E enjte, 28.03.2024, 04:18 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Limani: Valbona Hadri - Një sy vashe

E marte, 08.12.2020, 07:11 PM


FJALA E REDAKTORIT

Nga Remzi Limani

Poetja Valbona Hadri, në librin e saj të parë na jep një histori mëvete, ashtu si jeta që është e pashprehur në fatet e njerëzve. Ajo shpjegon të gjitha këto me një goditje të bukur poetike, një lojë me ngjyra fjalësh për t'ia dhënë shkëlqimin dhe kuptimin e duhur një realiteti të dukshëm dhe të padukshëm por të prekshëm në kuptimin e kapshëm për nga shtrirja e momenteve dhe historive  të mbartura nga talenti i saj për t'i shndërruar në poezi të tipit narrativ, duke përshkruar dashurinë ndaj të afërmëve, atdheut dhe miqve, dëshira këto, që shprehin respekt dhe mirëqenie - tipare të njeriut mirëfilli të edukuar, dallues për të përshkruar dashurinë dhe dëshirat që shpërfaqin personalitetin njerëzor. Këtu pra, Valbona R. Hadri, bashkon shqisat ndijore dhe mendore, morale dhe estetike të jetës së krijuar nga njerëzit, ajo përmbledh së bashku, të mirën dhe të keqën që përshkojnë të gjitha periudhat e historisë njerëzore. Mbi këto të thëna në poezitë e kushtuara, siç është poezia kushtuar nënës së saj të titullar LETËR NËNËS, poetja na thotë: /Nënë/Mos u brengos për thirrjet e Zotit/ Unë jam pranë saj dhe të shoh Ty! Me sytë e tu mundohem t'i flas, motërmadhës! Me zërin tënd i thurë lutjet e mia për të/. Pastaj, në poezinë UNË URATA JOTE BABA, kushtuar babasë së ndjerë, shpërfaq mallin për të atin duke thënë/Ngushtuar jam të dëgjoj zërin tënd, baba/Zërin e ngushëllimit që s'bëzanë më/Në ëndërr më thërret i shfaqur engjëllor/Unë të pres tek kroi i etjeve për ty, baba/Tek burimi këngëve të zogjve vajtimtarë/Por ti nuk ktheve nga visoret parajsore/.

Së këndejmi, poetja Velbonë, është një dashnore e krijimtarisë, dhe mendja e saj kurioze komunikon me njerëzit dhe natyrën në mënyrë shumëdimensionale, me sytë që shohin në të gjitha drejtimet dhe kapin nga lartësitë dhe thellësitë e kohës - për këtë i këndon edhe fshatit Jezerc, prej nga vijnë paraardhësit e saj, duke e përshkruar si një univers me një fiziografi mrekullirash natyrore dhe ligësitë e një kohe njerkë, të cilës i përballuan trimat e Jezercit legjendar dhe për këtë poetja me epitet na thurë këto vargje: /Çdo pëllëmbë e këtij vendi/ Fle mbi një histori gjaku të kuq/ Fisi i këtij fshati tymon nga oxhaku i lashtësisë/. Pra, me poezitë e nxjerra nga shpirti, sikur Valbona hapi portat e një bote qëmoti e kultivuar në brendinë e një poeteje deri tani të heshtur, e cila, poetikën e fshehur brenda saj, me sukses po e shpalosë para lexuesit, si vlerë dhe si gjakim për të bukurën e fjalës së shkruar, bërë varg të një vjershërimi të ndërtuar mbi bazamentin real dhe surrealen, si metaforë për ta kuptuar figuracionin, ku poetja nxjerrë në pah magjinë e natyrës dhe strukturën poetike, si prudukt i një mendjeje dhe të një zgjimi të ri në fushën e lirikës poetike. Këtu pra, filtrohen pamjet dhe ndjenjat e poetes Valbonë, për ta mbuzur lexuesin pranë hyjnorës dhe të bekuarës, ku hyn fiziografia e vendit të saj, dashuria si pjesë e pandashme e jetës dhe zëri i natës, i cili i flet në përqafim flladi, duke u shkri në buzë horizontesh, për t'i dhënë kuptim jetës dhe lules, siç thotë vetë poetja e nderuar. Duke lexuar mëtej poezinë e kultivuar, hasim edhe poezinë mbi dashurinë, si ndjenjë dhe rënkim për dashurinë e humbur - e pse jo edhe për atë të sotmën, si këngë universale, e cila shtrihet gjithë globit të njerëzimit me tendencë që dashuria të troket në portën e duhur, ngase të bukurën, duarhapur e pret dikush... Këtu pra, filtrohen pamjet dhe ndjenjat e poetes Valbonë, për ta mbuzur lexuesin pranë hyjnorës dhe të bekuarës, ku hyn dashuria si pjesë përbërëse e botës së ndjenjave, sepse, vetëm ndjenjat na bëjnë të ndihemi njerëz dhe dashurinë ta kuptojmë si proces natyror dhe kërkesë fiziologjike për të dashur dhe për të qenë të dashuruar. Ja pra, disa vargje nga poezia VETË MË THE: /Të dua me shpirt të ndiej/ Ndiej tingullin e pikave që t'i lagin buzët/ Të kam të vetmën dashuri në sy/Ndiej dallgët e detit që më bien mbi supe/ Ti je ëndrra që fle tinëzisht me mua! Ndiej frymën tënde që hukatë në mua/ Ti je shpresa që ëndërroj fronin tënd/ Ndiejë mbretërinë tënde krah meje/.

Së fundmi të këtij vështrimi mund të shtojmë se, Valbona R. Hadri me poezinë e saj dëshmon kronologjinë e jetës, qoftë të asaj universale, qoftë të asaj personale, ku gërshetohet hidhësia dhe ëmbëlsia e jetës, si procese të barabarta në ikje dhe në ardhje... Të një fillimi dhe të një mbarimi, poashtu të ilustruar si rrëfime të një kohe dhe të një çasti, i cili ngacmon mendjen e poetës për të thënë atë që e ndienë në shpirtin e saj të gëzuar apo të trazuar, varësisht nga momenti dhe pamjet e regjistruara në pasqyrën e mendjes krijuese. Pra, poetja Valbonë, nëpërmjet një vjershërimi lirik, na rrëfen frymëzimin e saj hyjnor, për ta kuptuar çasjen universale të dhimbjes e kujdo qoftë ajo, sepse dhimbja nxjerrë gjëmën e ngjashne më të gjitha dhimbjet tona rreth nesh, sepse dhimbjet janë të vetmet ndjenja, të cilat na bëjnë ta ndjejmë gjallërinë tonë. Ndaj, nga ky pikëvështrim njerëzor, lindin shkëndijat nga zjarri ynë brenda nesh, të cilin pra, e shprushin ndjenjat tona që lën gjurmët e një frymëzimi sa real edhe mistik, duke u shtrirë edhe tek shpirti i ndjeshëm i poetës tonë si një pamje që lëviz nëpër ngjarje, vende dhe hapësira kohore, duke e materializuar të bukurën poetike deri në detaje të dhemjes dhe dashurisë, si lëvizje dhe si ndriçim i momenteve të kapura nga mendja e krijueses së nderuar zonjës, Hadri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora