E premte, 19.04.2024, 12:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Turku: Sot të qënurit artist kërkon rrugë të tjera për të realizuar objektivat

E enjte, 20.11.2008, 01:00 AM


Suzana Turku
Suzana Turku: Sot të qënurit artist kërkon rrugë të tjera për të realizuar objektivat dhe synimet që kërkon një karriere artistike
 
Ish- godina e Lidhjes është më e përshtatshme si Ministri

 

Nga Albert Zholi
 
Një nga gratë më aktive në politikë dhe në art. Një nga dirigjentet e pakta shqiptare që ka thyer konceptin e ndarjes së profesioneve burrë-grua. Me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse, ajo tashmë është një shembull për të gjitha gratë shqiptare dhe pjesëmarrjen e tyre në politikë. Për “ Telegraf” ajo rrëfen jetën e saj dhe vështirësitë që kanë gratë për thyerjen e koncepteve pasi demokracia u ka krijuar të gjitha shanset që ajo të zejë vendin që i takon në politikë dhe jetën shoqërore.
 
Prej disa vitesh kryeni funksionin e zv/ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Si do mund t'i përkufizoni këto vite? Çfarë eksperience keni përfituar nga një pozicion i tillë?

 
Emërimi në këtë post ishte një nder dhe një herësh një mision përgjegjësie që mua m’u besua nga kryeministri Berisha me marrjen e mandatit qeverisës nga e djathta. Them nder, sepse sigurisht si në çdo fushë dhe arti e kultura ka shumë emra e personalitete të njohura, që mund të ishin në pozicionin e zëvendësministrit të Kulturës, por mendoj se identiteti, angazhimi në problemet sociale dhe politike si dhe karriera artistike e gjatë dhe e suksesshme e imja në fushën e muzikës, kanë qenë kriteret përcaktuese në emërimin si zëvendësministre e Kulturës. Sigurisht që është një përgjegjësi dhe angazhim shumë serioz t’i bësh ballë sfidave të punës, pasi nuk është vetëm një rol ekzekutiv, por është dhe kreativitet, komunikim me artistë të njohur, ekspertë të turizmit, personalitete brenda dhe jashtë vendit, është menaxhim i evenimenteve kulturore dhe turistike. Përsa i përket konstatimeve të
tjera tuajat, si luftë klanesh, brrylash etj.. Si këto, them se këto janë pjesë e sfidave dhe vështirësi si në çdo profesion, aq me shumë kur je përfshirë në politike dhe je pjesë e pushtetit. Në fund të fundit nga përballja me sfidat matet një pjese e rëndësishme e suksesit që ti ke si politikan apo jo.?
 
Ju jeni një nga artistet më të njohura shqiptare. Jeni “Mjeshtre e merituar” e korit. Si jeni munduar që t'i mbani lidhjet me profesionin tuaj?
 
Lidhjet e mija me profesionin janë lidhje të forta organike, dhe mbi të gjitha shpirtërore. Muzika është pjesë e qenies sime, e cila jeton çdo ditë me mua, ushqehet dhe rritet me emocionet që unë përjetoj si dhe me ushtrimin e provave muzikore për aktivitete të ndryshme që unë mundohem t’i arrij me maksimumin e energjive të mia. Sigurisht gjatë këtyre viteve gjithçka që kam arritur artistikisht e kam planifikuar në detaje duke pasur parasysh kohën dhe mundësinë, sepse angazhimi në muzikë më kërkon tjetër impenjim, në ato momente jetoj me muzikën jam Zysh Zana që drejton korin.. Kështu më ndodhi në muajin Tetor me operan “Lucia di Lamermoor” për premierën e së cilës punova me korin e operas, vepër që vihej për herë të parë në Shqipëri. Ishte një bashkëpunim i shkëlqyer midis artistëve shqiptarë dhe italianë.
 
Politika në jetën e një gruaje. Si e ndryshon ajo rrjedhën normale të jetës për më tepër kur bëhet fjalë për një artiste të kalibrit të lartë, siç jeni ju?
 
Politika në këto zhvillime globale që jetojmë, ndikon në jetën e çdo qytetari, aq më tepër kur je pjesë e saj. Citoj këtu dhe shprehjen e shkrimtarit të madh Stefan Cvajg: “Se politika është ndër pasionet më të forta të njeriut”. Unë jam pjesë e zhvillimeve politike shqiptare qysh në vitet e hershme të demokracisë dhe mendoj që roli im ishte dhe është shumë aktiv në nismat e PD, veçanërisht në kohën e opozitës së vështirë 8- vjeçare.
Sigurisht, që gjithë këto faza kanë ndikuar dhe kanë ndryshuar mentalitetin tim për disa çështje, pse jo më kanë bërë më të ndjeshme ndaj komunikimit politik dhe social me njerëzit (pasi mos harrojmë që bota ime e brendshme i përket muzikës dhe është e orientuar drejt saj). Sot në këtë post rrjedha ime e jetës është krejt ndryshe nga ajo e disa viteve më parë. Është plot intensitet shumë e gjallë dhe e larmishme. Kam shumë me pak kohë për veten pasi jam e përfshirë në axhendën ritmike të punës, takimeve, telefonatave, mbledhjeve, aktiviteteve dhe shumë angazhimeve të tjera. Njëkohësisht duhet ta dini se unë nuk jam e shkëputur nga muzika dhe nga profesioni, ajo është brenda tek unë dhe asnjëherë nuk fle. Here pas here unë gjendem aty ku duhem në momente të duhura pranë korit. Kam punuar për operan me përmasa të mëdha siç është “Aida” e Verdit dhe “Lucia di Lamermoor” e Donizetit.
 
box
Mbështetja e Ministrisë për artin

 
Unë mendoj se puna e një dikasteri në një fushë të caktuar nuk mund të kufizohet si e mirë ose e keqe, aq më tepër në një fushë delikate dhe me shumë sensitivitet siç është arti dhe vete artistët. Unë mund të them se gjatë këtyre viteve arti është përkrahur në shumë nisma që kanë pasur të bëjnë me stimulimin e talenteve të reja dhe me prurjen e shumë potencialeve dhe grupeve të njohura shqiptare nga jashtë, çbashkëpunime me artistë të huaj, të cilat pa diskutim kanë sjellë një risi dhe ide në artin shqiptar. Mos harrojmë që për herë të parë politikat për librin janë orientuar drejt liberalizimit të taksave si dhe është synuar të mbështeten studimet dhe ato botime që përbëjnë prioritet për kulturën dhe artin në tërësi. Tek ne funksionon Bordi artistik anëtare, të të cilit janë figura të njohura të artit dhe kulturës sonë për të përcaktuar projektet artistike dhe veprimtaritë e ndryshme kulturore artistike në vend, të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar. Për herë të parë Ministria e Kulturës ka hartuar një strategji afatgjatë të kulturës dhe artit në bashkëpunim me ekspertët më të njohur të fushës. Kjo strategji do vendosë shinat e zhvillimit të kulturës shqiptare në standardet europiane. Sigurisht që në tërë këtë panoramë reformash ka dhe ngërçe të punës që lidhen dhe me problematikën e zhanreve të ndryshme në art, por në sajë të një mirëkuptimi dhe gjykimi ato janë zgjidhur dhe mendoj se gjithçka ecën mirë.
 
Si i keni krijuar raportet me ministrin Pango?


Duke qenë se gjithmonë kam punuar me trupa të mëdha artistësh më është dashur që të kem shumë kujdes në vendosjen e marrëdhënieve të komunikimit me ta ,për të cilën fola më lart, kështu në marrëdhënie me Ministrin Pango kam raporte korrekte brenda kufijve institucionale, duke e respektuar.
 
Çfarë po bëhet nga institucioni i juaj ndonjë hap konkret në drejtim të artit dhe cili është projekti më i fundit me të cilin po merreni?
 
Ministria jonë që nga viti 2005, ka punuar për zbatimin e programit të qeverisë për artin dhe kulturën. Konkretisht sot po punohet për planin e veprimit që shoqëron Strategjinë e kulturës. Për mënyrën e administrimit dhe menaxhimit të institucioneve qendrore të artit dhe të kulturës për t’i afruar me nivelet europiane. Bashkëpunimi i Ministrisë me pushtetet vendore për decentralizimin e institucioneve artistike, me qëllim rritjen e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe rolin e artit dhe të kulturës në të gjithë vendin, lidhur dhe me strategjinë e zhvillimit të turizmit kulturor. Bashkëpunim me Min e Arsimit për një plan të përbashkët për edukimin kulturor nëpër shkolla. Ndiqet me shumë vëmendje projekti për të rinjtë pranë TKOB, TK, G.K.A, dhe Q.K.K.F. Një nga projektet më të mëdha të Ministrisë sonë është konceptimi dhe ndërtimi Q.N.K. ku do të përfshihen Teatri, Galeria e Arteve, pra
do të kemi një teatër dhe një galeri më shumë. Ndërsa në fushën e trashëgimisë kulturore janë fituar 2 projekte madhore një nga BE 3 milion Euro dhe projektin e fituar nga qeveria spanjolle me vlerë 3. 26 milion Euro. Këtyre projekteve u bashkëlidhet natyrshëm restaurimin e Qendrës historike të Gjirokastrës me fondet e qeverisë shqiptare dhe UNESCO me vlerë 1.2 milionë dollarë. Sigurisht, punë ka shumë, por ju siguroj që ka dhe një vullnet të madh për t’i arritur të gjitha objektivat tona si Ministri Kulture.
 
Sot flitet gjerësisht që në Parlamentin e ri shqiptar pjesëmarrja e gruas të jetë 30%, cili është mendimi juaj për këtë nismë dhe a është një mesatare e kënaqshme...
 
Jam gjithmonë me idenë se gruaja dhe burri duhet të kenë shanse të barabarta për konkurrim në profesion dhe në çdo fushë tjetër të jetës. Më pas kush është i fortë, i aftë brenda garës le të arrijë finishin. Asgjë nuk duhet konsideruar si lëmoshë për të ashtuquajturin seksin e dobët. Këtë e them dhe nga eksperienca në profesionin tim. Zakonisht dirigjentët janë burra dhe shumë pak janë gra. Por këto gra, të cilat sot drejtojnë kore dhe orkestra e kanë arritur gjithçka me zotësi e konkurrencë, sepse arti nuk të jep lëmoshë, është shumë i rreptë në vlerësimin e tij. Mendoj se përcaktimi i kuotës në kodin e ri elektoral është një pikënisje e mirë, por zbatimi mbetet për t’u parë dhe për t’u provuar nga të gjitha gratë që e ndjejnë veten të aftë se mund të përballojnë rrugëtimin e vështirë të politikës. Pjesëmarrja e gruas në Parlament do të jepte një ngjyrë më të butë dhe
më jetësore.
 
Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve është kthyer në zyra të Ministrinë e Kulturës. Ju jeni dakord me këtë marrje të godinës nga ana e qeverisë për ta përshtatur si Ministri?


Ka qenë një zgjidhje e përshtatshme brenda mundësive. Kjo ndërtesë me vlera të arkitekturës, me vlera historike e artistike, tashmë ka marrë jetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora