Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Pse Xhamia e Madhe në Tiranë është haram sipas ligjit islamik

| E hene, 30.11.2020, 07:02 PM |


Pse Xhamia e Madhe (e Namazgjasë) në Tiranë është haram sipas ligjit islamik

Nga Kastriot Myftaraj

Allah, Allah! Në historinë e botës ka ndodhur që kishat e krishtera të shndërrohen në xhami, kur vendi ku gjenden ato është pushtuar nga islamikët. Shembulli më i spikatur është Kisha e Shën Sofisë në Konstantinopol, sot Stamboll. Por nuk ka ndodhur ndonjëherë deri më sot që një xhami të ndërtohet nga të krishterët. Sepse sipas ligjit kuranik, Shariah, xhamia duhet të jetë hallall. Kisha e pushtuar quhet trofe në Xhihad, prandaj njihet si hallall.

Por xhamia e ndërtuar nga themelet duhet të jetë hallall në çdo detaj të saj. Për këtë arsye u kundërshtua nga investitorët islamikë ideja fillestare e Edi Ramës për projektimin e xhamisë së madhe të Tiranës, e njohur si e Namazgjasë, nga një studio arkitekturore daneze. Xhamia u projektua nga një studio arkitekturore turke dhe për ndërtimin e saj u ngarkua shoqëria ndërtimore turke “Komas AS Tiran Subesi”.

Por kjo shoqëri turke është vetëm në letër ndërtuese e xhamisë. Sepse xhaminë po e ndërton, që nga themelet deri te minaret, shoqëria ndërtimore nënkontraktore shqiptare “Edil-Al”.

Dhe këtu ka një shkelje të rëndë të ligjit islamik, sepse pronari i shoqërisë nënkontraktore që po bën të gjithë punën është i krishteri Artan Niko Dulaku. Për këtë arsye disa besimtarë kanë nisur ta quajnë xhamia kaur dhe janë betuar se nuk do të shkelin atje.

Por ka edhe më tepër. Nëse kalon në trotuarin përbri xhamisë, në kohën e drekës, ndjen se të vjen në hundë era e mishit të derrit të pjekur. Arsyeja është se shumë nga punëtorët e krishterë të shoqërisë ndërtimore hanë në drekë mish derri. Kjo është normale sepse një sipërmarrës i krishterë do të ketë shumë punëtorë të krishterë dhe ata janë mësuar të hanë mish derri. Kjo është e drejta e tyre. Me sytë e mi kam parë skuterat e grilleve dhe fast food-ve që dërgojnë atje porositë me bërxolla derri apo hamburgera me mish derri.

Dihet se ne shqiptarët nuk jemi të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave. Kështu që të lind dyshimi I arsyeshëm se shumë kocka derri nga bërxollat duhet të kenë përfunduar, pa qëllim të keq, në themelet e xhamisë. Pakujdesi, Por, sipas ligjit islamik kjo e bën xhaminë përfundimisht haram. Me shumë mundësi xhamia e Namazgjasë do të jetë e para xhami në botë që ka në themelet e saj kocka derri, çka e bën atë dyfish haram.

Arsyeja që për ndërtimin e xhamisë u përzgjodh një nënkontraktor i krishterë është se Kryeministri Rama vuri si kusht për të lejuar ndërtimin e xhamisë, që atë ta ndërtonte shoqëria e mikut të tij Artan Niko Dulaku. Ky Dulaku është një nga ndërtuesit më të privilegjuar prej Ramës. Arsyeja kuptohet lehtë. Dulaku i paguan rryshfetin e kërkuar Ramës.

Kështu që Edi Kristaq Rama, cituesi i Kuranit, adhuruesi i shpallur i Profetit Muhamed, miku i Erdoganit dhe i emirëve arabë, rapsodi politik i harmonisë fetare në Shqipëri, po merr pjesën e tij të parave nga investimi për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Fillimisht u parashikua që kostoja e ndërtimit të xhamisë të ishte 32 milionë euro. Tani kjo shumë ka arritur në mbi 50 milionë euro. Diferenca merret vesh është vjedhur dhe gjysmën e saj me siguri e ka marrë Rama.

Për skandalin me xhaminë ka përgjegjësi udhëheqja e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që është porositësi zyrtar i ndërtimit të xhamisë dhe ka pranuar kërkesën e Ramës që xhaminë ta ndërtojë Dulaku. Dhe Dulaku nuk është i vetmi nënkontraktor i krishterë që punon për ndërtimin e kësaj xhamie. Ka edhe të tjerë nën-nënkontraktori të marrë nga nënkontraktori zyrtar.