Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Dublimi i festës kombëtare shqiptare - investimi i madh i Serbisë

| E shtune, 28.11.2020, 07:57 PM |


Dublimi i festës kombëtare shqiptare - investimi i madh i Serbisë

Nga Kastriot Myftaraj

Nuk ka shembull në botë që një shtet të dublojë festën e tij kombëtare me një tjetër të sajuar artificialisht. Kjo gjë ka ndodhur veç në Shqipëri, ku regjimi komunist dubloi 28 nëntorin, ditën e Shpalljes së Pavarësisë me 29 nëntorin, të shpikur si dita e çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj në Luftën e Dytë Botërore.

Dublimi i festës kombëtare shqiptare ishte një investim serb, për goditjen e vlerave themelore kombëtare shqiptare, pasi në kohën kur ndodhi kjo gjë, Shqipëria ku komunistët porsa kishin ardhr në pushtet, kishte miqësi të madhe me Jugosllavinë ku kishte ndodhur e njëjta gjë.

Për dublimin e festës kombëtare në Shqipëri u sajua teoria e shpalljes si ditë e çlirimit të vendit, të ditës kur gjermanët u larguan nga territori i shtetit shqiptar të 1913-ës. Asnjë shtet europian i pushtuar gjarë Luftës së Dytë Botërore nuk ka bërë një gjë të tillë.

Dita e dublimit të festës kombëtare shqiptare, 29 nëntori, përkoi dhe me ditën e shpallur si dita e krijimit të Jugosllavisë komuniste.

Dublimi i ditës së festës kombëtare shqiptare ka qenë një akt i tradhtisë së lartë dhe ruajtja e 29 nëntorit si festë zyrtare mbetet një akt i tradhtisë së lartë.

28 nëntori në histori është një ditë e dyfishtë e pavarësisë për kombin shqiptar sepse në 28 nëntor 1443 Skënderbeu shpalli në Krujë pavarësinë e Shqipërisë nga pushtuesit osmanë. Të njëjtën gjë e bëri Ismail Qemal Vlora me përfaqësuesit e krejt trojeve shqiptare në Vlorë, 469 vite më vonë.

Investimi tjetër i madh serb për goditjen e vlerave themelore kombëtare shqiptare ka qenë përpjekja për dublimin e flamurit kombëtar shqiptar, me një flamur me fushë të zezë, të ngjashëm me flamujt e Xhihadit islamik, që u soll me dron në stadiumin e Beogradit në 2014 gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Njeriu që mori përsipër autorësinë e aktit, tradhtari kombëtar Ismail Morinaj, i vetëquajtur “Ballisti” e shpalli flamurin e zi si “Flamur të Shqipërisë Etnike”. Domethënë na paska dy flamurë shqiptarë, ai historik që njohim, i Skënderbeut, dhe që me logjikën e Islamil Morinajt nënkuptohet të jetë veç i shtetit shqiptar dhe ky i ardhur nga Beogradi që na qenka i krejt hapësirës kombëtare shqiptare.

Por flamuri historik shqiptar i Skënderbeut u ngrit në Vlorë, në 1912, në emër të krejt popullsisë së hapësirës kombëtare shqiptare, nga përfaqësuesit e saj. Në 28 nëntor 1912 nuk kishte nisur Konferenca e Londonit e ambasadorëve të fuqive të mëdha europiane që përcaktoi kufijtë e shtetit shqiptar.

Serbia ka investuar edhe në simbolikë përveçse në njerëz në përpjekjet e saj kundër shtetit dhe kombit shqiptar.

Shqiptarët u ndanë që në 1913 në Ismailistë (ndjekës të Ismail Qemal Vlorës, kryeatit të Pavarësisë Kombëtare) dhe në Esatistë, ndjekës të Esat Toptanit, të shiturit te Serbia.

Me porosi të Serbisë Esat Toptani, fill pas përfundimit të Konferencës së Londonit, në 1913, bëri një akt irredentist antishqiptar proserb duke shpallur krijimin e një shteti të ri në Shqipërinë e Mesme. Në 1920 Esati me mbështetjen e Beogradit donte ta bënte Shqipërinë vasale të shtetit të ri sllavojugor, por ishte ndërhyrja shpëtimtare e Presidentit amerikan Wilson që e ndaloi këtë fatkeqësi kombëtare.

Në 1946 Enver Hoxha i porsakthyer nga Beogradi nënshkroi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, Stanoje Simiç Paktin e Tiranës mes dy vendeve që e shndërronte Shqipërinë në vend vasal të Jugosllavisë. Komunistët shqiptarë, në miqësinë me Jugosllavinë, ndiqnin vijën esatiste.

Por ishte ndërhyrja e Presidentit amerikan Truman, i cili i bëri presion Beogradit që të ndërpriste zbatimin e projekteve të vjetra serbe ndaj Shqipërisë. Ndërhyrja fillimisht e Presidentit amerikan Eisenhower dhe pastaj e pasardhësit të tij Kennedy, ndaj udhëheqësit sovjetik Krushchevit solli në largimin e rusëve nga Shqipëria, në këmbim të pranimit nga amerikanët të ndërtimit të Murit të Berlinit. Shqipëria, edhe pse komuniste, duhet të mbetej e pavarur.

Serbia nuk ka hequr dorë nga projekti për vasalizimin e Shqipërisë dhe për këtë Presidenti serb Vuçiç propozoi idenë e bashkimit të Ballkanit Perëndimor, që është ide e Serbisë së Madhe e përshtatur me kohën.

Si vazhdues i vijës esatiste Kryeministri Edi Rama ka vizituar pesë herë Beogradin dhe i është bashkuar me entusiazëm idesë së Vuçiç për të ashtuquajturin “Minishengen ballkanik”, që është Jugosllavia e Re, e përshtatur me rrethanat e sotme.

Publikimi i nga Sinisha Mihajlloviç i tekstit shumë të përzemërt të sms-së që Edi Rama i dërgoi në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë ka vlerën e publikimit të një dokumenti të arkivave sekrete serbe, ku Edi Rama të jetë përkushtuar për të punuar në sherbim të Serbisë. Tregues për këtë është fakti që Edi Rama e mbajti të fshehtë këtë veprim të tij, dhe nuk e publikoi kur e bëri në tetor 2019, ndonëse ka praktikë që gjëra të këtij lloji i publikon në Facebook dhe Twitter. Arsyeja e mospublikimit kuptohet pa pasur nevojë për shpjegim.

Sipas traditës esatistë, ata që shkojnë në Beograd si Rama, akuzojnë palën tjetër si tradhtarë. Unë do të kisha dëshirë të shikoja prova për akuzat e Ramës të bashkëpunimit të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës me Serbinë,, por shoh vec fjalë ndërsa veprimet proserbe janë të Ramës. Dhe ironikisht, sipas traditës së propagandës serbe, palës tjetër i kërkohet që të sjellë prova se nuk i ka bërë ato gjëra për të cilat akuzohet. Pra përmbyset parimi që barra e provës i takon akuzuesit.

Shqiptarët ashtu si në 1913 janë të ndarë sot në Ismailistë dhe Esatistë. Ashtu si dikur, edhe sot, esatistët shkojnë në Serbi.

Ashtu si atëherë, ismailistët janë antiserbë dhe antiturq, ndërsa esatistët janë proserbë dhe proturq. Esat Toptani për të shpërbërë shtetin shqiptar në interes të Serbisë, nxiti rebelimin islamik të vitit 1914, i zhvilluar me thirrjen “Dum Babën”, që ishte Sulltani osman. Edi Rama e ka shpallur Erdoganin vëlla dhe ka vizituar Turqinë jo më pak se Serbinë.

29 nëntori, nëse ka një simbolikë, është Dita e Esatistëve.

Serbia ndaj Shqipërisë ka punuar me Kodin “E”:

Esat, Enver, Edi, Erion (Veliaj).