sepse i kishin dhe ende i kanë të ravijëzuar thellë në atë strukturë, qoftë me nuancim të dalluar semantik, qoftë me përshkallëzim a sforcim kuptimor pikërisht në raportin sinonimik të pandarë paskajore/lidhore. Andaj për ta (gegërishtfolësit) paskajorja, përveç veçorisë që ka në absorbimin e kuptimit një pjese të sinonimisë dhe si mbulesë koncepti të gjashtë trajtave dhe të 8 vetave (unë, ti, ai, ajo ne, ju ata, ato) ka edhe kuptim të përshkallëzuar sinonimik, që nënkupton sforcimin e procesit që kryen folja në fushë të abstraksionit gramatikor. Ky absorbim me nuancim abstraksioni vërehet në versionin e shprehur pa vetë e numër në të njëjtën fjali:

Duhet me punue (duhet me punua)  për me pasë një të ardhme më të mirë.

ndaj paraleles nga standardi (gegërisht e toskërisht):

Duhet të punoj  (të punosh, të punojë, të punojmë ...) që të kem (të kemi ... ) një të

ardhme më të mirë.

Me fjalë të tjera ndaj trajtave me punue, me pasë standardi i tashëm mbi bazë toskërishte, nuk ka sinonimi të plotë në raportin ndërdialektor, sepse paskajorja mbulon të gjitha vetat e trajtat e mënyrës lidhore në njëjës e shumës të standardit ose të të folmeve të të dyja dialekteve dhe plus ka aftësi për të shprehur përshkallëzim kuptimi në krahasim me trajtën e standardit të sotëm (toskërisht) ose të nënstandardit të gegnishfolësve.

Gjithsesi këto dallime e mundësi shprehjeje semantike në kuadër të shqipes globale ndërdialektore duhen pasur parasysh dhe zbatuar si pasuri me vlerë shprehjesore.

3) Raporti të punosh – me punue

Siç u pa, ndërsa veta e parë njëjës e së tashmes së lidhores e ndërtuar të + dëftore  të punoj karakterizohet si trajtë sinonimike  përfaqësuese barasvlerëse ndaj paskajores së mirëfilltë,  trajta e vetës së dytë të njëjësit të së tashmes së kësaj mënyre  të  punosh konsiderohet kryesisht si trajtë zëvendësuese e konceptit të paskajores.  Si duket, një rol të tillë ia ngallmuan gramatikanët tanë, të cilët duke e ndjerë mungesën e paskajores në standard, në kërkim të një barasvlerësi sa më adekuat mes trajtave të lidhores ndaj konceptit të paskajores së anashkaluar, si përkim sinonimik si më të përshtatshëm ndër trajtat e tjera të idhores krahaso: të punoj, të punosh, të punojë, të punojmë, të punoni, të punojnë, shenjuan apo ngarkuan vetën e dytë të njëjësit të lidhores të punosh,  ndaj paskajores së mirëfilltë të përjashtuar: të punosh – me punue, që të kesh – për me pasë. Duke vepruar kështu sipas urdhër-direktivave imponuese, sipas tyre, gjetën zgjidhjen më të përshtatshme të ndihmuar nga logjika, mbase edhe nga prirja që mund të kenë vërejtur, sepse, vërtet trajta e vetës së dytë të njëjësit të së tashmës së lidhores rrah më shumë drejt konceptit të paskajores:  të punosh – me punue, që të kesh – për me pasë, në fjalë të urta e kontekste të tjera, prandaj stimuluan këtë trajtë: të punosh, të kesh), duke i dhënë doza abstaksioni dhe me këtë u përpoqën me krijue  një trajtë të barasvlershme ndaj zëvendësimit të nocioneve për shkak të mungesësnë realitetin gjuhësot të paskajores së mirëfilltë. Krahaso fjali-periudhën në dy versionet me paskajore dhe me lidhore:

Duhet me punue për me pasë (për të pasë) një të ardhme më të mirë.:

Duhet të punosh që të kesh (për të pasur) një të ardhme më të mirë.

Pra, edhe varianti me lidhore (veta e dytë njëjës) ishte dhe është pronë e dy dialekteve, prandaj siç e thamë me këtë u përforcua destinim-zbatimi me këtë sqarim:

kjo vetë e dytë e së tashmës së lidhores (të punosh, të kesh) i ka këputur lidhjet kuptimore me vetën e dytë të bazës (Lexo. shqipes globale?!) dhe funksionalisht del në basvlerësi të plotë me paskajoren gege”.

Kështu konsiderohej  e aftësuar kjo vetë e dytë për të zëvendësuar konceptet e paskajores së mirëfilltë, apo jo?! Mirëpo, ky formulim si zëvendësim i paskajores në realitet mbetet për t’u dëshiruar dhe mund të vlejë vetëm për disa, respektues të papërvojë të standardit të sotëm, por jo assesi për gegërishtfolësit dhe respektuesit ose njohësist e  ish standardit me paskajore, tek të cilët ky zëvendësim nuk del i natyrshëm, sepse pikërisht për këtë ndikon të cekurit e vetes së dytë të foljes që nuk e ka paskajorja. Koncepti ekzistues nënndërdijshëm ia mohon trajtës së tillë të shprehurit e përgjithshëm abstraktiv që ka paskajorja si veçori specifike. Madje gegërishtfolësit apo respektuesit e ish standardit mbi bazë të gegnishtes përpara këtij tentim-konstatimi, e kishin të thadruar në thellësi konceptin e tillë të veçantë të paskajores dhe e mbanin si të tillë brenda sistemit ligjërimor vetjak. Së fundi edhe u kuptua tashmë edhe nga toskërishtfolësit se gjithsesi këto dy forma të kesh dhe me pasë mbulojnë koncepte të diferencuara, prandaj gjithnjë e më tepër po vërtetohet se një ngarkesë e tillë apo zëvendësim i paskajores së mirëfilltë me njëjësin të vetës së dytë të lidhores nuk del i qëndrueshëm apo del me vija fort të zbehta brenda mozaikut shprehjesor foljor, apo jo?

Sidoqoftë, gramatikanët e standardistët kanë bërë mirë që e kanë sforcuar edhe këtë barasvlerësi të pjesëshme ndaj paskajore si dhe barasvlesit mbi bazë të dëftores.

Gjithsesi, studiuesit apo më mirë me thënë, standardologët e ngarkuar për zëvendësimin e koncepteve të paskajores së dëbuar bënë mirë që e shfrytëzuan prirje-logjikën e kësaj vete (të punosh)  nga të folmet e toskërishtes dhe e përforcuan, por nuk ia arritën dhe nuk besoj se do t’ia arrijnë ta imponojnë më tej këtë zëvendësim, sepse fundi i fundit vetë hapja e debatit rreth feniksrikthimit në standard të paskajores së mirëfilltë si potencë me përshkallëzim kuptimi të theksuar në standard do ta lërë nën hije këtë rekomandim-zgjidhje edhe tek vetë standardologët toskërishtfolës që pritet me hy tashmë të gjithë në fazën e esëllimit për të lëshuar pe ndaj standardizimit të paskajores së mirëfilltë, apo jo?!

4) Raporti për të punuar (për të punue) –(për) me punue

Në të gjitha arsyetimet akademike të periudhës së monizmit në përgjigje pse riintegrimi i paskajores së mirëfilltë në standard  nuk del i nevojshëm përmendej demagogjikisht zëvendësimi i koncepteve të saj edhe me paskajoren e dytë, e cila në gramatikën zyrtare edhe quhet paskajore e gjuhës shqipe, ndaj paskajores së mirëfilltë ose e pavarura quhet paskajore gege(!). Kjo arsyetohet me faktin se  paskajorja e dytë, trajta: për të punuar, geg. për të punue ka shtrirje në të dy dialektet edhe pse me dallim pjesoresh: punuar – trajtë e zgjeruar, punue – trajtë e shkurtë, ndërsa  paskajorja e mirëfilltë (për) me punue gjoja mbetet vetëm e gegnishtes. Këto dy forma, vërtet kanë njëfarë sinonimie por të  pjesshme. Ndërkaq sipas shtrirjes e përmbajtjes semantike fushat kuptimore të tyre nuk përputhen. Lidhur me këtë del e nevojshme të jepet këto dy sqarime:

E para, vërtet kjo paskajore për të +pjesore ose për + emër asnjanës shtrihet në dy dielektet dhe ka dy forma përdorimi: trajtën e toskërishtes (standarde) për të punuar (ku ndeshet edhe në trajtën jo stndarde për të punua) dhe të gegnishtes për të punue, ndërsa trajtat e gegnishtes  për të punuem ose për të punuen nuk janë më aktive, ku del në përdorim vetëm trajta e shkurtë e paskajores me punue (për me punue). Kjo trajtë, për me punue, siç u sqarua më lart, edhe në gegnisht krahaso për të punue ndaj për me punue, konkurron plus me përshkallëzim kuptimi dhe faktikisht ka përfaqësim të plotë gramatikor të foljes përkatëse. Kjo veçori duhet të mbahet mend dhe assesi, nga standardologët toskërishtfolës, të mos  injorohet.

E dyta, ka edhe diçka tjetër që lypset sqaruar. Po rikujtojmë faktin sesa u përket fushës semantike që mbulojnë këto trajta kanë dallim-përkime sinonimike të kufizuara. Ndërsa trajta e paskajores së mirëfilltë me +pjesore, siç e pamë në kreun e mëparshëm, ka përdorim pothuaj të  pakufizuar në gjitha llojet e fjalive e të sifjalive, kurse trajta e paskajores së dytë, për të +pjesore ka shtrirje të kufizuar përdorimi.  Kështu raporti i përkim-dallimit të tyre ajo që prihet me pjesëzën me, (për) me punue del në 13 ose 14 nënfusha përdorimi, ndërsa ajo e prirë  nga për të, (për të punuar (punua) a për të punue) në 4 nënfusha. Pra paskajorja e dytë në 10 nënfusha semantike nuk ka sinonimi qasjeje semantike normale në krahasim me trajtën e paskajores së mirëfilltë, e cila (paskajorja e mirëfilltë), si të thuash, pothuaj në të gjitha rastet e situatat mund ta zëvendësojë konceptualisht nocionin e paskajores së dytë. Por veç kësaj përparësie të fushave semantike   paskajorja e mirëfilltë, veç pjesëmarrjes në sinonimi, ka aftësi përshkallëzimi kuptimor ndaj të dyja trajtave dialektore, varianteve: tosk.  për të punuar a për të punua në njërën anë dhe g. për të punue, në anën tjetër. Gjithashtu, siç u përmend, të dyja trajtat e gegnishtes: për të punue dhe për me punue në çdo situatë mund ta zëvendësojnë kuptimisht trajtën e paskajores dytësore, e cila mbetet me zhvillim të kufizuar kryesisht a vetëm në standardin e sotëm.

Sirrumbullakësim

Gjithsesi, me sa pamë, nga kjo paraqitje mozaike mund të themi se roli paskajores së mirëfilltë në krahasim me këto katër forma përfaqësuese të standardit, del i qartë dhe për natyrën e gjuhës shqipe i domosdoshëm, aq më tepër për faktin se nuk prek standardin shkatërrueshëm askund. Përkundrazi, ndihmon trajtën përfaqësuese zyrtare të dëftores që të ketë përfaqësim më të denjë dhe të plotë si për nevoja të analizave të brendshme ashtu edhe në krahasim me gjuhët e huaja. Gjithashtu edhe tri trajtat që i karakterizon pjesëza të, tipar i mënyrës lidhore në krahasim me formën e paskajores së mirëfilltë e pandarë nga pjesëza me,  nuk mund të mohohet roli i tyre mofologjik e sintaksor, dhe gjithsesi në kontekstet të caktuara fjalisore mund edhe të këmbehen a të zëvendësohen, por në anën tjetër përkundrazi dallimet nuk përjashtohen varësisht nga stili apo specifikimet semantike që ofrohen sipas natyrës së të shprehurit kontekstor.

Së këndejmi, qëndrojnë argumenta të fortë që paskajorja e mirëfilltë gjithsesi duhet rintegruar përmenjëhershmërisht brenda standardit në fuqi, sepse, ajo jo vetëm ka sinonimi në raste, por sepse  në raport me të katër trajtat sinonimike ajo ruan autonominë e vet specifike dhe në këtë proces avancon në përshkallëzim kuptimësie dhe në këtë mënyrë shton dhe pasuron mozaikun kuptimor të shprehjeve në standardin e shqipes së natyrshme, apo jo?!

Meqë këto aftësi të paskajores që konkretisht i di nuk i di opinioni i gjerë, ngase jo tek të gjithë është e ravijëzuar qartë kjo autonomi kuptimore, por shpresohet se me rikthimin normal të paskajores në standard sigurisht kjo do të jetë e praktikueshme dhe e qartë nga shumica shqipfolëse, andaj standardistët e sotëm ta mundësojnë që menjëhershmëriaht me komente duke e quajtur këtto veprime të paqortueshme të mundësojnë sipas nevojës  që kjo zgjidhje të zërë vendin përkatës në gjirin e standardit të shqipes së natyrshme, në mënyrë që të manipulohet më lehtë me vlerat e paskajores në të mirë të gjuhës sonë kombëtare.

(2) Paskajorja në raport me trajta sinonimike të fryra, të amputuara

apo të trilluara gjatë standardit pa paskajore

Për shkak të mbetjes së paskajores së mirëfilltë jashtë standardit, në Shqipëri faktikisht që nga viti 1945 (75 vjet) e në Kosovë që nga viti 1968 (52 vjet) dhe propagandimit enorm për panevjshmërinë e përdorimit apo për zhdukje të saj, pikërisht nga respektuesit jo vetëm naivë të standardit, por edhe nga të tjerë, gjithsesi mosnjohës të rolit historik e aktual të paskajores në kuadër të sistemit foljor e emëror të shqipes së natyrshme globale, për mbulimin e konceptet të saj filluan të përdoren disa trajta të fryra ose të trilluara, që ne këtu po i trajtojmë nja tri raste shprehjesh të kësaj natyre, siç janë:

e para, raporti  duhet me punue ndaj duhet punuar,

e dyta, kisha me punue ndaj kisha punuar dhe

e treta, raste amputimi në disa shprehje të ndërmjetme.

a) Raporti duhet me punue - duhet punuar (duhet punua) /duhet punue)

Pas shuarjes së paskajores së mirëfilltë nga standardi, atëherë spontanisht nga individë të caktuar u hoq nga përdorimi jo koncepti i shprehjes me paskajore duhet me punue, po në të vërtetë u hoq apo u amputua pjesëza me e koncepti mbeti.  Mirëpo meqë edhe më parë ishin në përdorim edhe pse jo me sinonimi të plotë trajtat paralele geg. duhet punue, tosk. duhet punuar dhe duhet punua, atëherë  konceptet e dalluara t? paskajores iu ngarkuan  trajtës duhet punuar, pasi vetëm kjo mbeti trajtë e zyrtarizuar në standardin e ri.  Në të vërtetë, kujtoj që ne në gegnisht megjithatë në kontekstin duhet punue  kuptohej si këshillë puna duhej krye, ndërsa për konceptin me paskajore duhet me punue shtohej  diçka si urdhër i prerë: puna duhet krye patjetër (= puna duhet me u krye)

Sidoqoftë, ky proces pjesorëzim/shpjesorëzim i pjesores së paskajores si dukuri me rikthimin e paskajores do të rishfaqet edhe në standard, siç po ndodh edhe në të folurit e lirë të gegnishtes. Për mendimin tim me rastin e këtij rehabilitimi të kësaj dukurie nuk do ta quaja të qortueshme  rishfaqjen e trajtën: duhet punua /qoftë edhe duhet me punua paralel ndaj geg, duhet punue/duhet me punue që është në përdorim e sipër. Me fjalë të tjera trajta me pjesore  duhet punuar ose duhet punua për shkallënose pjesën e parë sinonimike si më përpara, kur e lenin nën hije ttrajtën e gegnishtest duhet punue, ndërsa tani me të rikthyer paskajorja, e trajta duhet me punue, përveç një pjese të sinonimisë kryen edhe funksionin e përshkallëzimit semantik, si ndaj trajtës së gegnishtes, ashtu edhe ndaj trajtës  sëë standardit (a toskërishtes).

