E enjte, 25.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihrije Braha: Në 91-in, në Shqipëri jam tmerruar

E enjte, 20.11.2008, 12:54 PM


Mihrije Braha
Mihrije Braha: Kur hymë në tokën shqiptare kemi përjetuar një emocion shumë të veçantë
 
Në 91-in, në Shqipëri jam tmerruar

 

Nga Albert Zholi
 
Një nga këngëtaret më të njohura kosovare në Shqipëri. Mihrije Braha në këtë intervistë ekskluzive rrëfen vizitën e parë në Shqipëri, përshtypjet e vendit që gjithë jetën kish ëndërruar për ta parë e për ta shkelur, lidhjen e saj magjike me muzikën, karrierën dhe dashuritë e jetës së saj. Si u njoh me Naimin, shoumeni dhe këngëtari i njohur kosovar, burri nga i cili nuk ndahet asnjë çast të jetës së saj. Mendimi i saj për politikën, për gjendjen aktuale në Kosovë dhe shumë sekrete femërore do t’i gjeni në këtë bisedë të gjatë që realizuam me këngëtaren bukuroshe kosovare….Intervista është bërë pas atmosferës së shkëlqyeshme që ajo përcolli tek Karaoke “Albi” (Stadiumi “Qemal Stafa”) ku ajo ishte e ftuar speciale.
 
Kur ka ardhur për herë të parë në Shqipëri Mihrija?


Për herë të parë kam ardhur në vitin 1991, vetëm për të parë Shqipërinë sepse akoma e kishim të ndaluar hyrjen në Shqipëri nga serbo-sllavët. Udhëtuam rreth e rrotull nga Greqia duke rrezikuar shumë, por ia vlejti. Qëllimi i ardhjes ishte ëndrra e kahmotshme e gjithë kosovarëve për të ardhur një ditë të vetme dhe për të parë Shqipërinë.
 
Si e mendonit Shqipërinë atëherë?


Ne e shikonim në televizor. Më kujtohet që kur dëgjonim diku që shihej televizioni shqiptar ne bënim rrugë të gjatë dhe shihnim ndonjë spektakël, atë që ofrohej. E kemi parë krejt ndryshe. Gjithashtu dhe e imagjinonim në bazë të atyre që kemi lexuar, shkrime, romane. Në momentin që një njeri nuk e prêk vetë realitetin atëherë e imagjinon sipas mënyrës së tij.
 
Në atë kohë kishit emër si këngëtare?


Në Kosovë, Maqedoni dhe në Evropë, po, por në botën shqiptare isha e panjohur.
 
Kur ka kënduar për herë të parë Mihrija?


Unë kam kënduar për herë të parë që fëmijë, nga klasa e dytë e shkollës fillore në aktivitetet e shkollës. Sigurisht që arsimtarja e shkollës i vinte re talentet dhe më aktivizoi në aktivitetet e shkollës. Fillimisht me grupin e korit dhe orkestrën e shkollës. Aty kam fillu. Mbaj mend që e vogël që kam kënduar dy këngë të Nexhmije Pagarushës. Ka qenë kënga “Mora testin” dhe kënga “Ani mori nuse”. Ishte dita e fundit të shkollës dhe ne po bënim një shfaqje para prindërve tanë.
 
Ju këndonit vetëm shqip apo dhe serbisht?


Në shkollën që kam bërë unë nuk ka pasur imponime. Nuk kemi qenë të detyruar për gjuhën serbe. Tek unë nuk ka egzistu dëshira me këndu këngë serbe derisa ne shqiptarët kemi këngë të bukura tonat.
 
Kush kanë qenë këngëtarët shqiptarë që keni njohur ju?


Ne i përcillnim festivalet. Sigurisht që kishim dëgju për Vaçe Zelën, Fatma Zyberin, Liri Rashën, Irma Libohovën, këngëtare të gjeneratës më të hershme. Shumë rrallë kishim mundësi me i përcjellë sepse aty ku jetoja unë nuk kapeshin frekuencat.
 
Ku ka lindur Mihrija dhe cilat kanë qenë raportet që kishte familja juaj në lidhje me patriotizmin?


Unë jam lindë dhe jam rrit në Mitrovicë në pjesën veriore. Dhe shkollën e mesme e kam bërë aty. Më pas studimet e larta i vazhdova në Prishtinë. Gjatë gjithë kohës kam qenë shumë aktive, shumë e njohur nëpër koncerte dhe me shoqëritë amatore. Më duket se kam trashëgu këtë pasion nga nëna ime, e cila në rrethinën e vet familjare ka qenë goxha e famshme si këngëtare.


Mitrovica është sot pjesa më e diskutueshme mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Çfarë përfaqëson për ju ky qytet?


Kjo pyetje më hap shumë plagë dhe shumë pista diskutimi për t’u elaboruar gjatë. Mendoj se ndaj këtij vendi Europa u tregua e padrejtë. Unë kam familjen atje dhe shkoj shpesh. Në Mitrovicë takon një realitet krejt tjetër. Për ne ka mbaruar lufta, ndërkohë që atje jo. Unë kam qenë një natë dhe pas orës 12 ka pasur të shtëna, ka pasur një ngatërresë mes shqiptarëve dhe serbëve. Serbët i marrin mësimet nga Beogradi dhe nuk i lënë shqiptarët të rindërtojnë shtëpitë dhe shkojnë i sulmojnë.
 
Përse studioi Mihrija?


Kam studiuar pedagogjinë. Shkollën e mesme e kam bërë për infermiere. Si duket jam një tip që e kam qejf humanizmin, kam dëshirë të ndihmoj njerëz, kam pasur dëshirën për t’u bërë mjeke, por konkurrenca më bëri të orientohesha tek pedagogjia. Gjithnjë ku qëndron diçka edukative kam qejf të jem dhe unë.
 
Kjo do të thotë se keni ushtruar profesionin e pedagogjisë?


Jo, vetëm shkollën kam bërë. Muzika më ka bërë më shumë për vete dhe më ka tërhequr.
 
Kur keni kënduar për herë të parë para një mase të madhe njerëzish, ku ju u evidentuat si një këngtare e mirëfilltë profesioniste?


Ka qenë një koncert në Prishtinë, në vitin 1984. Ka qenë një sallë e madhe që tani fatkeqësisht nuk është më dhe ka pasur rreth 13 mijë shikues. Më besoni që vetëm kam parë një tollovi të madhe njerëzish dhe nuk kam dalluar askënd. U mbusha me entuziazmin para tyre, por ka qenë dhe një Uauh! Atëherë isha e re, ishte fillimi i karrierës. Ka qenë një koncert shumë i veçantë.
 
Mbas përfundimit të studimeve ju nuk u kthyet më në Mitrovicë?


Në vitin 1992 unë jam martuar dhe kam filluar jetën në Prishtinë.
 
Gjatë kësaj kohe jeni njohur me Naimin?


Me Naimin jam njohur në vitin 1984 gjatë një turneu nëpër Kosovë që e organizonte shoqata “Luftë kundër kancerit” në një tur humanitar. Ishin shumë këngëtarë të mëdhenj si e ndjera Nazmije Hoxha, Sabri Fejzullahu dhe ne që kishim nisur karrierën.
 
Çfarë këngësh këndon zakonisht si zhanër. Dhe kush është zhanri më i preferuar në Kosovë?


Të jesh këngëtare dhe të këndosh të gjitha zhanret është dhurata më e madhe që mund t’i bëhet një këngëtari. Sepse në çdo vend të qëllosh nuk e ke problem t’i përshtatesh vendit dhe atmosferës. Bile në shumë raste i mrekullon dëgjuesit e tu. Unë kudo që hyj këndoj dhe këngët e lehta dhe këngët popullore.
 
Si u lidhët me Naimin. Si e mendove dhe si doli realisht?


Unë i kisha dëgjuar këngët e tij në radio. Isha maturante dhe kur përfundova maturën këngët e Naimit në atë kohë ishin mit. Ka qenë kënga “O Kosova jonë” një këngë e mrekullueshme dhe unë e fiksova. E kisha menduar pak më të ndryshëm. Më të gjatë, më të bukur, më vigan. Doli pak më ndryshe, por Naimi është shumë i mirë. Meqë isha e dashuruar marrëzisht po prisja reagimin e tij. Ndodhi që ishim bashkë në atë turin në Kosovë dhe nisëm me u njoftë më thellësisht dhe i thamë njëri-tjetrit “po”.
 
Si e hodhi hapin e parë Naimi në lidhje me Mihrijen?


-Kanë qenë momente të veçanta. Ai nuk më lëshonte një minutë. Ishte shumë xhentil dhe më rrinte gjithnjë pranë. Nga shikimi sytë flisnin shumë. Më duket se kur jemi kthyer nga një koncert i vonë, pas mesnatës dhe Naimi po më përcillte deri tek shtëpia, ku unë jetoja në Prishtinë dhe normal ishin fjalët e bukura që çdo mashkull i thotë një femre: Ti je e bukur. Ti je një ëngjëll. Të dashuroj e bla- bla të tjera. (qesh)
 
Kur morët pjesë në festivalin e parë në RTSH?


Ka qenë viti ‘92 kur unë po xhiroja një videoklip për një kasetë. Ishim me Spiro Kondurin dhe Bujar Kokonozin, kameraman. Ata më folën për festivalin që unë e kisha parë vetëm në ekran. Kur u kthyem në Kosovë dhe vazhduam me punimet e regjistrimit. Erdhi ftesa në Kosovë, direkt tek njëri prej kompozitorëve për mua, kënga “Ta fala zemrën time” me të cilën u klasifikova e treta.
 
Çfarë emocioni të veçantë provuat në podiumin e TVSH-së kur kishte kaq shumë imagjinata për Shqipërinë. Ishte një risi për ju?


Patjetër që ka qenë një ngjarje për jetën time sepse po ngjitesha në Pallatin e Kongreseve në një eveniment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. Ishte një konkurrencë shumë e fortë, me këngëtarë shumë të njohur që vetëm i kishim dëgjuar nëpërmjet radios dhe televizionit. Kanë qenë emocione të papërshkrueme sepse po shkoja në një festival dhe duhet të dilja në mënyrën më të mirë të mundshme. Kur erdhi puna për të hyrë në finale nuk na bënte përshtypje fare pjesa tjetër. Ishim katër kosovarë. Edhe pse mora çmimin e tretë unë arrita një sukses të papërshkrueshëm. Dhe njerëzit në rrugë më kanë ndaluar dhe më kanë dhënë shumë komplimente.
 
Sa albume keni realizuar?


Kam realizuar 7 albume dhe jam duke punuar me të tetin. I fundit ka qenë “Nga ëndrra në ëndërr” me 13 këngë të muzikës së lehtë, ku dy janë me motive popullore.
 
Në rrugëtimin tuaj Naimi ka qenë përkrahës, stanjues apo pengues?


Unë jam një femër me fat dhe bile-bile Naimi ka sakrifikuar karrierën e vet për të më përkrahur mua, për të ecur përpara. Më ka dhënë më shumë mua hapësirë se aktiviteteve të veta. Dhe unë jam munduar që në momentin pas një videoklipi të gjej kohën për pushim dhe të ndihmoj Naimin në realizimin e ideve të tij, spektakleve. Fatmirësisht na korporojnë mirë mendimet me njëri-tjetrin.
 
Ka ndodhur ndonjëherë të mos keni folur me ditë?


Jo. Kanë qenë grindje të momentit dhe më pas i kalojmë. Meqë shamata bëhet për probleme profesionale kalon më shpejt. Çdo njeri ka mendimet dhe opinionet e veta. Mund të ketë ndodhur që nuk kemi folur për një ditë. Por, më gjatë jo. Unë di të them që kur shoh femra që kanë probleme me burrin më rritet më shumë dashuria për të. Sepse i them vetes: “Sa mirë jam me të”.
 
Si e shihni sot Shqipërinë?


Shumë të bukur. Tirana është bërë një metropol i këndshëm dhe çdo herë që vij ta vizitoj shoh gjëra të bukura. Tirana po rritet.
 
Mihrija si amvisë si është. Kush është gjella që përgatit më me kujdes?


Me përgatit, përgatis mirë. Brumërat nuk më shkojnë për dore. Dhe specialitetet e traditës nuk i di mirë. Por mishrat dhe pastave ua kam marrë dorën.
 
Kur përmendni djalin duket se ju shkëlqejnë sytë. Çfarë solli ai në jetën tuaj?


Djali e ka emrin Plator. Ia ka vënë emrin vllau i Naimit, studiues. Ka një emër të veçantë. Çfarë të them për Platorin…!
 
Bëhet xheloz për nënën e tij?


Kur e ngacmojnë, pse jo. Por jo vetëm për mua, por dhe për babin e vet. Ashtu si tek “Portokallia” dhe tek ne në Kosovë ka një emision ku shpesh Naimi bëhet personazh humori. Kur Platori shkon në shkollë i thonë shokët se ia kanë shajtë babin. Ai është djalë i mirë. Studion për piano, ndërkohë që në kolegj shkon në klasën e tetë. Para tre javësh e ka kërkuar një studio. Unë jam munduar që ta edukoj mirë dhe jam një tip që nuk i imponoj asgjë. Kur e kërkoi studjoja më pëlqeu, sepse bashkë me Naimin kemi qejf që ai të merret me muzikë, por pa ia imponuar.
 
Ende nuk e keni zbuluar që ka të dhëna për këngë?


Jo është ndër më të mirët për moshën e tij. Por si fëmijë adhuron shumë gjëra.
 
E guidoni vetë makinën. Keni një makinë të preferuar?


Sapo kam blerë një makinë të re “Benz” që e kam guiduar për të ardhur në Tiranë. Ishte një eksperiencë e mrekullueshme.
 
Si ishte atmosfera tek Karaoke “Albi”?


Ka qenë një atmosferë e mrekullueshme. Një vend me kulturë, me nivel, shumë bukur.
 
A keni menduar ndonjëherë të merreni me politikë?

Unë zonja e parë e shtetit…?Jo…!
 
Shqipëria
Si e gjetëm në vitin 1991


Kisha dëgjuar apo parë shumë përmes televizionit, por kur kam ardhur jam tmerruar. Në kuptimin negativ. Në ‘91-in ju e dini se sa varfëri kishte në Shqipëri dhe kemi hyrë nga Kapshtica. Momenti kur hymë në tokën shqiptare kemi përjetuar një emocion shumë të veçantë pozitiv që nuk di ta përshkruaj me fjalë. Sepse na dukej e pamundur që kishim shkelur në tokën shqiptare. Por futja në brendi ishte tmerruese për shkak të varfërisë së madhe. Kemi vujtë, kemi bërë kilometra të tëra dhe as unë as Naimi dhe as një mik që ka qenë me ne nuk ka mujt me folë. Në ato momente Naimi ka krijuar një frazë melodie të dhimbshme, një gjëmim shpirtëror të brendshëm që herë pas here e nxirrte jashtë. Kemi përshkruar km të tëra dhe nuk kemi folur sikur të kapërdinim shokimin. Kemi arritur në Tiranë, më pas në Durrës kemi shkuar në Vlorë, Sarandë dhe mbërritëm në Janinë. E kemi vizituar Shqipërinë brenda
4-5 ditëve. Kur jemi kthyer në Kosovë nuk kemi mundë me pranu atë që kemi parë. Nuk donim të pranonim gjithë atë varfëri që kishim parë me sy.
 
Kosova
Përjetimi i Shpalljes së Pavarësisë si familje


Ajo ka qenë ngjarja më e bukur e jetës sime, të cilën e kam përjetuar dhe kam mujt me e pa me sytë e mi. Në mëngjes na kanë marrë në telefon plot media për opinione. U planifikua një grup artistësh për të defiluar në gjithë qendrat e Kosovës, por nuk u realizua. Jemi kthyer në shtëpi dhe festuam vetë me miqtë tanë. Kemi ngrënë një drekë të shijshme, kemi trokitë gotat, kemi uruar njëri-tjetrin. Kam inçizuar disa lajme të BBC-së. Ishte temperaturë e ftohtë, por ia kaluam shumë bukur. Mbajtëm një koncert tek sheshi “Nënë Tereza” dhe këndova këngën më të re. Aty filloi festa me fishekzjarre. Kemi dalë në tarracë dhe djali ka filmuar gjithçka. Ishte ora 11 e natës, por Prishtina u bë dritë. Mandej shkuam në sheshin e radiotelevizionit 21, kemi kënduar më pas live dhe jemi argëtuar jashtë normales. Ka qenë diçka shumë e bukur. Sepse ne kemi vujtë shumë nga serbët. Ju thashë se për ne ka përfundu lufta, po për pjesën veriore të Kosovës, lufta vazhdon akoma.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora