Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Simon Rrota - Po shkruej për vedi e për Shkodren

| E marte, 24.11.2020, 07:44 PM |


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas disa vjetësh:

Një liber me kujtime...

“Po shkruej për vedi e për Shkodren”

Profesor Simon Rrota (1887 – 1961) shkruen:

“… Mbas sa ditësh, me thirri Patër Gjergj Fishta për me ba disa skena për një teatër për nji dramë të përkthyeme prej Tij “Mjeku i përdhunë” (komedi e Molierit). Kjo do t’ ishte rasa ma e mirë për mue me pasë perpjekje ma të ngushta me Poetin tonë. Edhe Ai vetë, mori pjesë me mue, në punimin e atyne skenave mbasi vizatimi i vinte shumë përdorësh, e kështu punojshim bashkë.

Ndërsa unë, pa pushim me brushat e mija ngjyrojshe në ata skena të bukura, Poeti recitonte vjersha e lëshonte disa batuta satirike qi mue më bajshin me qeshë aq shumë sa m’u donte me lanë edhe punën, tue i thanë se nuk mujshe me vazhdue ma, pse dhimbje të mëdha më kishin kapë dejt e qafës prej të qeshunit të fortë. E kështu, tue e pa edhe Ai vetë, menjiherë u largue, por ne nesre e shof se po vinte, e me vedi kishte pru do vjerrsha të pregadituna prej Tij.

Unë i mbylla derën e teatrit (Teatri i Françeskanve, ndodhej djathtas në oborrin e Shkollës Vasil Shanto) e nuk e lashë me hi mbrendë, por mas pak kohët qi Ai qindroi jashtë deret, më premtoi se nuk do të më trazonte ma e, me këtë konditë, i çila derën.

Por premtimet e Tija kjenë të shkurta e tue pa se skena po delte e bukur, ndërsa po pinte cingare e kafe së bashku me mue afër tangarit, në njatë kohë ia mbrrijti Mati Logoreci qi atëherë ishte mësues në Shkollën Françeskane. Prandej rasa kje e mirë për Poetin me na lexue vjerrshat e pregadituna aq bukur ku ndër to, kishte përmendë vedin edhe mue….”

Shenim nga F.Radovani: Këta pak rreshta nga Kujtimet e Profesorit të Nderuem Simon Rrota, tregojnë jo vetem madhështinë e Profesorit, por edhe thjeshtësinë që e ka shoqnue gjithë jeten e Tij prej artisti...

Profesor Simon Rrota asht kenë një nder penelat e artë të kulturës sonë kombtare dhe asaj Europjane Perëndimore, së ciles i kushtoi gjithë jeten.

Melbourne, 22 Tetor 2020.