Po sqarojmë në fund se pjesorja e letrarishtes punuar, e cila del e vetme dhe mbizotëruese në formim mbiemrash e asnjanësish aspak nuk prish punë nëse në shprehjet që po i diskutojmë   me dalë paralele me trajtat e gegnishtes po në trajtën e shkurtë. Krahaso  duhet punue - duhet punua; duhet me punue – duhet me punua  të cilat edhe mund përdoren në situata të caktuara, qoftë në përshkrime situatash, qoftë në profilizime personazhesh.

Është krejt normale që në fjali dëftore, urdhërore varësisht nga kontekste të caktuara  të futet në përdorim  trajta duhet me punue,  ngase gjithsesi ka tagër me u përdorë edhe me kuptim specifik përforcues të përshkallëzuar.

b) Raporti  kisha me punue -  kisha punuar (kisha  punue)

Pikërisht nga amputimi i pjesëzes “me” ka ndodhur një ngatërresë e madhe sidomos te ne (Kosovë e gjithkëndej) që prek keqas dhe rëndë në sistemin jo vetëm logjik-ligjërimor por edhe atë gramatikor të gjuhës shqipe. Dihet se kisha thënë, kisha  punuar sipas gramatikës shprehet pluskuamperfekti ose koha më se e kryer  (apo e kryer e plotë!) e mënyrës dëftore, ndësa te ne, krejt nga padija na është shpifur një lajthitje e rëndë, sidomos kjo është majmur  e ntrashur pas pranimit me delit të standardit pa paskajore (1968). Si duket duke respektuar gjoja standardin e dhuruar nga Nanë-Shqipnia pavetëdijshëm u bë a po bëhetpa ndërpre amputimi i pjesëzës me nga trajta ish e normëzuar e gegnishtes:  kisha me punue, duke e ruajtur konceptin e paskajores, nga amputimi i tillë u përftua trilli:  kisha punuar homonim me trajtën e kohës më se të kryer të dëftores standarde: kisha punuar (geg. kisha punue). Dhe kështu kjo homoformë nga lajthitësit po përdoret në zëvenmdësim të paskajores së amputuar për kohën e ardhme të së shkuarës II të dëftores  kisha për të punuar (geg. kisha me punue), përkatësisht stë së tashmes II të kushtores (kisha për të punuar (geg. kisha me punue).

Pra në vend të ish nocionit të mbuluar me trajtën kisha me punue lajthitësit  grup jo i vogël i infektuar keqas me këtë virus ngjitës, po e përdorin masivisht trajtën kisha punuar, duke mos e hetuar amputimin e pjesëzën me dhe njëherazi, duke e toskëzuar pjesoren e paskajores punue nga me punue  punuar. Po ky mashtrim patologjik me sbumë pasoja për standardin e gramatikën  e gjuhës shqipe ka marrë masa shqetësuese, sepse lajthitësit po mendojnë se kështu gjoja po veprojnë sipas rekomandimit të standardit vetëm pse çoroditërisht po e toskëzojnë paskajoren, apo jo?!

S’do mend se kjo lajthitje ka ndodhur nga mosnjohja e rregullave gramatikore të standardit në fuqi, ngase baravlerësi më i përfërt i trajtës  kisha me punue në standard mbulohet me dy kohë të dëftores, me kohën:  e ardhme të së shkuarës:  do të punoja përkatësisht me të ardhmen e së shkuarës II kisha për të punuar  ose me dy kohët e kushtorest: të tashmen do të punoja përkatësisht  të tashmen II kisha për të punuar (geg. kisha me punue, prandaj për shkak ttë amputimit pa mend  kjo lajthitje është shndërruar në permutacion ose defekt serioz homonimik te ne, sidomos është ngulitur keqas te disa intelektualë të nivelit të lartë, respektues fanatik të standardit të Kongresit, duke u bërë kjo dukuri vërtet problem, që si thuash ka kaluar në sëmundje patologjike, që patjetër, për hir të intersit kombëtar, për shërimin e saj në plan shtetëror lypset me interevenue energjikisht në mënyrë të organizuar.

Lidhur me qartësimin e këtij defekti kemi bërë fjalë mjaft gjerësisht në një trajtësë me titull “Rreth homonimisë  së shpifur te ne nga pjesorëzimi formal i paskajores me “me” , të botuiar së pari në gazetën Rilindja dhe të përmbledhja me titull Çështje të shqipes standarde në fushë të normëzimit II,  (2015 f. 89-103), ku për lehtësi dallimi patëm dhënë këtë skemë-shembulli korrigjimi:

kisha punuar (kisha pas punuar)  në kohë të kaluar (e kryer e plotë  pluskuamperfekti)

ndaj

kisha me punue ose do të punoja në kohë të ardhme të afërme.

Gjithsesi, lajthitjet e tilla spontane, janë shqetësuese, sidomos kjo për shkak se amputimi me pahir të pjesëzës “me” të paskajores te ne ka kaluar në shprehi. Përkundër vërejtjes sonë e keqja ka vazhduar dhe ende po vazhdon furishëm, madje nga intelektualët tanë të lartë jo vetëm në gjuhën e folur por edhe të shkruar. Kemi vërejtur se një lajthitje e tillë po u shpëton në të shkruar deri edhe ndonjë albanologu e akademiku te ne. Po japim një shembull që e ndeshëm të përsëritur, pothuaj në rutinë:

Të nderuar, ju kisha lutur zini vendet, seanca po fillon...

Kuptohet se nuk kemi të bëjmë me mëse të kryeren (pluskuamperfektin) e dëftores po me  të ardhmen e së shkuar do të ju lutesha  ose të ardhmen e të së shkuarës II  kisha për t’ju lutur që në  gegenishte për të dyja këto trajta kohore përdorej më parë dhe përdoret edhe sot nën hije standardi forma me paskajore, Kisha me ju lutë: zini vendet se seanca po fillon, ndërsa në gjuhën standarde: Të nderuar, ju lutem  ose do të ju lutesha (të) zini vendet, seanca po fillon...

Ndërkaq si po shihet lajthitësi shkon edhe më tej në përçudnim, në vend kisha me ju lutë  shprehet edhe më keq: ju kisha lutë(!!!) gjithsesi jo në trajtën e  kohës së ardhme  të afërt, por në trajtën e kohës  mëse të kryer apo të kohës së kryer të plotë, apo jo?!

Po e shënoj edhe një shembull tjetër po nga goja e një inteketuali të lartë me kualifikim shkollor, por gjithashtu të lartë edhe në pozitë shtetërore pushtetore:

Unë kisha thanë që deputeti duhet të din të punon për popull e jo veç për vete.

në vend:

Do të thosha apo kisha me thënë që deputeti duhet të dijë apo duhet me dijtë të punojë apo duhet me punue për popull jo vetëm për vete.

Sidoqoftë, veç lajthitjes rreth përdorimit të kohës së ardhme të shkuar të dëftores ndeshim lajthitje edhe lidhur me përdorimin e lidhores veta e tretë e së tashmes (duhet të din).

Kjo dukuri, si lajthitje e rëndë do do të trajtohet edhe më poshtë në këtë punim, ku do të jepen edhe më shunmë shembuj konkretë nga jeta jonë e përditshme gjuhësore , prandaj këtu nuk po zgjatemi më tepër.

c) Raste amputimi edhe te disa shprehje të ndërmjetme sinonimike

Për shkak të  përjashtimit të paskajores së mirëfilltë nga standardi, kanë ndodhur raste amputimi të pjesëzës “me” të paskajores, jo vetëm te ne, por edhe gjithandej në Shqipëri e më gjerë. Si rrjedhojë e ndeshim këtë dukuri edhe në fjalë-shprehje të ndërmjetme  si:   më mirë thënë ndaj më mirë me thënë, thënë të drejtën ndaj me thënë të drejtën, thënë të vërtetënme thënë të vërtetën, sido që do të jetë ndaj sido që ka me qenë  e ndonjë tjetër.

Ç’është e vërteta raste amputimi të pjesëzës me të paskajores ndeshim dhe te disa shprehje të tjera, si:  shkurt thënë  ose shjkurt e thënë ndaj shkurt me thënë e ndonjë tjetër.

Kujtoj se në ish standardin trajta me paskajore kishin përparësi përdorimi. Tashti me rastin e rikthimit të saj, meqë këtu nuk kemi të bëjmë aq me përshkallëzim kuptimor me anë të paskajores po me sinonimi pothuaj të rëndomtë normale, atëherë rastet e tilla të paskajores që i shtrohen konkurrencës lojale sinonimike kanë vështirësi fillimishte.

(3) Raste ikjesh spontane nga shprehjet me paskajore dhe raste riballfaqimi të paskajores  në konkurrencë lojale

Po për shkak të paskajores jo të standardizuar gjatë kësaj periudhe 70 vjeçare kanë ndodhur raste që në vend të përdorimit të shprehjes me paskajore të përdoren forma të tjera. Këtë dukuri po e rikujtojmë në dy pika: së pari,  përmendim raste ikjesh spontane nga shprehjet me paskajore dhe së dyti, kemi të bëjmë me riballaqimin e paskajores në raste konkurruese në kontekste të caktuara që priten të ndodhin gjatë procesit të rikthimit apo konsolidimit të paskajores në standard.

1) Raste ikjesh spontane nga shprehjet me paskajore

Gjatë periudhës së standardit pa paskajore ikej me qëllim deri edhe nga shptrehje idiomatike me paskajore, në të mirë të përdorimit të formave të tjera sinonimike, si:  sido me qenë- sido që të jetë, kishte me qenë më mirë - do (të) kishte për të qenë më mirë; si me thënë - si të thuash, si të themi; me folë më qartëtë flasësh më qartë, mos me u shtijavëpa u shtijav. Me folë mirë e me matë fjalën -fol mirë e mate fjalën, rrno për me tregue  - jeto për të treguar  etj.

Besoj se tash gjithkush e ka kuptuar se ikjet e tilla e dëmtonin natyrën e gjuhës shqipe dhe tani rikthimi i tyre duhet kuptuar si një pasuri që e nderon kulturën shprehëse të gjuhës sonë.  Pra tashti puna e ndikimit varet nga shkrimtarët dhe stilistët e mirë. Pra, varet, prej tyre se cilën shprehje do t’ia ofrojnë opinionit, apo jo?!

2) Riballafaqimi i paskajores në raste  konkurruese kontekstore

Po i shënojme tri raste ndërsinonimike riballfaqime të paskajores në kontekste sfiduese konkurruese të caktuara, si
               a) ndërkëmbimi me emrat në fjalë të urta etj.,

b) në raste numrimi të çështjeve në shqyrtim etj. si dhe

c) në shprehje lapidare.

a)      Shembuj ndërkëmbimi të treshit sinonimik

Edhe këtu dallojmë çështje zëvendësimi në idioma, gnoma, fjalë të urta, përgjithësisht në frazeologji si dhe vargëzim çështjesh ndërzëvendësuese,  sfidime ndërkëmbimi të treshit sinonimik:  emër –paskajore – lidhore. P.sh.

1. Mësim mësim dhe vetëm mësim ; me mësue, me mësue dhe vetëm me mësue;  të mësosh, të mësosh dhe vetëm të mësosh!

2. Durim, durim  - shpëtim ; Shumë me durue për me shpëtue/ Me durue, me durue  -me shpëtue ; Duro, duro – shpëto/ Shumë të durosh  që të shpëtosh!

3. Të punuarit (puna) është nder ; Me punue është nder;/ Të punosh është nder.

4. Detyra e nxënësit: mësim e dëgjueshmëri;/ Detyra e nxënësit: me mësue dhe me ndëgjue ; Detyra e nxënësit: të mësojë dhe të dëgjojë.

Në  këso rastesh përparësi shprehjes përkatëse sot mund t’i japë vetëm konteksti, situata dhe për këtë vendos autori.

b) Paskajorja në kontekste numërimi çështjesh

Paskajorja  në ish-standardin praktikohej në kontekste numërimi të detyrave, çështjeve, e kështu me radhë. Sa për ilustrim po mjaftohem me tre shembuj: nga dy toskë: dr. Gjergj Pekmezit e Enver Hoxha dhe një gegë, Kolë Bibë Mirakaj.

a. Nga dr. Prof. Gjergj Pekmezi

Prof. Dr.  Gjergj Pelmezi, si kryesues i Komisisë Letrare -Shkodër më 1916, duke e shpalosur planin e punës në mbledhjen e parë zyrtare, u shërbye me këtë retorikë:

1) Me marrë  për bazë  një dialekt të shqipes...;

2) Me i lënë dy dialekte  m’u zhvillue ...;

3) Të merren parasysh  vetëm ndryshimet tipike... etj.

b.  Nga Enver Hoxha

Shembull për këtë shkëputëm këtë sekuencë nga një shkrim i Emver Hoxhës, shkruar si direktivë gjatë luftës NÇl, i cili ndër të tjera shprehej:

Me  drejtue mirë  do të thotë:

1) Me gjetë një zgjidhje të drejtë të problemit,

2) Me organizu  zbatimin e një vendimi drejt,

3) Me organizu kontrollin e zbatimit të këtij vendimi …

... Për të gjetë zgjidhjen duhet me u bashku…

c. Nga Kolë Bibë Mirakaj

Kur të kthehemi në atdhe programi ynë përmblidhet në dy kapituj:

1)      Me lirue atdheun nga tirania bolshevike, tue sigurue integritetin toksor e pavarësinë politike;

2)      Me i sigurue popullit lirinë e plotë që të zgjedhin atë kushtetutë e qeverisje  demokratike që do t’i përqejnë.

Me fjalë të tjera, kjo mënyrë e të shprehurit të paraqitjeve të çështjeve me paskajoren e mirëfilltë ka qenë shumë praktike. Është praktikuar normalisht gjatë periudhës së pavarësië edhe në Kosovë deri në vitin 1968. Siç dihet kjo praktikë u ndërpre në Shqipëri më 1945, kur paskajorja u dëbua nga standardi, prandaj me rastin e riintegrimit të paskajores së mirëfilltë edhe në këtë pikë paskajorja fiton të drejtën me kërkue hisen e vet, por tash do të ndeshet në kokurrencë lojale ndoshta më të fortë, ndaj trajtave të tjera sinonimike që ndërkohë morën përparësi, pasi ishin pjesë e stimuluar e standardit të ri mbi bazë të toskërishtes pa paskaiore. apo jo ?!

Sidoqoftë, ne e përkrahim sinoniminë, sepse sinonimet janë pasuri, që kurr nuk mund të jetë e tepërt. Andaj përsëritim të vërtetën se përjashtimi i sinonimeve do të thotë varfërim i gjuhës.

c) Paskajorja në shprehje lapidare në konkurrencë lojale

me variante të tjera sinonimike

Për të fituar një ide edhe më të qartë për vendin konkurrues lojal të paskajores në sistemin e përgjithshëm ligjërimor të shqipes po i sjellim nja tre shprehje lapidare në variantet përkatëse konkurruese.

Shprehjet e tilla emblematike janë marrë, e para, nga Naim Frashëri, e dyta, nga Atë Gjegrgj Fishta dhe e treta nga anonimi.

Për shembullin e parë, sa për orientim, jemi përpjekur që për sesilën frazë -shprehje lapidare (a fjali-periudhë)  me përmend destinimin e mundshëm përkatës, për dy të tjerat vendos vetë lexzuesi.

1. Nga Naim, Frashëri:

Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë. /qëllimi, konceptuar nga përsëritja e dy emrave dhe  lidhorja, shumësi, e ardhmja,  veta e parë/;

Me punue natë e ditë për me pa pakëz dritë. / paskajorja që ngërthen kuptimin për 8

vetat/;

Të punojmë natë e ditë për të parë pakëz dritë. /qëllim, veta e parë e së tashmes, shumës

vetore,  paskajorja e dytë, e rekomanduar si zëvendësim të paskajes së mirëfilltë/;

Të punosh natë e ditë që të shohësh pakëz dritë. /veta e dytë e rekomanduar si

zëvendsësim i paskajores së mirëfilltë(!)/;

Të punojë (ajo) natë e ditë që të shohë pakëz dritë. /Të vihet re laramani e shprehjes, po

pa ndonjë ngrohësi joshëse stilistike/;

Të punohet natë e ditë që të shihet pakëz dritë. /formulim meditativ nga pavetoret/.

2. Nga At Gjergj Fishta:

Mos të harrojmë se me bjerrë gjuhën do me thanë me bjerrë kombsin;

Mos me harrue se me bjerrë gjuhën do me thënë me bjerrë kombësinë;

Të mos harrosh se të bjerrësh gjuhën do të thotë të bjerrësh kombësinë;

Mos të harrohet se të bjerrët e gjuhës do të thotë  të bjerrët e kombësisë;

Mos të harrojë (ai, ajo) se të bjerrunit e gjuhës do me thanë  të bjerrunit e kombsisë;

Të mos harroni se të bjerrurit e gjuhës do të thotë të bjerrunit e kombësisë;

Mos harroni se të bjerrësh gjuhën, do të thotë të bjerrësh kombësinë.

3) Nga anonimi:

O sa mirë me qenë shqiptar, me folë shqip e me pasë atdhe;

O sa mirë të jem shqiptar të flas shqip dhe të kem atdhe;

O sa mirë të jesh shqiptar, të flasësh shqip e të kesh atdhe;

O sa mirë që jam shqiptar, që flas shqip dhe që kam atdhe;

O sa mirë (për të)  te jetë shqiptar, të flasë shqip dhe të ketë atdhe;

O sa mirë të jemi shqiptarë, të flasim shqip dhe të kemi atdhe;

O sa mirë të jeni shqiptarë, të flit(s)ni shqip dhe të keni atdhe;

O sa mirë, që je shqiptar, që flet shqip dhe ke atdhe;

O sa mirë, me qenë shqiptar, për të folur shqip e për të pasur atdhe!!

Pa humbur më tej në pyllin e hamendjeve dhe të kënaqësive të kësaj natyre, nga shembujt sipërshënuar të bolduar dhe të tjerë vëmë re se paskajorja e rikthyer, këtu del njëtrajtshëm, kuptimisht përgjithëson dhe i rri më afër kuptimit të emër-emërtimitit të konceptit të përgjithshëm, ndërsa trajtat si paskajorja e dyti si edhe ato të lidhores që i referohen vetës, kufizohen e përkufizohen po nga veta e rreth vetës, apo jo?

Edhe pse ekziston e drejta universale që në idioma paskajores pjesëmarrja nuk mund t’i mohohet, megjithatë siç është vepruar e ende mjerisht po veprohet te ne. Ngjan që  në realitete të caktuara mos me dalë  ashtu, ngase në asnjë libër shkollor (fatkeqësisht) nuk ekziston (as për be e rrfe) ndonjë shprehje lapidare me paskajore, atëherë dihet se çfarë dëmi të pakompezueshëm i ka sjellë dhe vazhdon t‘i shkaktojë kulturës shqiptare, konkretisht kulturës së gjuhës shqipe të natyrshme një mungesë e tillë, qoftë brenda  shoqërisë shqiptare, qoftë ndaj  pasqyrimit të pasurisë sonë gjuhësore në botë. Kjo ka të bëjë me cenimin e etikës së kulturës kombëtare shqiptare në arenën europiane e botërore, apo jo? Së këndejmi, përjashtimi i deritashëm, i përtashëm dhe i mëtejshëm i paskajores së mirëfilltë, shkaktuar nga kapësit e politikës së standardit më përpara dhe aktualisht që nuk duan ta pranojnë legalizimin e paskajoren, se u prishka punë dhe nuk tregojnë se çfarë pune vërtet u prishka ai rikthim?!

Së këndejmi, duhet kuptuar, sidomos në sistemin e vërtetë demokratik se askush nuk duhet të vuaj edhe nga veprimet allapartizançe të së kaluarës. Gjuha nuk duhet të vuajë gjithashtu edhe më as nga iluzionet e shkaktuara nga përgjumja narkotike e disa kapëse  të standardit, apo jo?!

Shpresojmë se tashmë të gjithë e kanë të kuptueshme dhe në veçanti standardistët, edhe kapësit politikë të standardit të sotëm se paskajorja e mirëfilltë nuk është kurrfarë gogoli por zanëmirë orobekuese edhe për standardin aktual, apo jo?!

Përmbyllje

Në kreun paraprak konstatuam se paskajorja allapartizançe u denua me përjashtim-zhdukje  nga  standardi  duke filluar që nga viti 1945 në Shqipëri dhe nga Kosova, më  1968, dënim ky që u vërtetua edhe në Kogresin e Drejtshkrimit 1972, ku legjitimisht pothuaj u konsiderua e zhdukshme ose si e paqenë., Mirëpo, ç’është e vërteta,  siç u arsyetua  në fillim të këtij kreu ajo nuk u zhduk, sepse e ruajti sovrani, i cili me  njërën gojë të Shqiponjës së Flamurit që ligjëronte mbi bazë gegnishte, kjo paskajore mbeti dhe u ruajt gjallë, edhe pse standardi e përçmonte.. Ndërkaq sidomos pas përmbysjes së monizmit në Shqipëri, paskajorja, edhe pse qëndronte në gegenishte,  ku e kishte folenë e rritës  dhe shtratin e jetës, për vlerat që kishte pak nga pak,  u bë pronë edhe e ligjërimit standard të gojës tjetër të Shqiponjës së Flamurit mbi bazë të toskërishtes Madje ndërkohë po nga kjo gojë ligjërimi u kërkua që standardi ta rikthejë paskajoren e mirëfilltë në gjirin e vet.

Po përsërisim, pikërisht nga atmosfera e krijuar nga dy gojat e Shhqiponjës së Flamurit u mundësua  rigjallërimi  i paskajores  si feniks. Dhe kështu gjeti arsyetim edhe titull i këtij kreu: “Të rikthyerit e paskajores si feniks i ringjallur dhe raporti ndërsinonimik ballafaques i saj me  format e standardit  të sotëm”, por edhe e trajtua raporti ballafques i saj me format ekzistuee sinonimike të standardit, me të  cilat kishte bashkëjetuar më parë në Shqipëri deri në 1945, ndërsa në Kosovë deri më 1968, prandaj ky ritakim krijon bashkëveprim sinonimik që ndihmon shprehjesisht  gjuhën shqipe dhe standardin e natyrshëm të saj.

Sidoqoftë, në bazë të të dhënave të paraqitura besoj se në bazë të argumentave tashti mund ta shohim paskajoren e mirëfilltë si feniks të vërtetë që u ringjall për të mirën e gjuhës së natyrshme shqipe dhe nuk do të ketë kurrmë vdekje, sepse tashti atë nga nevoja me dije po e kërkon vendi i vet, i pambuluar tash 70 vjet, edhe pse konceptet e saj të padukshme nuk ishin krejtësisht të zhdukshme.

Paskajorja në të vërtetë, i riimponohet standardit  si një ushqim gjuhësor e kulturore copë në dorë, si mjet konkretizimi në kuadër të shqipes së natyshme globale.

Gjithashtu kosntatuam disa konkurrenca madje edhe lajthitje të shkaktuara ndaj koncepteve të paskajores, ndërsa ajo qëndronte e përjashtuar dhe që ende fatkeqësisht për dikënd zyrtarisht qëndron jashtë standardit, por megjithatë në këtë krye u identifikua mjaft qartë autonomia kuptimore  e paskajores që nuk mund të zëvendësohet me mjete të  standardit të sotëm, andaj u theksua qartë që vendi e saj i merituar në kuadër  të kontekstit përkatës gramatikor, jo vetëm të ortomorfologjisë shqipe, por edhe të sintaksës, pa padiskutueshëm  duhet  ta gëzojë jetën brenda standardit të shqipes së natyrshme.

Po ashtu dhamë me kuptue se paskajorja gjatë rikthimit në standard  nuk prek fare trajtat foljore të standardit, po ofron fuqinë e saj rreth një meditimi të lartë e të thellë abstraktues  ndaj shprehjeve sinonimike. Por paskajorja, përveç përshkallëzimit kuptimor karakterizohet edhe me përshkallëzim stilistik në suazat e  krijimtarisë letrare  artistike. .

Sido që të ketë qenë tani nga vetë jeta kombëtare e shqipes po kërkohet me ngulm që  ky simbol i gjuhës shqipe patjetër duhet të rehabilitohet plotësisht, ngase ishte hedhur në pus pa fund nga padija, madje ndërkohë edhe është akuzuar pa kurrfarë prove, si gogol që gjoja rikthimi i saj e prishka standardin. Gjë që po del shumë e pavërtetë, e cila  po vërtetohet qartë edhe nga të gjitha analizat në këtë krye punimi, andaj simbolikisht themi se paskajorja u ringjall nga hiri hyjnor i gjuhës së natyrshme shqipe jo nga hini i hedhur si mbeturinë mbi të në atë pusin pa fund!

Gjitsesi në krerët vijues do të paraqiten edhe fakte të tjera plotësuese që tregojnë për vonesën drastike që është bërë e po bëhet ndaj shqipes së natyrshme nga sjelljet e disa sikapësve të politikës së standardit. Kështu kushdo qofshin ata, të cilët pa të drejtë  po zvarrisin rehabitimin e saj sipas procedurës së rregullt në standardin ekzistues, duhet të esëllohen, sepse  qëndrimi i tillë ka si rezultat nxitimin në kërkesën që paskajorja menjëreshmërisht të riintegrohet në standard, të cilin nuk e rrëzon, por e forcon dhe e bën gjithsesi më të natyrshëm.

Të gjithë titujt dhe nëntitujt nga ky krye dëshmojnë atë që e thamë në këtë përmbyllje.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora