E marte, 16.04.2024, 08:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Liri Pone Bele: Nënë Dafina

E hene, 07.12.2020, 08:04 PM


NËNË DAFINA

Nga Liri Pone Bele

I

Dafina, banuese në fshatin më të largët të krahinës, ishte lindur e rritur në një shtëpi përdhese, fare pranë grykëderdhjes së gjerë të lumit Seman. I qetë dhe i pastër, lumi përshkonte përmes disa fshatra dhe derdhej në ujërat e detit me pamje të ranishtes, e cila sa vinte zgjerohej më tepër, derisa përzihej me ujërat e kaltra të detit.

Bukuria e Dafinës tërhiqte vëmendje qysh kur ishte ende fëmije. Në adoleshencë pamja tërheqëse nuk po e respektonte raportin përkatës me vitet në rritje, për faktin se midis vajzave të reja moshatare me të, bënin diferencë tiparet e spikatura të fytyrës vezake me lëkurë të lëmuar e të ndritshme, e cila nuk mund të ndahej nëse flokët e dendur, të verdhë e me forma të dallgëzuara, mbasi mbulonin gjithë sipërfaqen e ballit të lartë, shpërndaheshin mbi supe, duke i tejkaluar mes shpatullat. Shikimi i ëmbël që rrezatonte një mirësi shpirtërore të brendshme, përhapej nëpërmjet syve të bukur, si të ishte një dhuratë e veçantë, veçse ngjyra e tyre ishte e pamundur të përcaktohej saktë, për vetë faktin që ishte një përzierje midis të gjelbrës, nuancës blu dhe lehtësisht ngjyrës së zezë. Pa mundur ta kuptonte e ta shpjegonte as Dafina vetë, sipas momenteve të veçanta në të cilat mund të ndodhej, ngjyrat ia lëshonin vendin njëra-tjetrës; në shumicën e rasteve vezullonin gjithë nuancat e së gjelbrës, ndërsa, kur përjetonte ndjesi të hidhura, dilte në pah e errëta e shprehur me intensitet.

Përgjatë gjithë viteve të moshës rinore, derisa mbushi të 17-tat, Dafina belhollë, vajza me trup mesatar dhe me zhdërvjelltësi të skajshme, ishte pjesëmarrëse pranë të ëmës në të gjitha punët e shtëpisë; njëkohësisht shoqëruese aktive e dy vellezërve, motrës në punët bujqësore në arat larg shtëpisë. Mund të dallohej së largu të ishte dy-tre rreshta para të tjerëve gjatë procesit të prashitjes, ujitjes, vjeljes së perimeve dhe përmendej si vajza më e bukur në fshat. U martua sapo hyri në vitin e 18-të të moshës me djaloshin Niko, banues në fshatin përmatanë lumit, të cilin e njihte qysh nga vitet e fëmijërisë, duke e parë së largu sepse rastësisht banesat  ishin të ndërtuara në fund të dy fshatrave, pozicionuar përballë njëri-tjetrit e që përshkoheshin nga rrjedha e tij. Dafina e kishte spikatur Nikon midis shokëve në bregun tjetër pothuajse çdo ditë, me përjashtim të stinës së dimrit, kur “luanin me një top prej lecke,” mësonin të notonin brenda ujërave të pastra, organizonin gara në grupe fëmijërore… Flisnin me aq zë të lartë, sa mund të dëgjohej çdo fjalë, sikur Dafina të ndodhej atje.  Shatgjatësia, trupi muskuloz, vrapimi i shpejtë pothuajse i pamundur të arrihej nga bashkëmoshatarët, e dallonte Nikon në kohën kur laheshin apo vraponin në cektësirë. Sa për kohën dhe mënyrën e të vrapuarit në fusha, stilin e të notuarit mes ujërave të detit, ajo nuk e kishte parë dhe nuk ishte e sigurt në talentin e tij.

Me një buzëqeshje dashamirëse, shoqet pyesnin se sa kohë iu desh Dafinës, veshur me rroba nusërie, të kalonte me dhëndrin e dasmorët nga njëra anë e lumit në tjetrën përmes ujit në pjesën më pak të thellë, emërtuar “vahu”, por detyrimisht verifikuar nga një djalosh dasmor i përzgjedhur, që mbante në duart e veta “një çomange”, sinonim i emrit të një shkopi prej druri të gjatë, udhërrëfyes, të trashë dhe të sigurt, kur mbështetej mbi të për të njohur shkallën e përafërt të thellësisë, përkatësisht vendkalimit. Vlerësimi i tij ishte njëherazi edhe garanci në ruajtjen e jetës së personit që e ndiqte besimplotë një hap më pas brenda ujit të lumit, në sektorin e kalimit të mundshëm, pra ,një udhërrëfyes i njohur, i miratuar dhe provuar qindra herë nga banorët pranë bregut, veprim që përmendej si njëri nga mençuritë e zbatuara në praktikë, përgjatë jetës së fshatarit myzeqar me shtëpi buzë lumit.                                                                                                    Sigurisht, krushqit erdhën ta merrnin nusen e re nga fshati përmatanë duke ecur mbi urën e vjetër lidhëse, ndërtuar shumë kohë më parë. Një tjetër arsye kishte të bënte me këngëtarët dhe sazexhinjtë, të cilët duhet të tregonin aftësitë e tyre duke shpërndarë hare në të gjithë fshatin. Pra, absolutisht rruga nuk do të shkurtohej përmes lumit, edhe pse ndjenja e vetëmbrojtjes mbizotëronte kur lumi kalohej në vah, po këngët e bukura të krahinës, a do mund t’i përhapnin?

Çifti i bukuroshëve Niko-Dafina po prisnin urimet e përzemërta nga bashkëmoshatarët e të afërmit, që nuk duhet të pakësoheshin në ujërat e lumit e të përfundonin në ato të detit. Familjet vendëse të dy të rinjve njiheshin, respektoheshin për faktin se banesat ishin përballë njëra-tjetrës në të dyja anët e lumit, jo larg në vijë të drejtë. Nëse mund ta përqendronin shikimin te njëri-tjetri, ata i drejtoheshin shokut me një përshëndetje të pazëshme, shoqëruar me tundje të lehtë të dorës së djathtë ngritur lart. Dafina, qysh në ditët e para mbas martesës, njohu afërsinë njerëzore, mirësinë, gatishmërinë për t’u ndihmuar nga familja e burrit, sjellje të njëjta me ato që la pas, të cilën, duke e zëvendësuar me një tjetër, po shijonte pa vonesë lumturi dhuruar nga bashkëjetesa me Nikon.                                                                                                           Sapo krijuan familjen e re, po prezantonin shkallën më të lartë të mirëkuptimit, dashurisë së vërtetë burrë-grua, gjë që shihej me admirim, respekt dhe shpesh përmendej si pikë referimi nga bashkfshatarët .

Në shumicën e rasteve, shkëmbimi i shikimeve mes tyre realizonte mjaftueshëm transmetim, përcjellje mendimesh, aprovim të radhës së veprimeve, pa qenë i domosdoshëm shqiptimi qoftë i një fjale të vetme. Shpjegimi i këtij mirëkuptimi të rrallë mund të ishte kohëzgjatja e qëndrimit pranë njëri-tjetrit, sepse, në aktivitetin brenda shtëpisë e jashtë saj, përfshiheshin fizikisht e psikologjikisht, duke ecur në të njëjtin drejtim; një bazë mbështetëse ishte dhe qëndrimi objektiv dhe i natyrshëm ndaj problemeve të jetës së përditshme. Shprehur thjesht, ata përpiqeshin të njihnin paraprakisht mundësinë e plotësimit të një synimi të paracaktuar , në të kundërt nuk hidhnin asnjë hap në rrugën drejt tij.

Familja e re e Nikos i forconte themelet nga dita në ditë, përballej me një gjendje ekonomike të dobët, por thelbi i filozofisë së përballimit të jetës gjendej në bashkëpunimin e tyre, të ndihmuar nga prindërit e Nikos. Ata ishin dy fshatarë të përkushtuar në punë, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, përgjatë gjithë viteve të jetës, sigurisht shoqëruar me ndihmesën modeste të vajzave në rritje. Natyrshëm, familja tashmë më e shtuar në numër, e prezantonte vetveten ndershmërisht. Dafina ndihej mirë brenda familjes së re, për më tepër i vjehrri kishte natyrë të qeshur, të shoqëruar me ndjenjën e një humori të këndshëm, sidomos kur rastiste të ishte i pranishëm në episode të tilla si të vetmet mundësi tëkohës.                                                                                                                                Babai i Nikos, i quajtur Llazi, një ditë pranvere u shkëput nga puna shumë më herët se zakonisht, hyri rrëmbimthi në oborr, dhe me zë të lartë kërkoi të shoqin e Dafinën dhe u tregoi i emocionuar se kishte diçka të rëndësishme për të informuar familjen:

- Sot u takova me një shok të fëmijërisë së largët, Leun. Ai jeton prej gati 40 vjetësh në Amerikë e në Francë. U gëzova pa masë dhe e ftova sonte për darkë. Dua ta nderojmë, t’i rikujtojmë zakonet e krahinës; për këtë duhet patjetër në sofër të jetë kaposhi i detit i pjekur, përsheshi me bukë misri, revania… Sa për të tjera gjëra, ju e dini më mirë se mua, jeni të njohura për mikpritje, - i shndrinin sytë, mori frymë gjithë kënaqësi dhe vazhdoi të fliste sërish:

- U rritëm bashkë edhe me Kiun, banues përmatanë lumit, si të ishim tre vëllezër. E ke parë, Dafina, kur takohemi dhe qëndrojmë me orë pranë portës, duke biseduar gjatë? Fati e solli që xhaxhai i Leut, ndër emigrantët e pakët të asaj kohe, të interesohej për nipin, ta merrte me vete, edhe pse në moshë të vogël. Prej shumë kohësh ne nuk ishin takuar, duke mos ditur asgjë rreth jetës së tij. Vite më vonë mësova se banonte në Francë. Takimet e pëmallëshme ,përqafimet vijuan dhe…

Darka kalonte këndshëm për të gjithë. Pak afër mesnate, në një moment Leu iu drejtua Nikos, episode të cilin Dafina e përmendte shpesh më vonë, shoqëruar me humor kur e tregonte:

- Të lutem Niko, - i tha xhaxhi Leu, - më duhet harta e fshatit, të gjej shtëpinë e Kiut. Më ka marrë shumë malli dhe dua ta takoj, por nuk e mbaj mend shtëpinë...

Për të pranishmit ishte diçka e papritur, kryesisht Llazi vjehrri im, i cili nuk e njihte përmbajtjen e fjalës “hartë“. Po shihte rrotull, në mënyrë pyetëse, tepër i shqetësuar se mos i mungonte diçka darkës. Nikua, - sqaronte me krenari Dafina, - e kuptoi i pari dhe i tha:

- Xhaxhi Leu! Ne nuk e njohim nevojën e përdorimit të hartës në fshat. Shtëpia e Kiut është përmatanë lumit, nuk ka lëvizur as ajo dhe as lumi. Të nesërmen në mëngjes, nisu ngadalë, mund të pyesësh edhe ndonjë banor të fshatit se dielli në perëndim nuk largohet pa u përshëndetur me ta, sikurse herët në agim. Shko takoje shokun.

- Të më falni, - iu drejtua Leu me seriozitet, - por atje ku jetoj unë, ne nuk lëvizim pa e verifikuar më parë në hartën përkatëse…

Qeshëm me çiltërsi. Po kalonim çaste të bukura, pa e kuptuar sa kohë qëndruam ulur pranë sofrës. Në një moment, pasi e kuptoi  kërkesën e tij, Llazi u ngrit me vrull, e përqafoi mikun me dashuri dhe i foli ëmbël:

- Nuk di për ç’them, Leu. Ne këtu nuk përdorim letra, kemi vetëm mendjen tonë drejtuese. Në rast se na duhet ndihmë, pyesim pranë…

Mbas darke, Nikua e shoqëroi Leun I cili ndihej i tjetërsuar nga kënaqësia që ndieu në atë shtëpi, ç~ka kuptohej qartë nga fjalët që tha:

- Nuk arrij ta shpreh dot mirënjohjen për darkën e sotme. Njëkohësisht, ju falënderoj, se më dhuruat kujtime të vyera të së kaluarës së largët!

Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzve të afërt në fshat apo në të tjera takime rinore të këndshme të organizuara, iu bë i njohur zëri melodioz i Dafinës në këngët popullore të krahinës. Por, ajo çfarë i habiste dhe mrekullonte të pranishmit, ishte fakti që Dafina shpesh herë thurte vargje të rimuara brenda një melodie të mirënjohur, teksa ishte duke kënduar në raste festash apo dhe teksa ishte duke punuar brenda oborrit. Nëse ndodhej në një situatë mortore, në çastin e përcjelljes së të ndjerit, vajtimi i saj mbetej mbresëlënës, prekës, i padëgjuar më parë, sepse ajo shprehej në vargje të sapokrijuara, improvizuar aty për aty. Të gjithë i përuleshin me respekt talentit të natyrshëm krijues, i cili, fatkeqësisht, nuk mundi të mbetej gjallë i shkruar me laps në faqe të panumërta veprash me poezi, sikurse të tjera talente të fushave të ndryshme nuk mundën të dilnin mbi sipërfaqe. Janë të njohura rrethanat që i kushtëzonin specialistët, njohësit e pakët të këtyre talenteve të rralla e të natyrshme; nuk i ndihmonte askush, nuk u jepnin dorën për t’i ngritur lart, për t’i larguar nga thellësitë e paimagjinueshme, të detyrueshme të atyre kohëve e për ta përcjellë talentin e tyre te pasardhësit, bazuar në të drejtën e pamohueshme botërore të adhuruesve të artit. Fatkeqësisht, tek ne u trashëgua pak pasuri artistike nga e kaluara.

Dafina u bë nënë e gjashtë fëmijëve me diferencë moshe të vogël midis tyre. Njëri ishte djalë, rrethuar me dashuri e përkëdheli nga të pesë motrat, që, së bashku me prindërit e Nikos, krijonin një familje me plot 10 anëtarë. Shtëpia përdhese, ndërtuar me mjeshtëri, rrjetat e dendura me kallama të trashë e të fortë, ishin mbushur me baltë të përpunuar, të ngjeshur e cilësore, sikundër edhe tabani; shtëpia kishte një çati me tjegulla, të rralla aso kohe në fshatra; hapësira përmbante dy dhoma të vogla dhe një tjetër të gjatë, të gjerë njëkohësisht,  përfaqësuese të ambientit të mikpritjes, realisht e vetmja me oxhak e vatër katrore rreth 10 cm mbi sipërfaqe, vlera e së cilës shumëfishohej në ditët e ftohta. Një korridor i gjerë e përshkonte përmes shtëpinë, në fund të të cilit dukej një mulli bloje prej guri apo “mokra”, pranë thasët e grurit, pastërti dhe thjeshtësi; pusi me blloqe në mes të oborrit, rrethuar me një shtresë çimentoje në formë rrethi, rrezja e të cilit e kalonte njëmetërshin, pranë tij zhurma e çikrikut në futje-nxjerrjen e kovave metalike. Rrënjët e shumta të rrushit garantonin një kurorë të dendur mbojtëse nga dielli përvëlues i verës, teksa verigat e panumërta vareshin teposhtë dhe të ledhatonin flokët…

Disa metra larg shtëpisë ndodhej një kasolle e ndarë në dy pjesë: më e madhja ishte stalla e dy lopëve, tjetra për dhentë e qëngjat. Pas saj, koteci i pulave të detit, ndërtuar me thupra. Shtëpia, rastësisht e ndërtuar në fund të fshatit, kishte një përparësi të vetme: ajo ndodhej shumë larg qytetit, por fare pranë detit. Nëse ecje jo gjatë, i afroheshe sipërfaqes së pafund kaltëroshe, ndarë në formë fashash të gjera, rrëzëllitëse, intensiteti i të cilave kushtëzohej nga reflektimi i rrezeve, në vartësi të pozicionit të lëvizjes së diellit në hapësirën qiellore. Koha e takimit të rrezeve të diellit me sipërfaqen e pafund vezulluese të të gjitha nuancave bojëqielli, që kthehej në blu të thellë, sa më e madhe të ishte largësia me bregun, prezantohej si një përkëdhelje e lehtë, e shkurtër, e përmalluar midis tyre, të cilën e përjetoje këndshëm brenda vetes, nëse fatmirësisht ndodheshe diku pranë, natyrisht duke mbajtur sytë gjysmë të mbyllur e me qepallat në përpëlitje, për të lehtësuar sadopak forcën përvëluese të diellit të atyre ditëve të nxehta. Këtë bukuri të rrallë, shoqëruar me një ndjenjë të këndshme, pothuajse një tjetërsim të lehtë brenda vetes, si të ishte një dhuratë e çmuar falur nga nëna natyrë, mund ta shijoje pikërisht atje në momentin kur ta kapte syri, por me kushtin e vetëm pasi të kishe përshkuar me kujdes hapësirën e gjerë të ranishtes, të mos kishe provuar ndjesinë e shpimit të papritur, të dhimbshëm të zhukave të panumërta, që dukeshin se të vëzhgonin dhe prisnin çastin provokues të të vlerësonin shkallën e rezistencës, durimin. Pra, po ndodheshe në “mera”, emërtesa e ranishtes në përmasa të mëdha.

Djathtas rrugës zigzage, vëmendje tërhiqte gjelbërimi, gërshetuar me praninë e luleve natyrale të panumërta, të shumëllojshme, të rritura deri afër gjurit, njëherazi, duke të bërë një ftesë të sinqertë, të nënkuptuar të uleshe e të shtriheshe një copë herë në atë pjesë parajse tokësore, paraprirë me një paralajmërim të rreptë: të mos i dëmtojëe në ecje e sipër, të këpusje sa më pak prej tyre dhe, duke i rezistuar tundimit për të formuar tufa të mëdha. Bukuria e pishave të ulëta qëndronte në formën e veçantë të pjesës së trungut të përdredhur pas, me degët të shpërndara në formë kupolash, paksa të spostuara anash, si t’i bindeshin forcës së erës edhe në çastet kur ajo nuk ishte prezente. Çuditërisht, renditja e tyre në anën e majtë të rrugës i afrohej bregdetit, ndërsa djathtas, në pjesën përkundrejt, shihej një sipërfaqe moçalore e emërtuar “Shëllira”, e pranishme në më të shumtën e muajve të vitit me ujë të kripur të koncentruar. Ishte  e pamundur të kaloje përmes saj për t’u gjendur pranë detit, se, ndonëse përgjatë verës së nxehtë ajo pellgaçe mund të mos përmbante ujë e të konsiderohej e tharë, tashmë dukej e përvijuar nga vazhda të thella dhe sërish mbetej e pakalueshme.

Prakticiteti, shoqëruesi besnik i një mendjeje të panjohur me librin, si përherë e  gjente zgjidhjen duke ecur në këmbë nëpër rrugëzat e sajuara, ku gurëzat e panumërta, me vështirësi dalloheshin nga rëra e nxehtë. Shumë shpejt të mundësohej soditja e sipërfaqes vezulluese të nuancve të panumërta të ngjyrës së kaltër tej në largësi, zëvendësuar me ngjyrën e natyrshme blu dhe mbi të vraponin rè të bardha në qiellin e pastër, si të ishin në ndjekje të njëra-tjetrës, çuditërisht duke  formuar pamje shëmbëllyese të jetës së përditshme, si figura mbresëlënëse të krahasueshme me sende apo kafshë reale, por paqëndrueshmëria e atyre tablove fantastike në qiell nuk të lejonin ta shijoje plotësisht, qoftë vetëm njerën, midis atyre shëmbëlltyrave të panumërta. Frymëmarrja thellohej, teksa ajri i pastër të freskonte fytyrën. Shumë shpejt, këmbët ndienin përkëdheljen e dallgëve, që, pasi preknin bregun, shpërndaheshin të bulëzuara, të transformuara në gjysmë rrathë të bardhë shkumë, si t’u linin me kënaqësi radhën të tjerave, të sapokrijuara brenda ujërave të detit. Fatlumët notarë, më e pakta, e kalonin me not bregun ndjekur me shikime admiruese nga shumë persona në breg, por shumica guxonin vetëm të ndodheshin brenda ujit, derisa uji t’u afrohej gjunjëve, pa i lagur pantallonat e përveshura mbi to.

Dafina, edhe pse banonte në zonën bregdetare, kishte mundësi të shijonte freskinë, kënaqësinë e prekjes së ujit të vakët e me shije të kripur përgjatë një ditë të vetme të vitit, mirë e paracaktuar dhe zbatuar me korrektesi që veprimi të përsëritej tri herë: saktësisht në mesin e muajit gusht, ditën e shenjtë të Shën Mërisë, rituali i së cilës përfshinte edhe momentin e zhytjes së kokës së personit brënda detit, pa e tejkaluar të mundshmen kohë të ndalesës së frymëmarrjes, pavarësisht thellësisë ujërave.

Si një nënë e ndërgjegjshme, Dafina iu përkushtua edukimit, formimit të karakterit të fëmijëve dhe shkollimit të tyre, brenda mundësive që kishte. Sa për veten, ajo nuk e kish pasur fatin të mësonte asnjë gërmë apo të lexonte një fjali të shkruar; përfaqësonte një femër të pa arsimuar, me shkallë të lartë zgjuarsie natyrale, njëherazi një talent letrar të panjohur e të pavlerësuar. Megjithatë, pamvarësisht mungesës së shkollimit, të gjitha këto cilësi, shkrirë në një subjekt të vetëm, do ta prezantonin Dafinën si njërën nga personalitetet femërore të vendit…

Atyre viteve, në fshatin e tyre funksiononte vetëm arsimi fillor. Shkolla 7-vjeçare ndodhej tri fshatra më larg, vështirësi të shumta për fëmijët, të cilët duhet të kalonin përmes gropave të thella të mbushura me ujë shirash të rrëmbyera apo dhe sipërfaqet e akullta gjatë dimrit.

Dafina ngrihej para lindjes së rrezeve të para të diellit dhe punonte derisa terri i natës të ishte shpërndarë gjithëandej. Drita e një llambe me vajguri ishte gjithçka brënda shtëpisë, duke mundësuar thyerjen e errësirës ndëemjet mureve të dhomës, në orët e natës. Ishte e angazhuar tërë kohës me punë, për të siguruar bukën e përditshme, duke e përpunuar brumin me duar, e mundimshme për të aq sa, përherë e mbulonin bulëzat e djersës ballin e lart, teksa lagnin kaçurrelat e flokëve mbi të. Përhapja e aromës së këndshme të bukës së pjekur në zjarrin e drurëve në oxhakun e kasolles së saj, funksionimit perfekt të çerepit prej metali mbuluar me një shtresë hiri të pastër dhe përzierja me aromën e fasuleve që zienin anash zjarrit në poçen e madhe prej balte, ishin informacione të mjaftueshme se dreka ishte përgatitur dhe sofrën e drunjtë duhet ta rrethonin të gjithë pjesëtarët e familjes pa vonesë. Asnjë çast nuk e kalonte Dafina pa e shfrytëzuar atë me punëdore, si: thurja me shtiza, qëndisje të thjeshta, pothuajse përditë vendosje arnash në rrobat e grisura të fëmijve apo të rriturve, për t’i bërë përsëri të përdorshme, pa lënë mënjanë dhe punime leshi a pambuku në tezgjah.

Gjatë gjithë 24-orëshit, aktiviteti brenda shtëpisë koordinohej me të tjera procese brenda oborrit, impenjime të shumta, në krye të të cilave renditej kujdesi për mbarështim shpendësh, kujdesi për copëza toke, thënë ndryshe ”lehe”, të mbjella me perime të shumëllojshme, si pjesë përbërëse tepër e rëndësishme në përgatitjen e vakteve të ushqimit për familjen me 10 pjesëtarë. Sigurisht, mundohej të gjente sadopak kohë të lirë gjatë ditës dhe me ecje të shpejtë, pothuajse duke vrapuar, shkonte të ndihmonte Nikon përgjatë kohës së mbjelljeve, prashitjeve, vaditjeve, korrjeve, njëherazi, pa iu shmangur sektorit të blegtorisë, duke u përkujdesur për dy lopët, gjashtë dhentë me qengjat e vegjël pranë. Gjithë sa u përmend,  përfaqësonte bazën ekonomike të një familjeje të thjeshtë me banim në fshat.

Njihej dhe vlerësohej mikpritja e Dafinës sidomos gjatë stinës së  verës, kur sofra e madhe e rrumbullakët prej druri të lëmuar, shtrohej pothuajse çdo pasdite që të uleshin rreth saj të afërmit nga qyteti, të cilët ndalonin të qetësoheshin përkohësisht pas ditës së nxehtë në bregun e detit dhe për t’u rikthyer sërish. Dy apo tre adolshentë, moshatarë me fëmijët e saj, qëndronin në fshat disa ditë dhe rastiste për dy-tri javë, që, të shoqëruar me kushërinjtë, kalonin nëpërmes sipërfaqeve të pamata me rërë të pastër emërtuar si “mera“ për t’u larë në ujërat e detit. Nuk e matnin kohën e qëndrimit shtrirë për disa orë nën rrezet përvëluese të diellit, mbrojtjen ndaj të cilave e mundësonin tenda të improvizuara nga copat e thasëve të boshatisur të grurit. Më të sigurta konsideroheshin tendat e thurura me zhuka të përpunuara, thënë ndryshe “të zhulatura”. Ktheheshin në këmbë mbasdite vonë, tepër të kënaqur dhe me fytyra të flakëritura, shtriheshin pranë njëri-tjetrit, drejtpërsëdrejti në rrogoz (çarçafët ishin të pakët), për t’u takuar sërish të nesërmen me ujin e freskët, si të kishin lënë një pikë e një orë takimi. Të rriturit largoheshin pas mesnate me disa çanta në duar, dhuratat e përhershme të Dafinës. Ishte pjesë e sjelljes së saj të veçantë ndaj miqve; ajo gjithmonë u jepte diçka dhuratë - tregues i vazhdimësisë së mikpritjes së saj të natyrshme, të rrallë e të papërsëritshme. Mysafirët përherë largoheshin duke folur me zë të lartë e të ngjirur, që dëgjohej në largësi, si pasojë e të kënduarit gjatë, njëherazi treguese e rrëkëllitjes së gotave me raki rrushi cilësore… ehuu, kushedi sa gota!

Vitet në vazhdim, koha e rritjes së fëmijëve, nisën ta ndryshonin disi gjendjen ekonomike; ajo nuk qëndronte më në parametrat e parë. U detyruan të pakësonin ndjeshëm shkallën e pritje-përcjelljeve, por mbeti mënyra e dhurimit e ngulitur brenda shpirtit të Dafinës. Për më tepër, vështirësitë po shtoheshin dita-ditës, njëra prej të cilave ishte rregullorja absurde e vendosur nga kryesia e kooperativës për të kufizuar numrin e shpendëve të rritur nga secila familje në fshat. A mund të kuptonte, të zbatonte një komandë të tillë zemërarta Dafinë?! Ishte diçka e përafërt me shkelmimin e zemërmadhësisë së shpirtit të saj, një ndërhyrje brutale në zemër, kur dikush e detyronte të mos shpërndante dhurata të siguruara me djersën e ballit, siç bënte ajo zakonisht: gjela deti për Krishtlindje apo, për Vit të Ri…

Si përherë, triumfonte prakticiteti i mendjes së Dafinës përgjatë kohës së kontrollit prej bashk fshatarëve të drejtuar  nga kryesia e kooperativës dhe, njëra nga zgjidhjet ishte futja e shpendëve brënda rafteve të kuzhinës, një veprim i shoqëruar me ngritjen e tonalitetit në shkallën maksimale të mundshme të një stacioni muzikor të radios së vogël mbi oxhak, realisht e vetmja mundësi neutralizimi ndaj këngës së gjelave përgjatë kohës kur ushtrohej kontroll nëpër çdo shtëpi të fshatit. Sigurisht, këngëtari i panjohur do t’ia merrte fitoren zërit të gjelit në dollap…I cili të nesërmen do tu dhurohej miqëve…

Një problem serioz i familjes ishte rrënimi i mureve të shtëpisë, ndërtuar disa dekada më parë me rrjeta kallamash paralel, të mbushura me baltë të përpunuar; tavani me shëmbje vënde-vënde… Ishte koha kur të dy prindërit e moshuar të Nikos kishin ndërruar jetë. Ndërtimi i një shtëpie të re ishte financiarisht e pamundur, ndaj e gjykuan të arsyeshme të shpërnguleshin prej andej. Për më tepër, fëmijët, tanimë të rritur, po kërkonin një tjetër mënyrë jetese në qytet, po tregonin ambicie për një jetë të civilizuar në një banesë të thjeshtë, edhe pse vazhdimësia e jetës së deriatëhershme dukej e natyrshme. Një problem i vështirë po dukej para familjes. Kryesisht Dafina e shihte veten në mëdyshje; pikëpyetje të shumta e shqetësonin për Nikon dhe fëmijët. Ndonëse ishte e sigurt se të dy do të punonin me përkushtim, mendonte për sa më pak shpenzime në përgjithësi, duke shpresuar se do t’ia dilnin. E njihte pothuajse fare pak jetën qytetare, teksa ditëve të marta shkonin e ktheheshin me qerre deri në tregun e krahinës dhe ndonjëherë një përshkim i shkurtër në rrugët e qytetit, por jo më tepër…

Menduan gjatë dhe vendimin e mori Nikua. Sigurisht Dafina u bind saje argumenteve të shumta e të thella, renditur për ditë e javë me radhë. U sistemuan në një shtëpi të lagjeve periferike të qytetit. Ato pak mobilje të vjetëruara nuk mund të transportoheshin; rritja e vajzave, njohja me jetën qytetare shumë me ndryshe krahasuar me të mëparshmen në mes të ranishtes, prezantohej me një tjetër këndvështrim, me të cilin nuk ishte njohur më parë asnjëri prej anëtareve të familjes. I mendonte kushtet e vështira me të cilat do të përballej, por kur i njohu drejt përsëdrejti, atëherë…

II

Pavarësisht thjeshtësisë e ngushtësisë së mjedisit, banesa e Dafinës në qytet shpejt u kthye në një vend mikpritës, vetëm se tanimë ishin ndryshuar drejtimet e lëvizjeve. Në shtëpinë e saj vinin për të filluar jetesën në qytet të afërmit nga fshati; hapat e parë i bënin duke gjetur një strehë të përkohshme, sikundër i vëllai, pasuar më vonë nga të dyja motrat me familjet e tyre. Shpesh Dafina detyrohej të shtrihej për të fjetur mbi shtresën e çimentos, mbasi në krevatin e gjerë dhe në dy divanet e zhuritura të kuzhinës do të akomodoheshin miqtë. Për më tepër, ajo pranoi të ndihmonte kohëzgjatjen me vite për shkollimin e dy nipërve: njëri në  gjimnaz e tjetri katër vjet në të mesmen profesionale bujqësore. Ata u bënë pjesëtarë të familjes dhe ajo pranoi vështirësitë e shtuara.

Gjithsesi, Dafina kishte një tjetër tipar të veçantë. Ajo gëzohej në mënyrë të sinqertë kur mësonte për fatmirësitë e dikujt; nuk e njihte egoizmin. Një prej të afërmve mundi të ndërtonte një shtëpi të re dhe ajo e lumturuar shkoi një mbasdite ta uronte. Gjatë rrugës përshëndeti shoqen komshie, një grua e mirënjohur me shkallë të lartë kurioziteti për jetën e të tjerëve. Sigurisht dëshironte të mësonte arsyen e daljes të Dafinës, e veshur thjesht e me duar në xhepa, pa çantë a diçka tjetër në duar. Mbeti e shtangur pas përgjigjes së çiltër e të natyrshme të marrë prej Dafinës:

- Unë po shkoj ta uroj, t’i shkel në shtëpi për mbarësi. Nuk kisha të holla t’i blija një dhuratë, as një pako me llokume ta vendosja në tavolinë, por mendoj se vizita ime është e vlefshme, përmban urimet e zemrës sime dhe midis pamundësisë reale për të bërë dhurata, zgjodha rrugën e mundshme, të sinqertë. Urimi mbetet urim edhe kur nuk shoqërohet me sende në duar.

Shoqja në çast e përqafoi dhe, e prekur shpirtërisht, u shpreh:

- E dashura ime! Të respektoj shumë, sepse je shembulli i gruas së natyrshme, për sa të njoh, dhe ne po mësojmë prej teje.

Aktiviteti ditor i Dafinës tregonte se ajo nuk humbiste asnjë minutë; brenda shtëpisë sepse koordinonte proceset radhazi, në oborr  çdo imprenjim të ishte, si: kujdesi për zogjtë e pulat shqerake, punimi i copëzave të tokës mbrapa shtëpisë me perime të shumëllojshme, më pak se sasia e tyre në shtëpinë e fshatit. Familja në qytet po përballej me probleme të shumta, sidomos në anën ekonomike, prandaj ndihmën që përpiqej ta gjente në territorin rrethues të shtëpisë, mundohej të arrinte më të lartin nivel të shijes. Më e rëndësishmja ishte vaditja dhe, për të siguruar sasinë e domosdoshme të ujit, e ndihmoi Nikon të bënin një pus, vlera të cilit dukej jashtë e brenda shtëpisë. Sa për vete, nuk mendonte por ku e ku të shpenzonte më pak, gjë që pa dashje iu zbulua rastësisht. Lakrorin me spinaq apo lakra të egra mbledhur diku larg, e gatuante shpesh. Fshehtas, në një pjesë të tavës, vendoste një shenjë të veçantë, p.sh. një kunjëz shkrepëse të pastër dhe pikërisht në atë sektor përziente sasi të shtuar kripe, e konsumonte personalisht kur uleshin të hanin, që të pinte disa gota ujë pas vaktit të ngrënies, sepse e dinte që duke pasur stomakun të mbushur, do hante më pak se të tjerët dhe sigurisht  do të ndihej më pak e uritur…

Një nga situatat e këndshme për familjen ishte vizita e herëpashershme e shokut të Nikos, Lolit. Ata ishin rritur së bashku dhe i ruanin lidhjet miqësore edhe pas largimit të Nikos nga fshati. Loli, lindur me dorën e majtë të cunguar dhe gjysmë funksionale, çuditërisht nuk e përjashtonte veten nga procesi i mjeshtërisë së përpunimit artizanal të drurit, duke i shërbyer si njëra ana e mbajtjes së tij brenda sqetullës për orë të tëra, ndërsa dora e shëndetshme, me thikën shtrënguar me durim e këmbëngulje, e gërryente copën e drunjtë, duke realizuar punime artistike, sende përdorimi të përditshme tepër të vlerësuara, si: lugët e drunjta, havane, kupa artistike dhe pjesë panoramike zbukuruese. Mbasi mbyllte ditën e tregtimit të pjesshëm, Loli kthehej një copë herë përgjatë mbasdites në shtëpinë e shokut, për t’u takuar e biseduar së bashku. Rikujtonin vitet e pakthyeshme të fëmijërisë, realisht të vobekëta, por tepër argëtuese. Edhe pse ora e vizitës së Lolit nuk përkonte as me vaktin e drekës apo të darkës, Dafina, si një grua me zemër bujare, e ftonte të ulej në tavolinë, duke e gostitur me çdo lloj ushqimi të kishte mundësi. Në njërën nga vizitat i ra në sy se Loli, person me besim ortodoks, para se të kishte vënë në gojë lugën e parë, realizonte në gjoks ritualin e shenjës së kryqit. Dafinën e çuditi përsëritja e atij veprimi para mbarimit të vaktit të ngrënies dhe pyetjes së saj për kryqin e  dytë, Loli iu përgjigj me buzëqeshje:

- Hera e parë ishte për sa do të haja në tavolinë me ju, ndërsa hera e dytë i takon racionit që gruaja e shokut tim të shtrenjtë  do më japë ta marrë me vete në shtëpi, për darkën e sotme.

Heshti një hop dhe pastaj vazhdoi:

- Të njoh mirë, Dafina, dhe e di saktësisht se më tepër gëzon ti kur dhuron diçka, sesa ai që merr atë prej teje. Ke zemër floriri!

Pothuajse të rralla ishin netët që Nikua kalonte pranë familjes. Veç punës në ngarkim-shkarkim, ai punonte rojë nate ku të kishin raste të veçanta; ndonjëherë shoqëronte dikë për t’i siguruar mbrojtje të sigurt (fjala “bodigard” nuk ishte e njohur aso kohe) falë konstruktit dhe ndershmërisë së tij. Nuk i shmangej asnjë pune; e dinte mirë që forca fizike e organizmit, përkushtimi, dinjiteti njerëzor, të shkrira së bashku, do të përbënin subjektin e një njeriu. Njëkohësisht, ndihej domosdoshmëria e ndihmës për vajzat, të cilat, pas ardhjes në qytet, e ndryshuan këndvështrimin ndaj jetës së përditshme, kështu që Nikua me Dafinën pothuajse ndiheshin si në një shesh luftimi ku dëgjonin fishkëllima plumbash pranë veshëve, por që fatmirësisht nuk i preknin trup.

Një shqetësim i pamasë dhe i papritur ishte sëmundja e Nikos. Natyrisht ai ndihej tejet i lodhur për natyrën dhe kohëzgjatjen e punës në ngarkim-shkarkim. Nuk mund të përcaktohej nëse Dafina  e përfundonte ditën e punës më pak e lodhur se Nikua, por ajo nuk ankohej kurrë. Nikoja u detyrua të ndërronte vend pune, por vazhdimësia për të po i kalonte kufijtë. E pamundur të mendonte një minutë për t’u çlodhur; aktivizohej në pjesën e vogël të oborrit të shtëpisë.

Pas shfaqjes së një sëmundje tepër serioze, u detyrua të qëndronte në shtrat, nën kujdesin e së shoqes, bashkë me vajzën e vogël, Vjollca, dhe të birit, Fredit, tashmë një djalosh në rritje. Nikon, më tepër se dhimbjet fizike, e shqetësonin ato shpirtërore. Si do ta përballonte e vetme Dafina drejtimin e familjes? Si mund t’i  linte ai në mes të rrugës të shtrenjtët e tij? Po Dafina, që duhej të shkonte në mesnatë në turnin e tretë e vetme në vendin e saj të punës aq larg qytetit, e detyruar të mos e ndërpriste, sepse asnjë kafshatë bukë nuk do të mund  ta blenin ,pra as të hanin  një apo dy herë brënda ditës….

Vajzat, njëra pas tjetrës po formonin familjet e tyre. Rasti e solli që secila të ndërtonte jetën e vet larg prindërve, në vëndet fqinje. Një tjetër faktor rëndues i gjendjes së vetmuar të Dafinës, mbas ndarjes së Nikos nga jeta (e ndiente veten të gjymtuar, të copëtuar shpirtërisht dhe të pashëruar)ishte pikëllimi. Sado që kish karakter të fortë, kjo goditje ishte jashtë mundësisë së forcave përballuese për të, e mbushte me shoqërinë e Gjenës, që e ndihmoi, e zbuti sadopak dhe u bë një shoqe e afërt së bashku me Lejlan, njohur në vitet e punës. Pra, tri mikeshat, gjithçka e organizonin dhe e ndanin së bashku.

Jeta në qytet prezantonte në të njëjtën kohë shkallë civilizimi, të cilës familja e Dafinës po i gëzohej, por ndihej ende e papërgatitur sa duhej dhe më e vështira ishte përballja me koston e jetesës, shumë më lartë se e mëparshmja. Ajo duhej të ngrihej menjëherë pas mesnate për të qenë në rreshtat e para të radhës, për të blerë produkte ushqimore me kosto të ulët, por shoqëruar me forcë kalorike, sikurse ishin të përbrendshmet e bagëtive, marrë në thertoren e qytetit, punë jo e lehtë gjatë gjithë natës.                                                                             Gatimi tyre, i emërtuar “kukurec”, arrihej pas një stërmundimi, sepse sigurimi i shkallës më të lartë të pastërtisë së produktit kërkonte disa orë, duke mbajtur duart në ujin e rrjedhshëm, të ftohtë; njëherazi, mjeshtëri dhe durim për të realizuar gërshetimin në formë të një kordoni të trashë, që përfundonte me pjekjen perfekte në një zjarr të fuqishëm. Ujin e pastër e mernin në çezmën e vjetër, te kryqëzimi i rrugëve të lagjes, shumë më cilësor se i mëparshmi që e nxirrnin me kova nga pusi i fshatit; vetëm se rruga e gjatë për të dhe pesha e rëndë e dy shtëmbave, pavarësisht ndalesës së herë pashershme, ishin pjesë përbërëse e mbilodhjes së Dafinës përgjatë paradites, pasdites e jo rrallë edhe orëve të natës. Gjena punonte në sektorin e ndërtimit; ishin bashkëmoshatare dhe mirëkuptoheshin, duke i qëndruar pranë njëra-tjetrës.Një herë e pyeti  për procesin e punës dhe shtangu kur dëgjoi shpjegimin që Gjena me shpejtësi, me zhdërvjellësi, pa humbur asnjë sekondë duhet të vendoste një tullë në duart e muratorit të parë, i cili e vendoste me kujdes mbi shtresën e llaçit; në moment ustai tjetër e kështu radhazi katër muratorëve; skuadrës pararojë, një nga elementet përbërëse në ndërtimin e veprës së realizmit socialist të krahinës. Gjena i kishte treguar mikeshës së saj për profilin e veçantë të sektorit të punës. Një ditë Dafina u bind plotësisht për sa kishte dëgjuar, kur shoqja mundi t’i drejtonte një shikim të shkurtër, të vetëm, kur i duhej të shkonte ta takonte përgjatë orarit të punës, sepse mendonte që të punonin në të njëjtin sektor, gjë që u refuzua, pasi vendet  ishin të plotësuara. E vetmja mundësi ishte sektori i furrave pjekëse të bukës, të cilët siguronin bukë për gjithë qytetin dhe Dafina e mirëpriti, sepse do të mund të merrte një pagë mujore tepër të domosdoshme për familjen në ato rrethana, kur i shoqi nga dita në ditë, po tregonte shenjat e një sëmundjeje të rrallë, pasuar me vdekje të parakohshme.

Puna në furra ishte e organizuar në kohë 8-orëshe, në tri turne: turnin e paradites përgjatë një jave, përgjatë tjetrës Dafina do të ishte në turnin e dytë gjithë mbasditen, deri afër mesnatës, e shoqëruar përherë nga Nikua. Rruga vajtje-ardhje ishte tepër e largët, duhej përshkuar në këmbë, mungonte aktiviteti sepse banorët ishin të paktë në atë pjesë periferike të qytetit.

Fatkeqësia pllakosi, Nikua ndërroi jetë. E pamundur  të shprehej me fjalë gjendja shpirtërore e Dafinës. Ajo u mbyll në vetvete, qëndronte në heshtje për orë të gjata dhe fjalët e pakta komunikuese, të detyruara me të afërmit, shoqëroheshin me currila lotësh. E kuptonte se kishte përgjegjësi në drejtimin e familjes, kishte detyrë të kujdesej për vajzën dhe djalin, që nuk ishin drejtuar në rrugët e veta të jetës, duhet të vazhdonte.

Puna në turnin e tretë e detyronte të shkonte e vetme rrugëve të zbrazëta, pa dëgjuar hapa të ecjes së njerëzve; rastiste të kalonte pranë ndonjë qen rruge, por çuditërisht, si të kishte marrë ndonjë komandë qiellore, kafsha nuk kthente as kokën drejt saj, largohej qetësisht. Dafina vazhdonte të ndiente përpëlitje në gjoks. Ishte pothuajse jashtë imagjinatës për një grua ajo mënyrë pune. Nëse mundeshe ta shihje direkt, vetëm atëherë do të bindeshe se çfarë kërkohej të plotësonte punëtorja-ndihmëse përgjatë kohës tërësisht të angazhuar, njëherazi e gërshetuar në disa procese. Së pari, të ndodhej pranë furrës së nxehtë në shërbim të furrtarit, i cili, pasi e merrte midis duarve pjesën e brumit të përpunuar nga brumatriçja zhurmuese dhe e vendoste në tavën e radhës, e spostonte brënda furrës, ku do të qëndronte në kohë të përllogaritur. Pasi pjekja të kishte përfunduar, furrtari komandonte lopatën e drunjtë për t’i boshatisur tavat me shpejtësi; së dyti, prezantonte kontaktin e duarve të Dafinës me sendin e nxehtë, bukët e pjekura, që shkaktonin skuqje, enjtje dhe djegie në formë flluskash të shumta, të vogla në të dyja pëllëmbët e duarve. Arkat e sapombushura i transportonin në të më pasmen magazinë të gjithë sektorit, disi larg furrës dhe pastaj i shpërndanin në dyqanet e shitjes në qytet herët në mëngjes. Para kohës së fillimit të pjekjes, ishin siguruar dru të trasha të prera me sharrë brenda pyllit; të radhitura të cilat i sillte kamioni duke riformuar të tjera stiva brenda sektorit të furrave. Radhitja e procesit të pjekjes detyronte punëtorët t’i trasportonin drutë pjesë-pjesë vendosur në karro dore, deri pranë grykës së furrës, bënin ndalesa të shkurtra sa mund të lëviznin shaminë rreth qafës, që të thanin djersët shoqëruese. Natyrisht, ndezja e zjarrit dhe mbajtja e tij përgjatë orësh kushtëzohet nga vendosja midis drurëve të trasha copëra të prera me sëpatë, thënë ndryshe ashklat, bashkë me shufra drush të holla, të zgjatura, të thyera me duar që, të lidhura në formë tufe, i transportonin mbajtur në shpatulla. Sigurisht, nuk ishin me peshë të rëndë, por kërcenjtë e shumtë shpues, si të ishin gjemba gjigant, depërtonin përmes veshjes së zakonshme të Dafinës dhe kontakti i drejtpërdrejtë gërvishte egërsisht indet e shpinës. Njolla gjaku shiheshin në pjesën e pasme të këmishës së pambuktë, e trashur me copëra arnash vendosur me mjeshtëri, për ta bërë me rezistente, duke e dëmtuar në përmasa të konsiderueshme duke i shkaktuar dhëmbje të thella, të forta, për të cilat nuk shprehej sepse, gjithçka e ndrydhte brënda vehtes. Pra, saktësisht një tablo prezantuese e njërës nga vetitë më të spikatura të gruas me karakter të fortë. Nuk mund të të mos tërhiqte vëmëndjen, të ndiheshe i trishtuar kur shkëmbeje me Dafinën vështrime njerëzore; bindeshe se plagët ishin reale dhe shëmbëlltyrën e tyre në sipërfaqen e pasme të trupit , mbi shpatulla  e realizonte një piktor i talentuar.

Një ditë dimri, kolla mbytëse dhe një gjendje viroze e detyroi Dafinën të bënte një konsultë mjekësore. Pa dashje i ra në sy habitja e skajshme në fytyrën e mjekut, pas përfundimit të vizitës mjekësore. I kthyer drejt saj, pasi kishte vendosur stetoskopin në pjesën e shpatullave, duket e pengonin plagët e freskëta, ndërsa plagët e përthara që tregonin përvijime të çuditshme, të pashpjegueshme, ishin dëmtime shtazarake, të thella, si të kishe para vetes një aktor filmi ,roli i të cilit do të prezantonte shkallën më të lartë të torturës njerëzore. Mjeku e kishte të pamundur të besonte, ta shpjegonte origjinën e gjurmëve, të kuptonte, të pranonte se gërvishtjet ishin reale në trupin e një personi dhe jo të pikturuara me një qëllim të caktuar. E pyeti me kujdes duke respektuar kufijtë e etikës njerëzore të shoqëruar me atë mjeksore. Ajo i tregoi për procesin e punës së përditshme, transportin e detyrur mbi shpatulla të purtekave të drurve të thyera, si arsyeja e vetme gërryese e lëkurës. Në çast, mjeku, në heshtje, po i drejtonte shikime përzier dukshëm me trishtim dhe respekt, teksa ai po shihte para vetes personifikimin e qënies njerëzore, grua me shkallën më të lartë të durimit fizik dhe shpirtëror.

Dafina ndihej e lumtuar midis shoqeve dhe shokëve të sektorit të ndërmarrjes. Në njërën nga mbledhjet e kolektivit drejtoria e vlerësoi me një stimul pune ,emërtuar*,Fletë Falënderimi.* Iu kërkua të shprehte mendimin, të merrte zotim se vlerësimin nuk do ta lëshonte nga dora por do të vazhdonte të ishte në krye të gjithë punonjësve të ndërmarrjes edhe në të ardhmen. E ftuan të fliste para gjithë kolektivit ulur në radhët e stolave të sallës së madhe, sepse ishte mbledhja e fundvitit, ku do diskutonin dhe analizonin rezultatet e arritura dhe të tjera detyra në vijimësi. Dafina ngjiti dy shkallët prej dërrase drejt podiumit të sallës, qëndroi para tavolinës ku i deleguari, drejtori dhe tre shefat e shërbimit e përshëndetën me një tundje të lehtë të kokës. Ishte hera e parë që gjendej përballë një numri të shumtë personash dhe e emocionuar pa masë u përqendrua një çast, pas të cilit u dëgjua e sinqerta, e natyrshmja përgjigje. Drejtuesit e mbledhjes mbetën tejet të habitur sepse zakonisht punonjësi në raste të ngjashme shtrëngonte në gjoks vlerësimin dhe merrte zotim për të mos e lëshuar atë në të tjera duar  të punonjësve . Dafina ngriti certifikatën me dorën e djathtë:

- Ju falënderoj nga thellësia e zemrës! Ju jap fjalën se do të vazhdoj të punoj me ndërgjegje, sikurse kam bërë deri tani, por mendoj se ky vlerësim vetëm kësaj radhe më përket mua. Unë dëshiroj ta shoh radhazi në duart e shoqeve , ky është urimi im i sinqertë.

Pasoi një moment heshtjeje, hodhi sytë drejt shokëve dhe në shikimin e tyre njohu respekt, sinqeritet, mirënjohje.

Në rreshtin e parë ishte ulur Lejlaja, më e afërta për të në vitet e fundit, e cila, me zotësi të natyrshme, shprehte mendime objektive, pavarësisht mjedisit ku mund të ndodhej. Ajo u ngrit me vërtik, duke shpejtuar t’i afrohej mikes, të cilën e përqafoi me dashuri dhe e vlerësoi si përfaqësuese të shëmbëlltyrës së gruas së palodhur:

- Ja, tani keni mundësi të njihni madhështinë e vërtetë të karakterit të Dafinës. Është njëra nga anëtaret e kolektivit tonë, nuk e njeh egoizmin, zemra e saj është e mbushur me mirësi njerëzore. Një tjetër në vend të saj do shprehej se certifikatën e vlerësimit do ta mbante përherë për vete e nuk do ta lëshonte për asnjërën, në asnjë çast... Pikërisht sjellja e Dafinës është mësimi më i mirë për të gjithë.

Të gjitha sa ishin në atë takim u emocionuan, duartokitën. Dafina gëzonte respekt edhe mbas daljes në pension. Katër vajza ishin në vendet fqinje, ndërsa ajo jetonte me Vjollcën                                                                                                                  dhe Fredin, të vetmin djalë. I biri ishte pa vese, tejet i prirë ndaj leximit, duke u prezantuar me horizont dijesh, edhe pse nuk e mbaroi arsimin e mesëm. Zgjuarsia e natyrshme, ndjenja e prakticitetit u theksua mbas ardhjes në qytet, kur rrethi shoqëror u zgjerua. Atëherë krijohej mundësia e pjesëmarrjes në një proces pune të pjesshme. Me të emën kishin një mirëkuptim të admirueshëm, gjë e rallë në brezin e adoleshentëve të kohës. Asnjërës nga vajzat e Dafinës nuk iu mundësua ceremonia tradicionale e dasmës, sepse gjendja ekonomike tepër e kufizuar, vetëm sa e lejonte t’u sigurohej krushqve më e thjeshta mënyrë njohjeje. Palët uleshin në divanet e thjeshta dhe gjithcka prezantohej, përfaqësohej me një tabaka të zakonshme, mbi të cilën ishin renditur gota me raki rrushi të përpunuar me mjeshtëri nga duart e Nikos (kur ishte në gjendje të mirë shëndetësore ai mund ta përpunonte rrushin e të siguronte raki cilësore, ndihmuar nga kazani i bakrit, si njëri nga sendet më të vyera të shtëpisë. Shishet e mbushura i ruanin në raftin e sipërm, brenda kuzhinës, mbi tapën e secilës shënohej data e prodhimit). Para secilës gotë ishin renditur pjatëza qelqi me gliko arre, prej të vetmes rrënjë në cepin e oborrit. E veçanta i përkiste magjisë së kokrrave të thyeshme dy nga dy, saje forcës së gishtërinjëve të dorës së djathtë. Pra rakia e pastër, e këndshme, shoqëruar me cilësoren gliko arre, prezantonin para mysafirëve aftësitë krijuese të anëtarëve të familjes, paraprirë nga mikpritja e sinqertë, e natyrshme, sepse dasmat tradicionale në familjen e tyre të vobektë, ishin jashtë çdo mundësije.

Fredi  trashëgoi dashurinë për punë nga të dy prindërit, e njohu qysh në vitet e hershme të fëmijërisë i pashkëputur prej tyre, por çdo ditë nuk mund të mos mendonte rrugën e emigracionit, si shumë shokë adoleshentë. Periudha e jetës rinore të Fredit përkoi me lëvizjet e para të njerëzve jashtë kufijve, njohur me termin “tranzicion”. Njëherësh, derisa të realizohej pikësynimi, hasje vështirësi të paimagjinueshme me fillimin e punës dhe sigurimin e një jetese të thjeshtë. Së pari, duhej të përshkoje rrugë të panjohura, shumë të gjata, deri disa qindra kilometra, kryesisht malore, duke ecur në këmbë; së dyti, çka ishte thelbësore, policia kufitare nuk bënte lëshime për shkelësit e rregullave, i kthente menjëherë mbrapsht; në raste të përsëritura, ushtronte dhe dhunë mbi ta apo i detyronte të qëndronin në kapanone të posaçme, të tejmbushur përgjatë javësh. Ishte fati i Fredit dhe shokut të tij t’i përjetonin ato situata. Numëronte saktësisht 22 herë refuzim kalimi në kufi dhe vetëm në sajë të këmbënguljes, faktor i mirënjohur udhërrëfyes në kapërcimin e çdo vështirësie, Fredi ia doli të punonte në shtetin fqinj. Iu përshtat me ndërgjegje rrethanave të reja, duke pranuar çfarëdo lloj pune, pa e njohur kohëzgjatjen e saj, çlodhjen apo vendqëndrimin e përkohshëm. Aktiviteti i konstruktit të tij të fuqishëm, të stërvitur, paraprihej nga i vetmi pikësynim: të fitonte sa më tepër mundej në punë përgjatë ditës apo natës, detyrimisht shoqëruar me kursime ekstreme në jetën e përditshme, derisa të kthehej në vendlindje dhe të investonte në një aktivitet tregtar. Nuk mund të mos vlerësonte edhe faktin që kohëqëndrimi i zgjatur e pajisi me nivel të lartë profesional në disa fusha. Gjithashtu, Fredi atje ,njohu anën praktike të jetës.

Vitet radhazi kaluan. Ai qëndroi në shtetin fqinj plot 15 vjet.                                                                                         Dafina jetonte me Vjollcën, më të voglën e femijëve, e cila mësonte mirë në shkollë, arriti rezultate të shkëlqyera, duke i siguruar vetes mundësi të fitonte një bursë për shkollë të mesme profesionale në kryeqytet. Çuditërisht, shumë shpejt, pa e ditur arsyen, po tërhiqej në mënyrë të pavetëdijshme drejt grupit me vajza të përhedhura dhe përpiqej të ndiqte nivelin e lukut të shoqeve, të tregonte se nuk përfaqësonte femrën me origjinë nga fshati, banuese në njërin nga qytetet provinciale, njëkohësisht fëmijë e dy prindërve punëtorë. Ishte një vajzë e civilizuar tashmë, kryeqytetase, meritonte shumë vëmendje, por kërkesat e saj ishin plotësisht në mospërputhje me mundësitë reale ekonomike të Dafinës. Njëherazi, në mendjen dhe zemrën e Vjollcës po trokisnin probleme të reja tronditëse për të ëmën, e cila e kishte të pamundur zgjidhjen e tyre. Në njërën prej ditëve të ftohta, Vjollca i kërkonte me këmbëngulje Dafinës t’i blinte copë teritali për pantallona dimërore, realisht jashtë imagjinatës për nënë Dafinën, në cilindo këndvështrim…

Vjollca njohu rastësisht përgjatë vitit të tretë një student të fakultetit ekonomik. U afruan midis tyre e menjëherë mbas marrjes së diplomës, e gjykuan të jetonin së bashku. E ëma pranoi zgjedhjen e së bijës, detyruar nga rrethanat, por informacioni rreth dhëndrit (që e kishte takuar dy herë për një kohë të shkurtër), familjes së tij ishte aq i cekët, sa në mendje iu ngulit vetëm adresa e shtëpisë së djaloshit ku banonte me të ëmën, numri i lagjes dhe rruga… Dafina gjykoi se kishte detyrë të përpiqej ta takonte dhe ta njihte nga afër nënën e Fatosit. Fredi ndodhej larg. Fatmirësisht ndihmën e mori nga Lejlaja, përherë e gatshme ta shoqëronte, kësaj radhë e gëzuar se do të mund të takonte motrën banuese në kryeqytet, rastësisht në po të njëjtën rrugë. Dhe secila mori drejtimin e vet, pasi përcaktuan orën e ritakimit. Dafina, në çastin e largimit, e përshëndeti shoqen me mirënjohje, për faktin se po e shoqëronte. Ishte hera e parë në jetën e saj që shihte kryeqytetin; njëherazi i premtoi se koha takimit do të zgjaste rreth dy orë për t’u rikthyer së bashku në shtëpi. Lejlaja, korrekte si përherë, qëndroi në katin e parë, derisa u bind se trokitjes në derën nr. 17 të katit të katërt iu përgjegj nëna e Fatosit, një grua rreth të 55-ve. Sapo Dafina j~u prezantua, në fytyrën e nënës së Fatosit u duk habitje e skajshme, gërshetuar me ndjenjën e një pakënaqësie të lehtë lidhur me mungesën e informimit paraprak të vizitës. Krushka e vështroi me kërshëri nga koka te këmbët. Veçanërisht shikimi iu përqendrua në veshjen e Dafinës, të thjeshta prej basme, aq sa nuk mund të mbulonte timbrin ironik brenda zërit të saj. Kur mësoi se para vetes kishte të ëmën e nuses së djalit, s’u përmbajt:

- Po ti,si nuk paske një palë rroba të përshtatshme për sebepe? Tani më duhet të largohem. Më prit këtu sa të kthehem.

Dafina nuk dha përgjigje, ndërsa e heshtur qëndronte ulur në divanin e kuzhinës, pa mundur të shpjegonte arsyen e largimit mbi dy orë të krushkës, kohëzgjatjen e së cilës e përjetonte të shumëfishtë dhe mbeti e shtangur kur pas trokitjes hapi derën dhe… përpara syve i doli një femër pothuajse e tjetërsuar, krahasuar me atë që kishte takuar,dhe e prezantuar si nëna e Fatosit në momentin e shtrëngimit të duarve... Gruaja përballë Dafinës qëndroi disa çaste mespërmes pragut të derës së hapur, duke shpërndarë përreth aromën e fortë të një parfumi, flokët e ngjyrosura të bëra me onde të mëdha rrethonin ballin në formë kurore; për më tepër, tualeti i fytyrës shprehte me të theksuarën nuancë të ngjyrës së zezë te vetullat e zgjatura e të holla, gjë që më intensive shihej në flokët e përhapura mbi supe; buzët dukeshin si të ishin duke marrë flakë… Dafinës iu deshën disa momente të qartësohej brenda vetes, por ndihmesa e drejtpërdrejtë ishte vetë krushka. Me buzëqeshje dhe shoqëruar me një përkulje të lehtë të trupit, ngriti zërin:

- Ja, për nder të zotërisë sate, shkova në një qendër estetike…

Dafina u mërzit për vetminë disa orëshe dhe natyrshëm për mos korrektesën ndaj Lejlas, të cilës gjithçka ia tregoi me hollësi dhe e priti me humor atë lloj prezantimi “modern” që çdokujt mund t’i zgjonte një farë interesi përveç mikeshës së saj provinciale, e mirëkuptoi lehtësisht dhe besonte se vonesa e shoqes së saj kishte qënë e detyruar nga rrethanat… Sa për Dafinën, sjellja e nënës të dhëndrit as e emocionoi, as mundi ta kuptoi dhe, as e vlerësoi ndonjëherë. Të vetmin konkluzion që arriti në mendjen e saj, ishte njohja me një fakt të panjohur deri atëherë: koha vraponte ,por Dafina kishte njohur vetëm ecje të shpejtë…

III

Fredi qëndroi rreth 15 vjet në shtetin fqinj. Gjatë kësaj periudhe të gjatë ishte takuar me familjen katër herë (nuk mund të mos rikujtonte vështirësitë e mungesës së pasaportës). Komunikonin shpesh me Dafinën, e cila si përherë, problemet i ndrydhte brënda vetes. Konkretisht tregonte se mbas daljes në pension merrte një pagë shtesë, duke i shërbyer një gruaje të moshuar invalide, thjesht kjo ishte një sajesë, për të mos e rënduar birin e vetëm, sepse e njihte mirëkuptimin e fjalës “punë”.

Fredi e mori vendimin të kthehej në vendlindje dhe të investonte në sektorin e tregtisë, njëherazi të krijonte familje me një vajzë qytetare të shkolluar, detyrimisht bijë nga familjet e njohura. Nisi të interesohej pa u ngutur, përzgjodhi të afrohej me familjen e Florës, pamja e jashtme e së cilës spikaste midis shumë vajzave. Rastësia e ndihmoi të takoheshin drejtpërsëdrejti dy-tri herë dhe, çuditërisht, ajo shprehu me kokëfortësi mendim për njohje sa më të shpejtë të Fredit me familjen e saj, sepse kjo do të ishte përparësia në ecurinë pozitive të lidhjes së tyre, do të ndihmonte të përfundonin drejt një martese të lumtur. Po dukej diçka e çuditshme. Fredi pyeste veten se mos vallë mendimi i Florës prezantonte* koncepte të reja të kohëve moderne* ?. Realisht, kopjimi i brendisë të mëparshme, po me paraqitje disi ndryshe, emërtuar “moderne”. Të ishte koha e zgjatur kaluar larg vendlindjes, e cila i kishte ripërtërirë zakonet e vjetra, të panjohura për të dhe që aktualisht Fredi po detyrohej t’u bindej? Po e shihte veten në mëdyshje, qysh në vizitat e para në familjen e Florës. Për më tepër, u ndie në një pozitë të paparashikuar, të vështirë, sepse, në të njëjtën mënyrë, disa çaste mbas mbërritjes të Fredit, nëna e saj fillonte t’i bënte pyetjet radhazi, me të njëjtin subjekt, pa u thelluar, nëse e bezdiste bashkëbiseduesin, njëkohësisht kandidat fitues për dhëndër…

- Djalosh, dua të më tregosh diçka: ty, drejt e te vajza ime të vajtën sytë apo i kërkove dorën ndonjë vajze tjetër më parë? U përpoqe ta bëje për vete dhe nuk ia dole mbanë? Më thuaj me sinqeritet, sa vajzave u ke bërë propozime për martesë? Si mund të shpjegohet dështimi yt i derisotshëm? Kështu ka ndodhur, apo jo? Hë, më thuaj të vërtetën, se kjo ka shumë rëndësi për gjithë ne.

Fredi i shmangej me zgjuarsi kësaj teme bisede të pakëndshme, tepër e bezdisshme, por pozcioni i tij po bëhej përditë e më i vështirë, ndaj vendosi që në takimin pasardhës t’i përgjigjej shkurt dhe me ashpërsi:

- Tani, të më falësh, unë po largohem për të mos u kthyer më! Mbaje Florën, vajzën tënde, për vete! sjellja jote është tepër fyese për mua!

Reagimi i saj ishte i menjëhershëm: brofi në këmbë, j~u afrua Fredit dhe i kërkoi falje me përulësi, njëherazi duke i premtuar se nuk do ta përsëriste në të ardhmen atë veprim; pranonte se kishte bërë më të pa përshtatshmet pyetje, duke filluar nga ai moment… Sa për Fredin, pasi u mendua gjatë, u tërhoq, jo pa vështirësi. Saktësisht e detyroi veten ta pranonte situatën për disa arsye, të cilat i analizonte brenda vetes. Pjesërisht ia tregoi të ëmës, e cila, kur dëgjoi bisedën e ditëve të fundit, si përherë në heshtje, në sajë të zgjuarsisë natyrale i erdhi ndër mend shprehja e vjetër, e mençme: “Nga ferra nuk mbin trëndafili, vetëm ferra shtohen prej saj”… Me trishtim të thellë dhe tepër e shqetësuar gjykonte se ditëve të ardhshme do të shihte, do të provonte në shpirtin e saj dhëmbjet e jashtëzakonshme, kur gjembat e ferrës të hyjnë thellë në zemër…. Jeta e vuajtur i kishte dhënë mundësi ti provonte edhe ato më të egrat fizike, por tanimë nuk ishte Dafina rinore, që vraponte mes zhukave duke qeshur edhe kur në kërcinjë ndjente çpimet e papritura pasuar nga njolla gjaku  ..E pranonte çiltërsisht se forca e durimit të saj të pabesueshëm, të jasht zakonshem ishte përditë e pakët krahasuar me të mëpasshmen. Nuk shprehu kundërshtim, si zakonisht gjithçka brënda vetes dhe pas një çasti tha fjalët e matura:

- Nuk dua të të jap mendje, vendose ti se çfarë është më e mira për ty. E pranoj plotësisht vendimin që do marrësh për të krijuar familje, dëshiroj të bëhet më e mira për ty,unë uroj të jesh i lumtur!

Dasma e Fredit, njëherazi e vetmja nga të gjashtë fëmijët e Dafinës, ishte diçka e veçantë, e paimagjinueshme për të, për miqtë, të afërmit, një pjesë e madhe e të cilëve ishin bashkëfshatarë të dikurshëm, që vazhdonin jetën normale pranë detit. Ardhja e nuses në shtëpi realisht e gjallëroi jetën e përditshme, por, nga ana tjetër, shoqërohej herë pas here me të papritura për mënyrën e jetesës së thjeshtë të deriatëhershme të nënë Dafinës. Çuditërisht Flora e ndiente të domosdoshme të tregonte madhështi, sapo të ishte krijuar një hapësirë e vogël, në dy aspekte: e sillte rrotull bisedën rreth brezit të njerëzve të shkolluar, për të mundësuar përmendjen e një diplome të saj në fakultet, në të cilin (ndonëse asnjë ditë nuk e tregoi vlerën, fushën përkatëse të asaj diplome misterioze) dhe për të bërë diferencën me Fredin, një tregtar i mirënjohur, por me gjysmën e arsimit të mesëm.

Dafina e përjetonte me dhembje përsëritshmërinë e kësaj teme bisede të painteres në ambiente miqësore si brënda familjes apo edhe jashtë saj, kur Flora përpiqej të përqëndrohej në biseda me të njëjtin drejtim, ku detyrimisht do të tregohej diferenca midis saj si një femër inteligjente, me diplomë të shkollës së lartë dhe Fredit në largësi të pamatshme me nivelin e saj arsimor, subjekt i konflikteve të shpeshta midis nuses dhe vjehrrës. Dafina ndihej përherë e më tepër në pozitë të vështirë dhe njëherë nuk mundi të mos ia kthente me ashpërsi:

- Mirë, ti përmend me mburrje se ke një diplomë. Dua të na e tregosh vlerën e saj, të mësojmë se çfarë pune bën sot, Flora! Në të vërtetë, ti je një shtëpiake. Ne të dyja ndryshojmë nga vitet e moshës dhe ti pjesën më të madhe të ditës ia përkushton paraqitjes, parukerisë; kërkon të tregohesh më e bukur sesa je. Nga ana tjetër, e shohim qartazi, provojme gjatë gjithë 24-orëshit se biri im punon tërë ditën, ndonjëherë edhe gjatë natës për t’i siguruar familjes një jetesë normale, kjo është arësyeja që në shtëpinë tonë asgjë nuk mungon…Ç~farë do dëshire apo kërkesë të shprehësh ti ,ajo  do të jetë plotësuar  sa  më shpejt të jetë e mundur. Kështu moj nuse e dashur !?

Flora i nguli një vështrim tejet të egër, u largua duke gëlltitur pështymën, diçka mërmëriti më pas, pa mundur të fliste.                          Konfliktet po pasonin njëra-tjetrin, pa njohur pengesa shoqëruese, sepse, për gjithçka që ndodhte midis tyre, nuk e informonin Fredin; thjesht, Dafina me logjikën e saj të natyrshme, nuk dëshironte t’i transmetonte shqetësimet për më tepër birit të vet, që punonte dhe vetëm punonte dhe , Flora i trembej kritikës së merituar prej të shoqit.

Vitin e dytë të martesës, familjes iu shtua një vogëlush. Në njëfarë mënyre, koha për Florën u kufizua paksa, por mendjemadhësia dhe cinizmi duket se iu fuqizuan në periudhën e heshtjes. Përgjatë një vizite të dy shoqeve të saj, kur njëra prej tyre po e kundërshtonte Florën duke iu drejtuar Dafinës të shprehte hapur mendimin personal brenda thelbit të debatit që sigurisht duhet të mendohej para se të jepte përgjigjen e duhur, nusja e mori fjalën (jo pa ironi):

- Nënë, Dafina! Është gjë e mirë të mos marrësh pjesë në bisedat tona, për më tepër të mos japësh asnjë mendim se... mentaliteti yt ka mbetur i njëjti… je thjesht një fshatare e pashkollë...

Dafina u largua në heshtje. Shkëmbimi i vështrimit me vizitoren, njëra nga shoqet e nuses, tregoi se edhe ajo ndihej e fyer nga sjellja e Florës…

Puna e përkushtuar, e përditshme e Fredit, po jepte rezultate të dukshme. Shtëpia e vogël në periferi të qytetit u zëvëndësua me një vilë trekatëshe, në katin e dytë të së cilës ishte dhoma e mobiluar me finesë, ku jetonte Dafina. Natyrisht për të nuk plotësonte kushtet reale, sepse ajo hapësirë e gjerë po shoqërohej me rritjen e përmasave të vetmisë dhe një tjetër vështirësi ishte lartësia e shkallëve prej mermeri, nga ku kalimi për në kuzhinën e katit parë, jo rrallë rrezikonte rrëshqitjen e nënës, edhe pse nuk i shkëpuste duart nga parmakët e drunjtë, të lëmuar dhe të punuar me mjeshtëri, por jo funksionale për të moshuarën. Një ditë, teksa dëgjoi zërin e ëmbël të vogëlushit tashmë trevjeçar, Dafina shpejtoi të hapte derën e dhomes, bëri dy hapa para se ta përqafonte; në moment Flora e zmbrapsi forcërisht, duke tërhequr fëmijën pranë vetes, gjë që jo vetëm gjyshja nuk mundi ta përqafonte nipin e shtrenjtë, por u rrezikua të rrëzohej nëpër shkallët midis dy kateve dhe shpëtoi saje forcës me të cilën ruajti drejtqëndrimin, dhuratë e aktivitetit të skajshëm fizik ndër vite.

Ditëve të ftohta, favorizuar nga zbrazëtia dhe përmasat e dhomës, Dafina nuk mund të ngrohte duart dhe këmbët e ftohta. Vallë ishte ndërprerë korrenti elektrik? Sipas fjalëve të Florës, oxhaku me shpuzë apo soba e hekurt me dru i përkisnin të kaluarës së largët. Pasi largonte perdet e trasha për të garantuar një pamje më të qartë, shihte drita të ndezura në shtëpinë përballë, vështronte rrugën e asfaltuar në të dy anët e së cilës gjelbërimi, lulet e rritura aromatike, sikur e përshëndesnin përzemërsisht, por vetëm ato sa e shihnin; nuk mund të njihte asnjë kalimtar e jo më të priste që të ngrinte dikush kokën apo dorën lart kalimthi për ta përshendetur miqësisht. Atëherë, e vetmja mundësi ngrohjeje,  qëndrimi brënda shtresave të shtratit…

Njëra nga mangësitë e përditshme ishte aroma e një kafeje të pjekur, të bluar në dyqanin fare pranë shtëpisë, që mbushte filxhanin e madh të modës së vjetër të porcelanit. E mbante gjatë në duar, para se ta pinte, se nuhatja e aromës kafes ia tejkalonte vlerën shijes së lëngut.

Tashmë e plakur, duke shijuar një filxhan kafe paradite, Dafina e konsideronte ditën të plotësuar; sa për të dytin, mbasdite e kishte provuar efektin negativ në vonesën e kohës së gjumit, që, krahas arsyeve të tjera, e bënin sipërfaqesor, të turbullt apo e largonin fare. Mungesa e shijes së një filxhani kafeje të pjekur, të sapobluar, aroma e këndshme e së cilës përhapej deri te shtëpia e saj nga vendshitja te kryqëzimi i rrugës, e mërziste nënën. Xhezvja e vogël, e vjetër si një relike, shihej varur diku midis sendeve të vjetra, jashtë funksionit, se ishte zëvendësuar me kafetierin e ri, në të cilin, pasi vendosje në folenë përkatëse një send të errët në madhësinë e një kokrre arre, prisje pranë të ndizej në ballë sinjali i një dritëze që shpejt e shoqëronte e dyta dhe në moment brenda filxhanit shiheshin pikat, rrëkeja e hollë e kafes së ngrohtë, veprime të admiruara nga Dafina, por të parealizueshme me duart e saj. Ajo nuk guxonte të shtypte butonat, as mund të kujtonte renditjen e veprimeve të pa njohura .

Marrëdhëniet me nusen e djalit po keqësoheshin, megjithatë asnjëherë nëna nuk iu ankua të birit, vetëm se Fredit diçka po i tërhiqte vëmendje. Ishte çasti kur kthehej mbas aktivitetit ditor i tejlodhur dhe tonalitetin e lartë të shqiptimit të fjalëve Flora e zëvendësonte me heshtjen, sapo dëgjonte zhurmën përkatëse të mbylljes së portës të jashtme në katin e parë, gjë e përsëritur por e çuditshme. Për më tepër, kur Fredi i përshëndeste, nëna i përgjigjej me tundje të lehtë të kokës, e shoqja mërmëriste nëpër dhëmbë, duke kthyer kokën… Pse të ndodhte kështu? E pamundur ta shpjegonte. Kishte çaste kur Dafina niste të jepte një mendim personal për një problem të veçantë, më të shumtën e rasteve në përgjigje të pyetjeve të Fredit. Nusja e ndërpriste pa e lejuar të shprehej, duke e kundërshtuar me rreptësi dhe pa e fshehur përmbajtjen e ndjenjës së urrejtjes, rrezatur në shikimet e njëpasnjëshme. Cila mund të ishte arsyeja e urrejtjes? Po faktohej përherë e më tepër dyshimi i Fredit se marrëdhëniet midis tyre ishin copëtuar, derisa një ditë, i larguar nga puna më herët, për shkak të një takimi me personalitete të huaja me qëllim zgjerim investimesh në sektorin e tregtisë dhe protokolli zyrtar detyronte një paraqitje jo të zakonshme, e pa të arsyeshme të kthehej në shtëpi rreth orës pesë mbasdite. Fatkeqësisht u përball me një ndodhi të trishtuar, të veçantë, të paparashikuar, që hodhi dritë edhe mbi disa të panjohura të deri atëherëshme. Fredi shpejtonte të ngjitej shkallëve drejt gardërobes, por i befasuar shtangu në mes të dy kateve të para dhe u detyrua të ulej drejtpërdrejt në njërin prej tyre. Po dëgjonte një episod sherri i cili tregonte dy qëndrime ekstreme midis nënës dhe të shoqes; njëherazi dëgjohej zëri i nje personi të tretë. U përqendrua dhe e përcaktoi se ishte Lejlaja, mikesha e Dafinës, e cila e respektonte me vizita miqësore; rrallë shëtisnin së bashku, pa e harruar Gjenën, tashmë tri shoqe pensioniste, që meritonin t’i jetonin ditët e pleqëris së ardhshme me qetësi dhe respekt të merituar të familjes, njëherazi edhe me plotësimin e disa gjërave të mohuara viteve  të shkuara në mënyrën  më të padrejt...

Të trija gratë diskutonin me zë aq të lartë, sa nuk e dëgjuan momentin e hapjes së portës hyrëse. Fredi shtangu përsa po dëgjonte, çuditërisht nuk i linin radhë shoqja-shoqes, pothuajse ia ndërprisnin fjalën.

- Jam dakort me ty, - ishte Lejlaja, - se koha ka ecur përpara, as mund të krahasohet me vitet e rinisë sonë, por në këtë sallon me përmasa kaq të mëdha sheh vetëm piktura moderne, që më së shumti, ne as ua kuptojmë përmbajtjen. Seç kanë një emër absa... abstra… Nuk e them dot, se është i vështirë.

Në moment e plotësoi fjalën Flora:

- Quhen piktura abstraksioniste...

- Si ka mundësi të mos jesh në asnjërën ti Dafinë me Nikon, vajzat tuaja? Të paktën një fote e vetme të familjes të jetë vënë në njërën faqe të murit! Këtu është një sallon shtëpie, jo një galeri arti; për më tepër, asnjë pikturë nuk mund të kuptohet, se figurat e paqarta mbulojnë njëra-tjetrën me ngjyra të ndezura. Këtu edhe lulet nuk kanë pamje të natyrshme... Ku e kanë bukurinë këta njerëz të pikturuar, që as shikimin nuk na e drejtojnë?

Dëgjoi Florën:

- Këtu vizitorë janë vetëm shokët e Fredit, biznesmenë që kanë horizont të gjerë, sepse njohin botën dhe shkallën e sotme të zhvillimit. Fredi në shoqërimin e tyre, edhe unë nuk kam munguar, kemi parë ekspozita në disa vende. Pra, këto piktura nuk mund t’i zbërthesh, t’i kuptosh as ti e as shoqja jote. Niveli i kulturës suaj është shumë i ulët dhe hapësira e horizontit tuaj tepër e ngushtë. Nëna ishte dhe mbeti me mëndësi fshatareske; ti, shoqja e saj, jeni kopje të njëra-tjetrës... Si mund të kuptoni dhe të pranoni që një vilë luksoze të bëhet tërheqëse,pra të jetë më tepër se një ekspozitë figurative? Shtëpia jonë ka pishinën në kopshtin mbas saj, është njëra nga ndërtimet e pakta, projekti i së cilës… Po i bie shkurt. Ja, bukuroshen Dafinë e kam para syve (Fredit nuk iu desh shumë që të përcaktonte me dhëmbje se ironia e Florës po i kapërcente caqet; saktësisht ajo shprehte hapur ndjenjë pështirosjeje ndaj së ëmës së tij), më argumentoni pse duhet ta kem vendosur në mure figurën e saj, apo sa t’i hedh një shikim dhe… E them me sinqeritet që, edhe aq sa unë pranoj të jetojmë në të njëjtën shtëpi, po bëj shumë…

Një moment i papërshkruar për Fredin! E zaptoi pështjellimi, si të mos orientohej qartë përsa po dëgjonte, të kuptonte thjesht përmbajtjen e atyre dhe çka ishte më e rëndësishmja, indiferenca si biri i Dafinës, bashkëshort i Florës, babai fëmijëve…

- Kam një pyetje direkt për ty, Flora, - ia ktheu Lejlaja ashpër. - A të ka rastisur të kesh hedhur një vështrim në pjesën kurrizore të trupit, supeve të vjehrrës, kur ajo është duke veshur këmishën? Jo? Atëherë po ta tregoj unë se çfarë do mund të shihje: një pikturë njerëzore, origjinale,  krijuar jo nga dora e një  piktori talent me bojëra të përgatitura, por nga gjaku i Dafinës. Janë vazhdat e thella gjurmëlënëse prej ashklave të drurëve mbartur e transportuar prej saj gjatë punës në furra. Ruhen dëmtimet e përsëritura, të thella, disa të pashëruara… Për të qenë e sigurt, për të të bindur ty, po ta vërtetoj në moment. Shëmbëlltyra e asaj krijimtarie fantastike ndodhet edhe në trupin tim, ja, shihe, tani po e ngre paksa lart këmishën time...

Momente të vështira për të gjithë. Dëgjoheshin ngashërimet e Dafinës, Lejlaja mërmëriste e pikëlluar, Flora foli ultas, si të kërkonte falje për situatën e krijuar:

- Të besoj, Lejla, nuk është e nevojshme të zhvishesh...

Fredi po ndihej tepër i tronditur. Një dobësi e papritur, shoqëruar me një ndjenjë shtrëngimi, sikur dikush t’i vendoste dorën shtrënguar fort në fyt, po i vështirësonte frymëmarrjen dhe u detyrua të qëndronte ulur, mbështetur në parmakët pranë tij. Fjalët e Lejlas, me të cilën e ëma kishte ndarë vuajtjet më të thella fizike dhe shpirtërore përgjatë viteve të punës në sektorin e furrave të pjekjes, ishin prova të sigurta për sakrificën ekstreme të nënë Dafinës për familjen e saj, ato vër tetonin saktësisht  se..gjithçka ishte reale.

Iu kujtua një ditë kur rastësisht i ra në sy ajo pamje e jashtëzakonshme në trupin e së ëmës, për të cilën ajo nuk kishte shqiptuar një fjalë apo  të shfaqte më të voglën ankesë; e kishte të vështirë  të kuptonte  vrragat e  shumta  kur shihte në trupin e nënës ?!

Koha kalonte pa u kuptuar. Fatmirësisht, saje përkushtimit në punë, Fredi i krijoi familjes një nivel jetese luksoze në njërën nga vilat më të bukura në qytet: pishina moderne, kopshti me lule përrallore dhe, midis shumë ambienteve luksoze, salloni i katit të dytë, që mund të krahasohej me një galeri pikturash abstraksioniste. Si të ishte bërë e mundur që të mos kishte përcaktuar me të voglin sektor në ato sipërfaqe muresh të larta, të gjera, ku të vendosnin kornizën e një fotografie të prindërve, të gjithë familjes, të nënës?! Dëmtimet e trupit të saj nuk kishin nevojë të dilnin në pah; ishin pararendëse të asaj galerie figurative, që nuk kishin nxjerrë asnjë tingull për vëndndodhjen e tyre dhe i nxori në shesh ndershmëria e shoqes së saj… Po gjysh Nikon? Si mund ta njihnin fëmijët e tij? Më e pakta një foto të së kaluarës, vetëm bardhë e zi… Të shumta ishin pyetjet që e mundonin. A e kishte pyetur të ëmën ndonjëherë nëse ndiente brenda vetes diçka të paplotësuar? Më e thjeshta, do të ishte shoqërimi deri në bregun e detit, makina e tipit të fundit nuk do ta lodhte, ato pak zhuka gjatë rrugës me siguri do të përuleshin pa e gjakosur dhe valëzat e bardha shkumëzuese të detit do ta përkëdhelnin, si t’i gëzoheshin takimit me Dafinën. Ndoshta kthenin kohën pas dhe rikujtonin bukuroshen e dikurshme. Dhe më pas, ulur mes pishave, të hanin ushqimet e vendosura në çantën e basmës, kalimin dora-dorës të shtëmbës së ujit të mbushur në pusin e gurtë. Pyetja e rëndësishme ishte:

“Fredi, biri i vetëm i nënë Dafinës, a kishte bërë më të voglën përpjekje për ta zbutur sadopak pikëllimin e thellë të zemrës që marrëdhënia e egër me nusen e tij e kishte tjetërsuar nënën?”.

Ishin çaste të brejtjes së ndërgjegjes, të merituara, për të cilat as që kishte menduar më parë. Po e falënderonte në heshtje ,brënda  zëmrës tij me mirënjohje Lejlan, për episodin e sapo ndodhur….

“Po, nënë, unë kam qarë mbas derës, kur një ditë rastësisht më zunë sytë gërvishtjet e gjakosura në shpinën tënde. Isha i vogël për t’i kuptuar kushtet që të detyronin ty të na siguroje jetën. Pikërisht kur munda t’i kuptoj qartazi, nuk i kushtova pikë rëndësie… Pse kam ndryshuar kaq shumë? Mos vallë forca e mirëqenies ekonomike e largon tej dhëmbshurinë, bujarinë, mirësinë njerëzore?! A përfaqësojnë dy anët e kundërta të jetës varfëria shoqëruar me zemërmadhësinë dhe përballë saj pasuria e shoqëruar me ndjenja njerëzore të akullta? Të jetë ky një nga ligjet e egra të natyrës?  A jemi të detyruar t’i zbatojmë ne ,qënijet njërzore  në jetën e përditshme ?? A na lejohet mbajmë një qëndrim indiferent  për më tepër, kur shtrohet problemi brënda familjes ?Kjo nuk më falet mua..

Nuk mund ti përgjigjej pyetjeve  të shumta  njëra pas tjetrës.

Kishte raste kur Flora i vendoste në duar një gotëz të vogël kauçuku, shoqëruar me një sasi të paketuar sheqeri, por nënës do t’i shijonte kafja e pjekur aromatike në filxhanin e trashë… Ndonjëherë vjehrra i ngulte sytë kafetierit, por ai, edhe pse mund ta respektonte, nuk mund t’ia dhuronte drejtpërsëdrejti nënës gotëzën e kauçukut me kafe; detyrimisht për vënien në punë nevojiteshin duart e nuses së djalit, e cila, në ato çaste, përkujdesej për vogëlushët e saj.

Mënyra e të ushqyerit të familjes ndryshonte plotësisht me të mëparshmen: sallata me përbërës emrat e të cilëve as i kshte dëgjuar më parë, i dilnin shpejt nga kujtesa. Nuk mund të konsiderohej dreka e një familjeje aristokrate, nëse nuk e zbukuronin tavolinën ëmbëlsirat me kokrra lajthije, bajame apo gjysmë arrat e radhitura me kujdes pas njëra-tjetrës… Dafinës i mbetej vetëm soditja. Me njërën nga gotat e kristalta pinte gllënjka uji, se shishet e verës me etiketa shumëngjyrëshe as i vështronte. Gjithçka tjetër ishte e papërballueshme për dhëmbët e dëmtuar; ushqimi cilësor përputhur me mundësin e përtypjes , më pas ngrënija  e  tij, i mungonte nënës...

Vogëlushit shpejt iu bashkua motra bukuroshe e, në të njëjtën kohë, jeta për nënë Dafinën po vështirësohej së tepërmi. Ajo nuk e kuptonte pse heshtja e saj kishte raste të shërbente si fitil, si një e drejtë e ligjshme për Florën që ta urrente në mënyrë të skajshme. Qëndrimi i ftohtë i nuses së djalit ndaj të afërmve, kur ata vinin për një vizitë miqësore (e kishin dashur sinqerisht Dafinën, kishin ndjenjë malli ) , përherë e më tepër po i rrallonte takimet midis tyre, sepse ishte e vështirë të përballeshe me indiferencën e Florës, lehtësisht e nënkuptueshme e cila as që mund të mbulohej nga ajo perdja e lehtë e hipokrizisë, me të cilën përqafonte Dafinë para miqëve, thua se e donte si askënd në botë ,sapo shihte dhe pranonte dashurin e tyre reale për të teksa Florën e zaptonte ndjenja  e  aktrimit..

Një mbasdite vonë, ndërsa nusja kalonte përmes sallonit të gjerë, në derën e hapur të dhomës së vjehrrës ndali papritur, sepse vuri re momentin kur Dafina po vendoste një fije peri në një gjilpërë të vogël. Në moment, Dafinën e trembi zëri i lartë, shoqëruar me nota të qarta urrejtje fjalët e shqiptuara prej Florës:

- Kjo e përdor gjilpërën për kënaqësinë e saj, ndërsa mamaja ime nuk hedh asnjë hap pa e mbajtur dikush prej krahu, i është dëmtuar tërësisht shikimi! Ç’padrejtësi! Si mund ta pranoj unë këtë me qetësi?!

I përsëriste këto fjalë duke u ngjitur shkallëve për në katin e sipërm, teksa Dafina nuk po mundej të përmbante lotët. Nuk e konsideronte veten fajtore për fatkeqësinë e krushkës, verbimin e saj; shikimin normal të syve të saj në moshën mbi 60-vjeçare, nuk ia kishte rrëmbyer askujt…

Ditët dhe muajt zëvendësonin njëri-tjetrin, por secili prej tyre prezantonte trishtim në rritje brenda shpirtit të nënë Dafinës,                      e cila kishte njohur e përjetuar anën pozitive të jetës edhe në situatën e varfërisë të skajshme, gjë që u venit kur gjendja ekonomike u përmirësua. Pikërisht duke i njohur këto pozicione ekstremisht të kundërta, ajo mundej të bënte diferencën, përjetonte pikëllim të thellë brenda shpirtit të saj të dëlirë. Në bisedat telefonike me vajzat apo në vizitat e pakta të tyre, në mënyrë absolute ajo nuk shprehej për marrëdhëniet e saj me nusen, që u bënë të pështira. Djali i vetëm, për aq kohë të lirë brenda familjes, e përshëndeste duke e pyetur nëse kishte ndonjë problem shëndetësor të cilat po fillonin të shfaqeshin.  Asnjëherë nuk i tregonte, për të mos e shqetësuar të birin, që drejtonte një biznes në rritje gjë  po shoqërohej me punë edhe angazhime  tjera.

Gjashtë fëmijët i rriti me mundim dhe meritonte një pleqëri të lumtur, por as djali, as nusja nuk e ndihmonin. Vendosi me këmbëngulje t’i kërkonte djalit të kthehej në shtëpinë e mëparshme të banimit, duke argumentuar se atje nuk ishte e nevojshme të ngjiste a të zbriste asnjë shkallë. Ndiente mungesën e mikeshave të afërta, që nuk e kishin të lehtë ta takonin në praninë e Florës, sepse mjafonte një shikim i saj si prezantues i pakënaqësisë. Fredi i sugjeroi nënës të flinte në kuzhinë për të mos u sforcuar shkallëve të larta të mermerta të vilës,gjë që e pranoi për disa kohë, pa mundur të tregonte shkakun e vërtetë, sjelljen shtazarake të Florës.Nëna përsëriti këmbëngulëse kërkesën për të jetuar në shtëpinë përdhese, atë të mëparshmen, sa i biri u detyrua të pranonte pa pasur rrugëdalje tjetër, sepse logjika e ftohtë e nënë Dafinës zgjodhi të jetonte e vetme, por e çliruar nga shkelmimet e pareshtura ndaj shpirtit të çiltër dhe zemërmadhësisë së saj.

Mbas  rikëthimit në shtëpin e vjetër filloi të ndihej e qetë, për më tepër  pranë shpesh herë shihte Gjenën dhe Lejlanë.

Kujtimet e Dafinës për marrëdhëniët me të vjehrrën e saj, të kahherëshme,që  ishin të pakrahasueshme me aktualet, ia ngrohnin zemrën, pothuajse e zvogëlonin boshllëkun e thellë brënda shpirtit të helmuar. Dafina nuk e meritonte sjelljen e Florës. Problemet shëndetësore kardiake e detyruan të shtrohej në spital dy herë. Kur një ditë mbesa e nënës e pyeti nusen për gjendjen e hallë Dafinës, ngaqë kishte dëgjuar se nuk po I shkonte mirë shëndeti, u befasua nga përgjigjja ironike, pa më të voglën ndjenjë keqardhje të Florës:

- Dafina vetëm të ankohet për shëndetin di; i pëlqen spitali asaj.

Mbesa, një vajzë e shkolluar dhe kurajoze, nuk hezitoi t’i jepte më të goditurën përgjigje plotësisht të merituar nuses së djalit të hallës:

- Më dëgjo, të lutem! Nuk mund ta përcaktoj dashurinë e hallës sime për të qenë një paciente. Rastësisht njoha arsyen që e detyroi të shkonte në urgjencën e spitalit, kur ti zonjëza e shtëpisë i kishe lënë mbi komodinë disa fruta të përzgjedhura, kokrra hurme për t’i konsumuar vjehrra jote, pa një gotë ujë pranë tyre. E çfarë mund të pritej tjetër? Për më tepër, u largove në çast për disa orë, pa u interesuar aspak për një person të shtrirë në shtrat i cili, edhe mund të kishte konsumuar fruta hurme dhuruar nga * nusja e dashur *…

E shoqëruar nga ekipi i urgjencës fillimisht, menjëherë në repartin e reanimacionit, pa dhënë asnjë informacion për anëtarët e familjes së saj, Dafina po shihte e po vlerësonte kujdesin mjekësor, përkushtimin e ndërgjegjshëm të personelit, si të mund të njihnin dhe të kuptonin se, pas atyre syve të futur thellë në gropëza, shikimi pasqyronte mjaftueshëm përmasat e mirësisë njerëzore dhe pastërtinë shpirtërore. Situata shëndetësore aktuale detyronte ekzaminime në Qendrën Spitalore dhe ajo u dërgua me ambulancën e spitalit. Vendosja e saktë e diagnozës kërkonte edhe një tjetër plotësues në një klinikë mjekësore private, gjë që Dafina e refuzoi prerë, në pamundësi t’i përgjigjej vlerës monetare, por mjeku shoqërues, një profesionist i vërtetë dhe njeri humanitar, e zgjidhi personalisht problemin e vlerës monetare me thjeshtësi e sinqeritet, duke evituar më të paktat komente, realisht të merituara për të. Dafina iu gëzua sjelljes së tij njerëzore, njëkohësisht mbeti e prekur thellë shpirtërisht. Pasi përfunduan edhe ekzaminimin shtesë, gjatë rrugës së kthimit ajo, me sy të lotuar, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, e përqafoi mjekun dhe i foli me zë të trishtuar:

- Ty  të vjen keq për mua? E shoh dhe të falënderoj me shpirt! Ti sigurisht nuk më njeh dhe nuk e di që jam nëna e  biznesmenit F., ndër të parët në qytetin tonë, së bashku me dy të tjerë. Të jem e sinqertë me ty dhe me veten time, po të flas hapur, duke të treguar një pjesëz të jetës sime për të mundësuar ndihmesën personit para teje, jam tepër mirënjohëse.Po tregoj diçka : kur unë flija në divanin e kuzhinës,atëhere djali nisej herët në mëngjes, se ishte tepër i zënë me punë. E dëgjoja qartë kur bisedonte me nusen e vet, gjumin e kam të lehtë dhe zgjohem para agimit, duke i lënë disa porosi rreth kujdesit për fëmijët, gatimet e vakteve dhe shpenzimet përgjatë ditës, pra, probleme të ndryshme. Midis bisedës dëgjoja të përmendej emri im i shoqëruar me një zgjatje të dorës së djathtë të djalit drejt divanit ku unë qëndroja shtrirë me sy të mbyllur, si të vazhdoja të isha në gjumë. Në çast dëgjoja tim bir: “Këto para janë për nënën, ti jepja kur të zgjohet”. Unë, këto fjalë i dëgjoja pothuajse përditë, por dora ime nuk preku asnjë monedhë metalike a kartëmonedhë, as kam një portofol… E pse më duhet? Çfarë do të vendosja brenda tij? Jam menduar gjatë, e kam përpunuar hollë në mendjen time dhe me ndërgjegje të plotë: kam zgjedhur rrugën më të  lehtë dhe pa kurrfarë peshe: heshtjen time. Rruga tjetër, më e shkurtra, do të më lejonte të kisha një portofol të vogël në xhepin tim, por, njëherazi, çka është edhe më e rëndësishmja për të gjithë familjen tonë, një gënjeshtër e përditshme midis burrit dhe gruas natyrisht do të mund të krijonte një mosbesim , përçarje të justifikuar midis tyre dhe fatkeqësisht mund t’u shkatërronte jetën bashkëshortore. Besoj të më kuptosh, të më falësh o njeri zemërbardhë !Të uroj gjithë të mirat e kësaj bote ! Lotët nuk mund  të mos i lejonte të çfaqeshin në të  dy sytë e saj të errët ,ato  në formen e një tisi të  hollë e prezantonin  qartazi mirësin e zëmrës së Nënë  Dafinës,  njohur dhe respektuar prej disa dekadash…

Ja, kjo ishte nëna Dafinë, njëra nga përfaqësueset e femrës dinjitoze, me karakter dhe zemër të bardhë!

Vajzat e mësojnë të vërtetën e hidhur të rëndimit të gjendjes shëndetësore, ndonëse ajo i kishte lënë të qeta. Të katra mblidhen së bashku për t’u takuar me Dafinën, e shohin gjëmën, braktisjen e saj, duan t’i plotësojnë mungesat, por nuk ia dalin dhe e përjetojnë shpirtërisht indiferencën e tyre të paqëllimshme. I blejnë rroba të shtrenjta që nëna nuk i pranon dhe , u kthen përgjigjen e merituar:

- Nëna do t’i vishte këto rroba të shtrenjta kur të merrja rrugën për në botën tjetër, tani nuk e shoh të vlefshme. Por, të jem e sinqertë me veten time dhe me ju, do të ishte tepër e vështirë të më njihnin miqtë e të njohurit e mi veshur në mënyrë luksoze si asnjëherë përgjatë jetës sime, ndaj më lini të mbetem e njëjta Dafinë, veshur thjesht si përherë.

Vdekja e pamëshirshme e mori Dafinën. Biznesmenë të qytetit, paria u mbodhën së bashku në respektim të ndarjes nga jeta të një gruaje sa të thjeshtë, aq të jashtëzakonshme. Po, a e njihnin vallë? Kishin pasur rast t’i shtrëngonin dorën apo ta përshëndesnin? Asnjëherë dhe në asnjë takim apo bisedë! Ishte radha e vajzave të vuanin e të mendonin se si do të reagonte Dafina, nëse do të mund të hidhte një shikim të vetëm në ato tavolina të shtruara të një lokali të zgjedhur. Fredi, ishte zhytur në helm ,po përjetonte brënda vehtes dhëmbje thellë:

- Oh,  nënë, të kërkoj ndjesë! Kjo është një padrejtësi ndaj teje. Ti ishe një përfaqësuese e përkryer e qenies njerëzore femër; pikërisht ti meritoje të të dhuronin afërsi, dashuri, respekt, gjëra që ua ke falur të tjerëve përgjatë gjithë jetës sate të përvuajtur; meritoje të ndieje brenda vetes ngrohtësinë e frymëmarrjes, teksa afroheshe të përqafoje vogëlushët..Përse unë nuk gjeja pak kohë të bisedoja me ty? Si munda të zëvendësoja ty me mallrat, me tufat e kartëmonedhave? Ku i lashë detyrat e mia, si djalë ndaj prindit, për më tepër ndaj teje? Duhet të isha unë dhe ime shoqe që të qëndronim pranë dhe të shërbenim ty... Të përgjërohem të më falësh, e Shtrenjta Nëna  Ime!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora