E marte, 20.04.2021, 07:35 AM (GMT+1)

Faleminderit

Nexhmije Mehmetaj: Mësuesja Nazire Kraja udhërrëfyese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm

E hene, 07.12.2020, 10:16 PM


Mësuesja  Nazire Kraja udhërrëfyese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm

Respekt e mirënjohje me rastin e 1 vjetorit të vdekjes

Nga Nexhmije Mehmetaj

Kraja është e ngjitur me Shqipërinë, gjithmonë e banuar prej shqiptarëve por, e mbetur në Malin e Zi, është vendlindja e mësueses  Nazire Krajês, veprimtare e shquar e çështjes shqiptare.

Lindi më 1946 në një familje të varfër fshatare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. E kundërshtoi me vendosmëri fejesën sipas traditës së vjetër. Me ëndrrat e gëzimet e rinisë u arratis në Shqipëri. Në Tiranë vijoi shkollën e mesme pedagogjike, ku edhe ishte emëruar mësuese. Nuk kalon shumë kohë dhe thundra e egër komuniste e Enver Hoxhës i vajti në qafë, u internua në shkollën fillore në Dragobi. Aty midis tjerash punoi me Fatime Sokolin.

Mësuesja Nazire e brumosur me ndjenjën humane, dashurinë për nxënësit e profesionin arratiset nga Shqipëria kthehet në vendlindje në Krajë. Më 1966 filloi punën si ndër mësueset e para në fshatin Ostros. Ajo punoi me pasion dhe me vetëdije të qartë për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe, sepse vetëm duke kultivuar atë do të mund të hapeshin dyert e lirisë së munguar, të zhvillimit e përparimit të kombit tonë.

Veprimtaria e saj patriotike edhe nëpërmjet punës së nderuar të mësueses që ushtroi nuk mbeti pa u vënë re nga komunistët shqipfolës dhe pushtuesit serbo-malazezë. E ndodhur para këtij rreziku të reaksionit, vetëm pas një viti mësuesja Nazire u detyrua të lë vendlindjen dhe të kërkon strehë në Kosovë. Për të humb gjurmë ndjekjes regjistrohet në shkollën normale në Ferizaj.  Më pastaj në Universitetin e Prishtinës ajo mori një formim të ri shkencor, mbaron studimet e larta Gjuhë dhe Letërsi shqipe.

Martesa me A. Zogaj nuk e lidhi si shok jete e as si shok ideali. Nazire Kraja e formuar me ndjenjën e lirisë dhe me ide përparimtare për kohën, u braktis! Ai e zgjidh martesën. Kur ajo u burgos. Mbetet  pa ndihmë e pa përkrahje, nënë e tri vajzave kaloi jetën me shumë mundime e në varfëri të thellë.

Në vitet ’80-të në Ferizaj filloi punën mësuese e bashkë edhe veprimtarinë patriotike. Ajo së bashku me shoqet e saj nuk rreshti së punuar për lëvizjen atdhetare që tashmë ndjehej kudo në Kosovë. Rruga e gjatë dhe plotë rreziqe, asnjëherë nuk e përkuli.

Dekada e nëntë dhe e dhjetë e shekullit XX, që karakterizohej nga përpjekjet e mëdha të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi la gjurmë të thella në ndërgjegjen e mësuese dhembjemadhe Nazire Kraja.

Ishte pranvera e vitit 1981. Bijtë e Kosovës po përgatisnin ngjarjen e madhe, u ngritën për të kërkuar republikë. Demonstratat shqiptare u shtypën me një egërsi mesjetare, u mbytën në gjak dhe u ndoqën nga mijëra burgosje.

Nuk ishte e rastësishme që më 3 prill 1981, në krye të popullit që demonstronte në Ferizaj ishte gruaja sypatrembur, mësuesja  Nazire Kraja, e veshur me kostumin kombëtar e plis në kokë sikur u ngjallë Shotë Galica u ngrit e foli plot entuziazëm: ”Kosova vdes por kurrë nuk duron zgjedhën serbe”. Rroftë Kosova e Shqipërisë! Ne duam bashkim kombëtar!” Shpërtheu ajo në mesin e qindra mijëra protestuesve, në sheshin e qytetit.  Fjala e saj dëgjohej me etje dhe zuri vend në zemrat e popullit. Ajo e njohur tashmë për oratorinë e saj të ëmbël e prekëse, me forcën e idealeve, e ngrinte peshë popullin, u jepte dritë, i mbushte me optimizëm e gëzim për një jetë të lirë e Kosovë të pavarur.

Në ketë kohë të robërisë pushtuesi serb duke dashur të godasë ata që luftonin për çlirimin e Kosovës, e burgosen mësuesen, Nazire Kraja. Në harkun kohor (1981- 1990) e burgosën disa herë, vuajti dënime në disa burgje në Ferizaj, Nish, Mitrovicë, Prishtinë, Beograd, Shpuzë. E torturuan egërsisht. Pas vuajtjes së dënimit tre vjeçar (1984) rastësisht e kam takuar në mjediset e Banjës shëruese në Pejë, gati nuk e kam njohur, dukej në një gjendje të dërmuar plotë dhimbje në trup e shpirt. Në një rrëfim të hollësishëm, të drejtpërdrejtë e të sinqertë, me atë thjeshtësi e qartësi shpalosi përjetimet nga tortura çnjerëzore në burgun e Mitrovicës ia kishin thyer katërmbëdhjetë dhëmbë. Tmerre e tortura çnjerëzore kishte përjetuar në burgun ( spitalin ) e Nishit, duke lënë në një dhomë me tri gra të çmenduar. Duhet shumë kohë e mund për të shkruar për jetën e saj plotë vuajtje dhe sakrifica. Mësuesen atdhetare armiqtë e atdheut, gjithmonë e patën në shënjestër. U munduan me lloj - lloj mënyrash e formash për ta thyer patrioten e flaktë, por nuk mundën.

Nga viti 1990 (Ferizaj) deri në kohën e pleqërisë ushtroi profesionin e mësueses me përkushtim të rrallë.

Më 16.12.2019, pushoi zemra e zjarrtë e arsimtares atdhetare, Nazire Kraja. Para veprës së mësueses time të paharrueshme Nazire Krajës, ne rrimë plot respekt duke e quajtur udhërrëfyese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Nexhmije Mehmetaj (ish nxënëse)

Zvicër, 6.12. 2020



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora