E enjte, 28.03.2024, 12:32 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Mjedis i ftohtë ku vazhdojnë përpjekjet

E marte, 24.11.2020, 07:57 PM


Mjedis i ftohtë ku vazhdojnë përpjekjet

Nga Blerim Rrecaj

Kohëve të fundit kanë nisur të duken edhe mjegullat. Ndonjëra shfaq fytyrën e saj në një mëngjes, ndonjëra edhe në ndonjë pjesë tjetër të ditës. Duken e zhduken. Dielli ende i pranishëm në këtë nëntor që vazhdon rrugëtimin. Ndonjëherë edhe në mbretërinë e ca mbrëmjeve të bukura e muzgje të kthjellëta me çaste të këndshme. E gjethet vazhdojnë t'i braktisin degët e trungjeve, derisa t'i lënë ato fillikat. E nëpër gjethe bredhash e pishash rrinë kacavarur pika rrëshire, që po t'u afrohemi pak më ngat me të drejtë mund t'i emërtojmë si lotë nëntori, a edhe lotë vjeshte. Vazhdojmë rrugëtimin jetësor me masa që ndryshojnë, e vendimeve që merren për vërtitjen e virusit enigmatik. E tash vërshojnë njoftimet për zbulim vaksine që pritet ta zgjidh këtë problem gjithëbotëror. Në shumë lokale rrijnë njoftimet se s'lejohet hyrja pa maska e pa dorëza, ndërsa për maskat vlejnë mbishkrimet, dorëzat pothuajse nuk i përdor askush. Temë tjetër e madhe dhe e shumëpërfolur është edhe e ashtuquajtura: Gjykata speciale. Thua se vetëm këtë barrë problemi e kishim mangut. Aleatët tanë edhe këtë herë janë fjalët, saqë dalin lloj-lloj formulimesh. Njëri nga to: "Bac çka është kah bahet, na mbytën sloganet!", veçse shton më shumë pluhurin e grumbulluar tash e sa kohë. Ndërkohë ndërtimet vazhdojnë, e punëtorët tashmë kanë filluar të ndezin zjarre rreth objekteve, në qiell të hapur, rreth së cilave, ngrohen paksa.

Ashtu siç po mundohemi të ngrohemi në shoqërinë e ndonjë libri, herë pas here. Dhe herë-herë veten po e shohim aktiv në jetë e në përballimin e saj. E herë-herë pasiv. Herë gjysmë kështu e herë gjysmë ashtu. Të këndellur e të kalamendur. Mes vullnetit e plogështisë. Në një mjedis të ftohtë të ngrohur nga përpjekjet në jetën që vazhdon...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora