E marte, 26.01.2021, 08:31 PM (GMT)

Mendime

Edison Ypi: Po japim lajmet

E merkure, 25.11.2020, 07:33 PM


Po japim lajmet

Nga Edison Ypi

Të dashur bashkatdhetarë vllavrasës, kafepirës, gazetangrënës, internetshetitës, hashishtymosës, zemërbardhë, mëlçizinj, shpirtkatranë, ku jeni e ku s'jeni para tavave të dhesë, zjarreve të ftohura, vatrave të fikura, oxhakëve pa tym, ndalni llomotitjet, thashethemet, intrigat, dallaveret, kollitjet, teshtitjet, frymat, dhe zgjatni veshët - Po japim lajmet !

Sipas disa të dhënave për vërtetësinë e të cilave nuk mbajmë asnjë përgjegjësi, kanë dalë në dritë disa të vërteta me rëndësi madhore Kombëtare.

Më në fund j'u dha përgjigje kryepyetjes që prej shekujsh torturon kryemendjet e shqiptarëve, europianëve, amerikanëve, kinezëve, japonezëve, dhe banorëve të mbarë planetit; Pse shqiptarët vrasin njëritjetrin ?

Ky fenomen ka ndodhur, po ndodh dhe do ndodhi, jo ashtu si padrejtësisht është thënë, po thuhet, e do thuhet, pra për arsye të selektimit natyral darvinian, apo për arësye politike, ideologjike, korruptive etj, por për një shkak më të thjeshtë dhe më të komplikuar njëkohësisht, që është ky; Mbi truallin e pellazgëve dhe ilirëve, në periudhën kohore nga kastriotët tek proletarët, mpleksja e gravitacioni të tokës me rrezet kozmike, fushat elektromagnetike, mineralet e nëntokës, plus flladin e pranverës, trishtimin e lunës, muzgun dëshpërues, perëndimin e përgjakur, të gjitha këto pra, mpleksen në atë mënyrë që mendjen e shqiptarit e torollepsin aq tepër dhe aq bukur saqë për shkak të këtij turbullimi të pavetdijshëm, duke ngatërruar lugën që fut në pjatë me sqeparin që ngul në kurrizin e babait, apo pirunin që ngul në sallatë me thikën në zemrën e vëllait, s'di katranos, s'di ç'ther, s'di ç'vret.

Pyetja tjetër; Pse në disa vende të Shqipërisë lopët lindin viça me 3 koka të shtrembëra, gjarpëreshat pjellin gjarpërinj me 5 gjuhë të helmatisura, pulat nxjerrin nga bytha vezë të bardha pa asnjë të verdhë brenda ?

Siç na njofton blogu që menaxhohet me pare të vjedhura nga Nampanam Bythlëpirsi, u zbulua se shkaku i kësaj mënxyre ndodhet në katundin Varilesht të Komunës Moserruj ku femrat kanë nga jo më pak se 7 vrima. Hutimi i meshkujve para gjithatyre vrimave, vështirësia për të gjetur me ment se cila nga atë brima është kryesorja, kjo paqartësi dhe pavendosmëri e ankthshme, është arësyeja e atij ndërlikimi genetik monstruz.

Pyetjen tjetër; Në cilin zgëq të Shqipërisë flitet dhe shkruhet gjuha e pastër shqipe ? e sqaron portali i Futjakot Pordhacakut nga i cili mësojmë se, së pari ai zgëq ekziston, çka është në vetvete një haber i mirë, dhe se vendndodhja e asaj skute aq të rëndësishme më së fundi u zbulua dhe ndodhet ku askush nuk e di, askujt nuk i vlen, kurrkujt nuk i intereson, për askend nuk ka rëndësi. Nëse zgëqi në fjalë ekziston sepse nuk ka asnjë rëndësi, apo duke mos pasur asnjë rëndësi as nuk ekziston, pritet ta qartësojë Fiqir Firifiu në programin e tij televiziv "Sofra e Rrotave" ku llomotitet pafund për këto dhe të tjera tema të kësaj natyre.

Ku ndodhet katundi Liria ? Ai pa Kushtetutë, pa Parlament, pa qeveri, pa ligje, pa Kod Penal pa prokurori, pa gjykatë, si dhe natyrisht pa pare, pa korrupsion, me bakshish zero, me taksa inekzistente, korent dhe ujë që nuk paguhen sado të konsumosh. Dilemën për pyetjen madhore për fatet e Kombit lidhur me vendndodhjen e atij katundi e zbardhi sajti i Tarallak Biçimsëzit, i cili, për katundin në fjalë jep këto koordinata; Katundi Liria ndodhet prapa maleve, në luginën e lumit, pranë kaçubeve, përballë ujvarës, rrëzë pellgut me ujë të ndënjur ku guakin zhabat, pickojnë mickonjat, kafshojnë gaforret, helmojnë gjarpërinjtë. Për fat të keq, këtë katund nuk e kap asnjë hartë, për fat të zi nuk e njeh asnjë administratë, për fat të sterrosur nuk mund ta shohi asnjë njeri normal. Por s'është për tu mërzitur. Katundin Liria mund ta nuhasi, shohi, vizitojë, madje dhe mund ta blejë dhe shesi, cilido shqiptar me gjak të prishur, tru të munguar, mendim të avulluar, farefis me Kuqo Thika, Hajn Koburja, Gurrmaz Brisku.

Dhamë lajmet.

Faleminderit për vëmendjen e munguar. Vëmëndjet e tjera e dini vet ju për çfarë i përdorni.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora