Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dy burgje
E hene, 07.12.2020, 07:33 PM
Dy burgje
Nga
Edison Ypi
Nostalgjira
të trishta që nuk është mirë tu afrohesh. Të tilla më janë dukur gjatë këtyre
viteve letrat që ja kam nisur vëllait në Spaç dhe ai i solli kur u lirua.
Kanë
mbetur disa dhjetra. Të tjerat kanë humbur.
Nuk
i jam kthyer asnjërës prej atyre letrave për të parë çfarë kam zhgarravitur
many tears ago.
Ato
mote, nëna ime Hasia dhe unë, jetonim si Zonja Nurihan dhe Mark Zavalina.
Prisnim e përcillnim mysafirë me halle të ngjajshme. Prej tyre kishte dhe
thjesht kuriozë. Ndoshta edhe spiunë. Dëgjonim radiot e huaja. Lexonim libra.
Mes tyre edhe të ndaluar. Qarkullonim habere. Bënim muhabete. Pinim çaj mali.
Tymosnim cigare Partizani. Ndër të paktët që nuk na braktisën, ishte njëri që
nuk i linte gjë mangut Ekrem Fortuzit.
Pothuaj
të gjitha letrat i shkruajta unë. Me stilolaps. Në emër të nënës. Ashtu ishim
marrë vesh për më tepër siguri. I nisja me, "I dashur Biri im", ose
"I dashur Arti" dhe i përfundoja me "Të përqafon
Mamaja_____" pra, siç duket në foto, me bishtin e a-së së fundit të
zgjatur për ti bërë të kuptonte Eduardit atë që ai e dinte, se bashkë me nënën
e tij e përqafonin edhe shkruajtësi i letrës, pra unë, motrat, kunetërit, dhe
të tjerë. Zakonisht në fund, ndonjëherë edhe në krye, në të gjitha letrat vija
rregullisht datën. Nuk di pse në atë kohë me kronologjinë isha shumë më tepër
rigoroz se sot. Ndoshta sepse kronologjia ishte ajo që më tepër se gjithçka
fqinjëronte me pritshmërinë, përkohshmërinë, provizoritetin e diktatorit dhe
diktaturës.
Para
ca ditësh, tek kërkoja diçka tek ca rraqe, më dolën parasysh ato letra. Për
herë të parë, zgjata dorën mora njërin nga ato zarfa. Atë që më zuri dora. E
hapa. Letra mban datën 15 dhjetor 1982. E lexova.
Si
gjithë letrat që kam nisur në Spaç, edhe ajo letër bën fjalë kryesisht për
libra, fjalorë, rroba, ilaçe, ushqime. Por më bëri përshtypje ky paragraf;
"Mos
na shkruaj letra me vdekje. Ne e kuptojmë vështirësinë e burgut, madje jo vetëm
duke e marrë me ment, se fundja kjo vështirësi nuk varet nga madhësia e
tij".
Nuk
e mbaj ment për cilën vdekje e kishte fjalën Eduardi. Ndoshta do ta gjej në
ndonjë letër tjetër. Ama ky kunj me kaq spec, kjo batutë kaq e rrezikëshme, kjo
çfryrje kaq e zararshme me vdekje, kollajllëk për të marrë me ment vështirësitë
e dy burgjeve, burgut të madh ku ishim mbyllur ne dhe burgut të vogël ku vuante
Ai, më futën në atmosferën e rrezikëshme por edhe të këndëshme të asaj mënyre
komunikimi. Ju vërsula letrave të tjera. Lexova nja tre a katër prej tyre.
Gjeta ndër to kunja edhe më të forta se paragrafi i mësipërm. Madje shumë më të
forta. U kujtova se te të gjitha ato letra kam ngulur kunja të tilla. Do ti bëj
të njohura ato letra e ato kunja nga koha kur partia dhe kurvi i kishin
zgjidhur problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në një mënyrë të thjeshtë.
Me dy burgje. Një burg të madh që ishte Shqipëria e rrethuar me tela me gjëmba
dhe një burg të vogël ku nga çasti në çast mund të hynte i gjithë burgu i madh.
Me këtë rast, duke qartësuar njëkohësisht edhe paradoksin filozofik mbetur
pezull ndër shekuj, atë të futjes së një sfere të madhe brenda një sfere të
vogël, i kishin dhënë një ndihmesë edhe mendimit filozofik materialist botëror.
Mirpo
dilte një pyetje. Përderisa problemet ishin zgjidhur, qetësia kishte rënë,
kufiri ruhej, Sigurimi vigjëlonte, spiunat spiunonin, gazeta Drita dilte
rregullisht. Revista Nëntori po ashtu, puna vullnetare vazhdonte, traktorat
çanin arat, plani tejkalohej, pse futa kunja nëpër letra ?
Nuk
i futa kunjat për të realizuar qëllime të dëshirueshme por të pamundura si; për
të rrëzuar diktaturën e proletariatit, penguar kongreset, apo sabotuar planet 5
vjeçare.
Me
shpresë dhe besim se edhe bashkëvuajtësit tanë do bënin të njëjtën gjë, kunjat
nëpër letra i ngulëm që unë dhe nëna ime në burgun e madh, dhe vëllai në burgun
e vogël, të ndjeheshim gjallë.
Sa
kohë ato kunja në ato letra përveç ne të treve, ndoshta edhe ndonjë të katërti
në Spaç që kontrollonte letrat por nuk kuptonte metaforat, nuk do t'i lexonte
askush tjetër, asgjë tjetër nuk mund të arrihej me ato kunja nëpër ato letra.
Ndonjë
apo disa vigjilentë të sotëm, aq të ngjajshëm me spiunat e djeshëm në zbatimin
me rigorozitet të metodave sigurimiste për tua nxirë jetën bashkëvuajtësve,
mund të thonë se po mburrem. Po, është e vërtetë. Me një kusht; Derisa, nga
qindrat ose mijrat e vëllezërve që kanë pasur vëlla në burg, të dali të paktën
1 prej tyre të provojë se ka qënë aq i guximshëm sa vëllait në Spaç t'i ketë
nisur letra me kunja si ajo me dy burgje me vështirësi të njëjta.
Derisa
kjo të ndodhi, mos më shurdhoni me mburravecllëqe komuniste për trimërira
inekzistente. Në gjurmët e të parëve të mi rilindas atdhedashës idealistë që
çbënë veten për të bërë Shqipërinë, Flamurin e trimit mendjemadh të çartun nuk
do ta lëshoj nga dora, dhe as nga pena.