E premte, 19.04.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Todi Llupi: Malua më dha famë dhe më “ndërroi” emrin

E enjte, 20.11.2008, 12:12 PM


Todi Llupi: Një rol që ende dhe sot kujtohet me nostalgji. Ishte një numër me aktorin e talentuar Arqile Lipe
 
Malua më dha famë dhe më “ndërroi” emrin

 

Nga Albert Zholi

 

Është një ndër aktorët më të spikatur të Estradës së Fierit dhe të gjithë Shqipërisë. Humorist me një profil të veçantë që ka përcjellë në skenë me qindra role ku ka spikatur ai i Malos tek skeçi “Po martojmë Malon”. Ai ka një galeri të tërë rolesh, ku shpesh herë tipizohet me fshatarin e Myzeqesë nga ku është dhe vetë. Dhuntia e humorit ishte brenda tij e lindur dhe ai me punën e tij e përcolli këtë dhunti tek spektatori duke marrë për vite me radhë duartrokitje që as i kishte menduar. Energjik, por i sinqertë ai rrëfen jetën e tij të skenës, ku dhe pse pengu i tij mbetet ende që s’ka përfunduar studimet e larta, ai mbetet një aktor i të njëjtave përmasa me aktorët e shkolluar. Në këto vite tranzicion ai kujton me nostalgji vitet kur Estrada e Fierit u kthye në një shkollë të humorit, ndërsa sot largimi i shumë emrave dhe mos financimi sa duhet i teatrit “Bylis” nga shteti, ka bërë që jeta kulturore në qytetin artdashës të jetë e vakët dhe emri i estradës të zbehet. Ai është tepër i lumtur që vajzat e tij kanë plotësuar pengun e babait duke përfunduar arsimin e lartë dhe duke u bërë kritikueset dhe vlerësueset më reale të roleve të tij në skenë. Edhe pse kaloi një sëmundje të rëndë, ai me ndihmën e bashkëshortes, të afërmve, miqve e kaloi atë moment dhe tashmë është po aq energjik sa më parë. Tiranën e ka si qytetin e dytë që e viziton shpesh, pasi tashmë në kryeqytet ka miqtë e tij me të cilët hodhi hapat e parë si aktor në skenë dhe që ka ndarë gëzimet dhe hidhërimet. Për të përballuar jetesën përveç aktrimit ai ka përvetësuar dhe dy profesione të tjerë si kasap dhe fermer për të qenë një prind serioz në përballimin e kërkesave ekonomike për shkollimin e fëmijëve.
 
Ju kaluat një problem mjaft të rëndë shëndetësor si ndjeheni tani?


Mjaft mirë, mjaft ngrohtë. U bënë disa kohë që unë bëra transplantin e veshkave dhe falë gruas time, falë miqve dhe shokëve unë e kalova me sukses këtë problem shëndetsor. Në radhë të parë ndjeva ndihmën më të madhe më humane, më njerëzore, të njeriut tim të jetës, gruas time, e cila më fali një veshkë. Por nuk dua të lë pa përmendur ndihmën e madhe humane të mjekëve grek të spitalit më të dëgjuar Hipokratos, të cilët m’u gjendën në momentin më të vështirë me gjithë profesionalizmin e tyre. Në këtë moment dua të falënderoj dhe ish -ministrin e Shëndetsisë Solis dhe kryetarin e PDNJ-së, Vangjel Dule, të cilët me interesimin e tyre në kohë më nxorën vizën dhe u interesuan paraprakisht në spitalin grek. Këta persona kontribuan që unë të jem gjallë sot. Tek mjekët grekë pashë shërimin me sy. Në shprehjen e syve të tyre shikoja më shumë humanizëm dhe qytetari.
 
Aktualisht me se merret “Artisti i Merituar” Todi Llupi?


Jam rrogëtar i teatrit “Bylis” të Fierit. Ky teatër tashmë e ka humbur shkëlqimin e vet, si shkollë e humorit që ishte dikur. Ne tashmë bëjmë 3-4 premiera në vit, ku kryesisht shfaqjet i japim në Fier, por edhe në qytete të tjera kur na krijohen kushtet financiare. Por e ndjejmë mungesën e talenteve që janë larguar. Pra një pjesë të vetes tonë e kemi larg.
 
Ju thatë se nuk e keni shkëlqimin e dikurshëm, përse?


Sigurisht që nuk e kemi. Ne na kanë ikur pjesa më e madhe e aktorëve që nga Luftar Paja me shokë. Kjo ka sjellë deri diku rënien e nivelit arstistik si dhe interpretimet. Pra është krijuar një vakuum i pariparueshëm. Pasi nuk na kanë ikur vetëm aktorët, por edhe regjisorët dhe krijuesit e mirëfilltë që i dhanë fytyrën e vërtetë teatrit tonë. Pëllumb Kulla, Luftar Pajo, Arqile Lipe mbeten ikona të teatrit tonë.
 
Kush ka qenë aktiviteti juaj i fundit si trupë?


Ka qenë Festivali i Elbasanit dhe ai i Dibrës. Ne bëmë një paraqitje seroize në të dy këto konkurse, pavarsisht se nuk zumë vend. Tani po bëjmë një përgatitje për një premierë për vitin e ri. Ende nuk është përcaktuar formati, por mendoj se do të kemi një mbështetje nga Bashkia me qëllim që kjo premierë të filmohet edhe nga TVSH, pasi duhet thënë, që ky televizion për disa vjet i ka kaluar në heshtje premierat tona. Pra, shumë premiera të viteve të fundit nuk janë të regjistruara dhe të transmetuar për publikun e madh shqiptarë nga TVSH. Kështu, që gjithë ajo punë ka kaluar në heshtje. Por edhe mediat e tjera vizive nuk e kanë marrë këtë nismë. Janë dhënë shumë premiera të bukura, por shikuesi mbarëshqiptar nuk i ka parë. Kështu ne i kemi humbur kontaktet me teleshikuesit dhe ata mendojnë se ne nuk punojmë.
 
Pra mendoni se mos pasqyrimi i aktiviteteve ju ka ndërprerë lidhjet me spektatorin?


Sigurisht. Ne na kanë harruar dhe mendojnë se kemi ikur në emigracion të gjithë. Po të kishim ikur të gjithë atëherë do të kishin ngelur bosh të gjitha teatrot dhe estradat kombëtare. Por ajo që duhet të theksoj është se duhet stimuluar kjo pjesë e kulturës shqiptare me qëllim që ata të mos ikin jashtë. Unë mendoj se specialistë të fushës duhet të kontribuojnë më shumë, duhet të kenë politika më të qarta më të sakta, më të specifikuara, sepse vetëm me politika të tilla mund të ndalet kjo hemoragji. Populli hallemadh do që të qeshë, do të shohë shfaqje të vazhdueshme, të shohë humorin e vet në skenë. Nuk duhet të shfaqen vetëm aktivitete lakuriqësie, vetëm femra që demostrojnë pjesët e bukura të trupit. Populli nuk do vetëm banalitete. Duan teatër të Estradës, teatër të Dramës, teatër me temë të halleve, problemeve shqetësimeve dhe karaktereve. Nuk jemi të kënaqur me stadin që është sot teatri i Fierit, por këto janë kushtet. Ne dikur mateshim me Teatrin Kombëtar. Shqipëria ka pasur teatro dhe estrada me emër si ai i Shkodrës, Korçës, Vlorës ku Fieri dallohej. Në këtë tranzicion edhe teatri ynë përpiqet të mbijetojë. Por pa atë shkëlqimin e dikurshëm.
 
Kush ka qenë viti i parë në skenë dhe si jeni ndjerë?


Që nga viti 1966 unë kam lujatur me grupet artistike amatore të qytetit të Fierit. Për herë të parë jam angazhuar me trupën amatore të Azotikut, ose uzinës “Gogo Nushi” që quhej atëherë (se sot i kanë ndryshuar të gjithë emrat). Kanë qenë momente të bukura. Këtu hodha hapat e para në skenë, hodha hapat e bukura të ëndrrës time. Pas 4-5 vjet jetë aktive artistike në këtë grup, ku unë spikata më thirrën në teatrin e qytetit, i cili sapo ishte formuar. Në këtë teatër thirrën disa artistë që kishin dhënë prova në grupet amatore të ndërmarrjeve. Këtu fillova të luaj role pikante me artistin Fuat Boçi. Ndërsa premierën e parë artistike të plotë si profesionist e kam dhënë në regjinë e krijuesit të talentuar Pëllumb Kulla. Ai vinte nga gurorja pasi ishte dënuar. Ishte viti 1971. Prej atij viti unë isha i përhershëm në skenë në role nga më të ndryshmet.
 
Sa role keni luajtur në skenë ?


Nuk i kam numëruar. Ndoshta kam bërë gabim. Aktori i skenës së estradës luante në një premierë deri në 5 role. Pra nuk është si në Teatër që ke në rol. Prandaj është e vështirë të them se kam luajtur kaq role në skeçe. Kisha role karakteresh, parodi, monolog, Unë kam 38 vjet në skenë dhe po të mendosh që në një premierë kam 5 role nuk mund të numërohen. Pasi ne jepnim disa premiera në vit.
 
Mendoni se keni arritur gjithçka në skenë?


Megjithëse kam luajtur shumë role mendoj se akoma duhet të bëj, bile shumë, pasi i jam borxhli spektatorit. Aktori është ndryshe nga futbollisti. Futbollisti ka një moshë të caktuar që largohet nga fusha e lojës. Ndrësa aktori sa më shumë plaket aq më shumë bëhet më i kërkuar, më i pjekur, më i saktë, më produktiv. Pra si puna e verës që sa më shumë qëndron në shishe aq më e mirë bëhet.
 
Cilat janë rolet më pikante që ju i keni për zemër apo që keni fituar duartrokitje të zjarrta?


Janë shumë. Nuk mund t’i numëroj. Në gjithë këtë jetë skenike nga viti në vit janë rritur jo vetëm në numër, por edhe në cilësi. Mund të veçoj rolin e përgjegjësit në një dialog me Luftar Pajën, ku përgjegjësi përgjigjej “kam” për çdo gjë. Por kryeroli im mbetet ai “Do martojmë Malon”. Një rol që ende dhe sot kujtohet me nostalgji. Ishte një numër me aktorin e talentuar Arqile Lipe. Ky rol na bëri që të na “ndryshojë” dhe emri. Në shumë vende ne na thërrasin Malo. Ky mbetet kryerol në karrierën time. Këtë nuk e them unë, këtë e ka vendosur vetë spektatori, ai që të jep notën e saktë, me ndërgjegjen e tij të pastër. Malua u kthye në një skeç të ditës atëherë. Personazh i ditës. Po kaq pëlqehet edhe sot. Kemi punuar me shumë kërkesa, me shumë disiplinë. Rrinim edhe jashtë kohës së provave. Roli doli i arrirë. Ndoshta pa asnjë të metë.
 
Po tashmë ku ndodhet Arqile Lipe kolegu juaj në rolin e Malos?
 
Arqile Lipe ka ikur në Greqi si emigrant ekonomik, për punë. Kushtet ekonomike e kanë detyruar të braktisë skenën dhe të punojë si bojaxhi në fqinjin tonë jugor. Ai ka dëshirë të kthehet, t’i kthehet skenës, por nuk ka mundësi ekonomike. Rrogat në Shqipëri janë tepër të vogla në raport me çmimet e larta. Ai si shumë aktorë të tjerë e ka lënë vendin. Ai nuk është i vetmi, si ai ka me dhjetëra aktorë të tjerë nga teatrot e Shkodrës, Vlorës Korçës, Durrësit që janë larguar. Eshtë një ikje që të bën të qash. Emrat më të dëgjuar të skenës janë jashtë atdheut dhe bëjnë punë të rëndomta në emër të mbijetesës.
 
Ju keni një shoqëri të madhe me aktorin e shquar të humorist “Artistin e Popullit” Luftar Paja. Mund të na thoni diçka më intime për miqësinë dhe rolet që keni luajtur bashkë?

 
Luftar Paja. Eh…Njerëzit kanë shoqërira dhe miqësira të ndryshme. Unë jam myzeqar dhe Luftari mallakastriot. Ai mbetet shoku më i mirë i jetës. Ne jemi lidhur si aktor dhe më vonë si qytetar, shok, miq familjar. Ne kemi një rrugë të madhe të jetës që kemi ecur bashkë. Ai njëkohësisht mbetet një nga mësuesit e mi. Pasi është një aktor i madh dhe njeri me zemër të madhe. Si aktor do të shprehesha që të gjithë brezat e aktorëve kanë ç’të marrin nga jeta e tij aktoreske. Një fuqi e gjetjes së gjërave, karaktereve, një fuqi zhbiruese në të veçantat e humorit popullor. Kur do bënte rolin e një plaku në estradë apo teatër Luftari i sillte regjisorit Pëllumb Kulla, 4-5 pleq dhe ai zgjidhte atë që i përshatej më mirë rolit. Shikohej ecja, komunikimi, mënyra e pirjes së duhanit, e kollitura, krehja, qylafi, mënyra e debatit e dialogut. Një nga rolet e mia me Luftarin është tek komedia e Çobo Rrapushit, ku unë kisha rolin e një pseudoshkrimtari në kontakt me popullin. Eshtë një nga rolet më të spikatur të Luftarit. Një rol i veçantë që të ngjall emocion ku ai ka dhënë të gjitha energjitë dhe të fshehtat e akumuluara në skenë për realizimin e këtij roli kaq të vështirë dhe të bukur. Edhe sot Luftari është indetifikuar me këtë rol. Një rol tepër i spikatur që vetëm një aktor me përmasat e Luftarit mund ta realizonte. Sot mund të them se me Luftarin jemi si vëllezër.
 
Pengu juaj ?


Peng të mirëfilltë nuk kam, pasi unë erdha nga lëvizja aktore- amatore e ndërmarrjeve. Ne e kthyem estradën dhe teatrin shkollë për vete dhe të tjerët. Pasi në këto ambiente gjetëm aktorë të mirë, regjisorë të mirë, njerëz të mirë, kështu u bëmë dhe ne aktorë të mirëpritur. Pra pengu është që nuk munda të bëj arsimin e lartë. Kështu erdhën punët atëherë. Ne ishim familje e varfër dhe kushtet ekonomike nuk e mundësonin shkollimin tim. Unë isha fëmija i madh dhe babi na vdiq shumë shpejt kështu që ... u bëra që fëmijë kryefamiljar. Këtë po mundohem ta kompesoj tek fëmijët e mi. Kam tre vajza. Të cilat kanë mbaruar shkollën e lartë. Njëra për gjuhë- letërsi, tjetra për violinë, e vogla po studion për regjizurë në vitin e tretë.
 
N.q.s do të ofrohej një rol që do të kishte zhargone dhe fjalor që përdoret rëndom në
shumë skeçe apo parodi sot, a do ta pranonte Todi Llupi?
 
Më ka ftuar një regjisor kosovar për një rol të tillë. Një e treta e tekstit ishte “Kohja nënën bre”. Më ofroi një shumë të madhe. Nuk pranova. Ne jemi më mësuar të luajmë pjesë serioze, teatro të situatave, karaktereve, problemor, të halleve të popullit. Ne si trupë nuk mund ta konceptojmë suksesin tek banaliteti i fjalëve. Ne kemi qenë dhe mbetemi estradë-teatër, shkollë dhe nuk mund ta konceptojmë që të denigrojmë nga ky status që e kemi fituar me shumë punë dhe pas një eksperience disa vjeçare. Unë jam kundër humorit banal. Ai publik nuk është publiku i teatrit. Ne jemi të kënaqur se marrim pak, por bëjmë role serioze për së mbari që pëlqehen nga të gjithë.

Kush ka qenë kritiku më i ashpër i jetës tuaj artistike?


Familja, por sidomos gruaja sipas nivelit që ajo ka. Por kritiku më i saktë ka qenë miku im Luftar Paja. Rrallë ngjet që një shok të të kritikojë me dashuri jo në emër të xhelozisë. Ai duke qenë shumë më lart se unë më thoshte me takt se ku duhej të ndryshoja apo korrigjoja, por edhe drejtuesit e mi si Pëllumb Kulla si një nga regjisorët më të spikatur. Ai ishte mësues, pedagog, krijues dhe shok shumë i mirë.

Partner kryesor?


Kam patur aktorin e talentuar Arqile Lipe dhe nga femrat Zhuljeta Kullën. Rolet kryesore i kisha me ta. Roland Roshi në një intervistë, Estradën e Fierit e ka përshkruar kështu… “Estrada e Fierit është nja 5-6 vëllezër dhe një motër”. Zhuljeta ishte motra e vetme që kërkonte me çdo kusht që të vinte dhe në teatër, por për arsyet e biografisë… Ishte e shoqja e Pëllumb Kullës. Por më vonë ajo mori role edhe në teatër edhe në filma. Tek “Shoku Niqifor” ka pasur një rol interesant.
 
Box1
Disa nga emrat e spikatur të teatrit “Bylis” në vite?

 
Llazar Verria, ka krijuar estradën Nestor Pogaçe, një aktor gjigand, Leonodha Prifti, (ndjesë pastë), Agim Dollani, Zoi Papa etj..nga të vjetrit. Pastaj, Luftar Paja, Vasil Vaso, Fuat Boçi, Xhuljeta Kulla, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Hasan Bregu, etj... Një numër i pafund. Të më fali ndokush që nuk e kam përmendur. Por të gjithë ishim si një trup i vetëm.
 
Box 2
A jeni ndjerë keq në skenë ndonjëherë?

 

Disa herë. Njëherë kisha një kuplet me kolegun tim Arqile Lipe. Këndonte ai dhe duhej t’i përgjigjesha sipas ritmit të muzikës. Unë harrova tekstin, ndërsa muzika vazhdonte. U detyrova të sajoj, krijoj një 4 vargësh tjetër. E kapa ritmin dhe muzikën nuk e lashë bosh. Pas numrit kur dolëm nga skena Arqile Lipe u mërzit dhe filluam të debatojmë. Ishte shumë serioz dhe kërkues. Të gjithë donim që çdo gjë të ishte perfekte. Kurrë nuk bënim role për role. Role për të marrë rrogën. Kërkesa ndaj vetvetes ishte në shkallën sipërore. Në debat na gjen regjisori Pëllumb Kulla. Ai më afrohet dhe përqafon duke më thënë “bravo të qoftë, se dole nga situata”. Unë them se aktorëve u ngjajnë probleme të tilla. Aktorët organik, nuk janë si aktorët që mësojnë përmendësh. Mund të dalësh nga situata me teskt nga xhepi duke ja përshtatur rolit, tekstit për të cilin flitet, vetëm në sajë të një eksperience, në sajë të njohjes së partnerit dhe idesë së tekstit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora