E premte, 19.04.2024, 06:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Dy ese të shkurtra

E enjte, 20.11.2008, 12:45 PM


Ejup CERAJA

TA NJOHIM SA MË MIRË UNIN TONË...

"Nuk e dashuron dot atë që s'e njeh"
(Dostojevski)

A. Në cilat raste ndodh që nuk jemi tërësisht vetvetja jonë?...

Uni i secilit njeri është i veçantë dhe individual. Andaj edhe faktorët, që ndikojnë në unin e secilit janë të llojllojshëm. Një un të këtillë e kanë jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët e të rinjtë, që janë në formim e sipër dhe që kanë karakteristikat e tyre. Sepse si fëmijët, ashtu edhe të rinjtë s’e kenë pjekurinë e gjykimit si të rriturit. Dhe, si të tillë, gjërat i shohim qoftë me një optimizëm, qoftë me një pesimizëm ca më të theksuar...  Kështu, ndodh ngandonjëherë që njeriu të mos jetë i tëri vetvetja e tij. Ose të themi pakëz më ndryshe: ndodh që të jetë disi jashtë vetës dhe unit të vet. Faktorët që ndikojnë te njeriu herë-herës të mos jetë vetvetja e tij i tëri, sipas mendimit tim, janë të shumtë e të llojllojshëm, si: dhuna çfarëdo dhe ngado qoftë ajo; marrëdhëniet jo të shëndosha në familje të ngushtë apo të gjerë; ngecja në ndonjë segment të jetës...; kushtet e liga nga ana materiale; papunësia individuale, familjare apo kolektive e një periudhe të caktuar të një shoqërie, veçanërisht në zhvillim; gjendja e rëndë sociale; skamnorët që shtrijnë duart për lëmosh si të skica “Zoti të dhashtë!” e Migjenit; invalidët e ndryshëm e veçan ata të luftës; bonjakët; humbja e ndonjë të afërmi në familje etj., etj.

B. Ta njohim sa më thellë vetveten tonë

Ta njohim vetveten. Shikuar nga një kënd sa kërkesë e thjeshtë. Madje shumë e thjeshtë… Ndoshta dikush do të thotë: Ç'është kjo?… Ç'është kjo lojë fjalësh?…E kush s'e njeh vetveten?… Kush do të më njohu më mirë mua se sa unë që e njoh vetveten?… Kush?…  Parimisht kështu është. Por a na ka shkuar ndonjëherë mendja  t'ia bëjmë vetës sonë një këso pyetje: Sa e njohim ne vetveten?… Pyetje me domethënie tejet interesante për vetën tonë. Pyetje që ngërthen në vete një përgjigje dyzash. Pyetje që ngacmon unin tonë. Por, ja që ne, asnjëherë s'ia kemi parashtruar veti një pyetje të këtillë, duke menduar se kush më mirë se ne që e njohim vetën tonë, nuk na njeh. Në parim kështu është dhe kështu ishte dashur të jetë. Por, ne duke menduar se e njohim mirë vetën tonë, kurrë s'kemi kërkuar nga vetja jonë që ta japim një përgjigje të tillë, as ndoshta që na ka shkuar mendja ndonjëherë për këtë. Ta provojmë e t'ia bëjmë veti secili këtë pyetje në heshtje, e do të shohim se sa e vështirë është ta japim një përgjigje meritore… Do të mjaftohemi vetëm me thënien: Bah!… E s'i s'e njoh unë vetën time?… Vetëm kaq do të përgjigjemi, e asgjë më tepër. Por, a mjafton vetëm kjo për ta bindur vetën se sa e njohim ne vërtet vetveten… Sa e njohim ne unin tonë…

Dikush, ndoshta, mund  të thotë: E po ç'rëndësi ka kjo që ta dimë ne se sa e njohim vetveten?…Ka rëndësi, si nuk ka?…Madje është një rëndësi parësore. Se duke e njohur sa më mirë vetveten dhe duke u "takuar" në brendi të qenies sonë me unin dhe me ndërgjegjen tonë, sikur që takohen dy miq të vjetër pas një kohe të gjatë, atëherë do të shkëlqejë brenda nesh virtyti i lartë, dashuria e thellë dhe devotshmëria njerëzore… Se, duke e njohur më mirë vetveten, do ta njohim më mirë botën që na rrethon, do ta çmojmë më mirë jetën tonë, po edhe jetën e të tjerëve. Se, sa më mirë që ta njohim një gjë, aq më shumë do ta duam e do ta çmojmë atë.

Edhe diçka!… Kurrë ne, ndoshta, nuk ia kemi bërë edhe një këso pyetje veti: Sa e njoh unë jetën time?… Edhe çka është dashur t'i bashkëngjis jetës sime që ose s'kam mundur, ose s'kam ditur?…Çka më ka mbetur mangët?… Ç'kam bërë më tepër?…, etj. etj. Se, duke i bërë veti pyetje të tilla ose të ngjashme, do ta zbulojmë atë fshehtësinë brenda nesh "Sa e njohim vetveten?…" Do të vetëdijesohemi se duke e njohur sa më mirë vetveten, do t'i njohim më mirë edhe të tjerët rreth nesh, do ta çmojmë mirë si vetën tonë, ashtu edhe të tjerët.

Në një mendim të një autori anonim thuhet se po qe se njeriu ngarend ta njohë vetveten, do ta gjejë brenda unit të tij një njeri tjetër, që do të dojë shumë. Kur njeriu arrin ta takojë brendinë e qenies së vet, do të shkëlqejë i tëri. Vetëm atëherë njeriu do ta kuptojë se ka vetëm një Zot, që e ka krijuar atë dhe botën e tij të brendshme. Vetëm atëherë njeriu do të ketë vullnet të çeliktë, do të ketë zemër të kristaltë dhe shpirt të pastër. Vetëm atëherë njeriu do të jetë i tëri vetvetja, ashtu si ia pranon uni i tij...

C. Diç si përfundim

Në këta pak rreshta të këtij personi anonim është shprehur tërë filozofia e jetës, filozofia e botës së brendshme shpirtërore. Se vetëm duke e njohur më mirë vetveten, botën tonë të brendshme, do ta njohim më mirë edhe botën përreth, do ta duam e kuptojmë më mirë atë… Pra, duke e njohur vetveten do të shkëlqejmë si guri i xhevahirit përbrenda qenies sonë…

 (2007)                                                                                                                                         


Çështje terminologjie gjuhësore

ALPET SHQIPTARE NË VEND TË BJESHKËT E NEMUNA

Mund të themi se ne, shpeshherë, jemi të prirë që t’i marrim fjalët apo shprehjet (termet) e huaja me lehtësi, pa ua bërë një vlerësimin të nevojshëm... Dhe, për rrjedhojë, pastaj ato terma dominojnë mbi terminologjinë e bukur të gjuhës shqipe. Pse ndodh kështu?... Mbase, nga moskujdesi ynë i mjaftueshëm për gjuhën... Këtu s’e kam fjalën që ne të bëhemi skajshmërisht puristë. Po ku e kemi fjalën a frazën tonë të mos e marrim të huajën pa nevojë... Në këtë qasje do të ndalemi kryesisht te termi i ngritur në nocion Bjeshkët e Nemuna.

Përdorimi i termit Bjeshkët e Nemuna i panevojshëm në gjuhën tonë

Mendoj se termi “Bjeshkët e Nemuna” është një “huazim” i panevojshëm nga një apo edhe më shumë gjuhë të huaja, që u ra “hise” të kalonin përmes Alpeve tona si shkelës, të cilët kishin synime të ndryshme... Në rastin konkret, për termin Bjeshkët e Nemuna,  nuk kemi të bëjmë me një fjalë a shprehje të drejtpërdrejtë, por kemi të bëjmë me një përshtatje të panevojshme të një termi të huaj...

Mund të themi se gjuha shqipe nuk ka nevojë për termin të ngritur në nocion: Bjeshkët e Nemuna. Pse?... Sepse shqiptarët tok me gjuhën jetuan e bashkëjetuan me Bjeshkët e tyre nëpër shekuj. Në to u lindën, u rritën, u burrëruan dhe më në fund në to edhe vdiqën. Por, asnjëherë, mendoj, nuk i quajtën as nuk i quajnë as sot e kësaj dite bjeshkët e tyre “të nëmura”. (Këtu e kam fjalën për ata që jetojnë në to ose rrëzë tyre). Sepse në to e me to e kanë mbajtur frymën gjallë. Po sot, një këso shprehjeje, sikur imponohet pa nevojë...

Termi Bjeshkët e Nemuna, mendoj, është një përshtatje e një fjale a shprehje nga gjuhët sllave. Se, fqinjët tanë, duke kaluar nëpër bjeshkët e thepisura shqiptare si shkelës, në një anë dhe duke u përballuar me rezistencën e malësoreve gjatë atyre kalimeve, në anën tjetër i kanë quajtur me termin e lartpërmendur Bjeshkët e Nemuna. Ndërsa shqiptarët denbabaden, ma thotë mendja, ato bjeshkë i kanë quajtur denbabaden Alpet Shqiptare...

Diç si përfundim

Gjuha jonë nuk ka nevojë për termin Bjeshkë të Nemuna sepse  shqiptarët, gjatë historisë së tyre të gjatë si popull e më vonë edhe si komb nuk kanë kaluar asnjëherë nëpër vise të huaja si shkelës. Dhe, për pasojë, as nuk e kanë zhvilluar termin të ngritur në nocion “Bjeshkë të Nemuna”. Pra, duke u nisur nga kjo, mendoj, se gjuha shqipe nuk ka nevojë për  Bjeshkë të Nemuna, kur e ka termin të ngritur në nocion Alpet Shqiptare...

Mars 2008 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora